back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Ikja e parakohshme e Haxhi Baçinoskit – nga Bedri Blloshmi

Gazeta

Haxhi Bacinovski (1957-2019)
Haxhi Baçinovski (1957-2019)
Ikja e parakohshme e Haxhi Baçinoskit
nga Bedri Blloshmi

Një lajm që më tronditi pa masë

Isha duke u kthyer në shtëpi gati në të errur nga xhiroja e përditshme, për një çast më bie telefoni. E ngrita dhe më përgjigjet një shok imi i burgut, Agron Hoxha. Zëri nuk ishte ai i përditshmi që unë e njihja shumë mirë. Kuptohej që ishte i tronditur e fjalët i thoshte gjysma-gjysma e nuk kuptohej qartë. “Nuk të kuptoj i them, fol qartë, më duket se s’je mirë”. Heshti për një moment dhe filloi përsëri të më pyeste se ku isha.
“Jam afër shtëpisë, i them”. Ai më thotë: “Jam përpara ekranit dhe një televizon po jepet një lajm i tmerrshëm, kanë qëlluar Xhiken nga liqeni”.
Shtanga për momentin! Nxitova, sa u futa në shtëpi hapa televizorin. Ç’të shihja! Ajo që dëgjova nga miku im ishte e vërtetë.
Lexova dhe rilexova disa herë dhe nuk po besoja lajmin që jepej pa pushim: “Qëllohet Haxhi Baçinoski në Kodrat e Liqenit Artificial”.
Shtanga përpara ekranit, vura duart në kokë duke mos e parë më lajmin. Por ai lajm ishte i vërtetë, Haxhiu ishte qëlluar. Telefoni filloi të binte përsëri, por nuk kisha kurajo ta ngrija. Më hipi një e dridhur, dhe lotët filluan të rridhnin mbi faqe.
Ngrita telefonin, ishte Agron Hoxha, ai që më tha i pari për këtë gjëmë. Hë, më thotë, Bedri? Po i them, ai lajm është i vërtetë, dikush e ka qëlluar.
Dola jashtë e u nisa në këmbë pa e ditur se ku do shkoja. Mora një shok, Haki Hoxhën, në telefon edhe i përsërita lajmin. Po, po Bedri, ajo që më the është e vërtetë. E pyes ku je, më thotë jam te Drejtoria e Policisë me disa shokë, po interesohemi për djalin e vogël të Haxhiut, të cilin e ka marrë policia në pyetje.
Kur mbërrita tek morgu, tek dera ishte një grumbull i madh njerëzish. Takova vëllezërit e Haxhiut dhe motrën që kishin ardhur me një frymë nga Fieri. Plot miq e të afërm të tjerë të cilët prisnin ta shikonin.
Tentova të futesha brenda për të parë kufomën pasi njihja rojen. Të lutem Bedri, më thotë, nuk do futesh, nuk lejohet pasi as familjarët nuk i futa. Pyeta për një doktor të cilin e njihja, por ai ishte turni i parë. I telefonova menjëherë duke iu lutur të më lejohin të futesha brenda të shihja kufomën. Qëndro tek dera se do flas unë që të hysh brenda. Në këtë çast mbërriti një dyzinë me policë, u futën brenda duke më hequr mua mundësinë të futesha. Të nesërmen në mëngjes herët vajta tek shtëpia e cila ishte plot me të afërm, burra dhe gra të cilët lotonin rreth arkivolit. I dhashë dorën disave, disa i përshëndeta me kokë.
Ishin krejt të përhumbur, veç thithnin cigaret papushim. A mund ta shikoj i them djalit të madh të Haxhiut. Po xhaxhi Bedri më tha, patjetër. Shkuam në dhomën tjetër e me shumë vështirësi u afrova te arkivoli pasi kishte shumë njerëz. Brenda arkivolit ishte i veshur me kostum e rrinte shtrirë me duar të kryqëzuar përpara, miku im i halleve, i vuajtjeve dhe i torturave. Të jepte përshtypjen se ishte i gjallë, gjithë nur, nuk të besohej se nuk ishte më gjallë. U përkula, e preka trupin e ftohtë si akulli, e putha në ballë. Të binte në sy nga e djathta e ballit kishte një gërvishtje të lehtë. Nga hutimi i fola, por nuk m’u përgjigj.
Dhoma ziente nga vaji, Henri djali i madh qëndronte tek koka e arkivolit, nuk fliste fare e thithte e thithte papushim cigaren me sy mbërthyer mbi arkivolin e babait, ndërsa me dorën tjetër fshinte lotët. Në krahun tjetër të arkivolit qëndronte si gur, i ngrirë, e herë pas here fshinte lotët djali tjetër, i vogël i cili nuk shihte kush hynte e kush dilte por kishte mbërthyer sytë mbi fytyrën burrërore të të atit.
Të dy djemtë, fëmijë të rritur më halle e me vuajtje, herë pas here e fërkonin xhenazen dhe i flisnin papushim. Haxhiu ishte në gjumin e përjetshëm. Fati e ndëshkoi kaq rëndë, i ndau përgjithmonë nga fëmijët e bashkëshortja. Ky baba nuk do të kujdesej më për fëmijët e tij. Nuk do t’i përkëdhelte me dorën e tij atërore asnjëherë më. Kurrë nuk do të dilnin xhiro në mbrëmje të katër, të përqafuar njëri me tjetrin.
Bashkëshortja e Haxhiut për fat të keq nuk ndodhej në Shqipëri ditën e gjëmës, megjithatë ajo që s’duhet të ndodhte kishte ndodhur. Thonë se atij të cilit i bie gjëma, Zoti i jep fuqi që ta përballojë.
Në dhomën ku qëndronte arkivoli, lart në mure kishte disa fotografi, Haxhiu në mesin e dy djemve, hedhur krahet sup më sup. Në tjetrën ishte me bashkëshorten dhe fëmijët. Kishte fotografi të miqve dhe shokëve nga Kosova por nuk mungonte një fotografi e madhe ku Haxhiu kishte dalë me Presidentin e Republikës në shtëpinë e poetit të ekzekutuar Vilson Blloshmi, në Bërzeshtë.

Marrë nga Muri i FB, Bedri Blloshmi, 16 mars 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.