back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Koliqi dhe Camaj, nën shikime profesionale, racionale dhe emocionale – Opinione

Gazeta

Ernest Koliqi & Martin Camaj
Ernest Koliqi & Martin Camaj

Koliqi dhe Camaj nën shikime profesionale,

racionale dhe emocionale – Opinione

Studiuesi Ardian Ndreca
Studiuesi Ardian Ndreca

As Koliqi, as Camaj s’e kanë shtëpinë ku ti pandeh, zoti Tare!

nga Ardian Ndreca

S’do ta kisha mendue kurrë se nën atë fytyrën prej Shvejku baballëk të Auron Tares mund të mshehej nji historian i hollë që përpiqet me hjedhë ndonji kovë baltë mbi figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.
Por ky Tarja ka meritën se të paktën nuk asht marrë me veprën e tyne, por ka ba detyrat e shtëpisë tue u ushtrue në atë profesionin e vetëm që njeh. Tarja ka nisë me gërmue virtualisht ndër arkiva në vend që me vijue me koleksionue gëzhoja të ndryshkuna ndër poligonet ku dikur i kallte datën Paktit të Atlantikut.
Fotokopjet e Tares ndër arkiva janë si fotokopjet e bankënotave të Bankës së Shtetit që ndokush mundohet me t’i shitë si të vërteta.
Përtej humorit, pse në fund të fundit i shkreti asht produkt i patjetërsueshëm i kohës dhe rrethanave që e kanë prodhue dhe e ka këtë tarë të pashlyeshme në vetvete, shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.
S’po pretendojmë që Tarja të kishte kapë pasaktësitë e dokumenteve që me nder me thanë ka shqyrtue dhe as të kishte shmangë pohimet e rreme me shumicë (psh. Koliqi ambasador në Vatikan në vitin 1943!!) – e gjithë kjo të ban me mendue sesa lehtë të kishte hangër dreqi dikur me pasë përfundue para Tares me çfarëdolloj uniforme të ishte veshë ky i fundit!
Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist. Në nji shenj vendi m’u dhimbt madje se s’kishte mbërrijtë me e mshehë nostalgjinë për kohën e “shkëlqimit” të Sigurimit!
Lodhesh kot o Tare, deri dje kishit nji makineri të fuqishme dhune dhe shpifje që për 50-vjet nuk mbërrijti me i ba gjà as Koliqit dhe as Camajt, asht peshë e randë për ty, manipulator mediokër dhe injorant në sensin pozitiv të termit, me zëvendësue i vetëm nji sistem të tanë!
Pastro ma mirë pluhnat koleksioneve të distinktivave me maoceduna dhe me buste të Enverit se aty e gjen veten 100%, pse te Koliqi e te Camaj ti s’mbërrin kurrë, edhe me u çue në maje të gishtave! Me të dhanë ty besim kur ban se po gjurmon të vërtetat historike asht si me ia besue repartin e kirurgjisë në QSUT atij berberit që ka dyqanin përballë spitalit!
As Koliqi dhe as Camaj s’e kanë shtëpinë aty ku ti pandeh se ia ke gjetë emnin. Asht e kotë me të spjegue ty dallimin mes rastësisë dhe domosdoshmënisë historike, pse këto gjana nuk bajnë pjesë tek manuali bazë i pushkës model 56.
Historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë, ndërsa taborri yt sot e 30-vjet ma parë falimentoi me turp përpara historisë tue lanë nji popull të izoluem, të unshëm, të përçamë për shkak të pronave të grabituna, të padijtun dhe të pashpresë.
.
Shkrimtari Primo Shllaku
Shkrimtari Primo Shllaku

