back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kudo që ka shqiptarë, ka edhe katedra të gjuhës shqipe, pos në Turqi… Prend Buzhala

Gazeta

Profesor Prend Buzhala
Profesor Prend Buzhala 

Kudo që ka shqiptarë,

ka edhe katedra të gjuhës shqipe, pos në Turqi…

Prend Buzhala (Çaste Shkrimi IV, 61)

1.
Shkrimi i këtushëm është një përmbledhje informacionesh, copëza të zgjedhura, fragmente, që janë pjesë e punimeve më të gjera, të publikuara nga të tjerët, e që shërben thjesht, për Informim të Publikut të Gjerë. Prandaj, në këtë rast nuk e mora rolin e ndonjë albanologu, por më shumë të një popullarizuesi të albanologjisë.

Vatikani dhe Vjena – historikisht kanë hapur katedrat e para të gjuhës shqipe jashtë kufijve, në fund të shekullit XIX. “Vatikani dhe Vjena harxhonin 1 milionë franga ari ne vit për shkollimin e shqiptarëve atëkohë. Në Itali, katedrat e para universitare të gjuhës shqipe, i takojnë gjysmës së parë e shekullit të kaluar. Universitetet e atëhershme italiane në Palermo, Kozencë e Napoli u pasuruan me traditën dhe kulturën e intelektualëve më të mëdhenj shqiptarë e arbëreshë të kohëve të mëvonshme, si: Guzzeta, Schiroi, Gradilone, Giordano, Ernest Koliqi e Martin Camaj. Në Bari, Leçe e deri në Venecia, janë emërtuar aktualisht edhe kërkues shkencorë në drejtim të këtyre katedrave. Profesorët aktualë të ditëve të sotme si: Francesco Altimari, Matteo Mandalà, Italo Fortino, Elio Miracco, krahas mësimit, organizojnë dhe kuvende e takime dhe mbajnë lidhje dhe me dheun amë, me universitetet dhe akademitë në Shqipëri e Kosovë dhe Maqedoni, me librin shqip, kudo që botohet, duke krijuar dhe rrjetin bibliotekar shqiptar në Ballkan dhe më gjerë, ndërsa Institutet Arsimore Krahinore në Itali, që përfaqësojnë Ministrinë e Arsimit në krahina të ndryshme, sigurojnë të dhënat e duhura të ecurisë së mësimit të gjuhës shqipe.
Vjenë: Sot, Katedra e Albanologjisë në Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjergj Pekmezi”. Gjergj Pekmezi, filozof dhe filolog shqiptar, në vitet 1920-24 emërohet konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Republikën e Austrisë. 
Ndërkaq, të mos harrojmë, që, në periudhën e Humanizmit e të Renesancës kishte shumë arbërorë që mbanin ligjërata nëpër universitetet europerëndimore… (http://rtv21.tv/home/?p=60379)
 Në vitin 1952, át Valentini zyrtarisht emërohet drejtues i “Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos,” ku themeloi dhe drejtoi “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”, mbasi ishte këshilluar me Papa Palin VI.

Matteo Mandala - Albanolog
Matteo Mandala – Albanolog

2.
Pekin: Katedra e gjuhës shqipe në Kinë ekziston që nga viti 1960. 
Shen Petersburg (Rusi): Aleksandër Aleksandroviç Novik, profesor i gjuhës shqipe në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Shën Petersburgut, në një vizitë muajin e kaluar në Shqipëri me 40 studentë rusë që studiojnë këtë gjuhë, krenohet me nivelin e lartë që paraqesin studentët rusë. Katedra albanologjike ka pasur edhe në Gjermani e vende të tjera euoperëndimore, por asnjëherë nën Perandorinë otomane a në Turqinë e sotme.
Ka një shënim kësisoj edhe për Greqi: “Një shtrirje më vete ka marrë mësimi dhe studimi i gjuhës shqipe edhe në institucionet arsimore e shkencore të Greqisë. Në Selanik, pranë Institutit të Gjuhëve Ballkanike, krahas gjuhës serbe, bullgare, ruse dhe rumune, mësohet edhe shqipja. Në Janinë, dhe në Follorinë kemi lektoratet e shqipes, ndërsa në Athinë ka zënë rrënjë të mira Shoqata shkencore “Lidhja Filologjike Shqiptaro-Greke”, brenda së cilës del edhe revista shkencore Albanogrekica.” 
(http://www.dituria.se/index.php…)

3.


