back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Kameleonët e neosovjetizmit – Globale do të jetë kjo botë e re! – nga Zamir Gjurgji

Gazeta

Kamaleonët
Kamaleonët
Kameleonët e neosovjetizmit – Globale do të jetë kjo botë e re!
nga Zamir Gjurgji

Për Mit’hat Frashërin, Partia vjen pas Shqipërisë, për T. Ballën Partia, pastaj Shqipëria. Për Edin Shqipëria është çiflig 3D, për Erin është bordello 5D. Partinë e kanë Perëndi, si sovjetikët e Kremlinit, ashtu edhe neosovjetikët e Parisit dhe Uashingtonit. E majta sovjetike ishte konservatore, e majta e Rilindjes është sa liberale, aq edhe libertine.
Nëse e majta i ndan votuesit në tradhtarë e besimtarë të siglës, kjo është një çeshtje e saj; madje mund t’i ndajë edhe në konservatorë a revizionistë, liberalë a libertinë. Sindroma e kameleonit…

Refreni: Poshtë Berlini, rroftë Kremlini! Dhe anasjelltas!

Një bandë me kapobandë, që 29 Nëntorin e shquante si fitore revanshiste mbi “Krevatin e Perandorit”, madje ngadhnjim mbi (mikro)borgjezët, kuislingët, bejlerët e agallarët, do të kridhej në ujrat e së majtës proletare, të shpronësimit të trojeve dhe kapitalit njerëzor, të goditjes me kazma e lopata, drapër e çekan të inteligjencës kundërshtare properëndimore dhe intelektualëve të mendimit ndryshe siglës partiake. Teneqexhinjtë, karrocierët, druvarët, peshkatarët, çobanët e llustraxhinjtë kishin rrëmbyer skeptrin e pushtetit mbi popullin. Ishin (zh)vendosur në qytet, kishin lënë mënjanë kërrabën dhe gjalmin e dyfekut, kishin grabitur florinjtë, shtëpitë, bibliotekat dhe takëmet e argjendta të shtresës së djathtë që e urrenin aq shumë, ngaqë u vegonte se u pinte gjakun si ushunjëza. Tashmë e konsideronin veten (krye)qytetarë me sqimë, aktronin si “çuna e goca Tirone” që shokët e shoqet nga fshati mund t’i prisnin e përcillnin të krekosur. Sindroma e fshatarit të zhvendosur në (kry)eqytet pak më herët se bashkëfshatarët…

Refreni: U bë deti kos!

Pas 46 vitesh në pushtet, teksa e ndienin veten pronarë, sqimatarë, intelektualë të spikatur të Lindjes, mendësia s’u kishte ndryshuar aspak dhe e trajtonin të ndryshmin si dele të zezë ende të patufëzuar. Silleshin si çobanët, sepse në nënvetëdije ishin e mbeteshin të tillë. Kishin krijuar shtresën e bujqve dhe blegtorëve që punonin me mëditje (për ta), me qëllim që të bënin dallimin edhe brenda llojit. Soj që kërkonte ethshëm të krijonte sorollopin e të ndryshmit nga baza, teksa gjenin e provincialit kërkonin ta shartonin me ngut me literaturë bashkëkohore, që vetëm për sojin e tyre nuk e damkosnin si “të verdhë”. Sindroma e provincialit…

Refreni: Ta bëjmë fshatin si qyteti!

Kur Çaushesku ktheu potkonjte nga dielli dhe Ylli Bufit i kishin mbetur vetëm gjashtë ditë bukë, atëhere “shefat” iu dorëzuan shtresës së “vartësve” të tyre (citoj Dominique Moisi) që deri dje i kishin trajtuar si leckë këpucësh e pece këmbalesh. Llogaritë e ‘44-ës i kishin mbyllur me çelës e dryn, me varre, internime, shpronësime, dëbime, burgosje, pushkatime e shfarosje. S’kishte mbetur faqe e pashqyer kontabiliteti për këtë shtresë që në rastin më të mirë mbyllej “me të mesmen”. Sindroma e viktimës…