Akademia duhet ta shprehë mendimin e vet për këtë temë

nga Primo Shllaku

Përgjigje mikut tim, Akademik Ardian Ndrecës, rreth shkrimi për Auron Taren
 
I dashun Ardian,
Auron Tare ka hapë nji diskutim shum delikat dhe, simbas meje, edhe të thelluem me material faktik. Por ai nuk mund ta zavendësojë Akademinë e Shkencave dhe niveli i qasjes në shkrimin e tij asht i randësisë dhe i diskrecionit akademik. Unë nuk mund t’i përgjigjem Auron Tares, sepse ai, që në fillim, shpall inkompetencën në dallimin e vlerave letrare, për të cilat dhe mbahen nalt këta dy autorë të shek. XX. Që kritika të mos degjenerojë në përleshje fejsbukiste, ju lutem ju, anëtarit ma të ri të këtij institucioni që Akademia ta ndjejë për detyrë të sajën të na japë sa ma shpejt nji opinion paraprak rreth çeshtjes dhe, në vijim, të dalë para publikut e studiuesve specifikë të letrave shqipe me nji konkluzion shterrues. Çeshtja ka dalë në facebook, por nuk asht i denjë ky rrjet social të mbajë gjithë peshën dhe seriozitetin e këtij diskutimi. Imagjinoni se çfarë do t’i ndodhte dikujt prej studiuesve, sikur ai të përpiqej të asgjasonte me nji të rame të shkopit Pashko Vasën, treshen Frashëri dhe Ismail Qemalin me argumentin real se ata paskëshin qenë nëpunës të naltë dhe pjesë e aparatit shtetnor të perandorisë osmane, përgjegjëse kjo, ma së paku, për çeuropianizimin e botës shqiptare. Marrja e një opinioni nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve tashti në fillim të verës, si kohë jetë e mot e studiueme me hjedhë në tregun e mendimit shqiptar këso mënxyrash që asgjasonin fizikisht, por edhe moralisht, do ta paqëtone tek njerëzit tundimin e ndershëm dhe logjik për ta mbrojtë individualisht e sporadikisht atë pjesë të kulturës kombëtare, e cila nuk u poq në arat e socializmit real e të diktaturës. Akademia duhet të shprehë mendimin e vet dhe të krijojë nji shtrat të arsyeshëm debatesh mbi tema kaq madhore. Heshtja e Akademisë, ku ju bani pjesë, do të ishte nji shprehje e moskompetencës së saj kulturologjike dhe profesionale, megjithëse i ka ata që e mbulojnë këtë sektor. Uroj që Akademia ta konsiderojë si të ligjshme dhe të arsyeshme këtë kërkesë dhe, kësisoj të vërtetohet, se ndryshimet në udhëheqjen dhe rekrutimi i elementëve të rinj që ndodhi para pak ditësh, të mos kenë qenë formale.
Me konsideratë,
Primo Shllaku
.
Manjola Brahaj Halili:
Epo këta tipat që ia paskan nisë me qitë baltë me gjoja aludime dhe pretendime për Camajn e Koliqin ia paskan nisë si i kanë pasë thanë me nji shprehje andej nga ne “me i gërrye malet me lugë kafje”
Kot e keni o komunista, me pasë lexue nja dy-tri fjalë nga veprat e tyne nuk do merrshit guximin me u shprehë hiç, të paktën do heshtnit.
 
