back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kur harrohet ajka e një shoqërie… nga Marsida Najdeni

Gazeta

Baletmastri Gezim Kaceli
Baletmastri Gezim Kaceli

Kur harrohet ajka e një shoqërie…

nga Marsida Najdeni

Kushtuar Profesor Gëzim Kaceli,
krijuesi i dhjetra valleve folklorike Shqiptare…
dhe jo vetëm Atij… m.najdeni

Portret... Marsida Najdeni
Portret… Marsida Najdeni

Gëzim Kaceli
ishte dhe mbetet një model i rrezatmit të vlerave qytetare,
i kontributit për zhvillimin dhe emancipimin shoqëror
dhe i modestisë së artistit gjenial.
Rrallëkush ka dhëne një kontribut kaq te larmishëm
dhe me një shtyrje kohore kaq të gjatë në artin shqiptar
sa artisti i madh Gëzim Kaceli.
Udhëtimi i tij i gjatë në rrugën e vështirë dhe plot sakrifica të artit
nis në vitin 1945, kur ai ishte vetëm 12 vjeç,
e deri në vitin 1998, kur ai u nda nga jeta’, tha Arben Tafaj, kryetar i shoqatës ‘Tirona’.
Disa nga perlat e valleve shqiptare si vallja e Tropojës, Vallja e qytetit të Tiranës,
trio e malesisë së Tiranës, Valle arbëreshe e shumë të tjera
mbajnë firmën e të paharrueshmit Gëzim Kaceli.
Në këtë përvjetor shoqata ‘Tirana’
ka kërkuar që Shkolla e Mesme Kombëtare e koreografisë të marrë emrin e tij.
http://news.albanianscreen.tv

Sa shumë falenderime duhet t’i japim këtij mjeshtri të artit koreografik shqiptarë, ama sa pak e njeh kët emër të madh shoqëria shqiptare dhe pse me krijimtarinë e tij janë rritur të gjithë shqiptarët pa e ditur kush i ka krijuar këto valle kaq të bukura, të cilat sot i trashëgojmë me krenari.

Gëzim Kaceli i ri
Gëzim Kaceli i ri

Ndjehem me fat që punën e Profesor Gëzim Kacelit e njoh personalisht edhe nga e bija e tij, e cila është po aq artiste sa i ati. E di, nuk jam personi i duhur për t’i kushtuar këtij artisti një shkrim, por dashuria dhe mirënjohja ndaj tij më shtyn kaq shumë. Për të kuptuar Gëzim Kacelin, këtë krijues të madh, këtë intelektual soji, puntor i palodhur, qytetar i denjë i një kryeqyteti, shtetas i ndershëm i atdheut tonë mjaft të vuajtur, duhet më parë të njohim derën nga e cila doli ky qelibar i artit Shqiptarë.
Familja Kaceli është nga ato dyer autoktone tiranase, të cilët u flijuan për atdhe. Ismail Kaceli ka qenë një luftëtarë me emër gjatë Lidhjes së Prizrenit, vdiq maleve të Malcisë bashkë me vjerrin e tij Mehmet Tufina duke mbrojtur pikërisht atë, nënën Shqipëri. At Gjergj Fishta në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcisë” i ka dedikuar këto rreshta trimit në fjalë:

“Merr, Kacel, njiher lahutën,/ e ia thuej nji kângës Shqyptare;/ s’májmë na zí pá na qitë fare!/ Muer lahuten n’dorë Kaceli,/ m’tê magjarin n’vend e ngeli,/ e, mbasi per zâ atê ujdisi,/ kështu kângës atëbotë ia nisi”.

