back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kisha e Vaut të Dejës, ose simboli i shkatërrimit të Monumenteve të Kulturës nga Besi Bekteshi

Gazeta

Kisha e Vaut të Dejës
Kisha e Vaut të Dejës

Kisha Katolike e “Shën Mërisë”
e shek. XIII-të në Vau Dejës,

hidhet në erë me mina,
me urdhër të shkodranit komunist
Fadil Ymeri, më 30 maj 1969…

100.000 Shqiptarë
që Kisha e Vaut të Dejes të Restaurohet

Një grumbull i shkalafitur gurësh dëshmon ende fatin e zi. Tashmë kisha e vogël katolike e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e ndërtuar që në kohërat kur në gadishullin Ilirik nuk kishin shkelur turqit, nuk është më. Kisha e shekullit të XIII, e njëjta që çdokush mund ta shohë të stampuar në kartëmonedhën e 1000 lekëshit, është hedhur në erë me dinamit në vitin 1969, në kulm të luftës së pashembullt të komunizmit kundër fesë. Monumenti i arkitekturës romanike-gotike kishte mbërritur në kohët moderne i paprekur, i ruajtur më së miri nga shqiptarët e të gjithë brezave. Kishte mbërritur i ftohtë e i bukur, rrethuar nga pëshpërimat e gojëdhënave, sipas të cilave, aty ishin falur duke paqësuar shpirtrat e tyre, qoftë parakohësit, apo bashkëkohësit e Skënderbeut e me radhë të tjerë shqiptarë të mëdhenj. Për më keq akoma, faktet thonë së kisha është shkatërruar edhe pse për më shumë se 20 vjet kishte të varur në qafë “flamurin e bardhë”, apo saktësisht një tabelë që thoshte se mbrohej nga shteti. Një rast i pashpresë që sërish ilustron se një pjesë e shqiptarëve, pothuaj në çdo kohë, kanë varrosur me duart e tyre trashëgimitë e së shkuarës. Kanë varrosur përsëritmërisht ato vlera me të cilat mburren kombet, me të cilat kombet tregojnë themelin nga ku kanë origjinën duke ngritur zërat, sa herë u jepet rasti, se janë pasardhës të një populli të lashtë, që ka lënë pas histori të lavdishme si edhe prova për këto histori. Prova, që në shumicën e rasteve janë të gdhendura në gur, qoftë në trajtat e frymorëve, qoftë në formën e ndërtimeve, që i kanë rezistuar kohërave, të ruajtura po nga këta popuj. Përmbledhur në pak fjalë, shkatërrimi me dinamit i kishës së Shën Mërisë të Vaut të Dejës është një histori që në çdo kohë do të bënte me turp një komb të përgjegjshëm

Të dashur miq!
Ndoshta nuk do arrijmë të bëjmë 100.000 fansa në kët faqe, por jam i sigurt se sa më shume fansa që të bëhen në faqen tonë, aq më shumë do shkojë fjala në veshin e qeveritarve dhe ndoshta në një të ardhme të afërt, kjo kishë shekullore do mund të restaurohet.
Shpërndajeni sa më shumë ketë faqe nëpër profilet tuaja.
Bëjëni këtë për hir të historisë së vjetër të kësaj Kishe ku vuri kurorë Skënderbeu.
Kjo nuk është vetëm faqja ime, por është faqja e çdo banori të kësaj zone, prandaj shpërndajeni faqen tonë!
Ju Falemnderit të gjithëve!
https://www.facebook.com/kishaedejes?hc_location=timeline

Kisha e Vaut të Dejës... dhe rrënojat e sotme!
Kisha e Vaut të Dejës… dhe rrënojat e sotme!