Entela Tabaku:
Asht interesant kjo punë: ata që i mësuem përmendësh në shkolla e që iu dha e drejta me formu breza të tanë, ata nuk guxojmë me i vu në dyshim, se ashtu ishin kohnat. Bile thellë thellë paskeshin qenë desidentë, por ne jena shumë malokë me ua kuptu le grandeur. Do të jenë ata që na e tregojnë historinë nesër, sepse ata e mbollën farën herët, atëherë kur gjithçka tjetër ishte shkretu!
Por ata që i përbaltëm me çdo kafshatë të ngjyeme në voj kikirikut, që ua pështymë vorrin e mësuem breza të tanë me i urry e me i shkulë me rranjë, atyne duhet me ua mësu mirë të tana kontekstet historike. Se sikur po teprohet, mirë që po ua shkundim baltën, tashti me i vu edhe në piedestal? Aaa, aty s’ka vende të lira.
M’u për vedi më vjen kaq turp për gjithë ato vite shkollë ku veç janë poshtnu në çdo orë mësimi, sa nuk e meritoj as me ua marrë emnat në gojë. Kur të kalojnë po aq vite sa i kena përbaltë, atëherë ndoshta vjen koha me e këqyrë historinë. Ai brez që lind tash ndoshta e ka gojën e pastër.
.
Ramiz Gjini:
Jo more?!
Domethënë, paskeni dashtë, që Martin Camaj, të mos arratisej, por të punonte për qeverinë kriminale të Enver Hoxhës duke spiunuar popullin e vet!
Për besë, unë nuk pata qëlluar kaq trim, sepse do të kisha bashkëpunuar edhe me vetë djallin për të rrëzuar një regjim kaq monstruoz si ai i Enver Hoxhes!
Pasi e burgosen dhe e detyruan të firmoste një kontratë bashkëpunimi me sigurimin e shtetit, – me atë strukturë mizore, që mbronte regjimin diktatorial nga populli i vet, – paskeni dashtë, që Martin Camaj, të kapte kazmën në Jugosllavi, të hapte kanale dhe te fliste për sukseset e mëdha të socializmit në Shqipëri!
Si çdo rob zoti, Martin Camaj, në lule të moshës, ka pas të drejtën për mbijetesë, madje edhe për shkollim.
Dhe ka luftuar për të mbrojtur jetën e vet pa i sjellë asnjë dëm popullit të tij.
Sot Martin Camaj, është vepra e tij e jashtëzakonshme. Lum si ne, që e kemi, dhe mjer për jù, që nuk ju duhet!
Sa për të tjerat, i keni qufe mediatike, i lëshoni t’i vijë era Camajt, ndërsa qelbni veten tuaj.
.
Kastriot Dervishi:
Martin Camaj nuk ka asnjë aktivitet për Sigurimin. Zero raporte. Ka vetëm dy faqe hetuesi si i arrestuar, të cilat nuk janë raporte agjenturore. U “rekrutua” për kapjen e Gjon Destanishtës dhe nipit të tij, por sapo u lirua, u tregoi atyre gjithçka dhe bashkë me ta u arratis. Deklarata e bashkëpunimit është përdorur edhe gjatë kohës që Martini ishte jashtë vendit, në mënyrë që të përçante antikomunistët e diasporës. Kjo deklaratë po përdoret sërish. Mos prisni nga enveristët që i shqetësonte performaca e prapanicës së Enverit, të vlerësojnë Martinin. Regjimi që ata adhurojnë, i sjellë nga miladini e dushani, ka qenë regjimi më terrorist dhe më i mbrapshtë që ka parë vendi.
.
Erenestina Gjergji Halili:
Kastriot Dervishi të falenderoj për përgjigjen korrekte faktike!
Mbi arratisjen e tyre, madje edhe atë nga burgu e më pas pushkatimin e kolonelit Gjon Destanisha (Dostanishaj) ka dëshmi, fakte historike e libra të shkruar.
Ndërsa, për baltosjen e dy figurave, mbi pretendime herë biografike (deri ku ecin e ngecin), herë letrare (ku ngecin e s’ecin), u duhet thënë se janë të shumtë studiuesit, të cilët me kompetencë shkencore u kanë kushtuar orët, mendjen e pasionin profesional. Revista shkencore e letrare, u kanë dhënë rëndësinë e një numri të plotë, konferenca e tubime të ndryshme shkencore.
Lexuesi i zbulon çdo ditë si diamantet, që balta veç i ruan!
Në fund: Pema njihet nga frytet!
ps. Studiesit dhe njerëzit e mëdhenj nuk i kanë munguar e nuk do t’i mungojnë kurrë këtij vendi.
.
Liridon Mulaj:
Auron Tare, pinjoll dhe dalëzotes i përbaltjes së rradhës të mbeturinave komuniste ndaj Camajt dhe Koliqit.
E provuat me Fishtën e nuk ia dolët. Brezave sa vjen e u shtohet dashuria për Fishtën e madh. Të njejtën përgjigje do merrni dhe për Camajn e Koliqin.
