back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Makineria e pushtetit politik-mediatik dhe akademik në funksion të fallsifikimit kulturor-politik – nga Ilir Demalia

Gazeta

Ilir Demalia
Ilir Demalia

Makineria e pushtetit politik-mediatik dhe akademik

në funksion të fallsifikimit kulturor-politik

nga Ilir Demalia 

“Heshtja bëhet dobësi, kur rasti e kërkon të flasësh të vërtetën, duke vepruar në lidhje me rrethanat” ka thënë Mahatma Gandi.
Shpesh pyesim, pse gjëndja politike, kulturore, intelektuale ka rrëshqitur kaq tatëpjetë, sa shqiptarët, të vetmen shpresë për të ardhmen e tyre e shikojnë jashtë trojeve shqiptare?!
Shkaku i gjithë kësaj drame të frikshme kombëtare janë pikërisht, ata që manipulojnë dhe fallsifikojnë historinë duke simuluar klanin sundues politik-ekonomik, mediatik, kulturor dhe akademik si elite sunduese që e kanë bërë Shqipërinë Ferr për shqiptarët.
Popujt që kanë zhvilluar shoqëritë që nga antikiteti dhe deri sot me shoqëritë moderne, me shtet të së drejtës dhe demokracive-liberale, kanë ngritur shtetet dhe zhvilluar moralin shtetëror dhe identitetin kulturor nëpërmjet elitave të dedikuara në idealin e lirisë dhe vlerave.
Dje lexova një shkrim të Dashnor Kaloçit për filmat shqiptarë të censuruar nga regjimi komunist. Këto filma sipas “arshivave Kaloçi”, i kërkonte Perëndimi deri në Azinë e Largët në Tokio. Ndër filmat e censuruar dhe kërkuar me të madhe nga Perëndimi për vlerat si disidencë kundër regjimit komunist dhe vlerave artistike, paska qenë edhe filmi “Përse bie kjo daulle” sipas romanit të Ismail Kadaresë “Dasma”. Ky roman, ashtu si gjithë letërsia, poezia, publicistika e Kadaresë, ka qenë mbështeje letrare e vendimve të partise dhe nismave të Komitetit Qendror.
“Dasma” u shkrua nga Kadare në frymën fjalimit të 7 shkurtit 1967 “për revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës së vendit” të Enver Hoxhës, sipas modelit të Revolucionit Kulturor Kinez. Ndërsa në Kinë feja nuk u ndalua me ligj, nuk u shëmbën objektet e kultit për t’i kthyer në stalla bagëtish dhe deri në ë.C. për luftën kundër zakoneve prapanike dhe besimit fetar, siç bëri Enver Hoxha në Shqipëri. Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë duke e ndaluar fenë me ligj. Kush praktikonte fenë dënohej nga 3-10 vjet burg për agjitacion e propogandë.
Këtij vendimi të partisë, më saktë citatit “të djegim me zjarr e hekur këdo që shkel të drejtet e grave”, Ismail Kadare i’u përgjegj flakë për flakë me romanin “Dasma”, që më pas do të realizohej si film nga Piro Milkani, me titullin “Përse bie kjo daulle”, që ashtu si romani është një vepër mediokre dhe në shërbim të regjimit në realizimin e luftës kundër fesë.
Të arrish ta quash këtë roman-film vepër disidente dhe me vlera dhe të kërkuar nga Perëndimi, këtë mund ta bëjë vetëm Kaloçi apo “urithi i arkivave”, si i ngarkuari dhe i paguari nga “ndërmarja Çili” për të fallsifikuar dhe manipuluar historinë e Ismail Kadaresë, si disident dhe i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit.
Vetë Kadare nuk do që t’ia përmendësh këtë roman. Ai ka pranuar dhe vetë që është vepra më e dobët e tij edhe me standartet e kohës dhe parametrat e realizmit socialist.
Ka kaq vite që ndërmarrja e Henri (Alias, Naim) Çilit ka ngritur një strukturë me punonjës të rregullt dhe kontribues të jashtëm në Universitetin Europian për promovimin e Ismail Kadare si i ndjekur dhe i persekutuar nga regjimi komunist dhe Enver Hoxha.
