back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Fotoja “Kthimi i barkës në port” e atdhetarit dhe fotografit – Stefan Kaçulini – nga Qerim Vrioni

Gazeta

Fotografi Qerim Vrioni
Fotografi Qerim Vrioni

Fotoja “Kthimi i barkës në port”

e atdhetarit dhe fotografit – Stefan Kaçulini

nga Qerim Vrioni

Durrësi dhe deti në fillim të shekullit XX

Dihet se Durrësi është një nga qytetet më të vjetër shqiptare, i cili është themeluar në vitin 627 para Krishtit (Fjalor Enciklopedik-Bacchus, Tiranë, 2002-f.169). Po ashtu pranohet se “Durrësi është qyteti-port më i hershëm në brigjet lindore të Adriatikut” (Hava – Sali Hidri – Historia e Durrësit – Botimet Jozef, Durrës, 2014, f. 3). Në nisje të shekullit të kaluar, Durrësi ishte një ndër qytetet më të mëdhenj të vendit, po ashtu edhe porti kryesor i tij. Nga të dhënat e deritanishme qyteti kishte atëherë rreth 6000 banorë. Durrsakët merreshin me tregëti, brenda dhe matanë Adriatikut, bujqësi (vreshtari dhe ulivikulturë), blegtori, me artizanat dhe peshkim. Një pjesë e lundërtarëve aty ishin me origjinë nga Ulqini, qyteti i bregdetit verior shqiptar, i cili prej vitit 1880 i ishte ngjitur nga ndërkombëtarët (Kongresi i Berlinit) shtetit të Malit të Zi.
Ndërkohë (fillimi i qindvjeçarit të XX) në qytet kishte disa ndërtime, që datonin disa shekuj më parë, të cilat ende kishte mbetur pa u prishur, si muri i madh i një fortese të vjetër byzantine, por sidomos amfiteatri i qytetit, që mbetet sot një ndër më të mëdhenjtë e Ballkanit, si dhe muri rrethues. Këto i japin edhe ditëve të sotme, krenari të ligjëshme këtij vendbanimi të hershëm ilir e me jetë të gjallë kulturore e të quajtur Durrës. Qyteti kishte atëhere edhe veprimtari patriotike e sociale, kështu rreth vitit të fotografisë tonë, jetën aty e gjallëronin edhe shoqata e klube atdhetare si “Vëllazënia” (1907) dhe “Bashkimi” (1909), të cilat synonin të mbanin lart frymën kombëtare.
Në vitet e para të shekullit të kaluar, anijet tregëtare dhe ato të peshkimit, thuajse të gjitha me vela, ankoroheshin në një molo prej druri rreth 50 m. të gjatë, e ndërtuar afërsisht brenda territorit të sotëm të portit. Anijet e mëdha e me motor nuk mund të akostoheshin në mol për shkak të thellësisë së vogël të detit, e për këtë ato qëndronin largë molit (në radë siç quhet sot), njerëzit zbrisnin prej tyre në tokë nëpërmjet barkave të vogla me lopata, ndërsa mallrat me maune.
Nga shfletimi i materialeve historike mbi lundrimin dhe peshkimin në Durrës, mësohet se mjetet lundruese për gjueti dhe transport, aty ishin kryesisht pa motor, pra lëviznin me forcën e erës, ose të voglat me energjinë e muskujve të njeriut. Peshkatarët të cilët ishin në gjendje më të mirë ekonomike, peshkonin me barka me vela, të tjerët me ato me rrema (ose sanalle në gjuhën popullore). Rëndom peshkatarët ishin edhe pronarë të mjeteve, por mund të ishin edhe të punësuar, po ashtu edhe mjetet lundruese për transport. Barkat me vela lejonin largim të konsiderueshëm nga bregu, drejt zonave të pasura me peshk, ekuipazhi i tyre përbëhej nga dy, tre e rrallë herë më tepër. Peshkimi ato kohë bëhej e grepa, por edhe me rrjeta të vogla, gjahu i mbarë i ditës shitej, ndërsa i pakti ushqente familjen.
Aty nga mesi i shekullit të XX, porti i Durrësit u zhvillua mjaft, u shtuan kalatat dhe mjetet e përpunimit të anijeve, kjo edhe si pasojë e rritjes së vrullshme të shkëmbimit të mallrave me botën. Po ashtu, faktor i rëndësishëm në zmadhimin e portit, ishte edhe lidhja e tij me linjë hekurudhore me kryeqytetin dhe pjesët e tjera të vendit. Gjithashtu, në qytet, pas mesit qindvjeçarit të kaluar, u ngritën disa fabrika dhe uzina për prodhime industrial dhe u zhvillua mjaft jeta social-kulturore. Kështu, fundi i shekullit XX e gjeti Durrësin si qytetin e dytë më të madh industrial të vendit.
.
Stefan Kaçulini - Kthimi i barkës në port
Stefan Kaçulini – Kthimi i barkës në port

