Dossier: Kampi i Kuçit të Kurveleshit (i 100 Intelektualëve)

3
16
Kampi i Kuçit të Kurveleshit 1 (i 100 Intelektualëve)
Kampi i Kuçit të Kurveleshit 1 (i 100 Intelektualëve)
Kampi i Kuçit të Kurveleshit 1 (i 100 Intelektualëve)
Kampi i Kuçit të Kurveleshit lista 1 (i 100 Intelektualëve)
Kampi i Kuçit të Kurveleshit 2 (i 100 Intelektualëve)
Kampi i Kuçit të Kurveleshit lista 2 (i 100 Intelektualëve)
Kampi i Kuçit të Kurveleshit 3 (i 100 Intelektualëve)
Kampi i Kuçit të Kurveleshit lista 3 (i 100 Intelektualëve)

Kampi Kuçit të Kurveleshit

ose Kampi i 100 intelektualëve…

dossier nga Jozef Radi

Prej kohësh në Arkivin e Familjes Radi “fle” nji dokument i sjellë në shtëpinë tone, aty nga fillimi i viteve ’90, nga zoti Ali Erebara, i cili kishte jo vetëm listën e 100 personave (në të vërtetë janë 97) të interrnuar në kampin e izolimit të plotë në Kuç të Kurveleshit, po edhe mjat informacion rreth atyre personave…
Së pari, për këtë dëshmi të jashtëzakonshme vlen të falënderohet avokat Ali Erebara, dhe i biri i tij Suat Erebara, për gjithë informacionin dhe gjithë shënimet e mbledhuna e të redaktueme me kujdes, të cilat sot mbeten ndër dëshmitë ma serioze, ma të plota dhe ma përcaktuese të një prej kampeve ma tragjikë në historinë pesëdhjetëvjeçare të diktaturës komuniste. Ai i Kuçit të Kurveleshit! Kjo tabelë e punueme me nji skrupolozitet të jashtëzakonshëm, mbetet ndër dëshmitë ma brilante të asaj së keqeje të madhe që sundoi për gati nji gjysë shekulli “vendin e shqipeve”.
Unë prej kohësh kam punuar për leximin e kësaj dëshmie, e cila sigurisht kërkon një thellim të mëtejmë nëpër arkivat e Ministrisë së Brendshme, dhe ndër ata pak dëshmitarë të gjallë të mbetur nga ky kamp, të cilët rrallohen me kalimin e viteve, e veçanti, hulumtimi në kontekstin kohor, si gjetja e urdhëresave dhe vendimeve të krijimit të këtij kampi në humbëtirat e Labërisë, përcaktimi i asaj  inteligjence, e cila mbasi kishte kryer dënimet e para me burg niste aventurën e moskthimit në qytetet ku kishin familjet, studimi dhe vlerësimi i gjithë këtyre figurave që me aq mund e sakrifica kishte arritur të shkolloheshin brenda dhe jashtë vendit e të krijonin një begraund të lakmueshëm për cilindo që e konsideron veten intelektual edhe sot e kësaj dite…
Sigurisht, sa më shumë kohë të kalojë, bëhet gjithnji e më e vështirë për të hyrë në thelb të kësaj së vërtetë të dhimbshme. Megjithatë, unë besoj se nuk është asnjëherë vonë për të gërmuar në gjetjen e rrënjëve të kësaj së vërtete, nisur edhe nga kjo tabelë krejt e zakonshme e një njeriu, që me skrupolozitetin e avokatit ka lënë si testament kët dëshmi të vlefshme të një kohe dhe një vuajtjeje, e cila sot e kësaj dite mbetet diçka ende e pashpjeguar dhe e pavlerësuar si duhet, dhe një plagë ende e pambyllur…
Duke qenë se për nji periudhë kohe, kam qenë i vetmi fëmijë i lindur dhe i rritur në kët kamp të humbëtirës, e ndjej edhe si detyrë morale të jap krejt shpjegimet e fituara prej atyre që kam dëgjuar në familjen time, po edhe të gjithë miqve të familjes sime, për të vërtetat e këtij kampi famëkeq, i ngritur për izolimin dhe rrënimin sistematik të inteligjences shqiptare… Në këtë punë studimore të mbështetur mbi të dhënat e këtij dokumenti po përpiqem ti paraqes me shpresë se nji ditë do të vlejnë historisë dhe brezave që do të vijnë, për ta kuptuar të vërtetën e kësaj kohe…
Si mund të lexohet një kartelë

Shkollimi i të dënuarve

Kampi i Kuçit të Kurveleshit përfaqson një dënim shembullor ndaj gjithë intelektualëve shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve po liroheshin nga dhjetvjeçari i burgjeve… Të dhënët tregojnë se në Kampi i Kuçit të Kurveleshit ka treguesit më të lartë të shkollimit, dhe të profesionalizmit, gjë që me të drejtë  ka bërë që kamp të cilsohej ndryshe edhe “Kampi i 100 Intelektualëve!” Në listën e mësipërme figurojnë:

