back to top
24.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024

Martin Camaj – në “Letërsinë Shqipe të Diasporës” studim nga Leka Ndoja

Gazeta

Dr. Martin Camaj (1927-1992)
Dr. Martin Camaj (1927-1992)

Martin Camaj

në “Letërsinë Shqipe të Diasporës”

studim nga Leka Ndoja

Martin Camaj,
kishte ditlindjen e 90 në korrik të këtij viti (2015),
ndërkohë që për 85 vjetorin,
botova revistën “Kritika” për të…
Sivjet, Camajt për 90 vjetorin e lindjes
dhe Koliqit për 40 vjetorin e vdekjes,
në janar të 2015, u kushtova librin
“Letërsia Shqipe e Diasporës”
Tezën time të Doktoraturës.
Leka Ndoja

Studiesi Leka Ndoja
Studiuesi Leka Ndoja

3. Martin Camaj.

Camaj ndonëse kaloi 3 dekada në Gjermani, formacioni kulturor bazë i tij mbeti ai latin si thirrje tradicionale kulturore e “Liceistit saverian” për çka u bë i njohur edhe në rrethin gjermanisht-folës ku mori famë ndërkombëtare. Camaj në epilogun e krijimtarisë së tij shënon edhe cakun më të lartë estetik të autorëve të diasporës me botimin e poemthit “Palimsest”. Analogjia e kërkimit albanologjik në bibliotekën e Vatikanit, si motiv kryesor i përmbledhjes me vjersha të Camajt është edhe leitmotivi i jetës së tij mes kërkimit shkencor, pedagogjisë dhe krijimit, ndonëse subjekti me karakteristikat e “Dijetarit” bartet në personazhin e Murgut të Zi. Kjo vepër mbështetur në linjën autobiografike dhe interesin rreth realitetit shkencor ka një përpunim të vargut deri në një epërsi gjuhësore magjepsëse të arritur përmes teknikave të hermetizmit, ironisë por edhe të lirshmërisë së vargut diskursiv si karakteristikë e poezisë moderne europiane.

3.1.Motivi albanistik.

Motivi i poemthit ishte përpjekja kërkimore përmes asindetit dhe sinkopimit të hermetistëve në vëllimin me poezi lirike Palimpsest të Camajt më 1991, motivi lirik i tij rrugëton drejt një kërkimi sa shkencor po aq edhe mistik. Toni borhesian i këtij kërkimi të një protoshkrimi shqip të fshirë, e kthen dyshimin shkencor në një paragjykim në një atu nacionale. Në një imperativ të ekzistencës. Besimi i këtij poeti përshkohet përmes subjekteve studjues të Bibliotekës së Vatikanit, të cilët e përmes një gjuhe gurûsh e drejtojnë fillimisht drejt pozitivizmit derisa pa u shfaqur personazhi i murgut të zi, që autori e paraqet si një simbol të mistikës teologjike e drejton drejt leximit të shkrimeve të fshira ndër pergamenat e lashta të shkruara në gjuhë të huaja. Kështu kërkimi kthehet në një kërkim paranormal, në kiromanci të interpretimit të çdo lloj shenje. Asosacioni me personazhe të marra nga historia e Shqipërisë nën diktaturë si Hoja gjysmë e marrë e gjysmë martire, e ndikon rezultatin e kërkimit duke e zhvendosur vemendjen e kërkimit të autorit si nënshtresë e koshiencës së fshirë. Analogjia e germës së fshirë me kujtimet e fshira, por të ringjallura, nga Shkodra e autorit është një zgjidhje e motivit të lirikës mistike. Një drejtim përtej libresk ku libreskja është drejtuese për veprimtarinë e autorit.
Kërkimi simptomatik mes kulturave të huaja të një identiteti lashtësor e bën poezinë e Camajt interpretuese të bindjeve nacionale që kishin përfshirë studjuesit shqiptarë. Kërkimi i gjuhës së lashtë në pergamenat e fshira simbolikisht transmeton mesazhin e dekonstruktimit të kulturave fitimtare të shtresëzuara përmbi gjuhën amtare. Duke ndarë dijet dhe emocionet me studentët, personazhi lirik merr nota mesianike duke krijuar dishepuj në një besim sesa i përçon dijen.
Vepra e fundit poetike e Camajt ka një dallim thelbësor nga pikënisja e poetikës së tij të viteve ’50, “Kanga e vrrinit”. Këngëtimi i tij ndërron motivin e subjekteve të vendlindjes dhe nga topografia arketipore e malësisë duke iu kthyer motiveve të një dijetari. Me motivet albanistike poezia e Camajt fiton një perifrazë të intelektualizmit, të poezisë së të diturve ku vetë poezia shërben si medium për përcjelljen e mesazhit filozofik. Në funksion të krijimit të kësaj gjendjeje Camaj shtie në punë asindetin, eleminimin e lidhëzave, kompaktësinë e mesazhit dhe zhvendosjen analogjike të diskursit poetik. Duke vështruar modelin Borhesian (dedikimi i Palimpsest) dhe parapëlqyer atë, intertekstet e këtyre autorëve defamiljarizojnë1] përmes mistikës shkencën dhe kërkimin, e i japin studiuesit funksionin e magut, e shfytyrojnë përmes mistifikimit të personazheve dhe lënien e tyre në një shtrat purgatorial të një konteksti fiksional të përpunuar të arketipeve demonike si veprues në Shkodrën gjysmë-urbane të shfytyruar në përçudní.2]
Me poezinë protazë “Emnimi i sendeve” fjala çelës është shenja. Semiotika e këtyre vargjeve përqëndrohet në fjalët shenja apo ideogramet: “Drangue” dhe “Shêjt”.
Mund ta ndërtojmë kuptimin e vargjeve kësisoj: “Shkëndijat e zjarmit, (ato) ishin bletë pa krena, që bien ndër kartat e bijve të tyne sot.”
Bijtë janë analogji estetike e poetit-studiues, ata (ai) janë në kërkim të shkëndijave të fjalës, të stërgjyshërve, ndër pergamenat e Bibliotekave, diçka e pohuar nga vetë poeti.
Shenjimi i shejzave “shêje” në kuptimin semiotik ka domethënien e yjeve “Hyjzit” në qiell.
Kemi të bëjmë me një teorizim të ndërkallur në vargjet poetike ose poetizim teorik të shkencës së shenjave; semiotikës. Më së tepërmi interpretimi i Camajt iu afrohet teorive të Zhak Lakanit që një shenje i vishte një seri të shenjuarish, teori e cila i jep një shkas antropologjik motivit lirik dhe mbart koncepsionet e poemthit: “Palimpsest”.
Camaj përpunon një seri fjalëkuptimesh, disa i merr të gatshme sipas kuptimit popullor; disa i riinterpreton duke u dhënë një simbolikë personale duke ua theksuar funksionin poetik fjalëve simbol.