.
Bardhyl Londo:
Turp i madh, por dhe krim duan të na e varfërojnë sa më shumë historinë për të na e lënë atë veç të kuqe. Pardje në një intervistë në Neës 24 e thashë se historia jonë e bën qëllimisht dhe ende se pranon se ne jemi vendi i parë në Europë që i çuam me armë kundër komunizmit në kryengritjet e Postribës dhe Malësisë Madhe.
.
Ndue Ukaj – Pas Koliqit e Camajt, kush është në radhë për t’u përbaltë? 
Dishepujt komunistë dhe një tufë shkretanësh të mbarsur me ide proletare, nuk ua falin kurrë dashurinë që kanë treguar për kombin, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, titanëve si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ndaj, nga bataku ku janë katandisë, herë pas here tentojnë të hedhin ndonjë grusht baltë mbi ta. Sepse, këta shkretanë, përballë Koliqit e Camajt shohin trashëgiminë e tyre të egër dhe pa kurrfarë kontributi real në kulturën shqiptare. Vërtet, këta të shkretë, sa herë shohin portretet e këtyre dy shkrimtarëve dhe intelektualëve të përkorë e fisnikë, shohin damkat e mëdha të tyre, të paraardhësve të tyre të egër dhe të shkollës ku janë edukuar.
Koliqi e Camaj qëmoti i kanë tejkaluar hijet e zeza të komunizmit shqiptar dhe pjellës së tyre proletare, dhe dytë ndritin kulturën shqiptare, me rrezet e veprës së tyre plot dashuri, jetë, dije dhe estetikë të jashtëzakonshme.
.
Lek Mirakaj:
U bana kurioz dhe me mundim arrijta pothuej ta lexoj shkrimin e Tares. E njëjta metode si “sinoptika”e Enverit. Po ajo mënyrë leximi të gjoja fakteve, po ajo mënyrë e nxjerrjes së konkluzioneve, e njejta praktike që përdoresh në proceset politike në diktaturë. Se sa profesionale kanë qenë analizat e sigurimit, për m’u mjafton se çfarë kam gjatë në dosjen personale të përpilume nga “specialistat” sigurimsa. Aty shkruhet e zeza mbi të bardhë, se unë që gjithë jetën kam qënë në kujdesin e specialistave të sigurimit, në kampe e burgjeve të diktaturës, se nana ime prej 45-ës në kampe internimi, se deri gratë tona, paskemi qënë “kontigjente” të zbulimit italian. Hajde shërbim intelligente, hajde. Nuk na zbulon asgja të re kur thotë se emigrantët antikomunist punonin me CIA apo shërbimin italian, po me kë do punonin për rrëzimin e diktaturës, apo e quan tradhëti përpjekjet e emigracionit për rrëzimin e diktaturës. Thëniet se Koliqi apo të tjerë kanë vepruar kundër diktaturës komuniste vetëm ja rrisin vlerat, që nuk patën sukses dihet e shkaku kryesor se as CIA, as Anglezët, as dreqi i mallkuem nuk e kishin seriozisht rrëzimin e Enver Hoxhës, që ndoshta ndonjë ditë historian të vërtetë do gjejnë arsyen e vërtetë, pse amerikanët e mbronin dhe e mbajtën Enverin 45 vjet. I pakuptushëm gjithë ky mllef ndaj dy vlerave të letrave Shqipe. Nuk mund të shkëputemi nga analizat me poliagjent, mjerë analiza historike ku është katandisë
.
Albert Doja
Ardian Ndreca, pavarësisht nga komentet e mësipërme lavdithurëse, reagimi më duket i nxituar. Auron Tare duhet përgëzuar për këtë shkrim të mirëdokumentuar që mund të kishte hapur një debat intelektual me shumë interes. Në fakt debati që ka hapur duket se është shumë i nxehtë dhe duket se do vazhdojë gjatë. Për fat të keq, ky nuk është një debat intelektual, por debat politik mercenarësh të rreshtuar në llogoret historike pro apo kundër trashëgimisë komuniste. Ka tek-tuk edhe ndonjë zë që përpiqet të ndajë qendrimet politike nga veprat letrare apo shkencore të protagonistëve. Por më e drejtë më duket paraqitja në hyrjen redaksionale nga Ardian Vehbiu, që fton për një debat intelektual lidhur me fatin e intelektualëve shqiptarë në Tiranë, në Prishtinë dhe në Diasporë, të cilët shpesh mbijetuan si figura publike vetëm nëpërmjet gjithfarë kompromisesh politike me autoritetet përkatëse, policore agjenturore e totalitare, nën trysninë e sponsorëve të ndryshëm “kulturorë” që ishin të interesuar për shërbimet e tyre jo detyrimisht kulturore.
