back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Jeta, Vepra dhe Pesë Poezi nga Hilë Mosi (1885-1933)

Gazeta

 

Hile Mosi (1883-1933)
Hile Mosi (1885-1935)

Jeta, Vepra e Pesë Poezi nga Hilë Mosi (1885-1933)

Hilë Mosi (Shkodra, 22 prill 1885 – Tiranë, 21 shkurt 1933)
qe veprimtar dhe përhapës i çështjes kombëtare,
letrar, botues, nëpunës, politikan dhe ministër i shtetit shqiptar.
 .
Leu në Shkodër, i biri i Mark Mosit, familje me origjinë krejt të rishtë nga Mosi i Shllakut.
Hila muar mësimet fillore në shkollën teknike italiane, më pas në Kolegjin Saverjan të Jezuitvet e më vonë ndoqi degën e mësuesisë në Shkollën Normale të Klagenfurtit. Duke ndjekur shembullin e të atit, që në moshë të ré, ìu kushtua propagandës kombëtare e duke u gjetur në Vjenë, në 1902 me shokë tjerë shqiptarë nën kryesinë e Gjergj Pekmezit u punësua në shoqërinë letrare “Dija”, e cila mot për mot botoi një kalendar, dhe nxori një fletore me emër “Vllaznija”[1].
U kthye në vendlindje kur u shpall Kushtetuta më 1908, me Tashko Ilon pruri nga Bukureshti himnin e flamurit thurur nga Asdreni[2]. Në Shkodër hapi klubin “Gegnija”, në emër të të cilit ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit.
Më 1910-1911 shkon në Stamboll me rekomandimin e P. Jul Bonatit ku së bashku me ikanakët nga Struga, Ibrahim Mehmet Naxhin dhe Dervish Himën, dhe Eqrem bej Vlorën[3] botonte gazetën “Shqiptari”[1].
Merr pjesë aktive në Komitetin e Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909-1912), ku luftoi edhe me armë në dorë në krah me Risto Siliqin. Kur u shpall Pavarësia gjendej në Trieste, ku do të ishte edhe pjesëmarrës në Kongresin e mbajtur më 1913[1].
Më 1914 formoi shoqërinë “Klubi Lidhja Kombëtare” në Shkodër, duke qenë edhe kryetar i saj[1]. Organizata “Krahu Kombëtar” me anë të Sotir Pecit dhe Sejfi Vllamasit i propozon për pjesëmarrjen në këtë organizatë, Mosi refuzoi duke mos dashur të kufizonte lirinë e vet politike[4]. Në shkurt 1914 në Durrës i bëhet thirrje nga Esad pashë Toptani të marrë përsipër postin si Drejtor të Përgjithshëm të Sigurisë së Shqipërisë. E pranon, por më 1915 me pushtimin e rishtë malazez të Shkodrës, internohet në Podgoricë. Në vitet 1916-1918 të administratës nën pushtimin austriak, riemërohet shef policie i Shkodrës dhe dha kontributin e vet në Komisinë Letrare, si anëtar i saj. Më 1919 me bashkimin e shoqërive “Mustafa Pasha” me “Vaso Pasha” themelon shoqërinë e vetme “Vllaznija”[1], organ i së cilës qe e përkohshmja “Agimi” drejtuar nga Kristo Floqi[5].
Më 1920 qe senator i pref. së Shkodrës në Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë dhe në vitet 1921-1924 u zgjodh për dy legjislatura rresht deputet i së njëjtës prefekturë[6]. Qe delegat dhe përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në Gjenevë. Më 3 mars 1921 zgjedhet sekretar i Këshillit Kombëtar, më 1921-1922 dhe prapë në maj 1924 u emërua prefekt në Korçë. Më 3 gusht 1923 mban fjalën mortore me rastin e shuarjes së atdhetarit Pandeli Cale.
.