25 persona me shkollë të lartë
27 persona me shkollë të mesme
6 persona me shkollë tregtare
6 persona me 2 vite shkollë të mesme
10 persona me shkollë 7 vjeçare
10 persona me shkollë fillore
2 persona ishin nxënësa gjimnazi
11 persona janë pa informacion

Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Profesionet e të dënuarve

Profesionet e dënuarve janë shënuar sipas gjendjes së të dënuarve para internimit të tyre. Që do të thotë, se shumë prej tyre e kishin humbur mundësinë për të kryer një punë të drejtë me shkollën që kishin kryer. Në mënyrë të veçantë ata që vinin nga internime e burgime të mëparshme… Pra në këtë rast treguesi mbetet gjithsesi i deformuar… shembulli më i thjeshtë është ai i tim eti Lazër Radi që figuron si “bojaxhi”, kur fare mirë mund të ishte avokat, ose më e pakta nëpunës… Megjithatë ne po i qëndrojmë besnik shënime të këtij dokumenti…

21 persona nëpunës
16 persona bujq
10 persona punëtorë
7 persona avokat e gjykatës
7 persona muratorë
6 persona (pa informacion)
5 persona oficerë
5 persona agronomë e agrikultorë
3 persona nxënës
2 persona priftërinj
2 persona tregtarë
3 persona piktorë
2 persona këpucëtarë
2 persona arsimtarë
1 persona marangoz
1 persona pronar
1 persona llogaritar
1 persona traktorist
1 persona përkthyes
1 persona kafexhi

Të rinj të internuar në Kuç 1957 (Bardh Kupi, Valentin Pervizi, Dedë Gjonmarkaj, Lek Pervizi)
Të rinj të internuar në Kuç 1957
(Bardh Kupi, Valentin Pervizi, Dedë Gjonmarkaj, Lek Pervizi)

Koha e formimit dhe e mbylljes së kampit

Të ardhurit e parë datojnë mesin e muajit mars 1954, (ekzaktësisht me 06.03.54)
Ndërsa të mbërriturit e fundit datojnë mars dhe korrik 1955 (ekzaktësisht 06.03.55dhe  22.07.55)
Ndërkohë, një pjesë e tyre vinin drejt e nga burgjet ose internime të mëparshme, kështuqë në mjaft prej këtyre rasteve është ruajtur data e internimit të parë të tyre…

mars ’54    –   4  persona
prill ’54    –   30 persona
maj ’54     –   14  persona
qershor ‘54  –  9  persona
korrik ’54  –   3 persona
gusht  ’54  –  10  persona
shtator  ’54  –  4 persona
tetor  ’54  –  2 person
nëntor   ’54   – 3 persona
dhjetor   ’54   –  2 persona
gjatë vitit 1955     – 2  persona
me internime të mëparshme – 8 persona
pa informacion –  6 persona

Prej kësaj kartele nuk del e qartë data e saktë e mbylljes së kampit të Kuçit të Kurveleshit, por nëse mbahet parasysh se pjesa më e madhe e të dënuarve krahas ditës së internimit në këtë kamp, ka edhe një pesë (në kllapa) që rrëfen se ishte fjala për një dënim pesëvjeçar, mbyllja i përket të ketë ndodhur aty rreth mesit të vitit 1959, ose fillimit të vitit 1960, gjithnji sipas logjikës së dënimit pesëvjeçar, ndaj gjithë personave që ishin të internuar aty…

Prof-Guljelm-Deda-2Të ardhurit në kamp…

Si pikë referimi për të internuarit e kampit është vlerësuar vendi i banimit të tyre.
Ka një ekuilibër të dukshëm për sa i përket ndarjes territoriale të të dënuarve në këtë kamp. Ku gjithsesi mbetet në krye Shqipëria e Mesme (Tiranë, Durrës, Elbasan, Krujë) me 37 persona të dënuar…

Shqipëria e Veriut     29 persona
Shqipëri e Mesme      37 persona
Shqipëri e Jugut        31 persona

Besimi fetar i të dënuarve

Sigurisht edhe në pikëpamje të besimit fetar dominojnë të dënuarit e besimit mysliman, të cilët përfaqësojnë edhe pjesën më të madhet të popullsisë shqiptare. Besimi katolik është në vend të dytë dhe ajo çka bie në sy është në raport pothuaj të dyfishtë me popullsinë e këtij besimi. Të fundit janë të dënuarit e besimit ortodoks të cilët janë në raport pothuaj të barabartë me gjendjen e popullsisë ortodokse shqiptare…

Myslimanë  61 persona      63%
Katolikë      24 persona      25%
Ortodoksë   12 persona     12%