Stefan Kaçulini

Fotoja, ”Kthimi i barkës në port” ka për autor një personazh të qytetit të Durrësit me emrin Stefan Kaçulini. Po kush është fotografi, i cili ka realizuar këtë foto në ag të shekullit të shkuar ? Me origjinë nga Shkodra, publicisti, librari dhe atdhetari Stefan Kaçulini, është lindur më 1887 në Durrës, ku ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij (ku jetojnë pasardhësitë e tij ende sot). Mjeshtërinë e fotografimit, që nuk ishte profesioni i tij kryesor, e mësoi në Shkodër tek Kel Marubi, një nga pionerët e fotografisë shqiptare, njëkohësisht edhe miku i tij (Hidri Sali – Stefan Kaçulini – në lëvizjen patriotike durrsake – Toena, Tiranë, 2004- f.196). Ashtu si mentori i tij shkodran, Kaçulini përvehtësoi teknologjinë e fotografimit me pllaka xhami (kolodio e thatë) të prodhuara industrialisht jashtë vendit. Një pjesë e tyre ka mbërritur në ditët tona. Të dokumentuara për jetën e Kaçulinit mund të rendisim pak të dhëna, por jo pa peshë. Në vitin 1913, ai ka marrë pjesë në Kongresin e Triestes, më pas, është zgjedhur antar i Këshillit bashkiak të Durrësit. Në vitin 1914, kur Fan Noli mbërriti në Durrës, ka bujtur në shtëpinë mikpritëse të Kaçulinit e, po ashtu njihet miqësia e tij me atdhetarin tjetër të njohur, Luigj Gurakuqi.
Në lëmin e fotografisë ai ka lëvruar kryesisht atë dokumentare, me ngjarje, njerëz, vende të qytetit të tij duke i përjetësuar në foto që mbartin vlera të veçanta për studimin e historisë, urabanistikës, jetës shoqërore dhe ekonomike. Ndonjë foto të Kaçulinit, si psh, kjo që po shqyrtohet, ka disi ngjyrim edhe të fotografisë së artit. Në librin e sipërcituar të studiuesit Hidri janë përfshirë 14 fotografi të tij, e ndër to, në faqe 204 edhe kjo me varkën e vogël që po kthehet në port, me titullin “Peshkimi”. Duhet shtuar se: “Stefan Kaçulini është fotografi i parë i Durrësit” (Thimi Çollaku – Kalendar i botës shqiptare – Omsca-1, Tiranë, 2010-f.433). U nda nga jeta në janar 1947 në Durrës.
.

Fotografi Stefan Kaçulini
Fotografi Stefan Kaçulini

Një foto në muzg

Në këtë foto të vitit të largët 1907 (Sali Hidri – Stefan Kaçulini… libër i cituar – f. 204), paraqitet një barkë e vogël (ndoshta peshkimi) në çastet kur po i afrohet molit të portit të Durrësit. Pra, fotoja është realizuar mbi njëqintë vjet më parë. Mbi të duken dy detarët që po kryejnë veprimet e fundit për bregëzimin e saj në mol. Ndoshta dita kish qënë e mbrothtë për ta, por natyrisht edhe e lodhshme, ajo po mbaronte e, varka po i afrohej ngadalë molit të vogël me velën thuajse të ulur. Një nga detarët po bëhet gati të hedhi cimën, ndërsa tjetri po drejton lëvizjen e mjetit nga kiçi me timonin në një dorë, ndërkohë që me tjetrën po ul edhe velën, veprime rutinë e të përditëshme për të dy.
Në mol i “priste” një burrë, me shumë gjasa, i panjohur për ta me një kuti të madhe druri të ngritur mbi tri dërrasa të holla. Në të vërtetë, ai nuk ishte fare i panjohur në qytet. Quhej Stefan Kaçulini, njihej nga shumë banorë të qytetit si atdhetar por edhe si fotograf. Anijetarët tanë, të kujdesshëm për bregëzimin e mjetit, nuk kishin se si t’i kushtonin vëmendje atij njeriu. Ai pas pak kishte futur kokën në një rrobë të zezë ngjitur me kutinë prej druri (aparati fotografik), e cila i ka mbuluar thuajse gjysmën e trupit, por ata, me shumë gjasë, nuk e kanë vërejtur fare atë dhe veprimet e tij në ato çaste.
Po çfarë e ka shtyrë Kaçulinin të ngrejë aparatin fotografik (që atëhere nuk peshonte pak) në krah, ta mbarti nga shtëpia e ta vendosi mbi trekëmbësh sipër urës së drurit (mol)? Vështirë të besohet se synonte të nxirrte njerëz në fotografi, siç ishte puna e parë e fotografit të atyre kohëve dhe, me të cilën ata siguronin jetesën. Ajo punë bëhej më mirë në mesditë, kur dielli ndriçonte më shumë, por edhe kjo nuk përjashtohet krejtësisht, sepse mund të kish shkuar më herët për të fotografuar njerëz dhe e kishte kapur muzgu me aparat ngritur. Ndoshta ai, pasi ka mbaruar punët rutinë të ditës e si për kënaqësi (ai nuk e siguronte jetesën me fotografimin) ka fotografuar nga të gjitha anët horizontin (mbase edhe për ndonjë kartolinë), sidomos andej nga perëndimi i diellit në det. Mundet që fotoja të jetë edhe shfaqje e respektit të vet fotografit për punën dhe njerëzitë e saj. Gjithsesi, ai mbasi e ka kqyrur me vëmendje barkën e vogël, nuk është vonuar dhe pas kuadrimit të pamjes me intuitë, ka realizuar atë, duke përfshirë në të edhe një passhpinë mbresëlënëse.
.