Kanga e Bylbylit - Hile Mosi
Kanga e Bylbylit – Hile Mosi
Në Korçë zëvendësohet nga Spiro Koleka prej qeverisë Noli të dalur nga Lëvizja e qershorit dhe emërohet më 2 tetor të po atij viti prefekt në Gjirokastër.
Me Triumfin e Legalitetit u shtrëngua të emigronte jashtë vendit. Në gusht 1925, pasi u amnistua nga Ahmet Zogu, së bashku 59 të tjerë, midis të cilëve shumë policë e xhandarë, u kthye në atdhe. “Qeveria Zogu” më 10 gusht 1925 e caktoi përsëri prefekt në Korçë. Në këtë detyrë Hila qëndroi deri në fund të vitit 1926.
Në fillim të vitit 1927, Hilë Mosi, u emërua inspektor i Kryesisë së Republikës, por sipas vendimit të kryetarit të Republikës, më 16 janar 1927, dhe me Vendimin e Këshillit të Ministrave, më 27 janar 1927, rezulton të ketë qenë i emëruar “Inspektor i Përgjithshëm i Administratës”, duke i dorëzuar detyrën e prefektit Zef Kadares, i transferuar nga Berati në Korçë. Sapo erdhi në këtë detyrë, Hila, realizoi transferimin e komiserit të Policisë së Korçës, mikut të tij, Zef Mirdita, në detyrën e “sekretarit të Inspektorisë së Administratës”[7]. Pas kësaj detyre, më 24 tetor 1927, u emërua ministër i Punëve Botore dhe zv/ministër i Punëve të Jashtme, ku qëndroi deri në 16 nëntor 1927, zëvendësuar nga Salih Vuçitërni. Atë vjeshtë i ra fatkeqësia e vdekjes së të birit, Mirit.
Rikthehet në pozicionin e prefektit të Korçës deri kur më 6 mars 1930 qeveria e Pandeli Evangjelit i jep detyrën e ministrit të Arsimit. Gjatë asaj kohe u njoh Petro Markon atëkohë i papunë, dhe e porositi “shkruej poezi, poezia asht forma ma perfekte e artit”[8] dhe e sistemon si mësues në Dhërmi.
Në polemikat e shtypit të kohës, mes Hilë Mosit e Át Anton Harapit tek Hylli i Dritës, u dëtyrua Fishta t’i shkruante një polemikë klasike që në sintezë i thoshte “Gabove Hilë!” siç kishte edhe titullin. Polemikë të cilën, bashkë me pjesën “Bujari”, Mosi s’e kapërdiu.
Vdiq në Tiranë më 21 shkurt 1933, në ceremoninë e varrimit të tij në Shkodër me 23[9] foli në emër të qeverisë Mirash Ivanaj.[1]
.

