back to top
21.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024

Monumenti në Këmbë i Musinesë… nga Jozef Radi

Gazeta

Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari para gjyqit…

Monumenti në Këmbë i Musinesë…

nga Jozef Radi

…Hymn për nji grua,
për shumë gra,
për gjithë gratë…

Për Musine Kokalarin kam lexuar dhe dëgjuar shumë… kam dëgjuar atëherë kur ajo qe e vrarë humbëtirave të heshtjes dhe askush s’guxonte ta përmendte emrin e saj; kam dëgjuar mbrëmjeve rrëfime për të, si për nji Hirushe që humbi këpucën në pyllin e Djajve të Kuq… kam dëgjuar për nji grua që rrinte edhe midis burrave më të mençur dhe ndriste… kam dëgjuar dhe menduar për Atë, pse im atë e kish pasur shoqe botimesh dhe universiteti, kurse nëna ime kish kaluar nji pjesë të burgut dhe të rinisë me të… Kështu, Musineja ka qenë dhe mbeti njeri i shtëpisë tek ne edhe pa e parë, edhe pse e “keqja e përbashkët”, e kish hedhur si Atë, ashtu edhe Prindët e mi humbëtirave të poshtërimit…
Si për nji mike të shtëpisë, kam qenë vazhdimisht i interesuar për të… për çdo grimcë të jetës dhe veprës së saj, për çdo shkrim e foto të saj, dhe sa më thellë  futesha në botën e kësaj gruaje të rrallë, aq më e madhe bëhet bindja ime në madhështinë vetmitare dhe të pashoqe të saj…
Prandaj sot me guxim mund të them se: s’besoj të ketë grua të kësaj bote të madhe, të nivelit intelektual dhe shpirtëror të Musine Kokalarit të jetë rrethuar me aq shumë urrejtje dhe poshtërim, me aq shumë policë dhe burgje, me aq shumë spiunë dhe internime, me aq shumë fëlliqësi dhe bisha, me aq shumë injorancë dhe shpërfillje… bile Rrethimet e Musinesë me ferr e tmerr komunist… simbolikisht mund t’i krahasoja me Rrethimet e lavdishme të Krujës nga pushtuesit më të egër…
Në nji betejë, kundërshtarët edhe vriten, po nuk u cënohet dinjiteti… as robërve as viktimave, kurse fundërrinat sunduese dhunuan jo njerëz dhe heronj po edhe kufoma, i çuan ato deri te gremina e vdekjes, po nuk i vranë, jo pse u dhimbseshin, por sepse deshën ta gëzojnë egërsisht atë vdekjen e ngadalshme nën dhunën e tyre, t’i gëzohen tjetërsimit dhe rrënimit të vlerave të njeriut stoik… aq më e dhimbshme kur ky personazh ishte nji grua fisnike e nji dere të Madhe e të nderuar. Kjo bëhet edhe më e beterrshme kur mendon se ajo ishte ndër intelektualet e rralla, të cilat koha i sjell rrallë, veç ndonji herë dhe s’merr  guxim t’i përsërisë më… E Musineja mbetet e Papërsëritshmja!
Musineja, jashtë gjithë vlerave të saj intelektuale, shfaqet sot si monumenti më i lartë moral i gjitha kohërave, nji monument sa i dukshëm aq dhe i padukshëm, nji monument që ende është i detyruar të jetojë ndër shpirtra, e t’i rrisë në heshtje dhe pa zhurmë përmasat e saj, për sa kohë që kjo shoqëri së cilës i përkasim, ndodhet në çaste rrënimesh e rrëzimesh të skajshme morale, siç po na i dëshmon me shumicë koha e sotme…
I kam lexuar disa herë këto pak faqe nga dorshkrimet e Musinesë, dhe i ndjeva si një pajë nusërie e qëndisur në ferr, një pajë e qëndisur me fill të artë dashurie, ashtu gërmë pas gërme, fjalë pas fjale, dhimbje pas dhimbje, tmerr pas tmerri… dhe jam përpjekur të futem thellë në vetminë e saj solemne, të ndalem aty, për të kuptuar thelbin e këtyre shënimeve, që përcillen përmes figurave dritdhënëse të Rilindjes, pa u ndalur shumë të vuajtjet e saj. Sepse Musineja nuk i përket njerëzëve që qahen, po njerëzve që besojnë dhe trimërojnë…

Album - Musine Kokalari
Album – Musine Kokalari

I rilexoj këto shënime të shkruara ndër netë të egra dimri, netëve të janarit të 1977, dhe ndjej nëpër rreshta të disiplinuar e të shkruar qetësisht thellë e qartësisht bukur nji klithmë të madhe! Nji klithmë, që nuk duhet veç lexuar, por edhe duhet përcjellë te çdokush që beson te humanizmi, e në mënyrë të veçantë te brezi i ri, që është i shterrur modelesh, sepse ai është nji mesazh-klithëm ndaj vlerave morale të nji shoqërie historikisht qëndrestare, por që kahera e bjerr dukshëm e pa asnji dhimbje veten; që kaherë po i shthur frikshëm strukturat shpirtërore që u kanë mbijetur stuhive edhe më të zeza se komunizmi i kuq…
Mesazhi i këtyre pak rreshtave të saj është ai i mbrojtjes së vlerave morale të njeriut shqiptar, është mesazhi i mosnënshtrimit të njeriut shqiptar ndaj së keqes, është mesazhi i ballafaqimit haptas me të vërtetën!
Nënteksti i Musinesë e thekson: Shqipëria e Kulturës është ajo që i ka dalë gjithherë për zot Shqipërisë Politike, e cila ende asgjë të mirë e të shpresuar s’i ka sjellë dhe as mund t’i sjellë këtij vendi…
Është Shqipëria e Musinesë që i del përballë Shqipërisë së Hoxhës dhe i dëshmon me kurajo se cili është fitimtari… sepse gjithmonë  ka pasur Dy Shqipëri kundërshtuese, Shqipëria e Kulturës dhe Politikës, Shqipëria e Dritës dhe Errësirës, Shqipëria e Idealistëve dhe Maskarenjve, Shqipëria e Maleve dhe Kënetës, Shqipëria e Frashërllinjve dhe e Haxhiqamilëve… dhe ka fituar gjithmonë Shqipëria e Kulturës, Shqipëria e Dritës, Shqipëria e Idealistëve, Shqipëria e Maleve, Shqipëria e Frashërllinjve… pra ka fituar Shqipëria e Musinesë!
Musine Kokalari, e fitoi betejën e madhe me Bajlozët e Kohës së vet, dhe jo si Motra e Gjergj Elez Alisë, po si Gjergj Elez Ali me Motër bashkë, me dlirësinë morale, me idealet e larta rilindase, me vlerat fisnike të familjes dhe fisit të saj, edhe pse lubitë e diktaturës, s’lanë poshtërsi pa derdhur mbi trupin dhe shpirtin e saj.
Musineja, është sot monumenti më i madh i kësaj toke, që ne duhet t’i përgjunjemi çdo ditë; Musineja është monumenti më i lartë moral i çdonjerit prej nesh që e duam vendin tonë; Musineja është monument i dinjitetit dhe mosnënshtrimi ndaj së keqes; Musineja është monument dashurie, që edhe kur ia vranë mundësinë e të qenit Grua, Nënë, Mësuese, Intelektuale, s’mundën kurrsesi t’ia vrasin nderin e të qenit Zonjë Madhe e Shpirtit Shqiptar…
Të përulem Musine!
Gusht 2014

(Ky shkrim është përcjellje e shkrimit “Unë… Nxënësja e Sami Frashërit”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.