Shkëndija = metaforë, për bletë.
Bleta = simbol i shpirtrave të të parëve.
Shpirtërit = etërit, paraardhësit, dijetarët e lashtë.
Shêje = Camaj e njëson në një nga kuptimet e tij, me domethënien: shêjt.

Me “Palimpsestin” mund të quhet e mbyllur krijimtaria e emigracionit 1944-1990, më pas kuptimi i këtij termi zbehet pasi Camaj e Koliqi botohen në Shqipëri, Arshi Pipa, Gjon Sinishta, Daniel Gjeçaj zhvillojnë konferenca në Shqipëri: Tiranë, Shkodër etj. duke e quajtur të përfunduar misionin ekskluzivisht emigrator të letërsisë shqipe.

Martin Camaj - Poezi
Martin Camaj – Poezi

3.2. Camaj dhe hermetizmi.

Martin Camaj pas botimit të dy librave të parë poetikë “Nji fyell ndër male” – 1953, dhe “Kanga e vërrinit” – 1954, në Prishtinë, ku ndihen ndikimet e “Kunorës së maleve” të Njegoshës e letërsisë sllave, diplomohet në Universitetin e Beogradit më 1956, ku punon për përkthimin e fjalorit të Kristoforidhit greqisht-shqip.3] Mërgon në korrik të atij viti në Itali, ku ndjek në Universitetin e Romës, leksionet e Giuseppe Ungaretti-t mbi letërsinë bashkëkohore italiane. Në këtë mënyrë kontakti me Ungaretti-n është i pashmangshëm, por edhe sikur të mos e kishte këtë “fat”, vështirë të gjeje letrar në Europë që të mos njihte revolucionin poetik të Ungaretti-t, me poezitë e zhveshura nga mjetet retorike ku fjala shërben si shprehje absolute. Përfshirja e leximeve mbi Ungaretti-n do ta reflektojë artin e poetit italian te prodhimi letrar i Camajt gjë që do të vërehet në “Lirika mes dy moteve”.4] Asokohe Ungaretti e kishte dhënë thuajse të tërë veprën e tij në poezi, ndonëse vijoi të shkruajë deri në 1 janar 1970, vit në të cilin edhe mbylli jetën.
Por paralelizmi i poezisë së Camajt në pjesën më emblematike të tij, merr një nocion biblik nga vepra e madhe “La terra promessa” – 1950. Kohë kur nostalgjia e Camajt për Atdheun tashmë nga Roma do ta bënte të angazhonte mjete dhe koncepte të reja shprehjeje artistike.
Perifraza “Toka e premtuar” ka sugjestionuar krijuesit e viteve ’50, duke e bërë Ungaretti-n poetin më të madh të gjallë, ndërkohë që buja e Salvatore Quasimodos, po ngrihej në apogje me librat: “Ed è subito sera”, botuar më 1942, dhe “La terra impareggiabile”, botuar më 1958, nga Mondadori.