Kisha e Vaut të Dejës,

ose simboli i shkatërrimit të Monumenteve të Kulturës

nga Besi Bekteshi

Në daljen e tretë për rilevim të kishave të traditës romane dhe padyshim të një modeli të jashtëzakonshëm si trashëgimi në DRKK-së në Shkodër, ishte dhe rrënoja e kishës së famshme të Vaut të Dejës. Mbas Mazrekut dhe Shirqit, si dy modele që në kohën e benediktinëve, i erdhi rradha dhe rrënojave të kishës së Danjës, apo asaj të njohur si kisha e Lek Zaharisë. Jo lart në kala, por poshtë, buzë Drinit në fshat. Nëqoftëse ajo e Shirqit ka problemet e rrënimit nga abandonimi dhe Buna, apo Mazreku nga abandonimi dhe vazhdimi në moskujdesje, kjo e Vaut të Dejës ka një histori të trishtueshme nga dinamiti. Jo, nuk është koha e viteve mbas ‘90-tës dhe sidomos sot, është koha e viteve 1967-1970, kur ishte vendosur që “armiqësia më e madhe të ishte ndaj zotit dhe institucioneve të tij”. Një nga kishat më legjendare dhe me histori të jashtëzakonshme, e cila është hedhur në erë me dinamitin e H/C të Vaut të Dejës, është momenti absurd i shkatërrimit jo vetëm të një objekti kulti, por një monumenti të shpallur të ruajtur nga shteti dhe vendin ku është kryer riti celebrues i Kastriotit!
Sekretarët e partisë të asaj kohe japin urdhër dhe kisha, me anën e teknikëve dhe inxhinierëve hidhet në erë.
U hap një akuzë në prokurori, e ngritur me guxim nga Gani Strazimiri ose drejtori i Monumenteve të Kulturës atëhere, por u mbyll. Po, u hodh në erë kisha e vjetër e “Shën Marisë” dhe që kishte dhe pllakën që e shpallte “Monument Kulture”. Atëhere thuhej se kishte themele të vjetra të shekullit të tretë, por kishin vërtetuar në atë kohë që ishte mbi gurë të vënë qartësisht në shekujt 6-7-të. Sot dihet qartë se edhe ajo është paleokristiane dhe normalisht tek “dhjetë mijë lekëshi i ri i yni është e stampuar pikërisht ajo”. Janë disa foto të vjetra të saj, dhe duke qenë si seli Ipeshvore, ishte shumë e dashur për të gjithë besimtarët dhe nga Barleti dimë qartë se aty Gjergj Kastrioti ka pranuar Sakramentin e Martesës. Nga disa shkrime dalin të dhëna të qarta dhe në njërin thuhet: Monumenti në fakt ishte shkatërruar rreth datës 30 maj 1969, sipas proces-verbalit të mbajtur pak ditë më vonë nga Miltjadh Papa, përfaqësues i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Agim Kodraliu, inspektor i arsimit dhe kulturës i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shkodër. Në procesverbal shkruhej: “Rreth datës 30.05.1969 kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, në portën e së cilës ishte vendosur tabela e monumenteve të kulturës, u hodh në erë me dinamit. Përse u shkatrrue ky monument i vetëm në Shqipni! Por më 15.08.1969, Prokuroria e Shkodrës e mbyll çështjen.

Kisha e Vaut të Dejës
Kisha e Vaut të Dejës

Nuk është rasti i vetëm për sa i përket prishjeve dhe denoncimeve dhe unë mund të vazhdoj të citoj shkrimet që nxjerrin në dritë faktet dhe në njërin thuhet: Strazimiri rreshton edhe precedentët e tjerë në rrethin e Shkodrës e gjetkë, të shkatërrimit të monumenteve të kulturës. “Shkatërrimi i kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës është rasti i gjashtë i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës. Para disa vjetëve janë hedhur në erë dy monumente të rëndësishme, bezisteni dhe hamami në breg të Bunës, dëmtuar monumenti i kulturës, pronë e Musa Dulja etj. Shkatërrimi i bezistenit dhe hamamit, u bënë me paramendim natën, me qëllim që të viheshin para faktit të kryer. Edhe këto raste i kemi denoncuar në Prokurorinë e rrethit të Shkodrës, por çështjet u pushuan.
Po, në Shkodër janë prishur në atë kohë disa monumente kulture pikërisht me aprovimin e institucioneve përkatëse. Bexhisteni dhe i gjithë pazari i Shkodrës, është një nga humbjet kolosale kulturore dhe e fundit është Xhamia e Parrucës. Aleksandër Meksi, ose njeriu që ka qenë dhe ka përjetuar mirë situatën e viteve 1967-1970, thotë në një intervistë kështu: Duhet të ketë qenë viti 1971, kur Gani Strazimiri, drejtori, i prezantoi Enver Hoxhës rreth 100 diapozitivë të monumenteve të kulturës në gjithë Shqipërinë. Kur mbërriti te rrënojat e Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, drejtori i tha se ajo tashmë ishte kthyer në gërmadha dhe duket përmendi edhe emrat e autorëve. Duhet të ketë përmendur emrat e autorëve, sepse këtë e nxjerr logjika, pasi përgjigja e Enver Hoxhës ishte: “Sa keq, që këtë dëmtim e kanë bërë njerëzit tanë”. Pra Enveri e dinte se cilët e bënë dhe këtë do ja ketë thënë drejtori Strazimiri, që pas takimit ua rrëfeu të gjithëve. Pra kur vetë kreu absolut i shtetit mori në mbrojtje shkatërruesit, kjo do të thotë se vlera e trashëgimisë kulturore shqiptare ishte në një tjetër plan, vënë përballë luftës kundër fesë.
Gjithsesi mbetet që kjo kishë u hodh në erë dhe është shembulli më tipik i absurdit ekstrem të shkatërrimit të monumenteve të kulturës. Kisha e shekullit XIII e përcaktuar mirë dhe e arkitekturës romano-gotike ka rrënojat e saj të vogla të cilat i fotografova dhe që kanë mbetur nga shkatërrimi, nga marrja për digën dhe ndoshta ndonjë banesë, dhe besohet se aty duhet të ketë qenë dhe varri i princit të Danjës Lek Zaharisë. Mbytet nga Drini herë herë, por altari i vogël është aty.

