
Mungesa…
nga Meti Fidani
Iku prej turnit tonë edhe Margarita.
Fillimisht menduam se ajo do të kthehej në Venezuelë, në atdhe.
Por jo!
Si të gjithë emigrantët edhe ajo përballet me problemet e saj… Vajza i studion në një nga universitetet e Washingtonit. Është e vështirë të përballosh dy qera shtëpie dhe vetëm me një rrogë… sado që punon nga 12 orë çdo ditë…
Vendosi të shkojë edhe ajo në Washington, te vajza e saj. Reduktonte një qera.
Menaxherët vendosën një tabelë të madhe, ku secili të komentonte dhe t’i uronte Margaritës mbarësi në qëllimin e saj…
-Do më mungosh, Margarita!
-Do më mungosh, Margarita!
-Do më mungosh…!
Të gjithë pothuajse të njejtën frazë… Dhe vërtet do ndjehet mungesa e saj… Ajo ishte një punëtore e madhe, por edhe një shakatore, këngëtare dhe valltare e përkryer. Lodhjen e rëndë të turnit na i kthente në humor… Edhe kompania vështirë ta gjejë zëvendësuesen e saj…
-Po ti o periodista…? – (kështu më thërrasin mua. Periodista në latinisht do të thotë gazetar…) E dinë që unë shkruaj dhe kujtojnë se jam ndonjë gazetar profesionist apo poet me famë…!
-Po ti o periodista, do shkruash ndonjë gjë apo jo? Se edhe ti shoqe e kishe… bile e kishe shoqe me shumë se ne… Shkruaj ndonjë gjë!
E mora edhe unë shkumësin…
Para meje të gjithë kishin shkruar, do më mungosh, njeri, do më mungosh, tjetri…
Edhe unë të njëjtën gjë, por e zgjata pak më shumë, domosdo, si poet hesapi…
-Do me mungosh, Margarita… Po çfarë të bëjmë?
Kështu e ka jeta…!
Marrë nga Muri i Fb, Meti Fidani 26 janar 2025
Avis Gjyshja
Shumica e komenteve këtu më lart duket se e marrin lehtë postimin e Metit. Për mua ai është shumë i dhimbëshëm. Në biznesin tim kemi të punësuar edhe disa disa venezualianë pa leje të përherëshme qëndrimi në Amerikë. Janë njerëz shumë të mirë, hallexhinj e që nuk u ndjehet zëri kurrë për keq. Të nesërmen e ditës që Trump firmosi urdhërin kundër emigrantëve, ata ishin të trishtuar e gjithë lot në sy. Ne e kemi parë këtë edhe tek shqiptarë pa letra të cilët i kemi marrë në punë dhe janë deportuar. Për ata kjo është jetë shkatërruese dhe faji i vetëm i vuajtjeve të tyre është fati i keq dhe politikat e këqija n’daç të vendeve nga vijnë e n’daç të vendit nga ku i përzënë dhe i përbuzin.