Luigj Gurakuqi dhe Stefan Kaçulini, në vitet '20
Luigj Gurakuqi dhe Stefan Kaçulini, në vitet ’20

Fotoja me det

Kthehemi tek fotoja mbishekullore e Kaçulinit. Titulli “Peshkimi”, i vendosur poshtë fotos në librin me vlerë të autorit Sali Hidri, nuk duket se i përshtatet plotësisht subjektit të imazhit. Kjo, sepse peshkatarët (ose lundërtarët) po kryejnë veprimet e afrimit të mjetit në mol (bregzimit) dhe nuk po hedhin apo tërheqin rrjetat ose grepat nga deti (veprimet më karakteristike të peshkatarëve). Kështu, më afër të vërtetës tingëllon titulli “Kthimi i barkës në port”, pavarësisht nëse ajo është peshkimi apo mallrash.
Siç u theksua më sipër, fotoja është realizuar në muzg, dielli ka perënduar prej pak çastesh dhe drita e tij po dobësohet. Fotografi ka qendruar me shpinë nga perëndimi, çka ka ndihmuar që objektivi i aparatit të tij të kapi barkën me ndriçimin më të madh të mundshëm edhe pse pa dritësim diellor të drejtëpërdrejtë. Ndriçimi i muzgut e ka detyruar fotografin ta mbaj diçka më gjatë hapur objektivin (me kapakun e zi në dorë duke numëruar sekondat). Por kjo nuk ka shkaktuar sipërfaqe të turbullta (flu) të objekteve lëvizëse (trupat e marinarëve), ata kanë konture të mprehta, në sajë të aftësive teknike të fotografit. Pas krahëve të lundrës tonë, duket një barkë tjetër po më e vogël dhe pa vela. Më tej, në breg duket Bastioni i Madh, siç quhej atëherë, pjesa e një kështjelle bizantine e prishur më 1927 (sa të lehtë e kanë shqiptarët prishjen) për tu ndërtuar BSHSH, sot Banka Kombëtare Tregtare.
Anija ka lundruar drejtë portit me ngarkesë të plotë, çka duket nga zhytja e saj në ujë. Mbi të dallohen dy harqet e dy njollave të zeza që ngjasojnë me thasë. Ndriçimi i mjedisit lejon të pasqyrohen në foto vetëm objektet të errëta dhe pa hije. Në një farë mënyre, fotoja të kujton shkrepjet e Gjon Milit me metodën e grafikimit, ku ka vetëm të zeza të plota dhe të bardha të pastra. Thuhet, në një farë mënyre, sepse ngjyra e detit dhe e qiellit nuk është e bardhë e pastër, po në tonalitet e të hirtës. Fotografi e ka vendosur aparatin fare afër buzës së molit, çka vërehet edhe nga disa shkuma të vogla (në pjesën e poshtme të fotos) që përplasen në këmbët e molit. Duket mjaft i goditur edhe kuadrimi i imazhit i cili përfshinë edhe një pjesë të fortesës së vjetër bizantine, e cila i mban në një farë barazpeshe grafike pjesët e fotos. Kështu, po të përfytyrohet fotoja pa murin e fortesës (praktikisht duke e fshehur me një fletë të bardhë sipër), mund të vërehet më mirë pesha grafike të tij në vlerën e fotos. Qielli i fotos nuk është i lëmuar, ai ka re, që ndonëse jo të errëta, ato dallohen dhe qëndrojnë fare mirë në të gjithë gamën tonale të saj.
Katër janë vatrat e fotos të cilat tërheqin menjëherë vështrimin e shikuesit. Dy prej tyre paraqesin lundërtarët, i pari duke hedhur cimën, i dyti duke ulur litarin e velës, dhe me timonin midis këmbëve. Një vatër tjetër është Bastioni i Madh me bedenat karakteristike dhe, e katërta, vela me dyrekun kryesor të barkës.
