back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Krahina e Shllakut – (Shën Aleksandri) – Përgatitur nga Ndoc Selimi

Gazeta

Krahina e Shllakut
Krahina e Shllakut
Krahina e Shllakut – (Shën Aleksandri)
Përgatitur nga Ndoc Selimi

Rrënojat e vjetra në Krahinën e Shllakut flasin për një zhvillim të njëkohshëm me Sapën, Danjën, Sardën, Komanin e kulturën materiale e shpirtërore të tyre. Vetë toponimi “Shllak” është emri i pajtorit të krahinës shën Aleksandrit, që në popull është quajtur “Shllezhder” (Shën Llesh). Emri i Shën Aleksandrit është shumë i përhapur në Shqipëri dhe ka një lidhje të drejtpërdrejtë mendore e shpirtërore midis njerëzve. Në kujtesën e historisë së shekujve qëndrojnë dy kolosët e mëdhënj, Aleksandri Madh i Mollosve dhe më vonë Skënderbeu, i ashtuquajtur Aleksandër. Kisha më e përmendur me këtë emër ndodhet në Malin e Shejtit (Mirditë). Theodor Ippen ka dhënë mendimin se është pikërisht kjo kishë që e bëri aq popullor këtë shenjt në gjithë vendin më vonë edhe për shkak të një kryqi të vjetër që mbante emrin e Pal Dukagjinit, datuar 7 gusht 1447. (T. Ippen “Shqipëria e Vjetër” fq. 74)

Kroni i Madh - Shllak
Kroni i Madh – Shllak

Kisha të tjera me të njëjtin emër gjenden në Pllanë (Lezhë), në Dushman, në Mat etj. Të gjitha këta nuk mbajnë drejtpërdrejt emrin e Shën Aleksandrit, por quhen të“Shllezhdërit”. Populli nëpër shekuj ka ndryshuar e deformuar këtë emër duke i dhënë forma të ndryshme si: Aleks, Lekë, Alessio, Llesh, Aleko, Shllezhdër, Lezhë e deri te toponimi “Shllak”. Rrënojat e kishave, trojet e vjetra, varrezat e deri te toponimet shumë domethënëse flasin për një nivel të lartë zhvillimi në kohërat e vjetra në zonën e Shllakut.
Ndërmjet malit të Cukalit (1723 m), malit të Muliqethit (1734 m), malit Bardhë (1548 m), malit të Vilës (1514 m) dhe malit të Fezës (1520 m) ndodhet Fusha e Liqenit në lartësinë 1320-1340 m mbi nivelin e detit. Ajo ka përmasat 2.5 km gjatësi me 700 m gjerësi e shtrirë veri-perëndim; jug-lindje. Kjo fushë dikur ka qenë një liqen i madh dhe i thellë dhe në bregun perëndimor, në faqen perëndimore të malit Muliqethit, motit ishte kisha kushtuar Shën Palit e Shën Pjetrit. Për ndërtimin e këtij vendkulti, sipas traditës, ka kontribuar gjithë bota e krishterë e asaj kohe duke e sjellë një ndër më modernet e më të bukurat e Ballkanit. Ajo ka pasë afreske murale dhe e gjithë ikonografia ishte prej ari ose e lyer me ar, si dhe kollonat të bëra prej materiali të kushtuar. “Dera e madhe shihte Drinin” thotë legjenda. Historia dëshmon se në kohën e Justinianit, kulti i ikonave njohu përhapje të madhe në kishën bizantine. “Kishat e manastiret u mbushën me ikona të kushtueshme e të çmuara – shkruan historia e Shqipërisë – duke treguar luksin e institucioneve fetare e klerit”. (Historia e Shqipërisë kreu i I).