Kontribuesve të jashtëm, ku me rëndësi janë ata që kanë qenë në burg apo interrnim gjatë regjimit komunist, Çili i boton libra, i bën promovime, i paguan, pasi kështu, këta janë më të besueshëm në fallsifikimin dhe manipulimin për t’ia paraqitur Kadarenë, Perëndimit si disident dhe të persekutuar nga regjimi, që është dhe qëllimi i vetëm ndërmarrjes fallsifikatore të UE, me pronar Henri Çili.
Ismaili në anën tjetër i shkruan ndonjëherë parathënien, apo thotë ndonjë fjalë për këta, dhe këta mendojnë se duke pasur këtë “fat” të kenë bekimin e Kadaresë në veprën e tyre, mendojnë se kanë marrë kurorën e të qënit në “Panteonin e Letrave Botërore.” Mjerim!
Në ndëmarrjen UE, Kadare është antar i bordit dhe paguhet për këtë. UE ka dhe “Çmimin Kadare” për letërsi që i jepet shërbestarëve të falsifikimit. Të tjerë hushtarë të kësaj armate të “persekutuar” paguhen për të hedhur në letrat e “persekutimit” të Kadaresë, emrat e tyre si krenari e elitës së djeshme. Më të zjarrtët në këtë ndërrmarrje fallsifikatore janë Spartak Ngjela dhe Vera Bekteshi. Këta mendojnë se identifikimi me Kadarenë, i bën dhe ata të madhërishëm në psiko-mithomaninë e sundimit elitar si inkoshiencë e nostalgjisë së kohës se djeshme të sundimit bllokar.
Spartak Ngjela, ka shkruar parathënien e librit të Dash Kaloçit, “Ismail Kadare dhe regjimi komunist”. Ndërsa Vera Bekteshit, Ismaili i ka shkruar diçka për librin e saj. Nuk është gjë e vogël në botën e gënjeshtrës së madhe të së kulturës fallsifikuese-mashtruese kombëtare që të shkruaj Kadare për një autor që do të shërbejë në gënjeshtrat dhe fallsifikimet e radhës për të manipuluar të huajt, se shpresën për përmbysjen e regjimit i’a mbante gjallë Ismail Kadare me letërsine e tij, dhe “mesazhet e koduara” që i dërgonte Kadare, nërmjet romanevë, poezive, si p.sh një varg, “pulëbardhat largoheshin në forme V-je”. V-ja nënkuptonte Verën dhe Verërat e internuara, sipas interpretimit të Verës sot. Po jo ende Kadaresë. Kadareja ia ka pranuar Verës sot, sipas Verës. Një pyetje: ku ishte “disidenti” Kadare kur Vera imbarkohej në Skodën me turi duke u deportuar familjarisht në fshatrat e Beratit? Po kështu në psikofantazinë e tij prej mitomani, Ngjela sajon gjëra krejt të paqëna, ashtu siç di të sajojë Avokati, që pastaj i beson dhe vetë, por nuk kanë bazë reale dhe fakte që t’i mbështesin.
Në 28 janar 2020 po ndiqja emisionin Real Story të Sokol Ballës. Tema ishte Ismail Kadare në 84 vjetorin e lindjes. Edhe Enver Hoxhës i celebroheshin jubilare 60-65-70.
Të katër të ftuarit ishin antarë të bandës së lakejve, fallsifikatorë dhe manipulues të realitetit ala-Kadare si letërsi, publicistikë, poezi dhe qëndrime politike të tij.
Sokol Balla në prezantimin e emisionit tha: nje ditë më parë Akademia e Shkencave i kishte drejtuar një letër (peticion) Akademisë Nobel, që për vitin 2020 i nominuari për Nobel nga Stokholm duhet të jetë shkrimtari Ismail Kadare. A mund një Akademi Shkencash (strukture e modelit sovjetik) apo një grup letrarësh, intelektualësh, shoqatash, kolektivash punëtore e kooperativiste, presidentë, t’i drejtojnë peticione “Akademisë Nobel” për dhënien e “Çmimit NOBEL” një shkrimtari të tyre, apo të protestojnë pse nuk ia dha Nobelin shkrimtarit tyre?!!
Kjo tregon gjendjen infantile dhe të mjerë të elitave shqiptare që operojnë me mentalitetin komunist të letrave drejtuar Komitetit Qendror për dekorime apo ndëshkime.