Sigurisht, nuk është realiste të mendosh thjesht që shkrimtari, studiuesi apo intelektuali nuk mund dhe nuk duhet t’i lejojë vetes të jetë pjesë e peizazhit politik në të cilin jeton e punon. Po ashtu është e papërshtatshme t’u tregosh atyre se çfarë duhet apo nuk duhet të trajtojnë në veprat e tyre letrare apo shkencore. Shpesh shkrimtarët, studiuesit dhe intelektualët janë të hapur për t’u angazhuar politikisht në problemet e shoqërisë ku jetojnë apo që studiojnë. Në fakt, nuk ka mënyrë që askush të bëjë studime shkencore apo vepra letrare pa patur apo pa marrë një qëndrim publik e politik. Shkrimtarët, studiuesit dhe intelektualët janë gjithnjë e më shumë të interesuar për një angazhim publik, ndërsa kush këmbëngul se ata duhet të jenë politikisht neutralë, në rastin më të mirë mashtron vetveten por edhe të tjerët. Problemi, në fakt, është shumë më serioz. Shumë shpesh studiuesit, shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë kanë kërkuar mbështetjen e politikës dhe administratës shtetërore për të siguruar një pozicion të rehatshëm. Kjo është e vërtetë jo vetëm për studiuesit, shkrimtarët dhe intelektualët që kanë mbajtur ofiqe të rangut të lartë dhe kanë qënë të lidhur me partinë komuniste, përkatësisht pothuajse të gjithë drejtuesit e instituteve kërkimore dhe institucioneve letrare e kulturore në çdo kohë gjatë regjimit komunist (situatë që vazhdon të jetë e tillë edhe sot), por edhe për studiues, shkrimtarë e intelektualë të respektuar dhe në dukje jo të përfshirë në politikë, apo edhe për shumë studiues e shkrimtarë të rinj që sot mundohen të arrijnë apo kanë arritur të poste të lakmuara në universitetet apo institucionet perëndimore duke shkelur me këmbë një seri vlerash kombëtare e njerëzore.
Një debat intelektual i këtij lloji do t’i hapte rrugën një kuptimi më të nuancuar mbi legjitimitetin publik, shkencor apo kulturor, të shumë intelektualëve shqiptarë të “respektuar” apo të “rinj”, si sot edhe në të kaluarën, mëkati më i vogël i të cilëve mund të mos jetë përfshirja e tyre në politikën e kohës, por me dashje ose pa dashje, në politikën e uzurpimit të pozitës së tyre intelektuale, shkencore apo kulturore, me mjete dhe në rrugë që nuk janë as intelektuale, as shkencore, as kulturore.
.
Ardian Ndreca:
Albert Doja ai cilësori i “mirëdokumentuar” do të kishte tingëllue ironik po të mos kisha lexue vijimin e reagimit tand. Copy/paste prej ekranit të kompjuterit, premja e dokumenteve në funksion të teoremave të prekonfeksionueme, mungesa e citimeve, mungesa e argumentimeve, uriahipizmat e vogla si krijimi nëpërmjet hipotezave absurde i lidhjeve mes Koliqit dhe nji oficeri nazist – tue shtrembnue katërciperisht dëshminë e Petro Markos me tregojnë vetëm nji gja: Tarja asht nji nostalgjik enverist qesharak që lexon historinë me nuhatjen e “qenit të DPM”. Kam botue ndër vite letra të Koliqit ku flitet aktivitetin e tij të kësaj natyre, jane botue libra të atyne që kanë marrë pjesë në ato aktivitete, por Tarja nuk i njeh. A mendon ti se nji ish oficer papritmas merret me arkeologji nënujore e mandej kalon në degë tjetër dhe shkruen edhe historinë e shkrimtarëve shqiptarë të shek. XX!!!
S’besoj se ti don me e akuzue Taren se asht nji Alexandër von Humboldt i ri?!
Tares në asnji rresht s’i intereson e vërteta historike, besoj se i ke vu re epitetet që përdor, gjendjen emocionale që shpreh (edhe vetë negacionizmin e tij karshi Kampit tëe Tepelenës), atij i intereson baltosja, jo interpretimi dhe kontekstualizimi i aktivitetit te figurave në fjalë. E vërteta historike nuk bahet më sensacionalizma ndër blogje as në facebook, të paktën kështu na mësojnë mjeshtrat e mëdhaj, ata të École des Annales dhe të shkollave tjera. Debati rreth figurave asht i nevojshëm, por Tarja s’ka këllqe me u konvertue nga arkeolog nënujor në historian bashkëkohor, pse? S’mund ta demonstroj këtu psehin, janë disa gjana që kapen me intuitë.