Bile, edhe i biri i Ismailit, Osman Kaceli, luftoi për mbrojtien e Shkodrës gjatë sulmit malazes… Pra, siç shihet patriotizmi dhe arti ishin pjesë e genit të Kacelve.
Një figurë tjetër e rëndësishme ka qenë dhe Ali Kaceli, babai i Gëzimit, i cili njihet si ndër krijuesit e parë të artit të kartolinave në Tiranë me pamje vizive, po nga qyteti i lindjes. Fotografitë e Aliut sot janë relikë në llojin e vet, sepse pasqyrojnë një Tiranë pothuajse të shuar nga kujtesa kolektive, falë maskaradës ndërtuese që është bërë me këtë qytet. Aliu, edhe pse një figurë mjaft e respektuar, do të vdiste i plevitosur rrugëve të internimit në Berat…

Sadik Kaceli (autoportret)
Sadik Kaceli (autoportret)

Kur përmendim Kacelët e Tiranës nuk mund të mos përmendim një nga piktorët më të mëdhej shqiptarë Sadik Kaceli. Sadiku fillimet e tija i ka në Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës, ku u specializua në vizatim. Më pas ai do të ndiqte një nga shkollat më të njohura të pikturës në Evropë siç ishte Ecole Nationale Supéreure des Beaux Arts dhe do të ishte nxënës i piktorit të famshëm francez Henri Matisse. Hapat e Sadikut i ka ndjekur dhe i biri, Buron Kaceli, i cili është sot për sot ndër piktorët më të mirë të kohës. Një profesor i vërtetë në fushën e tij dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe me atë babë për mësues…
Po ashtu familja Kaceli njihet si dhe një nga familjet e para shqiptare për tregti… Edhe tregtia është art më vete, aq më tepër kur është fakt se kjo familje është ndër të parat që ka marrë liçensë tregtie nga shteti i parë shqiptar, prej qeverisë së Ismail Qemalit. Godina që ata ndërtuan për të bërë biznesin modern pas Pavarësisë u ideua nga një arkitekt Italian dhe sot studiohet si një godinë trashigimore në Fakultetin e Arkitekturës në Tiranë. E në këtë aspekt nuk mund të rrimë pa përmendë edhe martirin e demokracisë, tregtarin vizionar Jonuz Kacelin, i cili u vra barbarisht, nga dora komuniste me grupin e të ashtuquajturve bombës sovjetike.
Pra, për Gëzim Kacelin, siç shihet vlen shprehja “molla nuk bie larg nga pema”. Ai u lind dhe u rrit në një familje që artin dhe kulturën shqiptare e ka në gjenezë. Por le ta njohim Gëzim Kacelin më mirë, por më përpara kërkoj mirkuptimin se jeta e një divi si Kaceli nuk mund të përshkruhet e gjitha në një shkrim gazete.
Lindi me 7 qershor 1933, dhe në moshë mjaft të re familja e tij do të internohej në Berat dhe më pas në fshatrat e thella të Tepelenës. Nuk do të qe e largët koha kur Gëzimi djaloshar do të binte në sy për aftësitë e tija valltare. Ai fitoi konkursin e organizuar nga baletmaestro rus, Georgi Perkun, i cili po kërkonte elementë për krijimin e një trupe baleti profesioniste në Shqipëri. Të fitoje një konkurs në atë kohë duke qenë i persekutuar tregon kjartasi se çfarë talenti ka patur Gëzimi, aq sa rusi nuk bënte dot pa të. Ishte koha kur sistemi përpiqej të krijonte njeriun e ri komunist. Megjithatë, përpos faktit se Gëzimi vinte nga një familje për kohën me një biografi të keqe, ai kurrë nuk doli nga fisnikëria e mbiemrit të tij. Me punë të madhe deri në vetmohim do të arrinte të bëhej balerin solist. Mjeshtërinë e tij prej balerini do ta tregonte si solist në “Flamuri i Paqes”, “Shatërvani i Bahçisarajt”, “Esmeralda”, “Traviata”, etj., shfaqje pafund. Vlerat e tij të rralla si balerin i tregonte në mënyre të skajshme falë individualitetit të tij artistik. Një teknikë të tillë dhe elegancë të përkryer në të bërin balet Shqipëria s’kish parë më parë. Vetëm në moshën 24 vjeçare Gëzim Kaceli do të ishte dhe një nga themeluesit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore. Kompozitori i shquar Çesk Zadeja duke parë talentin e të riut do t’i besonte koreografinë krijuese të t’gjithë Ansamblit të Valleve. Prej këtu merr udhën një jetë magjike, dhe pse plot vështirësi, por me një dashuri deri në prrallore për etnografinë shqiptare.

