back to top
19.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Maj, 2024

Jeta dhe Vepra Poetike e Lazër Radit – nga Sali Bytyçi

Gazeta

Lazër Radi (1916-1998)
Lazër Radi (1916-1998)

Jeta dhe Vepra Poetike e Lazër Radit

nga Sali Bytyçi

Jeta e Lazer Radit

Lazër Radi ka lindur në Prizren më 29 janar 1916, dhe ishte i fundit i pesë fëmijëve të
Prend Çup Radit dhe Gonxhes së Kolë Vilës nga Shkodra. Fisi i Radëve ishin vendosur në Bishtazhin (rrethi i Gjakovës), pasi kishin rënë nga Mirdita në ato vise në shekullin XVII.
Shkollën fillore dhe tre vite të shkollës së mesme Lazri i ndoqi në qytetin e lindjes në vitet 1922-1929.
Pasi nuk ishin paraqitur në shërbimin e detyruar ushtarak të dy vëllezër të tij, në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, më 1929, familja e tij u arratis në Shqipëri dhe u vendos së pari në Tiranë e më pas në Durrës. Lazri i ri punonte në restorantin e vëllait të madh (nga i ati), Prengës. Më 1931 i vdes babai, ndërsa në vitet 1930-1931, nis shkollën në gjimnazin e Tiranës. Më 1931, nga ministri i Arsimit, Hilë Mosi i jepet një bursë për t’i ndjekur mësimet në gjimnazin e Shkodrës. Në këtë kohë vendoset në konviktin “Malet Tona”, ku mësonin edhe nxënësit kosovarë: Emin Duraku, Hajdar Dushi e Haki Taha dhe ata e grupit përparimtar: Qemal Stafa, Xhemal Broja e Arshi Pipa. Për pak kohë ishte pjesë e celulave të para komuniste të Grupit Komunist të Shkodrës.
Në verën e vitit 1936, kalon në shkollën verore të Pukës, ku jepte mësim e motra. Aty u njoh me poetin Migjeni.
Më 1938, iu dha një gjysmë burse nga ambasada italiane dhe po këtë vit nis Jurisprudencën në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Ku e kishte ndihmuar Musine Kokalari për të gjetur banesën e parë. Më 1942, doktoron me 110/110 në Filozofinë e së Drejtës dhe ftohet si asistent profesor në katedrën e profesorit Vito Cesarini Sforza. Por, Lazri vendos të kthehet në atdhe më 1942, në Shqipëri, ku nis stazhin e avokatisë pranë studios së avokat Golgotës në Durrës.

Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939 Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939
Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.

Gjatë periudhës 1942-1944, punon si sekretar në zyrën e Strehimit për të huajt. Për më shumë se një vit publikon shkrime në gazetën “Bashkimi i Kombit” me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”. Martohet më 6 dhjetor 1943, me Vitore Vushmaqin. Më 1944, merr licencën e avokatit dhe bën punën në këtë profesion deri më 23 nëntor 1944, kur u arrestua nga partizanët, që kishin shtënë në dorë kryeqytetin shqiptar. Në prill të 1945, u gjykua në Gjyqi Special, ku u dënua me 30 vjet burgim, me arsyetimin se përmes pub¬licistikës kishte bërë politikë kundër ideologjisë komuniste.
Më 1944-1954, kohë që vuan burgimin, i bie të jetë në qeli me Mirash Ivanajn, Petro Markon, Jusuf Vrionin etj. Mbas ngjarjeve të bombës në Ambasadën sovjetike në Tiranë, më 1952, iu arrestua edhe e shoqja, e cila u dënua me dhjetë vjet burg dhe punë të detyruar, po që pastaj lirohet mbas gjashtë vitesh, pasi rezulton me TBC.
Gjatë kohës së burgut në Tiranë krijohet sektori i përkthimeve, ku Lazri do të ishte pjesë e atij grupi të për¬bërë nga intelektualë të lartë, si Mirash Ivanaj, Mihal Sherko, Mit’hat Araniti, Jusuf Vrioni, Dhimitër Pasko, Nedim Kokona ej.
Më 1954, lirohet nga burgu, dhe ende pa i mbushur dy javë internohet fillimisht në Savër e më pas në Shtyllas e Radostine, pastaj në kampin e 100 Intelektualëve në Kuç të Kurveleshit, deri më 1958. Në vitin 1956, lirohet nga burgu e shoqja dhe, në kampin e Kuçit, iu lind fëmija i parë, Jozefi. Në vitet 1958-1960, vazhdon të jetë i internuar në kampet e Gradishtës dhe Çermës. Më 1959 u lind fëmija i dytë e më 1963 i treti. Në vitet 1960-1990 jeton fami¬ljarisht në kampin e Savrës. Punon si mekanik, murator, marangoz, hekurkthyes e disenjator me piktorin e kampeve Lek Pervizin. Me 1974 e kalojnë në bujqësi si punëtor krahu, deri kur del në pension pleqërie më 8 tetor 1976. Më 1982, demaskohet publikisht si “Armik i popullit” dhe i pakënaqur nga regjimi komunist, e në rrezik të burgosej sërish!
Pas rënies së komunizmit kthehet në Tiranë, pas 46 vjetësh që e kishin detyruar të jetonte larg saj.
Në vitet 1992 e deri më 1997 boton shkrime të ndryshme, studime dhe artikuj.
Në vitin 1993, së bashku me të birin, Jozefin, boton vëllimin poetik “Muret e Muzgut”.
Në vitet 1994-1998, boton gazetën “Bashkimi i Shqiptarëve”.
Në vitet 1993-1998, boton pesëmbëdhjetë tituj librash.
Më 23 shtator 1998, ndërron jetë në qytetin e Tiranës.