Një foto vërsnike me tonën (foto A), por me autor të panjohur, paraqet thuajse të njëjtin model varke me velë, të bregzuar në portin e Durrësti, por e ngarkuar me thasë të bardhë, ndofta me drith. Kështu, personazhet e fotos mund të jenë edhe detarë që drejtojnë mjetin në lundrim nga një vend në tjetrin, ose nga një anije e madhe në radë, për në port. Veprimet e të dy palëve të hamendësuara janë të njëjta gjatë bregzimit dhe çbregzimit (akostimit dhe çakostimit) në mol. Gjithsesi, nuk ngre shumë peshë në vlerat e fotos (estetike, historike, dokumentare etj), përcaktimi me njëqindpërqind i mjeshtërisë së personazheve të fotos tonë.
Si i lindur dhe rritur në një qytet bregdetar, pra si djalë deti, me shumë gjasa, Stef Kaçulini e ka fotografuar Adriatikun edhe herë të tjera. Madje, mbase ka bërë edhe shkrepje të tjera për barkën që kthehej në port, por kjo fatmirësisht ka mbërritur në ditët tona fare e pastër dhe e pacënuar. Sidoqoftë, rëndësi ka fotoja e jonë, edhe sikur të ishte e vetmja shkrepje e asaj dite, ajo me sa duket, ngeli në histori. Po ashtu, nga fotoja përfytyrohet se çfarë ka ndodhur pak sekonda më pas, pas hedhjes së cimës së ankorimit, tërheqja e saj me duar nga dokeri i caktuar i portit për ta ngjitur barkën me molin. E, më pas ndonjë shkallë e vogël druri për të mundësuar lëvizjen e mallit dhe lundërtarëve.
Fotoja është realizuar, siç u prek edhe më sipër, me teknologjinë e kolodios së thatë, pra me pllaka xhami të përgatitura industrialisht, ashtu si punonte edhe mësuesi i tij i fotografisë, Kel Marubi (Kodheli). Në një pllakë xhami ndodhet i ndehur edhe sot imazhi i dy detarëve durrsakë që po kthehen në port, në pronësi të pasardhësve të drejtpërdrejtë të Stef Kaçulinit (z. Aurel Kaçulini – i nipi) me banim në Durrës. Përmasat e pllakës së xhamit të kësaj fotoje janë 9X12 cm, por ai ka fotografuar edhe me pllaka më të mëdha, 13X18 cm.
Duke e mbajtur gjatë para syve, fotoja kumton edhe histori e, kësisoj sot i rriten vlerat në sytë tanë. Këtu, ndoshta ka vend edhe e quajtura “estetika e distancës (kohore – shën. im)” të përmendur nga studjuesja Susan Sontag. Sipas saj, vlerat e artistike të një fotografie mund të rriten vetvetiu me moshimin e saj, kështu një foto e sotme me të njëjtin subjekt e kuadruar më me kujdes, nuk do krijojë ato ndjesi estetike te shikuesi si kjo, sapo mësohet se e fundit është realizuar mbi një shekull përpara.
Nga subjekti që ngërthen, fotoja që po shqyrtohet, mund të grupohet në gjini të ndryshme, si peizazh urban, kompozim (pra edhe foto arti), por në të njëjtën kohë edhe foto dokumentare, varet nga pikëvështrimi. Veçse një gjë është e sigurt, deri në kërkimet e tanishme, kjo mbetet në Historinë e Fotografisë Shqiptare një nga fare pak fotot e hershme (në mos më e vjetra) të ndonjë autori shqiptar në të cilën duket Deti Adriatik, deti kryesor i Shqipërisë. Po ashtu, kjo foto i ka siguruar edhe Stefan Kaçulinit, një vend të veçantë në Historinë e Fotografisë Shqiptare.
***
*cima – litari që mbanë lidhur anijen në mol.
**kiçi – pjesa e përparme e një mjeti lundues.
***akostim – afrimi dhe lidhja e një mjeti lundrues në një mol a bankinë, kohët e fundit e zëvendësuar me bregëzim.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.