Kaceli - Vallja e Malsisë së Madhe
Kaceli – Vallja e Malsisë së Madhe

Gëzimi kaloi vite në të gjitha trevat e vendit duke hulumtuar çdo grimcë trashëgimore artistike tonën si popull. “Vallja e Tropojës”, një perlë në reporterin e valleve tradicionale, u përpunua në mënyrë aq sublime nga një tiranas. Kjo vlen për të treguar sa thellësisht dhe imtësisht i studionte maestro Kaceli gjitha detajet etnografike pavarsisht trevave. Më pas, krijimtaria e Gëzim Kacelit nuk do të kish të sosur. Premierat e tij vijuan me “Suita e valleve të Tiranës”, “Vallja e Dropullit”, “Vallja Devolliçe”, “Vallja Dyshe e Shupalit”, “Trio e Shupalit”, “Vallja Labe”, që konfirmonin sërish e sërish jo vetëm aftësitë krijuese koreografike por, edhe njohuritë e larta që Gëzimi kishte për kulturën e zonave të ndryshme të Shqipërisë. Ai ishte një burim i pashtershëm përsa i përket folklorit tonë artistik. Apo siç do të shprehej aq ëmbël autorja e librit “Gëzim Kaceli – Monografi” zonja Terezina Vasia, e cila e përmbledh punën e Profesor Gëzim Kacelit kështu: “Nuk ka gjë më të bukur se sa të shohësh një premierë ku vallëzon e gjithë Shqipëria”. Ky talent, kto motive plot jetë, ky përkushtim madhështor nuk do ta nisnin rastësisht student në Rusi. Rusia, ky vend me shkollën më të fortë në botë për balet, pati fatin të merrte një student shumë të sprovuar në aftësitë e tija, ama dhe Gëzimi pati fatin t’i zgjeronte dijet e tij në një nga shkollat më të famshme. Kështu ai studioi për baletmaestër e koreograf në Institutin e Regjisurës dhe Koreografisë Lunacharsky (GITIS) në Moskë. I etur për më shumë, në Rusi ai do të vinte në skenë vallen e Malësisë së Madhe dhe atë të Shupalit. Fat tjetër i madh për të ishte se u përgatit nga koreografë të shquar rusë si Rostislav Zakharov, Leonid Lavrovsky, Shatin, etj.