.
Albert Doja:
Ardian, po flasim për gjëra të ndryshme. Me duket se ti po sulmon Auron Tare ad hominem, ndërsa unë nuk kam për qëllim të mbroj atë. Madje nuk me interesojnë as çikërrimat faktuale. Ajo çka më intereson është mundësia për debat intelektual mbi një çeshtje madhore që tejkalon autorin e atij shkrimi.
.
Palok Rrotani:
Pse, ju pritni qi ajo ashtu e quejtun akademi ka ma dhanë ndonji mendim përsmbari?!
Jooo, as mos t’ ju shkojë e bija e mêndes!!! Edhe Ardian Ndreca ka me mbrojtë prap argumentet e veta (e jo pa t’drejtë)… Lè t’i lâmë ashtu sikursè janë kta dy figura t’letersisë shqiptare. Kush t’dojë, t’i duen, e kush mos t’dojë, t’i sulmojë.
Rrfeja, ndër lisat e naltë shkon e bjen…
.
Lisandri Kola:
I dashtun Primo,
Po ju përgjigjem në këtë koment, që i jeni drejtue z. A. Ndrecës, për me sqarue se reagimi ka ndodhë prej z. A. Tares në nji revistë përkatëse, ku drejtuesi i saj (z. A. Vehbiu) e ka mirëpozicionue veten redaksionalisht në lidhje me shkrimin e z. Tares. Pra, burimi fillestar asht në mediumin online. Reagimi mandej ka ardhë në nji formë imediate, në nji media sociale, e cila natyrisht nuk ka shpatlla për diatriba të nji teme kaq sensitive. Koha, ka me e kanalizue debatin në forma të tjera jo media-sociale.
Me sa kemi vû re, edhe pse shkrimi i z. Tares nuk asht i orientuem në kontestimin letrar të dy figurave (Camaj e Koliqi), ai parashtron shumë pikëpyetje që lidhen me kritikën camajane, konkretisht edhe me analizat bioletrare, që ju i keni parashtrue [do sosh] në ‘Nji Uliks…’. Natyrisht ju nuk jeni biograf i M. Camajt, por studiues ‘specifik’ që ‘keni konstatue vlera letrare në veprën e Camajt’, (simbas nji parafrazimi të epilogut të z. Tares). Pra, gjykojmë se Akademia ka për të drejtë me mbajtë hisen e vet, e nësa kritika (edhe kur për inkonvenencë nuk asht letrare) me ba detyrën e saj.
.
Prend Buzhala:
I nderuari Primo,
e lexova shkrimin… e këtij autori. Mirë, po i besojmë të gjitha që janë ashtu, por, në vend të aq shumë pyetjeve që shtron ky autor (lexuesi ka të drejtë të shtrojë kundërpyetje, dhe po e kursej kësaj radhe), po shtroj vetëm një: meqë deklaron se nuk e ndien veten “kompetent” për ta vlerësuar letërsinë, atëherë përse jep vlerësime letrare, kur përzgjedh sintagmën gjykuese “Mite të rreme” për letërsinë e Camajt (akuzë kundër dy akademive, që sipas kontekstit të shkrimit, na dalin akademi të afërta me fashizimin); dhe kur vlerëson se dy përmbledhjet poetike të botuara në Kosovë, “nuk ka gjurmë të irredentizmit”!? Se ç’kupton me tematikën a motivet e irredentizmit në letërsi dhe sa e njeh këtë temë, është tjetër punë… Domethënë, e merr të drejtën ta vlerësojë letërsinë si “mit i rremë” pa e sjellë asnjë argument…
Mendoj (jashtë kontekstit të këtij shkrimi) që koha e miteve komuniste për të ngritur mite antivlerash, ka kaluar! Për Martin Camajn mjafton mendimi që kanë studiuesit tanë e studiuesit e huaj të letërsisë e të gjuhës: se është njëri ndër shkrimtarët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohëve, ndër linguistët më të shquar dhe ndër intelektualët më të mirë që ka pasur ndonjëherë kombi ynë. Po ashtu, vepra e tij albanologjike e letrare është përkthyer në disa gjuhë botërore…
Mund ta shtrojmë një hamendësim: ndoshta Evropa demokratike (që sipas “dokumenteve” të këtij “shkrimi” na dalka strehuese fashistësh e jezuitësh… në një kohë kur mijëra emigrantë dyndeshin nga parajsa e shteteve komuniste), ka bërë “gabim” që i ka strehuar këto dy figura “problematike”… dhe që nuk ia paska dorëzuar Tiranës komuniste…!
.
Trudi Ljarja:
Jemi shqiptarë dhe hasmëtarë! Dy gjigandet e letërsise kanë vdekur… pooor u jetojnë veprat!