Mosha e të dënuarve

Më i riu i internuar në Kampin e Kuçit të Kurveleshit ishte Tomorr Maçi, i cili ende s’i kishte mbushur të shtatëmbëdhjetë vitet, kurse më i vjetri ishte Dom Pjetër Tusha, 83 vjeç, i ndjekur nga dy shtatëdhjetëvjeçarë Spiro Kosova dhe Sherif Sovrani, të dy nëpunës të ardhur nga qyteti i Tiranës

deri më 1885 –   3 persona (mbi 70 vjeç)
1885-1895  –    27 persona (60 – 70 vjeç)
1895-1905 –     19 persona (50 – 60 vjeç)
1905-1915 –     20 persona (40 – 50 vjeç)
1915 -1925 –      9 persona (30 – 40 vjeç)
1925- 1935 –    10 persona (20 – 30 vjeç)
1936           –      3 persona (nën 20 vjeç)
pa informacion  6 persona

Shënime për t’u vazhduar më tej

Mirë do të ishte sikur dikush me tagër të përcaktuar  qartë të interesohej se sa vetë janë ende të gjallë prej këtij kampi të tmerrshëm, dhe të bëhen përpjekje për t’u vënë në kontakt me të gjithë të gjallët e mundshëm duke u munduar të merret prej tyre e vërteta e jetuar në lëkurën e secilit prej tyre…

Pyetje të mbetura ende pa përgjigje…

Kampi i Kuçit qe krijuar  vetëm për burra (pse?), ndërkohë kampet e mëparshme kishin qenë për burra, për gra, për pleq dhe fëmijë…
Nga dëshmitë e prindërve të mi dhe atyre që kam njohur di që aty punohej kryesisht për nxjerrjen e lëndës drusore për ushtrinë, si dhe kuckave të shqopës për punime të artizanatit. Si punohej? Sa orë punohej? Çfarë normash kishte? Dhe çfarë ndodhte po të mos realizohej norma?
Dihet që asokohe ishte kriza e madhe buke? Sa ishte racioni ditor i bukës? Si gatuhej dhe si ndahej ushqimi? Si luftohej uria në një kamp të tillë? Cili ishte raporti me familjen i këtyre personave të dënuar individualisht dhe a ekzistonte mundësia e korrespondencës? Fakti që shumica e këtyre personave ishin me moshë mbi dyzet vjeç, pra shumë prej tyre kishin lënë familjen, lind pyetja a e ekzistonte mundësia që kur vinin familjarët e tyre të kishin mundësi intimiteti?
Si ishin raportet midis individëve në këtë kamp dhe a ndjehej ajo fryma intelektuale e asaj shumice që ishte shkolluar nëpër Universitetet e Europës? Çfarë flitej, çfarë diskutohej dhe a  ndjehej frika në mardhëniet shoqërore?
Si ishte raporti i brezave në kamp, duke ditur se kishte edhe pleq tetëdhjetë vjeçare e të rinj shtatëmbëdhjetë vjeçarë.
Si kalonte dita në kamp? Si organizohej jeta aty? Ku flihej? Cilat ishin raportet me fshatarët përreth?
Thuhet se ambienti ishte mjaft piktoresk, dhe Buronjat sidomos në pranverë e në verë ishin një mrekulli e natyrës. A ndikonte ai mjedis izolues për të amortizuar të keqen prej së cilën vuhej…
A kishte shpresa në këtë kamp?
Si ishte imazhi i gruas në këtë botë ku ishin izoluar vetëm meshkujt?
Ndërkohë kryetar i degës së Vlorës qe Petrit Hakani, që herë mbas herë shfaqej në kamp. Cila ishte gjendja që krijohej nga ardhja e kësaj figure të frikshme ndër të dënuarit?
A kishte artistë në kamp, dhe a mund të ketë mbetur ndonjë vepër e tyre?

Guljel-Deda-3Listë e personave të mbetur gjallë nga kampi i Kuçit
me të cilët kam njohje dhe nëse mund ta shfrytëzoj këtë njohje(2010)
Lek Pervizi
Tomorr Maçi
Musa Maçi
Tomorr Dine
Thabit Rusi
Ernest Dosti
Fatbardh Kupi

U vendosën të interrnuar në Savër mbas Kuçit
Ali Dema
Ernest Dosti
Fatbardh Kupi
Gulielm Deda
Hysni Biçaku
Ibrahim Sokoli
Lazër Radi
Mikel Koliqi
Musa Maçi
Rrok Kanti
Tomorr Dine
Tomorr Maçi
Viktor Dosti

 

 

Related Images:

Artikulli paraprakErnesto Sabato – (1911-2011) – Leximi
Artikulli tjetërPrend Buzhala: Udhëtimi me Kuaj të Drunjtë
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

3 KOMENTET

  1. Jam pa fjalë…..
    Në listë gjeta emnat e shumë miqve të familjes… që punuan në kto kampe internimesh… si familjet Deda, Saraçi, Koliqi, Kurti, Pali… intelektualë që kishin dhanë shumë për shoqninë… e që i ndrynë në këto kampe famekeqe…
    Ju falnderoj me mirënjohje për sjelljen… Ja vlen ta njofim të kaluemen dhe listat e intelektualve të persekutuem…

    • Ia vlente vërtet të lexohej…
      Edhe unë gjeta të afërm nga familja ime dhe e tim shoqi, dhe nuk ishte e rastit që intelektualë shkodranë u persekutuan, vuajten sistemin mesjetar dhe të dhunshëm shqiptar…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.