3.3. Paratekste dhe burime.

Strukturat e hermetistëve, befasia e metaforave dhe e pleonazmave, të perifrazave shfaqen njëtrajtshmërisht te Camaj, që interteksteve dhe importeve u jep një vlerë të re në të shumtën të prodhimit të teksturës, të melosit dhe ritmikës. Përvojat paratekstuale me sekuencat e strukturat e hetuara shenjojnë burimin pa mëdyshje si më poshtë.
Metoda e dekonstruksionit e Zhak Derrida-së afekton tekstet e mëposhtme.
Timbri solemn i trishtimeve hermetike e kadencat e teksturave të krijojnë ikonografinë hermetike. Përpikmëria pikturike e Camajt fiton vlera nga këto komunikime ndërtekstore, duke ngritur abstraksionin në shkallë të larta artistike, duke i dhënë kuptimeve bukolike motive filozofike.

Camaj – Elegji e parë (Lirika mes dy motesh)

Kur kam me qenë i këputun
Nga mundi i vjetve të rrëpita…

Kur tallazi të bijë në pushim…

Ungaretti – La madre (Sentimento del tempo)

E il cuore da un ultimo battito
Avra fatto cadere i muri d’ombra.

Leka Ndoja - Letërsia Shqipe e Diasporës
Leka Ndoja – Letërsia Shqipe e Diasporës

3.4. Qasje ndërmotivore Ungaretti-Camaj.

Në të dy poezitë në strofat hyrëse, protazë, evokojnë menjëherë vdekjen, dhe përshkohen nga toni elegjiak. Ungaretti në poezinë e famëshme “La madre”, e personalizon vdekjen në një sfond eklezial, nisur nga pastërtia e besimit katolik të së ëmës që poeti e rikujton pas vdekjes së saj, teksa e shoqëronte në proçesionet, ndërsa ajo i përgjunjej altarit të Jezu Krishtit. Ungaretti në të vetmen poezi ekleziale aludon ritakimin e pasvdekjes me të ëmën që tashmë e purifikuar do ta shihte përballë “amshimit”, duke aluduar edhe për një jetë të tij të dlirë dhe të purifikuar moralisht.
Ndërsa Martin Camaj në gjithë këtë tonalitet ndërtekstor ruan të njëjtin motiv, por ai i drejtohet në të tashmen Tazes, ashtu sikundër edhe “Lules” në poezinë omonime për mënyrën e procesionit që do të zhvillohet me vdekjen e tij, duke mos krijuar ndonjë bindje veç dhimbjes universale që transferohet gjatë receptimit. Ndërsa shprehjes së drejtpërdrejtë të vdekjes tek Ungaretti “il cuore da un ultimo battito” i përgjigjet figura eufemizmi “kur tallazi të bijë në pushim” që i përgjigjet vargut Ungarettian “Avra fatto cadere i muri d’ombra”, krahasimi i “rënies së tallazit në pushim” te Camaj me “rënien e murit të hijes” të Ungarettit indeksojnë të njëjtin cak të subjektit, konceptin e paqes së përjetëshme.

3.5. Intertekste nga poezia italiane.

Letërsia italiane ka patur një traditë të thellë në repertorin e leximeve të shkrimtarëve shqiptarë veçmas atyre të shkolluar në shkollat fetare dhe licetë sidomos në Shkodër dhe Tiranë.