Begzad Baliu: Gjendja e studimeve albanologjike dhe prespektiva e tyre…”
Në Romë që nga mesi i shekullit XX funksionin Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit tё Romёs, (1957) dhe pranë saj Instituti i Studimeve Shqiptare, ndërsa rol të rëndësishëm zë njëra prej revistave shkencore dhe kulturore e mjeshtrit të madh të letrave shqipe Ernest Koliqit, Shejzat (La Pleiadi). Në Palermo, vepron Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, themeluar në vitet 1930-1931, nga historiani i letërsisë Gaetano Petrotta. Brenda saj, ndërkaq dalin tri kolana botimesh: Albanica me 27 vëllime; kolana “Studi i testi albanesi” me katër vëllime; kolana e sapohapur Balcanistica me dy vëllime të botuara. Brenda këtij institucioni rëndësi të posaçme ka projekti BESA për mbledhjen dhe digjitalizimin e leksikut të veprave të autorëve arbëreshë; si dhe të projekteve të hartuara në kuadër të ligjit të miratuar në vitin 1999, mbi “Mbrojtjen e të drejtave te pakicave gjuhësore në Itali.”

Studiuesi Begzad Baliu
Studiuesi Begzad Baliu

Në Napoli, kemi Universitetin e Napolit “L’Orientale”. Brenda tij kemi katedrën e gjuhës shqipe, në të cilën ligjërohet lënda e gjuhës dhe e letërsisë shqipe dhe filologjia shqipe. Titullari i lëndëve: Profesor Italo Costante Fortino, është edhe drejtor i Departamentit të Europës Lindore, ku bëjnë pjesë të gjitha gjuhët e lindjes: shqipja, hungarishtja, rumanishtja, serbishtja, maqedonishtja, greqishtja, rusishtja, bullgarishtja, çekishtja, etj. Punimet shkencore botohen në kuadrin e departamentit. Posaçërisht për shqipen del revista voluminoze Albanistica. Një lektorat i gjuhës shqipe gjendet edhe në Kozencë, ndërsa në Universitetin e Leçes, albanologjia është organizuar në shkallë të Katedrës.”
Po aty: “Studimet albanologjike janë formuar, janë organizuar, janë bërë shkencë më vete dhe kanë arritur përmasat e studimeve europiane, që nga mesi i dytë i shekullit XIX me shkollën austro-gjermane. Sot ajo studiohet në Munih (Munich) pranë Institut für Vergleichende und Indogermanische, Sprachwissenschaft sowie Albanologie, Departement II für Sprache und Kommunikation, Fakultüt für Sprach-und Literaturwissenschaften. Ludwig – Maximilians – Universität München. Në Munih botohet edhe vjetari shumë i pasur me studime albanologjike: Indogermanische Forschungen, një nga kolonat më të rëndësishme të historisë së albanologjisë të shekullit XX. Edhe në Leipzig (Lajpcig) gjuha shqipe mësohet në kuadër të Katedrës së Ballkanistikës, ndërsa në Vjenë (Wien), albanologjia është mësuar e vazhdon të mësohet në Institutin e Indoeuropieistikës së Universitetit të Vjenës. Në Vjenë, botohet në gjuhën gjermane revista për histori, kulturë, letërsi e politikë Dardania, të cilën e drejton ish-lektori i gjuhës shqipe në këtë qendër Skënder Gashi.” (www.dituria.se)

3.