Krahina e Shllakut
Krahina e Shllakut

Maja e Muliqethit ka një karakteristikë të veçantë, e cila të jep përshtypjen e një koni të veshur me pyje të lartë deri afër majës, pastaj fillon zona e çveshur e barit alpin si një kësulë e rrumbullakët dhe prej aty shifen të katër anët e horizontit që nga Lezha, Deti Adriatik, Shkodra dhe Liqeni i Shkodrës e deri në Gjakovë. Duke iu referuar gojëdhënave për gjithë malet e larta që rrethohen me vendbanime të dendura, flitet me këmbëngulje në popull se “ka zbarkuar Barka e Noes”. Ndoshta edhe ndërtimi i kësaj kishe, që mund të ketë qenë paleokristiane, në këtë lartësi, në fillim kishte të njëjtin njet, t’i kushtohej përhapjes së jetës mbi tokë pas përmbytjes përgjithëshme, si dhe nderimi që u bëhet apostujve Pal e Pjetër më pas, të jep të pranosh me besim thënien e Barletit: “…se po këtu apostulli Pal u ka predikuar njerëzve besimin e Krishtit”. Shkatërrimi i kishës Shën Palit e Pjetrit duhet të jetë bërë në një kohë me zhdukjen e liqenit nga ndonjë lëkundje sizmike, mbasi vetë masivi i Cukalit është shkëmb vullkanik. Sot uji nëntokësor i liqenit del në shpatin jugor të malit në lartësinë 550m mbi nivelin e detit në një shkëmb, në formën e një fontane, sa në fund të viteve 60’ u ngrit një hidrocentral fshati me këtë ujë. Një fakt tjetër është edhe ish kroni në grykën e Fosekut bri Drinit (tani i përmbytur), që gjatë shirave e prurjeve të mëdha ky burim nxirrte gjethe ahu, kur zona e aheve është në një disnivel prej 1620 m nga bregu. Nga ajo kohë mbeti pa asnjë pikë ujë të pishëm e as për vaditje fusha bregadrinase e Gushtës, që siç thuhet, më përpara kishte me bollëk, aq sa mbante me prodhime bujqësore gjithë zonën dhe më pas thatësira e madhe detyroi shpërnguljen e 80% të popullsisë së këtij fshati. Në një intervistë që kam bërë më 1985, me një banor të fshatit Gushtë i quajtur Pep Ndoja (në atë kohë 60 vjeç) më shpjegon se: “Kisha asht në perëndim të Fushës së Liqenit dhe jo në majën e Muliqethit dhe ky vend quhet “Qafë Shkollë”, po aty shkollë nuk ka e kështu është quajtur gjithmonë. Kjo kishë është ngritur në kujtim të Sh’Palit e Sh’Pjetrit që festohet më 29 qershor. Edhe unë kam parë meshë aty te rrënojat kur isha i ri – vazhdon ai. Në këtë kohë dukej muri me gëlqere i kishës. Kur humbi liqeni, u shëmb edhe kisha dhe plasën lumenjtë. I pari ka dalë lumi i Prekalit në pjesën veri-perëndimore, ujtë e Zhilës i thonë, më vonë ka dalë Gurra e Tahartë në grykë të Fosekut dhe i fundit ka dalë uji mbi Benë. Në këtë kohë u thà Gushta, se shterruan burimet. Edhe sot shihen kanalet e vaditjes që ishin dikur për tokat tona, “ndër vija” i thonë një vendi aty, siç asht emni tjetër “Kodra e Mullinit”, po as ujë, as mulli nuk ka” (P. Ndoja intervistë, 26 Maj 1985).

