“Liria e secilit ndalet aty ku fillon liria e tjetrit.” Karta e të Drejtave të Njeriut – nga Anton Çefa

0
8
Anton Çefa - Manhattan, prill 2016
Anton Çefa - Manhattan, prill 2016
Studiuesi Anton Cefa
Studiuesi Anton Cefa

“Liria e secilit ndalet aty ku fillon liria e tjetrit.”

Karta e të Drejtave të Njeriut

nga Anton Çefa

Liria është atribut i patjetërsueshhëm që lind me njeriun dhe është pajë e qenësishme shpirtërore e tij, i takon atij dhe nuk ka të drejtë kush t’ia mohojë, t’ia grabisë, t’ia dhunojë. Kuptimësinë e lirisë vetjake, kultura jonë e pati përkufizuar që heret, në kohën e Rilindjes Kombëtare. Konica na e pati sqaruar: “Liria është të mundet njeriu të besojë ç’i do zembëra, të thotë ç’i do zembëra, të shkrojë ç’i do zembëra, të bëjë ç’i do zembëra, veç ato që janë kundra lirisë tjetër njeriu.” Me këtë stil të shkruari kaq të hijshëm, ai ka vënë qartë në dukje lirinë e besimit, të fjalës, të shtypit dhe të veprimit si dhe kahun etik të vënies në jetë të tyre. Konceptimi i lirive individuale siç e kuptojmë sot është i kohëve të vona. Vetëm mendimi filozofik i fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, ka dhënë një trajtim të plotë të tijin, duke shpallur individin si realitet primar dhe si vlerë e vërtetë shpirtërore. Në hullinë e realizimit politik, elemente të tij janë ligjësuar dhe kanë filluar të vihen në jetë në SHBA që me Deklaratën e Pavarësisë, në vitin 1776, dhe kanë ardhur duke u plotësuar dhe përsosur me kalimin e kohës. Kështu shumë më vonë janë vënë në jetë të drejtat e zezakëve dhe të grave. Liria individuale përfshin lirinë e mendimit, të fjalës, të shtypit, të besimit, të mbledhjes, të manifestimit publik. Për t’u realizuar liria në gjithë hapësirën e saj konceptuale duhet pa tjetër të burojë dhe të mbështetet në një bazë të shëndoshë morale, çka nënkupton përgjegjësinë e individit përballë të tjerëve. Vetëm kështu mund të realizohet plotësisht qenësia e njeriut. Në Kartën e të Drejtave të Njeriut thuhet: “Liria e secilit ndalet aty ku fillon liria e tjetrit.”
Termat liritë dhe të drejtat individuale të njeriut, ose thjesht, të drejtat e njeriut, përdoren në rrafsh sinonimik, por duhet bërë dallimi i tyre me të drejtat civile (e drejta e pronës, e votës, etj.), të cilat nuk janë të patjetërsueshme, por sigurohen nga qeveritë. Është fjala këtu për qeveritë që kanë të drejtën morale të qeverisin.
 
***
Ne shqiptarët, si popull i lashtë me një të drejtë zakonore të hershme, trashëgojmë një traditë të vyer në lëmin e lirisë, të barazisë dhe të të drejtave të individit në organizimin shoqëror. Pavarësisht primtivizmit, në të cilin kanë jetuar malësorët tanë të zonave kanunore, ata kanë qenë të lirë dhe të barabartë mes tyre.1) Të lexojmë çfarë shkruan Koliqi për këtë problem: “E páshprehme e pothue gadi e lânun pá nji emën të vet (si kuptim fare paranik) mbet ndjesija e liris personale në shkallë të ndryshme (grueja, djali, burri i martuem, i zoti i shtëpís…2) I vorfën o i pasun, sherbtuer, shegert, barí, puntuer, zot shtëpije, çdo shqipëtár âsht pikë mâ së pari nieri i lirshëm si çdo shqiptár tjetër.”3) Në ndryshim me shoqërinë fisnore shqiptare në shoqërinë romake ekzistonte skllavëria. Rrjedhim i kësaj lirie dhe barazie vjen trajtimi i individit, i të drejtave të tij, respektimi i dinjitetit të tij, që kanë qenë atribute të siguruara me një mori ligjesh kanunore. Natyrisht brenda suazës së shoqërisë patriarkale, në të cilën të drejtat individuale i gëzon vetëm burri, nuk mund të ketë një barazi absolute. Gjithsesi, kjo mungesë barazie absolute nuk pengon a mohon barazinë ndërmjet njëri-tjetrit: “Në Kanun të Lekë Dukagjinit, djali me djalë, burri me burrë, çika me çikë e grueja me grue njihen barabar ndër vedi si të jenë të nji shpije a të nji fisi, si të jenë fisesh të ndryshme.”4) Burrat e dheut, siç janë quajtur të zotët e shtëpive që kanë pasur të drejtë dhe detyrë të marrin pjesë në kuvend, kanë gëzuar të drejta të barabarta para ligjit, pa kurrfarë dallimi të shtresës shoqërore, të pronës e ë pasurisë, të pozitës shoqërore, të fisnikërisë, të paraqitjes fizike, etj.5) Fisnikëria shpirtërore e kanunësisë së maleve, në trajtimin e barabartë të individit mashkull dhe lidhur me të drejtat e tij në rrafshin psikologjik, dëshmohet në çështjet më të ndryshme, në shumë raste, në marrëdhëniet mes njëri-tjetrit, në marrëdhëniet e zotërisë me rrogtarin, etj.6)
Valentini ka shkruar: “edhe shërbëtorët… kur janë jashta kohës në të cilën kanë detyrimin e punës, e mbajnë veten të barabartë me zotninë.”7)
 