Në emision ishin Henri Çili pronari i ndërmarjes së fallsifikimit dhe manipulimit të historisë së Kadaresë. Vera Bekteshi idhtare e tij, pasi V-tashmë nuk largohet, por “afrohet drejt panteonit letrar” me bekimin dhe vlersimin e Kadaresë. Ylljet Aliçka, siç pohon dhe vetë gjatë emisionit, Ismail Kadare i ka shkruar parathënien e librit dhe e ka ndihmuar ta botojë në Francë. Po ashtu edhe Agron Gjomarkaj, “i persekutuar, i djathtë, antikomunist”, katolik.
Të katërt sëbashku, (më i kufizuar drejtuesi emisionit Sokol Balla), filluan ta lyejnë dhe ta përlyejnë Kadarenë me superlativa, jo vetëm si një talent letrar me përmasa universale, por edhe si një model që ka emacipuar shoqërinë shqiptare dhe i ka çuar ata drejtë lirisë.
Aliçka, thotë në një moment, “Kadare ka shkuar aq larg, sa do të duhen edhe 300 vjet që letërsia, nuk dihet, a do të mund të nxjerrë më nje shkrimtar të kalibrit të Ismailit?!?!”
Vera, që kishte marrë V-në në fluturim dhe nuk ndalej, na tregoi edhe shkallën e lartë të humorit të Kadarese në vepren e tij si një satirist si askush tjetër. Si shëmbull solli se si në një nga librat e Kadaresë, kur shkruan për ardhjen e Hurshovit, një lab që kishte ardhur në Tiranë, kur po kalonte makina me Hurshovin, thërret: Rroftë Zanzibari! Wow!
Për Henrin nuk ia vlen të analizohet së çfarë tha pasi tashmë dihet funksioni i institucionit Çili në lidhje me Isamil Kadarenë.
Agron Gjomarkaj iu bashkua korit të të ngjyrosjes së Kadaresë deri aty, sa e llangosën aq keq me të pavërtetat dhe sajesat për rreziqet që ka përballuar Kadare nga regjimi komunist, dhe si njeri që u mësoi shqiptarëve lirinë, sa u spostua në skaj edhe vlera që ka si talent, por talent që është përdorur në shërbim të regjimit.
Gjomarkaj dhe kori i “antikomunistëve dhe të të persekutuarve” që gjykojnë çdo ditë njerëzit, si p.sh Edi Ramën për Kristaqin, si biri i të atit, në një kohë që nuk ka nevojë t’i gjykojmë Kristaqin, pasi Edi Rama ka boll për t’u gjykuar si kryetar bashkie dhe kryeministër për 20 vjet, për korrupsion, për shkatërrimin e institucioneve e plot të tjera, nuk tha një fjalë, në të kundërt, e paraqiti Kadarenë si kundërshtar të regjimit komunist. Me logjikën e këtyre, edhe Vera Bekteshi, Spartak Ngjela e plot të tjerë, përfshi dhe mua po deshe, duhet të gjykohemi me të njejtin metër “si bij të etërve”! A nuk është kjo një luftë klasash siç bënin komunistët?!
Ky double-standard i kulturës dhe formimit jo vetëm të këtyre personave por shoqërisë shqiptare në përgjithsi, duke treguar mungese integriteti dhe vetëdije për mos t’u konfrontuar me të vërtetën por për t’i shërbyer të pavërtetës në funksion të manipulim-simulimit si përfitim, ka bërë që si shoqëri nuk jemi emancipuar, por kemi ngelur në sundimin politik-kulturor feudal që mbyt hapsirat e lirisë dhe nuk lejon zhvillimin e vlerave.
Për t’u kthyer tek Ismail Kadare, ai gjatë gjithë aktivitetit të tij letrar dhe publicistik gjatë regjimit komunist, ka qenë në funksion dhe në shërbim të regjimit dhe diktatorit. Njeriu që ka shkruar poezitë pa fund për Stalinin, Leninin, Enverin, “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Përse mendohen këto male”, librin që demaskon perëndimin dhe SHBA, “Linjat e largëta”, romanet “Dasma”, “Dimri i madh”, monument për diktatorin siç pohonte edhe vetë në ate kohë dhe në letrat drejtuar Nexhmies dhe Enverit. “Koncert në fund të dimrit”, “Nëntori një kryeqyteti”, ku nacoinalistët me në krye Mit’hat Frashërin që po largoheshin nga rruga e Durrësit për në Portin e Durrësit për t’u larguar nga komunistët, i përshkruan, “një varg i gjatë që dukej si zorra e trashë që po dilnin për të pastruar Shqipërinë nga jashtëqitja”.
