back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

John Lennon: Ata na shtynë të besojmë se dashnia…

Gazeta

John Lennon (1940-1980)
John Lennon (1940-1980)

John Lennon

Ata na shtynë të besojmë se dashnia…

Kjo ese e shkurtë e John Lennon, asht nji kënaqsi e imja e kahershme.
E kisha përkthye vite ma parë, po diku m’ishte mshehë dhe dikur e kapa rob…
e s’munda me e përballë idenë e nji rishkrimi të ri,
por tashma pak ma ndryshe, e kreva në gegnisht,
si nji sprovë, si nji alternativë, si nji muzikë ku përdoren dy instrumenta muzikorë…
sigurisht nji sprovë e asgja ma shumë, për ata sqimatarë
që merren vazhdimisht me gjuhën shqipe,
e që në njifarë mënyre janë edhe “viktima” të dashnisë ndaj saj…
Gjithkush asht i lirë me e vu gishtin e pëlqimit atje ku ai ndjehet ma mirë…
Unë thjesht e bana John Lennon “me këndue” pak edhe shqip ne dy vegla... j.r.
25 korrik 2014

John Lennon - Koncert
John Lennon – Koncert

***

John Lennon 1
“Ata na shtynë të besojmë se dashuria, ajo e vërteta, ndodh vetëm një herë, diku aty rreth të njëzetave apo të tridhjetave… por nuk na thanë që dashuria s’është e programuar dhe as se ka ndonjë orë të saktë se kur mund të shfaqet.
Ata na shtynë të besojmë që secili prej nesh është gjysma e nji portokalli, dhe se jeta merr kuptim vetëm kur ne gjejmë gjysmën tjetër… por nuk na shpjeguan se ne jemi të lindur të plotë, dhe se askush në jetën tonë nuk meriton të mbajë mbi supet e veta përgjegjësinë për të plotësuar atë çka na mungon: sepse ajo rritet së bashku me ne… e nëse ne jemi një shoqëri për së mbari, ajo është thjesht: diçkaja e këndshme.
Ata na shtynë të besojmë në një formulë të quajtur “dy në një”: dy njerëz që mendojnë të njëjtën gjë, që veprojnë njësoj, mbasi vetëm kështu mund të funksiononte… por nuk na thanë se kjo ka një emër: vetmohim, dhe se vetëm të qenit nji individ me personalitetin tënd, të lejon të keshë marrëdhënie të shëndetshme.
Ata na shtynë të besojmë se martesa është diçka e detyrueshme dhe se dëshirat jashtë kohe duhen ndrydhur. Ata na shtrënguan të besojnë se të bukurit dhe elegantët janë më të kërkuarit, se ata që bëjnë pak seks janë me babaqemon, po edhe ata që bëjnë shumë nuk janë dhe aq shumë të besueshëm, dhe se do të ketë gjithnji një këpucë të vjetër për një këmbë të shtrembërt…! vetëm se harruan të na thonë se ka më shumë mendje të “shtrembta”, se sa këmbë të shtrembta.
Ata na shtynë të besojmë se ka një formulë të vetme për të qenë i lumtur, e njëjta për të gjithë, dhe se të gjithë ata që kërkojnë t’i shmangen kësaj gjëje janë të dënuar të mbeten mënjanë… po nuk na thanë se këto formula nuk funksionojnë, se ato i çorodisin njerëzit, i tjetërsojnë ata, dhe se ka edhe alternativa të tjera. Ah, po askush s’u kujtua të na thoshte se asnjëri s’do të na i thotë të gjitha këto!
Secili nga ne duhet t’i zbulojë vetë. Dhe kështu, kur ju jeni tejet i dashuruar me veten tuaj, ju do të jeni aq i lumtur, sa me siguri mund të dashuroni dikë…”

John Lennon & Yoko Ono
John Lennon & Yoko Ono

***

John Lennon 2
Ata na shtynë me besue se dashnia, ajo e vërteta, ndodh nji herë të vetme, diku njaty rreth të njizetave a të tridhetave… po s’na kallzuet pse dashnia s’asht as e programueme, dhe as ka ndonji orë të përcaktueme se kur mundet me ardhë.
Ata na shtynë me besue se çdonjeni prej nesh asht gjysa e nji portokalli dhe se jeta merr kuptim veç kur ne e gjejmë edhe gjysën tjetër… po s’na shpjeguet se na jemi të lindun gandull, dhe askush s’e meriton me e mbajtë jetën mbi supe t’veta s’bashku me përgjegjësinë me plotësue at çka na mungon: sepse ajo rritet së bashku me ne. E nëse ne, jemi nji shoqni për s’mbari, ajo asht thjesht njajo diçkaja e kandshme.
Ata na shtynë me besue në nji formulë të quejtun “dy n’nji”: pra dy krijesa që mendojnë të njajten gjà, që veprojnë njisoj, mbasi veç kështu munden me funksionue… po s’na thanë se kjo ka nji emën: vetmohim… dhe se veç n’se je nji individ me personalitetin tand, mundesh me pasë nji marrdhanie të shndoshë.
Ata na shtynë me besue se martesa asht diçka e detyrueshme dhe se dëshirat jashtë kohe duhen ndrydhë. Ata na shtynë me besue se të bukurit dhe elegantët janë ma të kërkuemit, se ata që bajnë seks me grima janë t’Kohs t’Nuhut, po edhe ata që bajnë fort seks s’janë edhe aq të besueshëm; edhe pse na thatë se me pasë gjithnji nji kpucë e vjetër për nji kambë të shtrembtë… harruen me na thanë se  ka me pasë gjithnji e ma shumë, mendje të “shtrembta”, se sa kambë të shtrembta.
Ata na shtynë me besue se ka nji formulë magjike me qenë  i lumtun, e njejta për të tanë, dhe krejt ata që kërkojnë me i bishtnue kësaj gjaje janë të dënuem me mbetë anash… po s’na thanë se ksi formulash nuk funksionojnë, ato veç i çorodisin njerzit, i tjetërsojnë ata; edhe pse ka edhe alternativa të tjera, ah…  s’u kujtue kush me na thanë se askërkush s’ka me na i kallzue të tana këto.
Çdonjenit prej nesh i duhet me i zbulue vetë. E kështu, kur ju jeni tejet i dashuruem me vetvedin, keni me qenë aq të lumtun, sa me siguri keni me dashtë dikënd…
Përktheu Jozef Radi

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.