Kanuni - Gjeçovi - Leke Dukagjini
Kanuni – Gjeçovi – Leke Dukagjini

***

Është shprehur mendimi se shkak i emigrimit të shqiptarëve jashtë trojeve amtare ka qenë natyra e tij individualiste, “koncepti individualist për lirinë”. Me fjalë tjera, shqiptari në emër të lirisë individuale, ka braktisur vendin, d.m.th. lirinë kolektive. Mjerisht duhet thënë se në periudhën e sundimit osman nuk mund të bëhej fjalë për liri, po kështu, në periudhën e diktaturës kur liria individuale qe mohuar plotësisht dhe liria kolektive qe falso. Këtë gjë e dëshmoi edhe emigrimi në masë i popullit tonë fill mbas përmbysjes së diktaturës. Përdhunimin e të drejtave të individit, çka është karakteristikë e regjimeve totalitare, diktatura në vendin tonë e çoi deri në skajet më ekstreme. Nuk mund të bëhej fjalë fare as për të drejtën e fjalës së folur, jo më për të drejtën e fjalës së shtypur, dhe për të drejtat e tjera. Si në çdo shtet totalitar, në vendin tonë u mohua individi si entitet shoqëror dhe u nëpërkëmb dinjiteti i tij, dukuri që e ka shprehur aq mirë sociologu italian Mario Tesini: “Gabimi i fundit që ka sjellur degjenerimin më ekstrem të totalitarizmit ka qenë në analizë të fundit ekzaltimi i entiteteve kolektive të rreme – racës, klasave, kombit, partisë së vetme – në dëm të realitetit të vetëm, që është në të vërtetë depozituesi i çdo vlere dhe i një dinjiteti të pamposhtshëm: individit.”8) Ndërsa, mendësia popullore e ka vlerësuar në shkallët më të larta njeriun, individin, karakterin e tij të pamposhtshëm, qëndresën me durim dhe gjakftohtësi ara fatkeqësivë, sprovave e vështirësive të jetës. Në një varg të gjatë fjalësh të urta është gdhendur kjo psikologji stoike. Ja disa prej tyre: “Ia dha pemës, u tha; ia dha gurit, plasi; ia dha njeriut, duroi” , “I ra gurit e u ça, i ra robit e duroi”, “Burri ma i fortë se guri”, “Pëlset guri, s’pëlset burri”, “Ç’kusur që të ketë njeriu, do ta heqë”. Të bën përshtypje të veçantë fjala e urtë: “Armikun mos e duaj, por nderin ia ruaj!”, që dëshmon respektin për personalitetin dhe një ndjenjë humane të fisme për njeriun, edhe kur e ke armik e nuk e don. Në vitet pas rënies së diktaturës, ishin të gjitha kushtet për realizimin e të drejtave të njeriut, por mjerisht për shkak të korrupsionit të skajshëm, të ushqyer dhe të praktikuar nga klasa politike dhe nga vetë sistemi i drejtësisë, shoqëria shqiptare është zhytur në një batak të tillë moral, që përbën pengesën kryesore për realizimine tyre. Ai segment i shoqërisë që vuan më shumë janë gratë. Dhuna në familje dhe diskriminimi janë dukuri të shpeshta shoqërore.
.