Lazer Radi dhe Pashko Gjeçi - Tirane 1993
Lazer Radi dhe Pashko Gjeçi – Tirane 1993

Në vitin 2018 ka nisur botimi i veprës së plotë të Lazër Radit në 18 vëllime, ndërsa në vëllimin e shtatë ka zënë vend vepra e tij poetike, në të cilën janë vendosur shkrimet e tij nga viti 1934 e deri në fund të jetës.
Lazër Radi është marrë me publicistikë. Në vitet 1935-1938, ka publikuar në shtypin e kohës, në gazetat si: “Shtypi”, “Kombi”, “Drita”, “Diana”, me emër, me inicialet L.R., apo me pseudonimet Lara, Lapredi, Ladi.
Ishte ndoshta i pari që ka bërë shkrimin për vdekjen e Migjenit, në gazetën “Drita” në shtator 1938, “Migjeni si poet e si njeri”. Pas pushtimit italian dhe bashkimit të kurorës, bashkëpunon me gazetën “Tomorri” dhe “Tomorri i vogël” me një seri artikujsh, gjersa ndalohet me protestë të ambasadës jugosllave. Pas kapitullimit të Italisë, në vitet 1943-1944, bashkëpunon me gazetën “Bashkimi i Kombit”, që drejtoi Akile Tasi.
Në periudhën e fashizmit, ka publikuar në seri shkrimesh sociologjike, të cilat përbejnë broshurën e parë sociologjike “Fashizmi dhe fryma shqiptare”, me parathënie të neo-shqiptaristit Vangjel Koça, e cila më vonë do t’i sillte pasoja.
Në vitet 1985-1990, shkruan e përkthen disa vepra. Në këtë kohë nis të shkruajë kujtimet në tre vëllime, përgatit dy libra me poezi, plotëson veprën “Një verë me Migjenin”, përmbledh kujtimet mbi Mirash Ivanajn. Më 1994, botoi librat dokumentarë “Misteret e një Ministri” mbi Ivanajn dhe “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, më 1995 botoi librat me përkthime “Epopeja e njeriut” të vëllezërve Ivanaj.
Më 1997-1998 botoi të parin studim mbi Gjyqin Special me titull “I pari Gjyq Special në Shqipëri”, memorialin “Shqipëria në vitet ‘30” dhe novelën “Apollogjia e Sokratit në Tiranë”. Ditën kur dha shpirt doli nga shtypi libri mjaft i dashur për të: “Një verë me Migjenin”, ku përshkruan 110 ditët e kaluara me poetin në Pukë dhe rolin në botimin e parë të vëllimit “Vargjet e lira”.
Lazër Radi është marrë edhe me përkthime. Ai ka përkthyer poemën e jashtëzakonshme të Jevrem Bërkoviqit “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, e cila u botua vetëm më 1994. Më 1995 botoi përkthimin e veprës “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” të prijësit malazez, Mark Milani. Në vitet 1997-1998 vijoi të botonte përkthimet e disa prej veprave të Platonit dhe “Qytete dhe Fantazma” të Jovan Duçiqit. Edhe pse në kushte tejet të vështira, ka arritur të përkthejë disa vepra të Frojdit, Jungut dhe një “Enciklopedi të historisë së botës”.
Përveç tyre, disa vepra të rëndësishme të përkthyera nga Lazër Radi, të mbetura në dorëshkrim, janë botuar në vitin 2020.