Veprimtaria letrare

Thamë më përpara se Hilë Mosi duke qenë ende në moshën e re nisi të shkruante nëpër fletore shqipe vjersha dhe aty-këtu edhe proza; kështu, gjithnjë nxënës n’Austrí, bashkëveproi rregullisht me “Albania”-n e Konicës me pseudonimet Zog Sakoli, Sakoli, Zog Dushmani, Lirijasi, Speci etj. gjithashtu edhe ndër të përkohëshmet e kohës si “Drita” e Sofjes, “Kombi” i Bostonit, “Albania” e Beogradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnís” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija e Selanikut”, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Ortodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, i së cilës qe kryeredaktor, “Agimi” i Shkodrës etj. Në vitin 1913 themeloi dhe drejtoi bashkë me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavshme “Shqypnija e Ré”, e cila e vijoi botimin deri në plasjen e luftës botërore.
Në vitin 1913 botoi në Trieste një grumbull poezish me emrin “Zâni i Atdheut”, vjersha atdhetare të përpiluara, më të shumtën, mbas frymës popullore, ku qëndron si faktor i parë malli për atdhe. Në ketë përmbledhje Mosi këndon Shqipërinë kur kjo vuante, dhe kur copëtohej prej diplomacisë së pamëshirshme evropiane, për të ngopuë lakmít e popujve fqînj. Vepërza “Lotët e Dashunís”, e botuar në vitin 1916 përfshinë një tubë lirikash me lëndë të ndryshme dhe me masa vargu gjithfarësh; një pjesë e këtyre janë originale, të tjerat janë përkthime të lira autorësh gjermanë si Goethe, Schiller, Heine, Koerner, Lessing etj. Këtij vëllimi i bëni një botim të dytë me titullin “Lule Prendvere” duke i shtuar vjersha dhe balada të reja dhe duke përmirsuar të parat.
Tek e përkohshmja “Agimi” vlen të përmendet studimi historik mbi Vlorën e kohës së mesme, të nxjerrur nga vepra e historjanit Kostandin Jireçek-ut, i cili bashkë me Milan Shuflaj dhe Tallotzin mblodhën dokumentet e historisë së Shqipërisë dhe i botuan në dy vëllime të mëdha me titull “Acta et Diplomata res Albaniæ Mediæ illustrantia”.
Në një vëllim të vogël përmblodhi në 1924 në titullin “Kangët Shqipe” disá prej vjershave të veta dhe të shokëve të vet që këndoheshin prej kryengritësve nëpër malet shqiptare në luftërat kundra Turqisë, ndër të cilat mori pjesë edhe ai vetë në malet e Shkodrës dhe të Korçës.
Edhe si përkthyes penda e këtij shkrimtari njihet nëpër “Cubat” (1928) vepër e Frederik Schiller-it, të cilën e ka punuar lirisht duke ìa përshtatë gjendjes shqiptare; nëpër “Filja” dramë tri aktesh nga Theodor Koerner-i, duke e sjellur ngjarjen në Kurbî rreth kullës së Kapitan Gjekajt; nepër komeditë e Goldonit: “Shërbëtori i dy zotnive” e “Dy Shërbëtorët”. Poezítë e Hilë Mosit me përmbajtje kombtare nuk kanë një vlerë aq të madhe artistike, por të gjitha janë të veshura me ndìesí të holla atdhetare, familjare e shoqnore, dhe meritojnë të çmohen për zgjedhjen e shprehjevet dhe për kumbimin melankolik e të thekshëm. Një meritim të veçantë për historinë e letërsisë shqiptare ka Hila për poezinë prej 138 vargjesh me titullin “Natyra” (Albania, Vit X. nr. 10-11-12, 1906, fq. 188-191 në të cilën takohet prova më e parë e përshtatjes së heksametrit në shqipen, provë e cila ká dhënë nji përfundim të pëlqyeshëm.
.
Hile Mosi (1885-1933)
Hile Mosi (1885-1933)

Pesë Poezi nga Hilë Mosi

Dashuni në kangë

 Kot un’ fjal’ jam tue menduemun
Me e treguem kët’ zjarmin tim!
Ça s’m’ban goja me diftuemun,
Un’ ta çfaqi ty n’këndim.
 
Kanga vetëm e tingllueshme
Dashunin gjith’ ta tregon;
Ca mshefi buza e dishrueshme,
Vetëm lodja! ta difton.
 
Kët’ zjarm e kto dishrime,
Q’un’ në zemër ndryj pa ndà,
M’i kupton veç zemra e ime,
Që në zemër ndrye m’ka.
 
Ti, o kang’ prej zemrës dalun,
Shkon edhe asaj m’i thuej:
Se kët kang’ un’ ja kam falun,
Mallin tim se si ta shuej!
.

Dashunia

Ça zemren teme kështu sot pesh’ ka çuemun?
Pse sot qetsi nuk kan’ kto mendt e mia?
Çmos kurr’ pse ma e re po m’ngjan djelmia
E zemra her’ asht n’gzim e herë e hutueshme?
 