Po shkrimet e tij pafund në publicistikë, në qendrimet e tij pafund kundër klerit katolik dhe fese në përgjithsi, qëndrimet kundër shkrimtarëve të paraluftës, konsideruar si reaksionarë nga partia, e sidomos, për Fishtën, Koliqin, Konicën, dhe këto, në vazhdimësi për 30 vjet, deri në fund të 1989, ku në parathënien e Migjenit, i quan, “trekëndëshi regresist reaksionar me kokë pashtë i letërsisë shqipe”. Dhe Kadare vazhdon më tej: “Siç ndodhte shpesh me krijimet që kanë vulën e nacionalizmit, vepra e Fishtës, e sidomos “Lahuta e Malsisë’’ fitoi një popullaritet të veçantë, qoftë në rrethet zyrtare, sidomos ato pro-italiane e më pas kuislinge, qoftë në shtresa të prapambetura e disa herë analfabetë të popullsisë, të cilat nuk ishin në gjendje të kapnin thelbin e saj, por shihnin atë pjesërisht si një zinxhir episodesh. Veprës së Fishtës, sidomos ‘Lahutës së Malsisë’’, iu ngrit një kult e iu bë një reklamë e tillë, saqë rrezikonte ta kthente atë në një gur varri që mund t’i merrte frymën gjithë letërsisë shqipe.”
Po ai Gjomarkaj, antikomunisti, i djathti, katoliku, si nuk tha një fjalë për këto. Çfarë konstitucioni intelektual e moral mund të ketë një njeri me një double standart të tillë, kur gjykon dynjanë për etër, xhaxhallarë, kushërinj të tretë e të katërt për komunistë dhe shërbëtorë të komunizmit, dhe Ismail Kadarenë që ka mijra faqe në funksion të mbrojtjes së komunizmit dhe diktatorit, ku librat e tij si “Dimri i madh” ishin detyrim në gjimnaz të lexohej, apo poezia “Perse mendohen këto male” për të cilën u nderua me “Çmimin e Republikës” nga Partia dhe shoku Enver, sëbashku me “Shqiponjat fluturojnë lart” duhet të mësoheshin me detyrim përmendësh në gjimnaze. A mund të quhet shkrimtar kundër regjimit, kur veprat dhe poezitë e tij, futen me detyrim në tekstet shkollore nga regjimi diktatorial?!?!
Flitet shumë për përkthimin dhe botimin e veprave të Ismail Kadaresë në botë. Por kurrë dhe kërkush nuk thotë se për botimin e veprave të Kadaresë ka investuar shteti shqiptar i diktaturës me grupet marksiste, sidomos në Francë me intelektualët dhe shkrimtarët e majtë, ku nëpermjet Ismail Kadaresë, veprave dhe shkrimeve te tij, trumbetonin triumfin e socializmit në Shqipëri. Fillimi i botimeve të Kadaresë përkon me kohën kur në Francë lëvizjet e majta deri ato maoiste ishin në kulmin e tyre dhe patën një përhapje të gjërë. Le Monde dhe Figaro publikonin shkrime të Kadaresë si shkrimtar i realizmit socialist. Po të hapen arkivat ka plot shkrime që botoheshin në Francë për triumfin e socializmit dhe më pas publikoheshin në gazetën “Drita” në Shqipëri. Libri “Gjenerali ushtrisë së vdekur”, u botua si kondrapeshë e filmit që bënë italianët “Beteja e Algjerit”.