Më vjen mirë kur lexoji mënyrën e komentimeve llogjike… dhe njëkohësisht intelektualët e fushës letrare që dinë të mbrojnë dy figurat më të ndrituna letrare shqiptare! Camaj dhe Koliqi!
Kisha me dashtë me dijtë… qëllimin!? pse u bahet kjo bujë e madhe këtyre gjigandave të letërsisë! duke bà shkrime me qëllime dashakeqse! e njëkohësisht… për t’íá lanë direktivën një institucioni që kryesohet nga një ish komunist akademia e shkencave! dhe u pretendoka me vu drejtësinë mbi këta kollosë!
.
Dom Anton Kodrari:
“E sa për lëmin e letërsisë nuk kam kompetencën e duhur për t’i gjykuar këta dy shqytarë kalorsiake (atributi shqytar për Camaj e Koliqi asht apoditik në lidhje me ekzegjezën që mund t’i bahen frymës që asht nën rreshta… shpresoj mos të jetë kështu)”.
A questo punto, i bjen që me kenë Historian i Mirëfillteë
Veç në këto 20 rreshta ke 8 gabime të kjarta historike, acikcare si vetë drita e diellit.
Gabimet historike janë në rreshtat: 1, 2, 4, 5, 8, 10, 16, 19.
Këto digresione historike t’i faktoj krejt kollaj nqs don me shkrimet në revistat:
1) ‘Lajmtari i t’Merguemit”, ‘Dielli’, ‘Albania Libre’, ‘Buletini i Gjon Sinishtes’, ‘Koha e Jone’, ‘Zani KSHM”, ‘Flamuri’ ‘Shejzat’ , ‘Shqiptari i Lire’, etj etj.
2) nqs don me: dorëshkrime të njerëzve që Ju keni përmendë;
3)nqs don me 60 faqe material te daktilografuem me makine shkrime prej ‘Gjurmuesit’ që besoj se do ta keshë ndeshë ndokund, i pabotuem sot e këesaj dite.
4)po ashtu me libriin ‘Peace and Love’ të Ndue Prendushit, shok klaset e emigracionit me Camaj e Sheldinë: e po ashtu edhe me libër te Loro Stajkës etj etj shokë të atyne që Ju keni përmendë;
5)edhe me disa pjesë të Opus Fiend Cimitte for free Albania (Cia) etj etj
Sa gabime historike janeë në 36 faqe, nuk hina me i numrue se s’pata ngé.
E di me ju thaneëë edhe se me njatë letër që keni publikue, ju përligjni krejt njerëzit që i përmendni në atë relacion, e di se keni pasë veç atë letër e ju kanë mungue copat tjera të mozaikut, por… kjo letër nqs do t’i kishe pasë edhe teserat e tjera landore të kuadrit ju ndërgjegjeson se në atë relacion ka ma shumëe gënjeshtra sesa të vërteta historike. Nuk mjafton nji burim i vetëm në historiografi.
PS. I dashtun Aron, nuk kam kurrgja me ty si person, e bilé të falenderoj fort për letrën e Camaj drejtue dom Lazrit, se e kam lypë atë letër tash dy vjet me shkop e me strajcë e qé provania e Zotit, e ti ma bane peshqesh. Kam shumë, shumë probleme me çka Ju shkrueni në 36 faqe relacion, edhe më vjen keq se nji historian mbërrin me shkrue nji gja të tillë tue u bazue veç te nji burim historik (nëse mund të quhet i tillë) e pa përcaktue fushën e veprimit. Unë nuk jam historian, por me sa di unë prej historisë në këtë relacion tuejin nuk janë respektue kriteret shkencore metodologjike të historiografisë e sidmomos dy kriteret kryesore:
1)italiant i thonë “delimitare il campo” kurse taman termi teknik asht prej gjermanishtes “Sitz im Leben”
2)nuk bahet nji artikull shkencor – me sa më kanë mësue mue në shkollë – veç me nji burim informacioni, por duhen shumë fonte edhe kundështuese me njena tjeterën. Metodologjia e Analisi Storico Critica????? Mah. E di se asht pak e moçme, por besoj se kishte me kenë me vend.
Të përshendës e paçi bekimin e Zotit familjarisht.
Padër Luigi della Rosa asht temë në vete, nuk due me e hapë.
-Lexo te buleti i Gjon Sinishtës edhe dishminë e parë që asht shkrue për martirizimin e Dajanit e këtë e ka shkrue shoku i Camajt e nxanësi i Dajanit, dom Lazër Sheldija. Historia asht sistematike dhe organike. Nqs gaboj tërhjekem dhe kërkoj falje!
.
Afërdita Xhafo-HallApologji per Martin Camaj:
Pasi lexova analizen e Auron Tares mbi jetën dhe veprimtarinë e shkrimtarit Martin Camaj vendosa të hedh në letër mendimin tim për këtë të fundit.
Qysh ne paragrafin e tretë të ketij shkrimi, autori na e thote hapur mendimin e tij mbi Camaj: “shpresoj që me analizën e mëposhtme lexuesit të krijojnë një ide të qartë mbi “mitet e rreme”!