Një shënim tjetër:
“Beogradi dikur ishte qendër e albanologjisë. 
Shkencëtari i parë, i cili seriozisht filloi ta studiojë gjuhën shqipe midis serbëve ishte Henrik Bariqi, katolik i Raguzës, i cili studioi në Grac dhe në Vjenë. Në vitin shkollor 1920/1921, në kuadër të seminarit nga gramatika krahasuese e gjuhëve indoeuropiane, e përfshiu edhe Historinë e gramatikës së gjuhës shqipe. Kjo konsiderohet si fillim i albanologjisë në Universitetin e Beogradit. Shumë shpejt doli revista Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologijiu (Arkivi për vjetërsinë, gjuhën dhe etnologjinë) (1923-1926), e para e këtij lloji në botë, pronar i të cilës u bë profesori i universitetit, etnologu i famshëm Tihomir R. Gjorgjeviq. Revista shumë shpejt e tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor botëror dhe u bë prestigjioze. Për këtë revistë punoi një numër i madh i shkencëtarëve të njohur të vendit dhe të huaj. 
Katedra e albanologjisë në Beograd, 
Këshilli i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Beogradit, më 31 maj të vitit 1925, e ka marrë vendimin të themelohet Seminari për “filologjinë shqipe”, i cili i është besuar Henrik Bariqit. Për lektor me honorar për gjuhën dhe letërsinë shqipe është zgjedhur Xhevat Korça, në vitin 1925, emigrant i Shqipërisë, ish-drejtor i gjimnazit në Shkodër. Ai gjatë vitit shkollor 1927/28 e ka mbajtur “Kursin e gjuhës shqipe për fillestarë”, pas së cilit është larguar nga Beogradi. Si lektor-vullnetar, për shkak të mungesës së mjeteve, është zgjedhur në vitin 1935, Vojisllav Dançetoviq, serb i Kosovës, i lindur në Vushtrri, i cili ka ditur të flasë shqip mirë. (Dançetoviq, po atë vit e ka mbaruar romanistikën në Zagreb). Në vitin 1937, gjatë kohës së afrimit të Shqipërisë dhe Italisë, ky seminar është suprimuar. 
Në këtë fakultet seminari për gjuhën shqipe e ka rifilluar punën në vitin shkollor 1948/49, dhe për ligjërues është zgjedhur Vojisllav Dançetoviq. Në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërshtetërore midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitin 1949, dy muaj është suprimuar. Pas kësaj e ka vazhduar punën normalisht. Për asistentë janë zgjedhur Anton Çetta dhe Idriz Ajeti në vitin 1950, të cilët pikërisht e kanë kryer romanistikën në Universitetin e Beogradit. Më vonë të dytë janë bërë shkencëtarë prestigjiozë. Në vitet e 60-ta, Seminari për Albanologji në Fakultetin Filologjik të Beogradit e ka vazhduar punën si Katedër e veçantë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, të cilin e ka udhëhequr dr. Vojisllav Dançetoviq, dhe pas vdekjes së tij dr. Halit Tërnavci dhe një kohe si lektore, dhe pastaj si docente dr. Gjystina Shushka. Në vitet e 50-ta në këtë katedër ka studjuar një numër i madh i intelektualëve të Kosovës, profesorë, shkencëtarë, shkrimtarë, kryeredaktorë të gazetave, në mesin e tyre është edhe dr. Gani Luboteni, dr. Latif Mulaku, Fahredin Gunga, Enver Gjergjeku, etj. Për nevojat e mësimit më herët kanë qenë të angazhuar profesorët e Universitetit të Kosovës, mirëpo kjo praktikë është ndërprerë në vitet e 80-ta për shkaqe politike, për çka kjo katedër ka pësuar dëme të mëdha.” (http://www.forumishqiptar.com/…/21960-Numri-i-shqiptar%C3%A…)

4.


Kristo Frashëri: Tito Johallasi, albanologu grek që studion arvanitët… Në plejadën e shkencëtarëve pozitivë grekë që janë marrë me historinë, gjuhësinë dhe etnografinë shqiptare, shkencëtari më dinjitoz, më i thelluar dhe më prodhimtar është pa dyshim profesori Tito Johallas… në Kolokuiumin Ndërkombëtar Albanologjik që u zhvillua në Universitetin e Insbrukut në Austri më 1972, profesori T. Johallas mbajti referatin “Studimet Albanologjike në Greqi” (Gli Studi Albanologici in Grecia). Referati i tij nuk ka vetëm përmbajtje informative, por edhe karakter kritik shkencor. Në këtë punim ai radhit studiuesit grekë që kanë dhënë kontribut në studimin nga pikëpamja historike, linguistike, onomastike, toponomastike dhe folkloristike të arvanitëve të Greqisë. (http://www.forumishqiptar.com/…/131442-Arberoret-(Arvanitet…)

Visar Zhiti - 2009
Visar Zhiti – 2009

5.

Visar Zhiti: 
Si mësohet Gjuha Shqipe në Itali
“1. Arbërishtja ose rrafshi tradicional ose koha e parë
… Prej shekujsh në Itali, në Jug të saj dhe afër pjesës Qendrore, jeton etnia arbëreshe, fshatra të tëra në Kalabri dhe në Sicili, që ruajnë identitetin, gjuhën dhe zakonet e të parëve, e dheut nga ikën kur ndodhte pushtimi otoman, që flasin shqipen e hershme nëpër familje, por që kanë dhe administratë tani, shkolla, kisha e muze, madje dhe organe shtypi, media elektronike e televizione lokale, ku mund të përdorin dhe gjuhë amë, madje dhe në parlamentet lokale, ndërkaq janë njohura festivalet e tyre folklorike, të këngës, olimpiadat teatrore, etj.
Janë poetët arbëreshë të Rilindjes tonë kombëtare, si De Rada e Zef Serembe, që e futën poezinë e kultivuar shqipe në Europë.
Parlamenti italian në 1999, miratoi ligjin Kornizë: mbrojtjen e pakicave gjuhësore, pra dhe ato shqiptare. Në pothuajse të gjitha shkollat e vendeve arbëreshe organizohen kurse të gjuhës arbëreshe dhe ka nisma në këtë drejtim.” (…)

