back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 7 Nëntor, 2024

Largohet nga jeta Eleni Leka – Rodhe – gruaja e poetit të pushkatuar Genc Leka

Gazeta

Poeti Genc Leka dhe e shoqja Eleni  Rodhe
Poeti Genc Leka dhe e shoqja Eleni Rodhe

Largohet nga jeta Eleni Leka – Rodhe… nga Bedri Blloshmi

gruaja e poetit të pushkatuar Genc Leka

Eleni Rrodhe, e bija e ish deputetit dhe tregtarit më të madh të qytetit të Korçës, vatranit të orëve të para Kol Rrodhe, (i cili dha shpirt në burgun e Burrelit) pushoi së rënkuari.
Zhuli, siç e thërrisnin, do mbaronte për mësuesi dhe fati e hodhi në shkretëtirat e Librazhdit, si mësuese. Në atë shkollë ajo u njoh me një djalë nga Bërzeshta, Genc Bardhi Leka, edhe ky mësues.
Njohja dhe biografia bëri që këta dy të rinj të krijojnë familje. Forcimi dhe egërsia e luftës së klasave, që zhvillohej e ashpër ndaj klasës sonë të përmbysur nga orteku i kohës, bëri që të dy të pushohen nga arsimi, në vitin 1967. Të heshtur e kokëulur, duke iu bindur fatit të zi, e të pafuqishëm për ta ndryshuar atë, ata bënë çdo punë të rëndomtë për dy intelektualë. Grykësia komuniste bashkë me Sigurimin gjakatar, ju vunë këmba-këmbës Gencit që nga viti 1959, deri ditën e arrestimit më 31 gusht 1976.
Eleni lindi dy fëmijë, Petrikën dhe Eglantinën. “Kuajt” e Komitetit Qëndor vendosën që Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, do t’i pushkatonin duke u lënë të parit dy fëmijë dhe të dytit një fëmijë – jetimë. Mbas 17 korrikut 1977, ditën që Zhulit ia copëtuan, shkatërruan jetën duke pushkatuar Gencin, iku nga sytë këmbët duke marrë nën sqetull fëmijët jetimë si klloçka që merr zogjtë. Duke qarë dhe ulëritur e duke shkulur flokët për hatanë që e gjeti, vendoset në qytetin e lindjes në një kthinë pa çati. Aty jetoi si gjarpri nën gurë pa ia dhënë dorën askush. Ashtu nën brengën, nën dhimbjen dhe vuajtjet që i shtoheshin përditë, kjo grua me një shall dhe shami të zezë dhe me dy fëmijë të kapur përdore, merr rrugën për tek varrezat e Librazhdit. Aty nga mesi i parcelës të binin në sy dy varre gati të përbashkët dhe mbi pllakën e ftohtë të mermertë. Janë dy fotografi me emrat e tyre. Genc Leka lindur më 23 mars 1941 dhe pushkatur më 17 korrik 1977. Krah kësaj fotografie është dhe fotografia tjetër Vilson Blloshmi, lindur më 18 mars 1948 dhe pushkatur më 17 korrik 1977, pra kanë të përbashkët fundin e tyre.
Zhuli mbasi i përkëdhel të dy fotografitë me dorë, u pastron pluhurin, ulet përballë tyre e vazhdon të fshijë lotët që i bien mbi buzët e thara e i dridhen vazhdimisht. Qëndron e heshtur dhe pa iu përgjigjur pyetjeve që i bëjnë fëmijët, sepse nuk ka dëshirë, mbasi ata janë akoma të vegjël për të mësuar tragjedira të tilla, që janë vënë në skenë në regjimin diktatorial.

Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Përkujtimorja e Genc Lekes dhe Vilson Blloshmit ne Librazhd

Për t’ju shmangur, ngrihet me fëmijët përdore e largohet me shikimin nga mbrapa, derisa shikimin ia zë një kodër e zhveshur dhe e rrjepur nga erozioni i viteve. Para më shumë se një viti kjo zonjë e plakur nga pesha e halleve, nuk e mori më rrugën për të ardhur më e ta shohë apo të bisedojë me njeriun që lidhi jetën dhe krijoi familjen dhe komunistët e dërguan në dhè para kohe, sepse i vuri shpatullat shtratit, për të mos u ngritur më.
Lëngoi e lëngoi, ashtu zvarrë – zvarrë vjen me shpirt ndër dhëmbë, për të fundit herë me disa tufa me lule, i vendos dhe i mbulon me lule. Në krah të varrit të bashkëshortit të saj, është dhe një varr tjetër me fotografinë e një zonje, mbuluar gjysmën e ballit me një sharp të zi. Shikimi i kësaj hallëmadheje, tretet e tretet me një vëmendje që duket se pret një përgjigje. Ky shikim është drejt njeriut të saj të dashur, bashkëshortit Bardho Leka, i cili ka ndërruar jetë në korrikun e vitit 1968, dhe prehet në varrezat e Prizrenit, nën krahët e pishave shekullore. Ja pra se si e pësuan familjet atdhetare, që deshën dhe luftuan për vendin e tyre… Shumë nga këta atdhetarë patriotë shqiptarë të zhuritur për mallin dhe dhimbjen e familjeve të tyre, treten në largësi marramendëse, larg ndër dete e oqeane me sigurinë që kurrë s’do të kthehen më në vendlindje. Eh histori? Si thua, do i shkruash, do i thuash ndonjëherë këto të vërteta? Ngrije zërin dhe thuaje të vërtetën, e mos i lër më nën pluhurin e harresës.
Bedri: “Mbrëmë më vdiq nëna. E tretur, e rrudhosur nën rënkimin e sëmundjes, na thirri pranë krevatit e me ballë të djersitur na shikonte me rradhë, mua, Tinën dhe dy fëmijët e mi. I përqafoi, i puthi, më bëri shenjë me vetullat e lodhura. Me sa kuptova unë duhet ta ngrija nga pozicioni që ishte. E ngritëm, i vendosëm një jastëk tek koka e krevatit, mbas shpine. Mbasi e rregulluam, duke menduar se do gjenta rehat në atë pozicion, e pyeta: Hë mama, je mirë kështu? Ajo nuk po rënkonte më dhe nuk ktheu asnjë përgjigje… E përqafova përsëri kur vura buzët tek faqet e rrudhosura të saj… Ato kishin nisur të ftoheshin… dhe të gjithë sa ishin filluan të qanin”.
Po, Zhuli, kjo grua e vuajtjeve pafund, qe larguar nga kjo botë e zhgënjyer…
Marrë nga http://www.voal-online.ch

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. …”Eh histori? Si thua, do i shkruash, a do i thuash ndonjëherë këto të vërteta? Ngrije zërin dhe thuaje të vërtetën…!!|”- thuaje atë të vërtetë që aq me plagë e kaloi Shqiptari që u quajt i huaj në Shqipëri! Thuaje atë të vërtetë që edhe pse është tejet tmerronjëse duhet të dihet, duhet të dihet nga të gjithë çdo të thotë diktaturë terroriste komuniste!
    Lavdi Shqiptarëve të vërtetë që u vranë, u masakruan, u varën e u hoqën zvarrë rrugëve të qyteteve e fshatrave në atë kohë sterrë të partisë enveriane.
    I paharruar kujtimi i martirëve të Lirisë!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.