Valle me Motive të Tiranës
Valle me Motive të Tiranës

Me prishjen e Shqipërisë komuniste me Rusinë, Gëzimi e përfundoi shkollën në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Me mbarimin e studimeve krijimtaria e tij do të merrte një hov marramendës me premiera si “Dasma Tiranase”, “Dasma në Malësi”, “Barinjtë e Korabit”, “Valle e Burrave Dibranë”, “Motive të Shëngjergjit”, “Valle e Koxhaxhiut”, “Arbënia Kryezonjë”, kjo e fundit mbetet një nga të parat poema vokalo-koreografike Shqiptare, e sa dhjetra-dhjetra krijime të panumërta. Dhe pse intrigat komuniste të kohës do ta largonin nga Ansambli, që ai e kishte ngritur po vetë, Gëzimi kurrë s’ndali së krijuari, së punuari, së ëndërruari. Tashmë si i jashtëm do të vinte në skenë tre opereta me koreografi të tijën “Dhëndri u Transferua”, “Karnavalet” dhe “Vjeshta e Artë”. E s’mund të rri pa përmendë dhe një nga kryeveprat e Profesor Kacelit, sepse nëse nuk e përmend çdo fëmijë shqiptarë do t’më marr inat. Bëhet fjalë për baletin “Kecat dhe Ujku”, që Gëzimi e krijoi dhe e vuri në skenë në një periudhë ku sistemi komunist ja kishte vështirsuar goxha jetën. Fama e kësaj vepre shihet në vetë brezat që ndër vite rriten me të. Imagjinoni çmendurinë, si një gjeni në sojin e vet të artit dhe e degdisën në Ansamblin e Kombinatit e më pas në Ansamblin e Ushtrisë, por Gëzimi siç kishte emrin kurrë nuk rreshti së besuari në aftësitë e veta, e si një shuplakë për trajtimin që po i bëhesh krijoi dhe një tjetër perlë klasike “Legjenda e Lules Honine”. Honina ishte një vajzë jetime, e cila shërbente si puntore e thjeshtë në një familje të pasur. Mos vallë Gëzimi, ndjehej po aq i lodhur si Honina prej atij sistemi, por fiks si Honina dhe ai dinte të triumfonte sa herë përpiqeshin ta ndanin nga dashuria e tij më e madhe, arti. Kudo që e dërguan falë biografisë, që s’i përputhej me njeriut të ri komunist, ai diti të arrinte kryevepra. Mjafton respekti i Çesk Zadesë, Feim Ibrahimit, Agim Krajkës, Tish Daisë, Agron Aliajt dhe mjaft artistëvë të tjerë karshi Gëzimit për të kuptuar që ai është një kolos në artin e tij. Meritë e madhe e Profesor Kacelit është edhe fakti se ai diti të formonte breza e breza balerinësh të çdo lloj forme: lirike apo klasike. Janë me qindra artistët që i detyrohen Profesorit të tyre, megjithatë, Gëzimin e gëzonte fakti se nxirrte artistë cilësorë. Gjithë shqiptarët i janë borxhli punës plot devotshmëri të Profesor Kacelit. Jo vetëm ne shqiptarët brenda kufijve, edhe vëllezërit Arbëreshë e kujtojnë me nostalgji Profesor Gëzimin.

Kaceli - Vallja e Dropullit
Kaceli – Vallja e Dropullit

Viti 1991, do ta gjente emigrant në Kalabri, ku me një modesti solemne do t’i futej punës për të krijuar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Arbëreshe. Ai punoi në shkollat më në zë të zonës si “Isabella Sisca” në Kozencë, apo “Carmen Biscardi” e Rosanos. Vdekja e parakoshme do ta ndante nga kjo jetë në vitin 1999. Në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku trupi i tij i pajetë, mori homazhet e gjithë shoqërisë shqiptare dhe sot prehet në qytetin e lindjes: Tiranë.
Këtë mars u bënë plot 15 vjet pa mjeshtrin dhe fisnikun Profesor Gëzim Kaceli. Kjo gjë aq sa na trishton, aq dhe na jep forca, sepse ai jeton përmes trashigimisë së tij artistike dhe çdo shqiptar lindet e rritet me krijimtarinë e tij. Po ashtu, ai jeton me të birin Renis Kaceli, i cili ka ndjekur hapat e të jatit duke mbaruar Liceun Artistik të Tiranës për balet, e prej vitit 2009 mban dhe diplomën e meritës në balet nga Akademia e La Scala të Milanos, si dhe është krijuesi dhe drejtori i një shkolle private baleti në Itali.
Gjithashtu, Gëzimi jeton dhe me të bijën, Sonila Kaceli, e cila ka mbaruar studimet për etnomuzikologji dhe këndim operistik barok në Universitetin e Bolonjës dhe po ashtu studimet si aktore në shkollën Teatrale të Collit.
I përjetshëm kujtimi i tij, që është pjesë e ajkës së shoqërisë shqiptare!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.