Së pari, lexuesi njihet me Camaj nëpërmjet një dosje të sigurimit shqiptar të vitevet ’46-’47 ku thuhet se Camaj bashkëpunonte me bandat antikomuniste dhe se ky i fundit ka dëshmuar në hetuesi për dy të vdekur/ pushkatuar, e si rrjedhojëe Camaj nën trusninë e hetuesisë pranon të bashkëpunojë me sigurimin. Paskëtaj, Camaj arratiset në Jugosllavi si shumë e shumë shqiptarë të tjerë antikomunistë. Mirpo, Tare hedh dyshime mbi Camaj si bashkëpuntor i agjenturës jugosllave bazuar në faktin se shkrimtari fillon punë pas dy vjetësh qëndrimi atje si mësues. Përmendja e emrit të Camaj si student krahas dhjetra emravet të tjerë në pak domumenta të CIA nuk e kompromenton atë në asnjë mënyrë, aq më pak ta akuzosh për pjesmarrje në organizata spiunazhi.
Një tjetër fakt ku Tare mbështet idenë e tij mbi Camaj si agjent i UDB është një dokument në shqip, pa emër, pa datë dhe pa adresë ku thuhet se “studentet shqiptare financuar nga UDB.”
Deri me tani Camaj përmendet vetëm në dy dokumenta krahas emravet të tjerë si studentë në universitet në Beograd. Pra, siç e thekson edhe vetë Tare në këtë analizë, “CIA na jep vetëm dy të dhëna “shumë të rëndësishme” mbi Camaj.”
1.Anetarësimi i Camaj në Komitetin e Prizrenit
2.Camaj punonjës në Radio Beograd
Këto shënime të CIA-s nuk hedhin dyshime dhe hije të errëta mbi Camaj, aq me tepër të dalësh në konkluzione jo të drejta për të. Ishte mëse normale që Radio Beogradi të villte vrer për qeverinë komuniste të Tiranës, ashtu si dhe Radio Tirana t’i sulej me sharje qeverisë së Beogradit.
Më poshtë Tare aludon, “Si është e mundur që Camaj të punësohej në Radio Beograd? Ai, Camaj, nuk ishte as gazetar!” duke harruar që vetë autori i kësaj analizë thotë se Camaj mbaroi universitetin për gjuhësi!
Shumë shqiptare të arratisur që u punësuan te Radio Londra apo tek Zëri i Amerikës nuk bëjnë ndonjë çudi sot, dhe se ky fakt nuk na mundëson t’i emërtojmë ata si agjent.
Eshtë tashmë e njohur pjesmarrja e shqiptarëve të arratisur nga Shqipëria sidomos në vitet e para pas luftës së dytë botërore, të merrnin pjesë apo të antarsoheshin në organizata politike antikomuniste me qëllim përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës. Këto organizata nuk mund të emërtohen si “organizata spiunazhi”, (A. Tare) por siç dokumentohet edhe nga CIA , organizata politike me qellim përmbysjen e komunizmit në Shqipëri. Më poshtë autori i analizës shton se “këto organizata kishin marrë rolin e një qeverie në emigracion”.
Atëhere, a duhet të drejtojë këtë pyetje autori, “Përse u bë Camaj anëtar i kësaj organizate politike dhe projugosllave?” kur përgjigjen e ka dhënë po vetë në paragrafin e mesipërm?
Për të arratisurit nga Shqipëria diktatoriale në Jugosllavi ishte më se e zakonshme në atë kohë të largoheshin më pas në vende dhe kontinente të tjera.
Kjo lëvizje nga Jugosllavia për në Romë nuk e kompromenton aspak
Camaj. Siç e nënvizon edhe vetë autori i këtij shkrimi, pikërisht në këtë kohë kur Camaj lë Jugosllavinë, Radio Beogradi ku Camaj punonte e ndaloi propogandën kundër qeverisë së Tiranës nën presionin e BRSS.
Ndërkohë, Camaj kshte bërë i njohur si poet, shton Tare. Në asnjë nga dokumentat e mësipërme sjellur nga autori i analizës, nuk përmendet asnjë veprimtari e Camaj si agjent i UDB apo i CIA.
“Ka mundësi që arësyet e vërteta (të lëvizjes së Camaj nga Jugosllavia në Romë), të mos jenë treguar në këtë letër. (Letër që Camaj i dërgon mikut për ta ndihmuar të stabilizohet në Romë) Përse?” pyet Auron Tare në këtë shkrim.
Dhe meqënëse nuk janë treguar në letër arësyet e hamendësuara, nuk kemi asnjë të drejtëe të akuzojmë, përkundrazi, të besojmë në rreshtat e shkruara në këtë letër nga vetë shkrimtari Camaj.
Afërdita Xhafo-Hall
Saint Louis, 5 Korrik, 2020
 
 
 
 
 


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.