Lekë Dukagjini - Prej të cilit nis Origjina e Markagjonëve
Lekë Dukagjini – Prej të cilit nis Origjina e Markagjonëve

Referenca dhe sqarime.

1)Në pjesën e parë të librit të kujtimeve, At Zef Pllumi, në emër të fratit filozof At Gjon Shllaku, ndër të tjera shkruan për banorët e fshatit Lekbibaj, në vitin 1945: “Vetëm këtu asht i saktë koncepti i njeriut të lirë. Kjo asht madhështia e këtyne: që janë të gjithë të barabartë si njerëz të lirë.” (“Rrno vetëm për me tregue” Pjesa e parë 1944-45, botues “Hylli i Dritës”, v. 1995, f. 61).
2)Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit tonë dhe e Drejta Romake”, cituar simbas “albanovaonline.com”.
3)“Kanuni i Maleve të Shqypnis nuk e veçon nierin prej nierit. ‘Shpirt per shpirt, se duken e falë Zoti.” (neni 593, f. 129). “I miri e i keqi kan nji çmim: Kanuni i mban pwr burra: ‘Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit’. ‘Në kandar të vet sicilli peshon katërqind derhem.” (neni 594, f. 129). “Në kanu të Maleve të Shqypnis gjithsa djelm të lejnë, njehen të mirë e nuk veçohen njani prej tjetrit”, (neni 886, f.169). “Çmimi i jetës së nierit asht nji, si për të mirin si edhe per të keqin”, (neni 887, f. 169). “Sejcilli mbahet i mirë edhe i thotë vedit: ‘Jam burrë’ e i thonë: ‘A je burrë!’, (neni 888, f. 169). (Referencat janë marrë nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit- The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989.
4)Xhemal Meçi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit, Varianti i Pukës, Shtëpia botuese “Çabej MÇM, Tiranë, 1997, f. 72, & 162.
5)Një element i tillë i barazisë, që dëshmon jo vetëm frymën demokratike, por edhe fisnikërinë shpirtërore, mungon në disa kanune të lashta dokësore dhe jodokësore. Në ligjet e Hamurabit, në nenet 196, 197, 198, bëhen dallime në përcaktimin e dënimeve, duke u nisur nga shtresa shoqërore, së cilës i përket fajtori. Kështu, atje thuhet: “Nëse ndonjëri i nxjerr syrin ose i thyen një gjymtyrë një patrici (kështu po emërtojmë pjesëtarin e shtresës më të lartë të shoqërisë babilonase të atëhershme), atij, përkatësisht, do t’i nxiret syri ose do t’i thyhet gjymtyra; por në qoftë se ndonjëri i nxjerr syrin ose i then dorën një plebeu, ai dënohet vetëm me gjobë. (Sipas: “Perry, Peden, Von Laue “Sources of the Western Tradition”, Fourth edition, Copyright, 1999, by Houghton Mmifflin Company, p. 10, (“Burime të traditës perëndimore”. Përkthimi im, A. Ç.).
6)Tek nenet e marrëdhënieve mes zotërisë dhe rrogtarit pasqyrohet qartë barazia humane mes tyre: “Po s’i eci mbas andes së zotnis rrogtari, mund ta dajë, porse me vu gojë keqas mbë te e mevu dorë nuk mundet.” (Kanuni i Lekë Dukagjinit-The Code of Lekë Dukagjini, f. 57, & 128). “Me sha keqas a me rrafë rrogtarin zotnija, e per n’u daftë ky para vadjet, per të rrafme e per të shame do t’i ligjohet.” (I njëjti botim, f. 57, & 129).
7)Cituar sipas, Willy Kamsi-t, “Elementa të traditës në veprën e At Zef Valentinit”, në “Seminnari i Katërt Ndërkombëtar ‘Shkodra në Shekuj”, Vëllimi I, Shkodër, 2002”, f. 128
8)Mario Tesini, “L’ Albania post-totalitaria e le incertezze della democrazia”, në revistën “Hylli i Dritës”, viti 1993, nr. 4, f. 61. (Përkthimi im)
.

Related Images:

Artikulli paraprakMakineria e pushtetit politik-mediatik dhe akademik në funksion të fallsifikimit kulturor-politik – nga Ilir Demalia
Artikulli tjetërKarvani – tregim nga Ramiz Gjini
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.