Po e dij mjaft mirë, se jam tue provuemun:
Në zemër teme ndrye asht dashunia,
E n’mende teme sjellet fantazia,
Tue m’lan n’dyshim e nga nji her’ të gzuemun.
 
Un’ kaq të flakt’ s’e pata kurr’ kujtuemun!
E dijshe t’vogel krejt sikur shkëndija,
Që veç nji çast flakron, së shpejti prap m’u shuemun.
 
Po tash po e ndiej, se po ma njeh fuqia,
qi n’trupin tem gjithnji vjen tue u ndrruemun,
P’e dij se ç’asht ajo: asht “bukuria”.
.

Djali Shqiptar

Unë jam nji bir shqiptari
e Shqipninë e due.
Kujdes na la i pari
m’e dashtë e m’e nderue.
 
Se ne atë e kemi nanë,
prandaj s’do lodhem kurr’ tue thanë:
Un’ jam nji bir shqiptari
e Shqipninë e due.
 
Un’ jam nji bir iliri
e i lirë un’ due me mbetë;
për çfardo xhevahiri
Shqipnin’ s’e jap përjetë.
……………………………’
 
Un’ kombin kurr’ s’kam m’e mohue,
gjithmonë, gjithkund ka m’u diftue:
Un’ jam nji bir arbnori,
shqiptar besnik i mirë.

Gjuha Shqipe
Gjuha Shqipe

Shegës së Kopshtit

 Pak vjet, o shegë, qi t’mbolla
E ti je rritë e shkue!…
Em bir me duerët e njoma
M’ndihmoj pleh n’rrâjë tue lshue…
 
E m’thotë: “O atë, kur t’rritet,
As kjo do t’jet’ për mue?”
“Po bir – un iu përgjegja –
për ty jam tue e vu!”
 
T’shiqoj, o shegë, e ngrihem,
Kah t’shof me fryte plot!
E kah mâ tepër rritesh,
Mâ e madhe ti çdo mot,
Mâ shum për mbrenda digjem
E syt më mbushen m’lot!
 
Ti helmin t’m’a kuptojshe,
Moj shega e njomë e e ré…
Ti ndofta s’do t’m’shiqojshe
Kaq gaz edhe haré,
Por ftyren do ta mvrojshe,
Do t’m’kqyrshe shum mâ zbét,
 
Se aj, qi ty t’plehnojti,
Qi ty aq fort t’gjallnojti,
Moj shegë, sot kalbet m’dhét!
.

Gjuhës Shqype

Gjuh’ e ambël, gjuh’ amtare,
Je ambla gjuh’ shqyptare!
Gjuh’ e nalt’ për Perëndi,*
T’cilt ndër koh’t që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh’ e ambël, plot dashtni!
 
Gjuh’ e shejt’ e kaq e moçme.
Gjuh’ sakole** der n’dit t’soçme,
Shoqen tande kund s’e gjen!
Zoti ty këtu t’ka çuemun:
T’rrebt’ e t’bukur e t’kulluemun,***
Kshtu gjithmon’ ti ke me qenë.
 
Gjuh’ që t’foli Skendërbegu,
Dhe ndër t’par’ qe Naim Begu,
Që me shkrim t’pat lartësue.
Ty t’kan’ fol’shum’ kapidana,
Burra t’rrebt si t’ishin zana;
Gjuh’ e rrebt, ti qofsh nderue!
 
Gjuh’ e bukur si pranvera,
Ti s’do t’quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t’rritë.
Bashk’ me t’tjerat shoqe tueja,
Se ma s’dona zhele t’hueja
Veç duem ty me t’pa në dritë.
(Vjenë) 14.I.1907
.
*) poeti imagjinon sikur me gjuhën tonë folën perënditë e orakujve të lashtë të Dodonës etj.
**) për: gjuhë trimëreshë;
***) tre veti që ka gjuha jonë.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.