Enver Hoxha lejoi dhe investoi për botimin e “Gjeneralit” dhe lançimin e Kadaresë në Perëndim. Sipas një dëshmie të Javer Malos, ambasador i Shqipërisë nga viti 1967-1975 në Paris, në një intervistë:, pohon, “Ministria e jashtëme kishte një fond të veçantë për kulturën, përhapjen e saj në Perëndim. Ky fond ishte për veprat e Enver Hoxhës dhe për botimin e veprave të Ismail Kadaresë.” Kjo përkon pikërisht me kohën e botimit të “Gjeneralit” në Francë. Vetë Ismail Kadare në librin “Nga një dhjetor në tjetrin” botuar për herë të parë në 1991 në Francë, kur Kadare ishte “arratisur” pohon se Enver Hoxha lejoi botimin e “Gjeneralit” në Francë. Ja çfarë shkruan në faqen 219 të librit “Nga një dhjetor në tjetrin” Ismail Kadare: “Unë kam në xhep pasaportën për të shkuar jashtë, dhe në këtë botë kjo pasaportë është çudibërese. Aq më tepër ajo është dhënë me urdhër të E. Hoxhës, i cili pas pesë vjet mëdyshjesh lejon botimin e romanit “Dimri i madh” në Francë.” Pasaporta nga Enver Hoxha, botimi nga Enver Hoxha. Pra duhej leja e shtetit, e kjo do të thotë e Enverit për të botuar librat në Francë dhe dalë jashtë shtetit. No comment. Sa leshko del dhe diktatori, i cili jo vetëm e paska mbajtur “disidentin” afër duke e bërë deputet e duke i dhënë ndonjë post, por i paska dhënë bekimin për t’i botuar librat e tij jashtë, madje dhe duke ia financuar nga buxheti i shtetit.
Artikuj politikë në një linjë me regjimin dhe në mbështetje të regjimit deri në fund të 1989, pa llogaritur këtu artikujt në “Zërin e Popullit” me pseudonimin Gent Arbana, kundër imperializmit anglo-amerikan. Pas vdekjes së Enverit, Kadare shkruan në “Le Monde” në përgjigje të një shkrimi të mëparshëm të kësaj gazete, ku flitej për Enver Hoxhën dhe Mbretin Zog. Kadare ankohej në redaksinë e “Le Monde” më 26 prill 1985 për publikimin e shkrimit dhe prekjen e ndjenjave të shqiptarëve që pak ditë më parë kishin humbur “udhëheqësin e tyre”. Kadare shkruan: “Populli shqiptar ka një histori të gjatë me pengesa, kështu që ai e di shumë mirë se pse ka dhimbje, se si ajo shfaqet dhe pse duhet të jetë në zi. Emri i Enver Hoxhës është i lidhur pazgjidhshmërisht me themelet, historinë dhe ndërtimin e Shqipërisë së re. Kjo është ajo që përcakton madhështinë e tij dhe si pasojë edhe shtrirjen e zisë… Ne kemi gjetur edhe diçka të çuditshme, që kolegët e mi dhe unë, si gazeta “Le Monde” ka futur me këtë rast edhe deklaratën e një krimineli, si i biri i ish-Mbretit Zog, me fantazi qesharake dhe që dëshiron të vendosë monarkinë e re në Shqipëri. Monarkia u përmbys edhe në Francën tuaj dy shekuj më parë dhe për këtë është me të drejtë krenare. Vetëm njerëzit e këqij mund të dëshironin një rikthim pas në historinë e Shqipërisë.”
Pasi iu ankua “Le Monde” për të deklamuar hapur dhimbjen për shokun Enver Hoxha, shkrimtari Ismail Kadare botoi edhe një artkull në “Zërin e Popullit”. Ndërmjet të tjerave ai shkruan: “Ata shkrimtarë dhe artistë që kanë pasur fatin ta njohin e të bisedojnë me Të, e kanë të paharruar në kujtesë, fuqinë pasionante, thellësinë, poliedrizmin, ngrohtësinë intime dhe njëkohësisht monumentalitetin e fjalës së Tij. Shembulli i fundit i kësaj ishte Përshëndetja e paharruar që Ai, i dërgoi popullit dhe gjithë kombit shqiptar disa muaj më parë në 40 vjetorin e Çlirimit. Tani në sfondin e dhimbjes e të humbjes se Tij, ajo Përshëndetje na ngjan si fjala e Tij e lamtumirës… Por do të ketë lamtumirë e s’do të ketë lamtumirë për Enver Hoxhën. Populli në baladat e tij, pena e shkrimtarëve, pentagramat e muzikantëve, mermeri në studiot e skulptorëve, vetvetishëm do të synojnë drejtë pamjes, figurës, mendimeve të Tij, për të sjellë Atë përsëri midis nesh, ashtu siç ka qenë përherë, ashtu siç thuhet për të pavdekshmit.”