Kisha e Vaut të Dejës, në prerjen 1000 Lek
Kisha e Vaut të Dejës, në prerjen 1000 Lek

Çfarë ndryshon sot?

Sot ka ndryshuar motivi i shkatërrimit. Në fund të fundit, pjesa e madhe e monumenteve të kulturës në diktaturë u ruajt. I mirëmbajtën dhe shkatërrimi i kishave ndër të cilat ajo e Lek Zaharisë, është ndoshta humbja më e madhe dhe vinte si pasojë e idiotizmit kriminal diktatorial kundra religjionit se sa kundra kulturës. Sot në fakt, është makabriteti “kapitalist”. Sa e sa monumente kulture si shtëpi janë shembur për të ndërtuar monstra betoni. Vetëm në Shkodër janë mbi 10 syresh dhe sa e sa në Shqipëri, janë lënë të degradojnë dhe pastaj të shemben për të ndërtuar betone të lartë mbi 10-të kate! Sa zona të ruajtura ose të ashtuquajtura të mbrojtura janë dëmtuar rëndë? Mbi rrënoja dhe site arkeologjike 2500 vjeçarë janë hedhur beton. Me shtesa absurde dhe leje të gabuara? Nëqoftëse në diktaturë ishte një idiot që jepte urdhër për dinamit, deri sot ka pasur maskarenj që rrënonin dhe pastaj paguanin për të marrë leje të këqija. Sa vende arkeologjike janë vënë nën betone jo vetëm në Shkodër dhe Durrës, por dhe Lezhë dhe kudo në Shqipëri?! Janë dhënë leje dhe ka qenë vetëm IMK-ja dikur, që ka transformuar statusin e Monumentit të Kulturës për shumë syresh, për të hapur rrugën e ndërtimeve absurde. Kanë bërë më tepër krime nga ‘90-ta deri sot, shumë më tepër se sa në kohën e Enverit. Disa prej këtyre krimeve janë bërë dhe me letra të firmosura. Unë uroj që sot kjo gjë që ka ndryshuar të përfundojë dhe të fitojë liria e të qënit një shtet i qytetëruar. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës janë shumë ndryshe, por dhe me ide tepër të mira se sa dje.
Kisha e Vaut të Dejës është simboli i prishjes së një Monumenti Kulture. Ajo në fakt, do një projekt të mirë studiuar, dhe duhet bërë një simbol i tillë. Pikërisht ajo kishë, që është në dhjetë mijë lekësh, duhet të ketë ditën e saj, për të bërë dhe sensibilizimin, kurdo që një monument ose trashëgimi e tillë rrënohet, transformohet apo dëmtohet. Ajo është simboli, dhe ky simbol duhet ngritur në një trajtë të mundshme që lejon dhe ligji. Ka bazamentin e saj, ka artefakte të ruajtura të mureve të vjetër, dhe ka dhe mundësinë e sotme të dëshirës së mirë në Ministrinë e Kulturës. Do të ishte vërtetë një mrekulli, nëqoftëse në këto bazamente ngrihet një tempull, i cili tregon jo vetëm se kush ka qenë atje, por dhe si është historia. Dhe për më tepër, se është dhe “simboli i trajtimit të egër dhe pa shpirt, të monumenteve të rralla të kulturës tonë kombëtare”. Diçka e tillë, sigurisht që duhet.

.
marre nga http://www.sot.com.al prill 8, 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.