Krahina e Shllakut
Krahina e Shllakut

Në po këtë vit, në një bisedë me mikun tim përkthyesin e talentuar dhe studiuesin Petro Zheji, ra fjala për toponimet e legjendat dhe ai e dinte historinë e kësaj kishe duke më cituar edhe emrin e malit të Muliqethit, në rrënxë të cilit ndodhej kisha. Ai tha se e kishte lexuar në një libër të vjetër. Më vonë këtë ndodhì me pak rrjeshta e kam hasur te At Gjon Karma “Ndër Malet Tona” fq. 200. At Karma e kishte regjistruar nga një plak i vjetër 130 vjeç?! (1933) prej Shllaku e që quhej Lazër Koleci. Shllaku është i mbushur me toponime që lidhen me fenë e krishterë dhe bëhet një dëshmitar i rreptë i përhapjes së krishtërimit në Shqipëri dhe e përqafimit të menjëhershëm të fesë së re. Këtë e shpreh shumë qartë moria e ndërtimeve në respekt të fesë së Krishtit. Të tilla janë emërtimet: “Tu´lteri” (Te Altari) vend celebrimi për meshën e shenjtë, “Rrasa e Shëlbatrit” dhe kisha e Shëlbatrës që përkthehen e “Shën Batrës”, për të cilët më vonë do të ndalemi në një shpjegim më të hollësishëm, pasi në vendin tonë ky emërtim takohet shpesh. Në Benë gjenden rrënojat e kishave të Shmasianit që është e Shën Sebastianit, kisha e Vazës? (nuk dihet cilit shenjt i takon, por nëqoftëse është e shën Vasës), kisha e Sh’Mitrit edhe kjo e ritit bizantin si dhe e Shenjtorëve Kozma dhe Damian. Shuflaj thotë se “Shqipëria ka plot emra shenjtërish lindorë e perëndimorë, të cilët kaluan gjuhësisht nëpër retortën greke, shqiptare, sllave e romane”. (M. Shuflaj, “Serbët e Shqiptarët”, fq 108). Po në Shllak gjendët emërtimi Qafa e Shtjelit, që i korespondon toponimit “Qafa e Kështjellës” (në njërin nga këto dy male që krijojnë qafën duhet kërkuar edhe kështjella), Lteri në qafë të Cukalit, Lteri i Vilzës, Fusha e Priftënve, Kryqi në Ashtë, Muri i kalasë në Curra (me gëlqere e shumë i gjerë). Në këtë zonë janë edhe dy toponime romako-shqiptare si Prati i Madh dhe Prati i Vogël, që janë të barasthënë Livadhi i Madh dhe Livadhi i Vogël. (Toponime të marrura gojarisht si dhe nga libri “Ndër Malet Tona” të at Gjon Karmës)
Afër Drinit, ku është sot fshati i vogël Mgullë, gjendej në kohën e romakëve një urë prej guri që përpiqej me Karmën e Epërme nga krahu tjetër dhe kalonte në pjesën e sipërme të Cekës së Shllakut. Deri në shekullin e kaluar kanë qenë fragmentet e mureve nga të dy anët e Drinit. Sot disa fragmente muri të njërës prej këmbëve të urës shihen afër përrojt të Shëllinës në anën e majtë të tij, ku lumi derdhet në liqen. Këtë e vërteton edhe Mark Ndue Gjinaj në një intërvistë të vitit 2012 ku thotë se “këto rrënoja sot shihen kjartë e ndodhen në Fajt, ku janë edhe pronat e mia”. Ish fusha me përmasat 2 km e gjatë dhe 1 km e gjerë e quajtur deri tani Ceka e Shllakut, para vitit 1775, ishte tokë buke dhe i përkiste fisit në zë të Gegajve, me emrin “Lymna”. Pas këtij viti që u bë përmbytja e gjithë malësisë prej shirave që vazhduan pa ndërprerje tre muaj, Drini devijoi në anën e djathtë të rrjedhjes duke ia kaluar këtë sipërfaqe Karmës, po tashmë të kthyer vetëm në zall. Gjush Sheldija thotë: “Më 1775, ra shi tre muej rresht e u bane dame të panumërta sidomos në Pult, Shosh, Nikaj – Mërtur, Shllak, Komàn, Drisht etj. Shkodra u mbyt në ujë”. (Gjush Sheldija, “Kronologjia e ngjarjeve nga 360 para Krishtit deri më sot”, shënime historike, fq. 8) Është ky vit (1775), që pjesa më e madhe e popullsisë emigroi nëpër zona të tjera e kryesisht në Shkodër. Kujtojmë se pothuajse të gjithë personalitetet më të shquara të kulturës, artit, historisë e të fesë me mbiemrin “Shllaku” i përkasin kësaj treve, të njohur si për trimëri, ashtu edhe për mençuri e urtësi. Ura në Mgullë, që u përmend më lart, i shërbente rrugës dytësore të bregut që lidhte zonën e Dioklesë jugore me Va Spas e Gjakovë duke iu shmangur pikës doganore të Danjës, pasi kjo pikë ndërronte gjithmonë pronësi sipas konjukturave.
Pas shkatërrimit të urës romake Mgullë – Karmë(…?), vendkalimi i Drinit u spostua në Grykën e Vaut, në Komàn, me një tjetër urë, por kësaj radhe prej druri e në kohët më të vona me trap, ku vazhdoi të funksionojë deri në shekullin e XIX. Këtë e dëshmon edhe Fulvio Kordinjano në një dokument të vitit 1897, ku thotë se: “Nga Shllaku, duke kaluar Drinin me trap është e lehtë të hysh në famullinë e Komanit”.

Marrë nga Muri i FB Ndoc Selimi, 11 mars 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.