Jeta e shkrimtarit me shkrimet e librat e tij, ofiqet dhe privilegjet na tregojnë krejt gjë tjetër në marrdhëniet e Kadaresë me regjimin ndryshe nga çfarë mundohen ta paraqesin brigada e sejmenëve dhe bashkëpuntorëve të Ndërmarrjes Çili të Universitetit Europian të Tiranës. Kadare ka qenë njeriu me trajtimin më të veçantë nga të gjithë shkrimtarët dhe artistët, intelektualët dhe njerëzit e elitës së regjimit. Po rreshtoj këtu vetëm disa se po të radhisim të gjitha përfitimet, privilegjet, trajtimet, artikujt, shkrimet, poezitë, librat për regjimin do na dale një dosje gjigande, “Dosja K” në shërbim të regjimeve.
.
Ismail Kadare
Ismail Kadare
1.Që në moshën 28 vjeçare në krijimtari të lirë i paguar nga shteti diktatorial “për të shkruar kundër diktaturës”!?!?
2.Anëtar i P.P.SH në vitin 1970, ku edhe stazhin e partisë në Uzinën e Traktorëve, po na e shesin sot si dënim i Kadares me librin “Kadare i denoncuar”.
3.Përkthyesi që përkthente veprat e Enver Hoxhës, përkthente dhe ato të Kadarese me një punë të papaguar, dhe nuk vihej emri i tij si përkthyes se ky kishte qenë i burgosur nga regjimi, Isuf Vrioni.
4.Njeriu që ndiqej nga sigurimi ngjiti shkallët deri në deputet i Kuvendit i Popullor!?!?
5.Duke pare rrezikshmërinë e tij në rritje regjimi shtoi ndjekjen e tij, duke e bërë nënkryetar të Frontit Demokratik me kryetare Nexhmie Hoxhën, gruan e diktatorit!?!? Nuk duhet harruar se Fronti Demokratik ka qenë organizata më e zezë e diktaturës, e cila propozonte internimet dhe dënimet nëpër lagje.
6.Ka fituar çmimet më të larta gjatë diktaturës si Çmimin e Republikës për letërsi.
A mund të mendojë kush se një njeri i tillë ndiqej nga sigurimi? Edhe Enver Hoxha ndiqej nga Sigurimi. Sigurimi e ruante Enver Hoxhën.
Edhe në regjimet autoritare dhe të korruptuara e kriminale të pas 1990-s, Ismail Kadare ka bërë të njëjtën gjë si me regjimin diktatorial, mbyll gojën para së keqes, përdor dhe përdorohet nga e keqja e pushtetit, shfrytëzon deri në maksimum heshtjen e tij për përfitime dhe vazhdim të manipulimit dhe fabrikimit të veprës dhe jetës tij me fuqinë financiare dhe politike të pushtetit.
Kadare duhet të përgjigjet për heshtjen e tij gjatë këtyre 25 vjetëve deri me kryeministrin e fundit në detyrë Edi Rama, i cili tallej dhe ironizonte shkrimtarin si shërbëtor të regjimit diktatorial në revistën “Përpjekja” numri 7 Nëntor 1996 (por dhe më para dhe më pas) në shkrimin “Pinoku, mbreti i të varfërve”, ku si personazh kishte Gent Arbanën që ishte pseudonimi i Kadaresë në shumë shkrime të shtypit shqiptar gjatë viteve 70-85.
Ramës i duhet sot Kadare me heshtjem e tij, bile Rama e propozon edhe për president! Të dy më kujtojnë vargjet e Nolit, “Se Feridi faqe ndërron, dje shante sot lëvdon/ Fryn bulçitë edhe gjëmon,/ me të madhe trumbeton/ Se katrani zbardhëllon!”.
A kanë lidhje heshtja e shkrimtarit në postdiktaturë me shërbimet e qeverive autoritare dhe të korruptuara gjatë këtyre 25 vjetëve me nderet që i kanë bërë shkrimtarit Kadare?
 
Ismail Kadare 1936
Ismail Kadare 1936

Kadare duhet të pëgjigjet!

1.Në kohën që ministër i kulturës ka qënë Teodor Laço, a i është dhënë një fond nga shteti i Sali Berishës prej një milion dollarësh për botimin e veprave të tij në shqip, përmbledhja “Veprat e Ismail Kadaresë” me kapak blu nga Fayard që më pas iu shitën emigracionit dhe paratë i mori Kadare?
2.Tokën që ka marrë në Golem, ku ka ndërtuar shtëpinë e tij të verimit, a ia ka dhënë Ilir Meta falas duke dhënë i pari shëmbullin për prishjen e natyrës dhe rrëmbimin e pronës publike?