Lazer Radi - Poetika - 2019
Lazer Radi – Poetika – 2019
Veprat poetike e Lazër Radit

Në vitet ’90, Lazër Radi ka botuar vëllimet poetike: “Muret e Muzgut” (vëllim i përbashkët me djalin e tij, Jozef Radin, shtëpia botuese “Lilo” – 1993), “Shpresa vdes e fundit” (Shtëpia botuese “Liria”, Tiranë 1996) dhe “Anzave të Sharrit” (1998).
Lazër Radi krijimtarinë e tij poetike e ka filluar në vitet ’30 të shekullit të njëzetë. Ishte jo vetëm bashkëkohës i Migjenit, por edhe mik me të. Në Pukë për një vit kishin qëndruar bashkë, më 1936, kohë për të cilën Radi ka lënë edhe një libër – “Një verë me Migjenin”.
Poezitë e para luftës, aq sa ka arritur t’i nxjerrë nga shtypi i kohës (18 poezi), janë botuar në fillim të Poetikës, që është vepra e shtatë e kolanës, nga i biri, Jozef Radi, i cili thotë se nuk ka arritur t’i gjejë të gjitha ato që i kishte publikuar nëpër gazeta e revista të ndryshme i ati i tij përgjatë asaj kohe. Jozefi, në hyrje të këtij libri, shprehet se është i bindur se do të gjenden edhe krijime të tjera të publikuara në shtypin e asaj kohe, por jo edhe dorëshkrimet e autorit të cilat janë djegur një mbrëmje terrori të shkurtit 1951, pas “bombës” së hedhur në Ambasadën Sovjetike, me ç’rast i arrestuar ishte edhe vëllai i Lazrit, Baltoja, “lirimi i të cilit bani hi thesin e dorëshkrimeve! Sikur të kishte mbijetue ai thes dorëshkrimesh do të kishim nji tjetër diskurs ndaj poezisë dhe veprës së Lazër Radit”.1
Ndërkaq, një gazetar i viteve ’30, Jani Lili, ka lënë të shkruar diç për veprën e Lazër Radit të asaj kohe, në mënyrë të veçantë për një poemë të cilën poeti e kishte përgatitur për shtyp. Gazetari e kishte pyetur Lazrin çfarë po punonte dhe ai i ishte përgjigjur: “Kam gati për botim një vjershë sinfonike, që kam në punim këtu e tri vjet”. Në vazhdim për këtë poemë, gazetari lë këtë shënim: “Sa për këtë libër të ri të Radit kisha nderin ta shijoj vlerën e tij në dorëshkrim. Në këtë vepër të re sado që i vjetër për poetin që sjell titullin ‘Toka e vdekun’ vizatohen shqetësimet e nji epoke të tërë. Me një dridhje danteske del si përfundim dëshira e çlirimit, nji dëshirë e gjallë për nji jetë të re. Poeti kërkon flakën e pastrimit që do të sjell dhuratën e ringjalljes. Një jetë e shkuar pa frute dhe përbri shquhet dëshira, tensioni i poetit, tension dhe dëshirë e gjithë rinisë së re për nji jetë të sigurt, për nji të arthme të ndritur.
Është nji vjershë sinfonike e fortë që përmbledh ankimet dhe shqetësimet e epokës së kaluar…”2 (Gazeta Tomori, e premte, 20 prill 1940).

Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina - Pukë 1936
Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina – Pukë 1936