“2-Katedrat e Gjuhës Shqipe, rrafshi universitar ose koha shkencore… 
Qysh në shekullin e kaluar, në gjysmën e parë të tij, në Universitetet Italiane, në Jug, në Palermo e Kozencë, në Napoli e në kryeqytet në Romë, ka katedra të gjuhës shqipe, tashmë me traditë e me themeltarë personalitete të shquar të kulturës tonë e me drejtues intelektualë të njohur e shkrimtarë si arbëreshët Guzzetta, Schiroi, Gradilone, Giordano, etj., e nga Shqipëria Koliqi, Resuli, Camaj, Marlekaj, etj.
 Gjithashtu dhe në Bari e Leçe e deri në Venecia, janë emëruar kërkues shkencorë në drejtim të katedrave. Për dekada me radhë bëhet mësimi gjuhës shqipe dhe i letërsisë së saj, me studentë shqiptarë dhe italianë, me atë nivel siç bëhet çdo gjuhë e huaj në fakultetet përkatës dhe shpesh ecuria e mësimit të gjuhës shqipe varet dhe nga financimet universitare, që lëvizin sipas situatave.
 Profesorët aktualë, Francesco Altimari, Matteo Mandalà, Italo Fortino, etj., në Jug e Elio Miracco në kryeqytet, krahas mësimit, organizojnë dhe kuvende e takime dhe mbajnë lidhje dhe me dheun amë, me universitetet dhe akademitë në Shqipëri e Kosovë dhe Maqedoni, me librin shqip, kudo që botohet, duke krijuar dhe rrjetin bibliotekar shqiptar në Ballkan dhe më gjerë, ndërsa Institutet Arsimore Krahinore në Itali, që përfaqësojnë Ministrinë e Arsimit në krahina të ndryshme, sigurojnë të dhënat e duhura të ecurisë së mësimit të gjuhës shqipe.
Gjithashtu ka dhe kurse seminaresh për mësues, si p.sh., në rajonin e Toskanës, p.sh., drejtuar nga profesor Leonardo Savoia, ku një përqindje e lartë ishin shqiptarë, nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës dhe janë botuar edhe një seri librash didaktike.” (shih: http://www.shqiptariiitalise.com/…/123-si-mesohet-gjuha-shq…)

Shejzat e Koliqit - 1971
Shejzat e Koliqit – 1971

6. 


Nga Web faqja e Telegrafit: 
“Nëpër shkolla publike e private, si dhe universitete mund të mësohet anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht, por sistemi arsimor turk nuk e lejon shkollimin në gjuhën shqipe.
Në asnjë universitet turk nuk ka katedër të gjuhës shqipe, kur vetëm në Itali ka shtatë të tilla. Katedra të gjuhës shqipe ka edhe në disa vende të tjera, ku prania shqiptare është shumë e vogël, ose pothuajse mungon si në Rusi dhe në Kinë, transmeton albemigrant.com.

Në Stamboll flitet gjerësisht rusisht, ndërsa shqiptarët që punojnë në treg, me vështirësi të flasin shqip, madje disa prej tyre, të përmalluar të ftojnë brenda dyqanit të vetë, se vetëm atje e ndjejnë se mund ta flasin gjuhën e tyre, pa u dënuar. /Telegrafi/”

7. 


Mjegullnaja propagandistike që e përhapin të ashtuquajturit publicistë e pseudo-dijetarë, shkon tepër larg: nëse nuk pranon të bëhesh turk e neo-otoman, atëherë ti je “racist”, sepse kundërshton Turqinë; nëse Europa nuk pranon që të deformohet, të shkatërrohet e sakatohet identiteti i saj, civilizimi i saj e kultura e saj, atëherë kjo Europë perëndimore shpallet “raciste”, pse nuk po pranuaka t’i humbë vlerat e veta e nuk pranon të otomanizohet, të turqizohet apo të arabizohet… Por propaganduesit e “racizimit’ të shpifur, po harrojnë se krejt diçka tjetër është shumësia e vlerave (të cilave iu bën konak Europa) e krejt diçka tjetër imponimi i tyre (i tipit shtetëror neo-otoman), që na shfaqet si Antivlerë e Shumësisv, si antivlerë e Demokracisv, apo që na shfaqet si censurë tipike shtetërore-totalitare… dhe, së fundmi, Europa shpallet raciste, pse nuk pranon që të varfërohet nga thesari i saj i jashtëzakonshëm kulturor, dituror e civilizues, dinamik e botëkrijues, dijekrijuese e ide-krijuese… dhe pse kjo Europë nuk pranon t’i bashkëngjitet prapambeturisë turke… 
Totalitarizmi dhe propaganduesit e totalitarizmit neo-otoman, nuk kanë brirë… dhe propaganduesit e mbrojtësit e saj të zjarrtë, tashmë e kanë shfaqur hapur, se na janë bërë mbështetës, ideologë dhe përhapës të kësaj mendësie të stërvjetëruar totalitare, nën maskën e miqësisë së Turqisë së parrezikshme…
(30 nëntor 2014, rishkrime)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.