
Xho Van Gogh – Bonger: Gruaja që e madhështoi Vincent Van Gogh-un
Kur Vincent van Gogh vdiq në vitin 1890, ishte vetëm 37 vjeç, dhe la pas një jetë me dështime, një dhomë të zbrazët dhe një pafundësi pikturash që askush s’donte t’i blinte.
Gjashtë muaj më vonë, vdiq edhe vëllai i tij Theo Van Gogh, i vetmi që kishte besuar gjithmonë tek vlerat e tij.
Tashme gjithçka dukej se kishte mbaruar.
Mbeti vetëm një fëmijë, qindra letra dhe një mal me piktura të pashitura.
Ajo që e mori gjithë këtë trashëgimi ishte: Xho Van Gogh – Bonger, e veja e re e Theos.
Ajo ishte vetëm 28 vjeçe, me dhimbjen e një humbjeje dhe djalë të vogël për të rritur.
Askush nuk kërkoi prej saj që të kujdesej për ato piktura. Askush nuk mendonte se ato mund të kishin ndonjë vlerë.
Por, ajo e kuptoi se, mbas atyre penelatave të dëshpëruara, fshihej një gjenì që bota ende s’kishte pasur dëshirë ta dëgjonte.
Xho ia nisi nga fillimi: së pari me letrat midis dy vëllezërve.
Ajo i përktheu, i organizoi dhe i botoi.
Brenda atyre letrave ishte shpirti i Vincentit – vizioni i tij, vuajtja e tij… po edhe poezia e tij.
Ato letra ndryshuan gjithçka: ato e bënë më të qartë se mbas “piktorit të çmendur” qëndronte një burrë që dashuronte, mendonte dhe kërkonte.

Më pas erdhën pikturat.
Xho organizoi ekspozita, u shkroi kritikëve, galeristëve dhe muzeve.
Ajo refuzoi t’i shiste ato vepra, edhe kur ishte tejet në nevojë.
Ajo përzgjodhi me kujdes se çfarë të shiste dhe kujt t’ia shiste, çfarë të mbante dhe ku t’i ekspozonte.
Qe ajo që organizoi ekspozitën e parë të madhe në Berlin, më pas në Paris, dhe së fundmi në Holandë.
Pikturë mbas pikture, recension mbas recensioni, ajo ndërtoi reputacionin e Van Gogh-ut, siç e njohim ne sot.
Dhe nuk qe një përpjekje romantike. Ishte një strategji: këmbëngulje, vizion, durim.
Sa herë që ndokush e akuzonte se kishte ekzagjeruar mbi vlerën e kunatit të saj, ajo iu përgjigjej me veprime, dhe jo me fjalë.
Kur ajo vdiq në vitin 1925, Van Gogh ishte tashmë i njohur si një nga artistët më të mëdhenj të shekullit.
Muzeu Van Gogh në Amsterdam, i themeluar falë koleksionit familjar, i detyrohet ekzistencës së tij mbi të gjitha prej asaj gruaje.
Xho Van Gogh-Bonger nuk pikturoi kurrë në jetë.
Por ajo e lartoi Vincentin, në kuptimin më të thellë të fjalës: ajo e transformoi nga njeri i harruar në simbol universal të artit dhe humanizmit.
Pa të, ndoshta Van Gogh do të kishte mbetur një emër tregu vjetrësinash.
Prej saj, Ai u bë i pavdekshëm!
Marrë nga portali “Një udhëtim nëpër histori”