Diktatura Njishit
Diktatura Njishit

Refreni: Fluger liderologjia dhe gjithologjia

Pas ‘90-ta mundësoi që shtresa e frustruar e vartësve të zhvendosej në të djathtë të superstrukturës. Në të majtë nuk mundej as teorikisht, sepse në të majtë ishte. Afro tri dekada hyrje-dalje në të djathtë të së majtës, që rëndom shquhen si tranzicion, konfiguruan të majtën liberale dhe atë konservatore (7501-shi nuk u shfuqizua nga asnjëra palë). Beteja e të majtëve gjenetikë për të rrëmbyer nga dora e rivalit skeptrin e së djathtës prodhoi një të majtë që kërkonte të zhvendosej hopthi më në të djathtë, për të qenë e singjashme me simotrat e saj në Perëndim. Sa më shumë që radikalizohej PS-ja, aq më shumë forcat shtytëse e shpinin PD-në në ligjërim politik e publik në të djathtë të kundërshtarit.

Refreni: Toka i takon atij që e përpunon

Pas 30 vitesh rravgim demokracie, provincialët e parë të 44-ës e kishin bërë gati për “nën armë” armatën e pasardhësve të tyre biologjikë e ideologjikë, Rilindjen e (ish) Byrose Politike dhe (ish) Bllokut Komunist. Të argumentosh se janë pasardhesit biologjikë do të mjaftonte që superstruktura e Rilindjes të dalë në publik me emër, atësi dhe mbiemër. Një shembull i thjeshtë: Litarin në qafën e Havzi Nelës, Kristaqi; kularin në qafën e kuksianëve, i biri; varfërimin financiar të shqiptarëve në dobi të jugosllavëve, Spiro Koleka; varfërimin financiar të shqiptarëve në dobi të xhonjugosllavëve, i nipi. Ndërsa politikat që baballarët i kryenin me Reforme Agrare dhe shtetëzime pronash (në emër të Lindjes), Rilindja i kryen me Reformën Urbane dhe PPP-të (në emër të Perëndimit). Dje: Tokat i shtetëzonte Themie Thomai. Sot: I shtetarizon Themie Thomai, me të birin e Leontjevit!!!

Refreni: Në shtëpinë e të varurit, përmend litarin!

Mjetet janë modernizuar, qëllimi mbetet po aq arkaik dhe autokratik. Ata dhe vetëm ata ishin dhe mbeten pronarët e shtetit, pushtetit dhe të drejtësisë. Dje në emër të popullit dhe në solidaritet me Stalinin e Maon, sot në emër të qytetarëve dhe në solidaritet me Sorosin dhe mausin. Dje në emër të “Hakmarrjes për Drejtësi”, sot në emër të Vetingut: Drejtësi me krahëmarrje… Dje për “Republikën e Re të Jugosllavisë”, sot për “Nju Jugosllavinë”. Dje: Tito-Enver Hoxha-Spiro Koleka-Fadil Hoxha. Sot: Rama-Vuçiç-Lajpak.

Refreni: Të gjitha pushtetet xhonsovjetëve

Rilindja tashme është shpërfaqur totalitare si ajo e baballarëve të ‘45-ës. Rama, Koleka, Balluku, Bushati, Ngjela, Peçi, Gegprifti; Çuçi; Thomai; Nushi, Gjoni, Beqja; Peza, Bekteshi; Ziçishti, Klosi… Me skeptër të Globalit (dje e quanin pallë, ndërsa sot i pëlqen jo vetëm Elisës) që e vërvit mbi kokat e paburgosura ende përgjatë gjithë spektrit: sa në të majtë (nga LSI-ja) aq edhe qendër për në të djathtë: demokratë, demokristianë, balliste, legalistë, konservatorë, republikanë a mbretërore, (ish) të përndjekur politikë. Ky është ndryshimi semantik në stil e stilistike. Jo me shumë se kaq. Për ndryshimet e tjera që i merr era dhe koka erë.

Refreni: U rriten dhe xhuxhmaxhuxhët e pleqve xhuxhumakë!

Mjafton Ogi Manastirliu dhe libërkëndimet e tij: dy faqe para, një faqe mbrapa… Mjafton Taulant Balla, teksa Hekri s’ka pse ndihet keq: Isain e ka zëvendësuar “Isaia” i rendit… Aranit Çela s’ka pse ndihet i përkequr, e ka zëvendesuar “Kraja i SPAK-ut” Kullandrisje la e më la! Tashmë, “Fidani i Njeriut te Ri” e mori fidanishten: me capslock e me kaploqe.

Globale do të jetë kjo bote e re!

Marrë nga Muri i FB, Zamir Gjurgji, 8 prill 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.