3.Si është marrë apartamenti tek Vodafoni, a ka lidhje me lejen për shtesën e kateve dhënë ndërtuesit nga qeveria e Berishës, për t’i dhënë apartamentin falas Kadaresë?
4.Emërimi i vajzës së tij si ambasadore sa në UNESCO në Paris, sa në UN në New York, pa asnjë meritë dhe eksperincë në shërbimin diplomatik para emërimit, por vetëm se është vajza e Kadaresë, a ka lidhje me atë se e vetmja detyrë që ajo bën është se do të lobojë me ambasadorët për Stokholmin dhe Kadare do heshtë për qeverinë e kriminalizuar shqiptare me trafiqe dhe rrjete kriminale?
E vetmja gjë që bën Kadareja që pas 1990, është se ai rishkruan librat dhe i transformon në atë mënyrë sa nuk njihet më botimi i parë me të fundit. As jeta dhe as historia nuk rishkruhen sa herë ndyshojnë regjimet, mund të ndryshosh mendje, mund të kesh të tjera bindje, por një njeri publik duhet të shpjegojë pse e ka bërë atëherë dhe jo të mundohet t’i fshehë. Vetëm E. Hoxha dhe Kadare kanë pasur luksin që t’u botohen e ribotohen veprat si dhe të modifikojnë pjesë të së kaluarës, në varësi të ndryshimeve politike.
Ja çfarë shkruan Kadare në artikullin e 13 Shkurtit 1974 për artin e realizmit socialist: “Si pjesë përbërëse e mekanizmit të revolucionit, realizmi socialist ka pasur, ka e do të ketë po ato armiq që ka revolucioni. Tërbimi i tyre, rrufetë që ato lëshojnë mbi të, nuk tregojnë gjë tjetër veç rrezikshmërinë e fuqinë e tij për klasat sunduese. Akuzat për gjoja ngushtësinë e tij, për pamundësinë, për rregullat kufizuese që shkurtojnë jetën, koha i ka hedhur e do t’i hedhë njëra pas tjetrës. Realizmi socialist është arti i së ardhmes. Asnjë art i gjeritanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm me të për nga mundësia e kapacitetit, thellësia, dramaciteti dhe niveli lartë artistik, këtë omnipotencë na e jep revolucioni komunist.”
Të gjithë e bisedojnë, të gjithë e pranojnë kur rufisin kafet dhe diskutojnë kur hapet kjo temë se Kadare manipulon dhe fabrikon të shkuarën e tij. Këtu nuk e kam fjalën për njerëz të thjeshte, por shkrimtarë, kineastë, artistë, gazetarë, analistë, e them këtë nga një eksperiencë personale me këtë kategori jo vetëm sot, por edhe përpara 1990, ku shfaqnin qëndrime dhe kundërshti rreth vlerësimit të veprës tij letrare dhe shpreheshin edhe të irrituar për trajtimin e veçantë që kishte Kadare nga regjimi me privilegjet që merrte nga regjimi në shërbim të regjimit. As atëherë dhe as sot, kjo kategori kurrë nuk doli haptas si për veprën e tij letrare dhe si për manipulimin dhe fallsifikimin e jetës dhe veprës tij sipas situatave.
Mirë atëherë se jetonim në një regjim diktatorial dhe Kadare mbrohej nga vetë diktatori siç pohon dhe vetë ai sipas mënyrës së tij… dhe mund ta pësoje siç e pësoi Bilal Xhaferri dhe të tjerë, apo Renato, i dashuri vajzës së tij ku Kadare me rrjetin dhe fuqinë e tij vinte në dispozicion një Ministri të Brendëshme, një Komitet Partie, një Hetuesi, nje Gjykatë, për të eleminuar siç dhe ka bërë. Mirë atëherë, po sot çfarë i pengon këta njerëz të thonë atë që mendojnë realisht apo më keq akoma, dalin dhe himinizojnë në publik kur disa orë më pare e kanë bërë copë në kafe apo në diskutim me ty (mua)?!?!