Camaj – “Kishte ardhë për mik” (Lirika mes dy motesh)
[…]
E më kujtohet si dje
Qeleshja e tij e bardhë,
nji sumbull e kuqe në kraholin e zi…

Quasimodo – Al Padre (La terra impareggiabile)
[…]
Il tuo berretto di sole andava su e giù
[…]
Quel rosso sul tuo capo era una mitria
____

Camaj – Njeriu më vete e me të tjerë: Vdekje – krizëm

E nji flete gjethi të thatë
[…]

Ungaretti – Inno alla morte (Sentimento del tempo)
[…]
Morte, arido fiume
Immemore sorella, morte…

Ultimo quarto
[…]
Luna, piuma di cielo.
____

Camaj – Më falni diçka (nga: “Diella”)
[…]
Mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
Dhe në zgavrrat e synit të saj
Do të derdhi lot.

Ungaretti – La notte e bella

Ora mordo
Come un bambino la mammella
Lo spazio…
____

Camaj – Koha e lules (Lirika mes dy motesh) VI 

Po erdhe, në vend të kallijve të djegun
Nga rrâjët dalin filiza të rij.

Alessandro Manzoni – Emengarda (Adelchi)5]
[…]
L’erta infocata ascende
E con la vampa assidua
L’immobil aura incende
Risorti appena i gracili
Steli riarde al suol.

Eugenio Montale – “Iride”

Se appari, qui mi riporti, sotto la pergola
Di viti spolie; e il burchio non torna indietro”
____

Camaj – Aty si tash para se me ardhë fiset (Gedichte)6]
[…]
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra
[…]
Me emën grueje u lave ndër ujna

D’Annunzio – Il nome (Alcyone)7]

Donna, ebbe il tuo nome
Una citta murata
Della pulverulenta
Argolide.

Camaj - Lirika midis dy moteve
Camaj – Lirika midis dy moteve

3.6. Diskursi poetik, si ditar i ekzilantit.

Ligjërimi i Camajt kultivon konservacionin e gjuhës dhe tablove idilike të maleve. Malësori i Camajt në motivet përbërëse nuk bart indekset e karaktereve fishtiane, malësori është funksion i gjendjes së ndërmjetme të subjektit midis identitetit dhe lakueshmërisë së jetës moderne në perëndim. Malësori i Camajt bart dhimbjet e botës si një Atlant i bllokuar nga një dredhi enigmatike, kjo enigmë e stërmundon poetin që nuk e gjen fillin e një kuptimi bindës, por po, ai gjen motivin e këngës së tij, të ngritur në një trishtim superb, tepër të afërt me librin e poezive të mërgimit në ishullin e Tomit, të Tristia-s së Ovidit por edhe të Ted Hughe-sit me “The seven sorrows”. Toni i ligjërimit e përtej frazës8], e bashkon Camajn me këngën e ekzilantëve të mëdhej si Ovidi, Dante, Foskolo.
Struktura e intonacionit ia ve në dukje paratekstet teksteve të kompozuara rishtas nga autori ku intertekstet shpesh si në poezinë “Aty si tash” luajnë një rol thelbësor në receptimin e mesazhit poetik. Në rastin e Argosit dhe Shkodrës imagologjia na shpie në kohërat antike dhe i jep një sekuencë më mitike Legjendës së Rozafës duke e bërë më befasuese shkallën e intertekstualitetit përtej hermetizmit, d.m.th. në shkollën e madhe D’Anunziane që ka irrituar aq shumë futuristët e hermetizmin por pa iu shmangur universit dominant të D’Anunzios si në rastin e Camajt.

(Marrë nga Libri “Letërsia Shqipe e Diasporës”, fq. (49-57) Leka Ndoja Sh. Botuese Pakti 2015, fq. 410)

Nota:
1] Koncept i Viktor Shklovskit ne esenë Arti si teknikë: “ostranenie” (përçudní), si teknikë letrare; Cuddon, J. A. op. cit. f. 113-114.
2] Fraj, Northrop: Anatomia e kritikës, përkth. Avni Spahiu, Rilindja, Prishtinë, 1990, f. 202.
3] Kruja, Mustafa: Kuvend letrash me miqtë, V. I. Letërkëmbim me Zef Nikaj, Omsca 1, Tiranë, 2012, f. 277. Letër e dërguar nga Mustafa Kruja, Zef Nekajt në Romë. Ramleh, Egjipt, 12 01 1954.
4] Camaj, Martin: Lirika mes dy moteve, poezi, Munchen, 1967.
5] Manzoni, Alessandro: Tragedie e poesie, Sonzogno, Milano, 1940, f. 86.
6] Camaj, Martin: Gedichte, Kyrill & Method Verlag, Munchen, 1991, f. 58.
7] D’Annunzio: Tutte le poesie, Newton, Roma,1995.
8] Roland Barthes: Poetique du recit, Seuil, Paris, 1977, f.16.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.