Kjo dyfytyrësi, kjo jetë e dyfishtë, ka të bëjë me nënshtrimin tonë dhe pajtimin si model “suksesi” me të keqen. Pra, nuk ka rëndësi çfarë është e drejtë dhe e moralshme, por çfarë bëjnë të gjithë me modelin që kemi ne si model “suksesi” të bëj dhe unë. E pse duhet të kemi kokçarje kur mund të ndjek modelin e “suksesit” kur megjithëse e di që është jo e drejtë dhe e jomoralshme është e “sukseshme”. Shoqëria shqiptare funksionon me këtë model, modelin e “Gjeneralit të letrave”. Ky konformizëm me të keqen si fallsifikim dhe manipulim duke gënjyer dhe duke pasur sukses ka sjellë shoqërinë shqiptare në këtë baltovinë vlerash dhe triumfi të varfërisë së kualiteteve si modele të emancipimit të shoqërisë me vlera. Teoritë dhe praktikat e moralit na mësojnë ndryshe: të bësh çfarë është e drejtë pa pasur parasysh çfarë bëjnë të gjithë.
Pas gjithë këtyre fakteve e mijra faqeve të shkruara nga Ismail Kadare dhe veprimeve të tij, si shërbëtorë regjimesh thjesht në funksion të përfitimeve të tij personale dhe familjes së tij, a mund të promovohet ky njeri si emancipues i shqoqërisë, si frymëzues i lirisë së shqiptarëve, si ndërgjegje kombëtare, si…?!?!
Përsa i përket qyrkut që duan t’i veshin Ismail Kadaresë, si i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit, nuk ka asnjë fakt, asnjë dokumet që Ismail Kadare ka qenë i ndjekur, i interrnuar, i dëbuar, i transferuar si kundërshtar i regjimit.
Çmimi Nobel jepet për një vepër letrare të shkruar në kohët prezente dhe jo para 30-40 vjetësh. Ismail Kadare, veprat qe pretendon të marri “Çmimin Nobel” janë të shkruara para 30 vjetësh. Por çdo gjë mund të ndodhë, mund t’ia japin me veprën e fundit “Kukulla”, se edhe “Çmimi Nobel” është kthyer si shfaqje kukullash. A do të pranonte Ismail Kadare, “Çmimin Nobel”, çmim që e mori së fundi Peter Handke, që u kundërshtua nga shqiptarët dhe një pjesë e madhe e opinionit ndërkombëtar deri dhe me letra Akademisë së Nobelit, për qendrimet pro Milosheviçit, njeriut që krijoi një gjenocid biblik ne Bosnjë dhe Kosovë?! Pra gjykohej qëndrimi moral i Handkes pro Millosheviçit, i cili nuk ka as poezi as vepra monumentale letrare për Millosheviçin dhe as ka qënë me funksione ne shtetin serb. Me të drejtë edhe unë shkruajta një shkrim për këtë vendim të Nobelit duke u nisur nga ana morale e qëndrimit të Handke pro Millosheviçit dhe jo letërsisë se tij.
A ka bërë Enver Hoxha krime kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë? A i ka shërbyer Enver Hoxhës Ismail Kadare me mijra faqe pro regjimit dhe funksione te larta deri deputet ku votoheshin ligjet krminale të diktaturës?
Drejtësia është universale dhe nëqoftëse do të mbajmë një qëndrim moral për Handken, të njëtin duhet të mbajmë edhe për Ismail Kadarenë.
Është sa absurde dhe qesharake që sot të shfaqësh një mendim ndryshe për letërsinë e Kadaresë, apo të thuash disa të vërteta që i ka shkruar vetë Kadare, të mos biesh dakord me himinizimin dhe marrëzinë si njeriu më i madh i letrave në botë dhe padyshim në Shqipëri, të mos biesh dakord në marrëzinë kolektive, se Kadare është identifikimi me atdheun, se pa të nuk do të njihej Shqipëria, pra të mos biesh dakord me këtë lloj idolatrie që vjen nga injoranca, provincializmi, inferioriteti i provincave që të kujtojnë histerinë për Enver Hoxhën, sot e njëta gjë me Kadarenë, të hedhin një lumë akuzash si “mohues i kulturës shqiptare” deri antikombëtar sa që nuk ka se si të mos mendosh që këta njerëz jetojnë me makthin se është ende në fuqi neni 55 i Kodit Penal, ai që dënonte për agjitacion dhe propagandë. Ky është një mjerim i madh i një shoqërie, ku njeriu nuk arrin të zhvillohet lirisht dhe i pavarur si individ, por më gjykime turmash dhe primitivësh të pa iluminuar dhe idhtarë të tabuve dhe miteve pa krena.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.