Kur jemi te kjo poemë, vetë titulli “Toka e vdekun”, si dhe te komentimi i shkurtër që i bën përmbajtjes së saj dhe ndërtimit, gazetari Jani Lili, kjo vepër e humbur na e kujton poemën “Tokat e shkreta” të Eliotit. A ka pasur rastin ta lexojë poemën e Eliotit, Lazër Radi, kjo mbetet për t’u vërtetuar.
Lazër Radi si krijues është formuar në gjysmën e dytë të viteve ’30 të shekullit të kaluar, kohë në të cilën, sidomos me shfaqjen e Migjenit, po edhe të të tjerëve, paradigma e poezisë shqipe nga romantike nis të kalojë në poetikën moderne. Jo vetëm vargu i lirë po edhe gjuha, edhe sintaksa, edhe figuracioni dhe ndjeshmëria lajmërojnë një tranzicion të tillë të poezisë shqipe në këtë kohë.
Poezitë e Radit, të botuara para luftës, janë poezi të rinisë të cilat paralajmërojnë një poet të veçantë, në të cilat ndihet një ndikim i poezisë së Migjenit dhe asaj të Lasgushit, dy poetëve modernë, po shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri; ndikimi i Migjenit vërehet në motivet, në frymën, në ndjeshmërinë dhe mënyrën e thurjes së vargut, ndërsa ndikimi i Lasgushit ndihet në poezitë për detin, tri poezi: “Perëndim mbi det”, “Stuhi mbi det” dhe “Agim mbi det”: liqeni i Lasgushit te Radi në poezinë e Lazrit është zëvendësuar me detin.
Vargu i poezisë së Radit është një varg që përshkohet përmes formës klasike dhe asaj moderne, përmes vargut të lirë dhe vargut të lidhur, përmes ritmit dhe rimës, po edhe aty ku forma është klasike, si te soneti “Mesnatë”, ndjeshmëria është moderne.
Në sonetin “Mesnatë” drita që bie mbi tokë nga hëna lidh kozmosin me tokën, ndërsa poeti kap çaste të cilat i kthen në përjetësi:

Veli largohet – sikur kohën ka grabitë,
Deti vetmohet, gjithshka struket në fashë,
N’vegim gazmova, e në shpirt mahnitë.3

Vëllimi i parë i përbashkët poetik, i Lazrit dhe Jozef Radit, i botuar më 1993 është “Muret e Muzgut”, në të cilin vetëm dy poezi, e para “Tokë e Shenjtë” dhe e pesta “Stinët e mia” janë shkruar në vitin 1991, të tjera janë krijuar para këtij viti, nga vitet pesëdhjetë e tutje. Shumica e poezive në fund kanë datën apo vendin e krijimit, dhe përveç poezive të shkruara në burg që dihet se janë të Lazër Radit, poezitë tjera të shkruara në internim, nuk dihet saktë cilat janë të Lazrit dhe cilat të Jozefit, po dihet që janë të shkruara para vitit 1991 dhe, po ashtu, të shkruara në internim.
Fjalën e hyrjes për librin e parë e ka bërë Visar Zhiti, edhe ky poet i burgosur. “Lazër Radi, gjithë jetën e tij pas Luftës së Dytë Botërore e kaloi burgjeve dhe internimeve, nëpër baltën infernale të diktaturës”.4
Poezia “Tokë e Shenjtë”, në mënyrë alegorike tregon për fundin e komunizmit: si hebrenjtë të cilët dalin nga Egjipti, tani shqiptarët dalin nga komunizmi:

“Hiqi sandalet, o udhëtar,/ zbathun shkeli livadhet/ e Tokës së Shenjtë!”5

Lazër & Jozef Radi "Muret e Muzgut"
Lazër & Jozef Radi “Muret e Muzgut”

Vëllimi i dytë poetik i Lazër Radit “Shpresa vdes e fundit”, u botua në Tiranë më 1996, nga shtëpia botuese “Liria”, ndërsa fjalën e hyrjes, një fjalë poetike në prozë, e ka shkruar i biri i tij, njëherësh edhe bashkëvuajtësi i tij në internim, Jozefi. Poezitë në këtë vëllim janë të ndara në tre cikle: “Humbëtirat e Heshtjes” (28 poezi), “Lulediellet” (54 poezi) dhe “Shtigjeve të Shpirtit” (33 poezi). Në këtë vëllim, poezitë në fund nuk mbajnë ndonjë shënim, ku apo kur janë shkruar sepse, këtë e thotë në fjalën e tij Jozefi, në këtë kohë ka filluar falsifikimi i datave në fund të krijimeve: “Si çdo gja e kësaj bote, edhe çdo faqe e këtij libri e ka të shënueme nji datë dhe nji ditë, po ai para teje o kalimtar i lodhun, shfaqet pa datë; pse sot shumë shkrues të lashtë e të rinj, kanë nisë me i përdorë datat e së shkuemes në fund të fletëve, si kapital për t’arthmen e tyne, prandaj ky libër i padatë, vazh¬dimisht i ngjan asaj pemës, tashma pa gjethe, ku ti mundesh m’e dallue llojin e saj prej formës së trungut, prej lkurës së trupit, o prej degave t’saj t’harlisuna”.6
Vëllimi i tretë poetik i Lazër Radit, është “Anzave të Sharrit”, i botuar më 1997. Edhe këtij vëllimi fjalën e hyrjes ia shkroi i biri, Jozefi, për të cilin thotë se shumica e krijimeve janë shkruar pas viteve ’90. “Në konfidencë me lexuesit mundem me kallzue, se në këtë vepër ai përmblodhi gjithçka poetike që kishte të shkrueme dhe disi me ngut, desh me e pa të kryeme e të botueme poezinë e tij në të gjallë. Ai desh me e pa dhe me e prekë me dorë të vet kët vepër, mbasi mendonte se ajo ishte thellësisht autobiografike e thellësisht e mbrujtun me nostalgji e që lidhej ma së shumti me andrrën e tij të parealizueme: kthimin në vendlindje, në Prizrenin e tij të dashtun, mbas gati 70 vjet largue”.7
Subjekti i poezive të Lazër Radit, të shkruara në burg apo kampe pune, është njeriu pa emër, pa identitet, pa Un-ë, njeriu i nëpërkëmbur nga dhuna e pushtetit. Jeta e këtij subjekti është një “burg” në të cilin njeriu përsiat: përsiat për vetë jetën, botën, po edhe për vetveten, për njeriun në përgjithësi. Hija në këtë botë është shtojcë e njeriut, që do të thotë që ky njeriu jeton, po njeriu i poezisë së Lazër Radit është hije, ose njerëzit janë hije.
Sikur edhe në poezinë e Arshi Pipës, të Visar Zhitit etj., edhe në poezinë e Lazër Radit hapësira ku jetojnë të bur¬gosurit e të internuarit i ngjason hapësirës së Ferrit të Dantes:

Si stuhi ranë,
ku s’shifet asgja,
(……………………)
e n’heshtje varri kredhë,
grusht strukë prej frike,
mbështjellë n’mjegullnajë,8 (Njerëz Hije)

Ai, dhe ata me të cilët gjendet në një vend, jetojnë apo nuk jetojnë, janë hije njerëzish apo njerëz hije? Atmosfera në të cilën jeton ky subjekt lirik i kësaj poezie është danteske. Edhe vargu “stuhi ranë” sikur është i marrë nga “Ferri” i Dantes. Çfarë janë këta?

Kampi i Çermes - 1958 në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 në krye
Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Fosile t’hjedhuna
n’udhëkryqe të pavetëdijes9

Janë fosile që nuk u ka mbetur tjetër përveçse t’i luten Zotit t’i marrë e mos t’i lërë kështu të vdekur e të pa varrosur.
Në poezinë e Lazër Radit “Gjana që s’mund t’harrohen lehtë”, kujtohen tmerret që i kishin përjetuar të burgosurit, dhe të cilat nuk mund të harrohen:

A asht e mundun m’u harrue
dëshirat e shkeluna qelish të hjedhuna,
fëmijtë që lindnim e ndër duer na vdisnin
kur “t’lumtunit” lavde i thurnim dhunës?10

Po ka raste kur Lazër Radi ik nga atmosfera e burgut dhe i këndon dashurisë së vet. Kjo ndodh në poezinë “Vetëm për ty”. Poeti, për t’i kënduar asaj që do, këngën do t’ia rrëmbejë bilbilit, ngjyrat do t’ia rrëmbejë ylberit, Orfeut do t’ia rrëmbejë lirën, dhe vullkanit do t’ia rrëmbejë zjarrin:

e me shpirt të përvëluem,
me afsh të ndezun zhar,
pishtar do t’bahem e n’flakë djegun të dy
unë kangën time
do ta këndoj për ty,
vetëm për ty.11

Poezia e Lazër Radit është poezi moderne, vazhduese e poezisë së viteve ’30, është një poezi që zë një vend të veçantë në poezinë e të burgosurve dhe të të persekutuarëve të regjimit komunist në Shqipëri, po që do të ketë edhe një vend të nderuar në poezinë e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.

Sali Bytyqi
Sali Bytyçi
Bibliografia

Jozef Radi: Fluturim mbi veprën poetike të Lazër Radit dhe pak histori rreth saj… , f. 6 (Shih: Lazër Radi, Poetika, Shtypshkronja “Jozef”, Durrës 2018).
Shih: Jozef Radi: Fluturim mbi veprën poetike të Lazër radit dhe pak histori rreth saj… , f. 6-7 (Lazër Radi, Poetika, Shtypshkronja “Jozef”, Durrës 2019).
Lazër Radi, Poetika, Shtypshkronja “Jozef”, Durrës 2019, f. 11.
Lazër Radi, Poetika, Shtypshkronja “Jozef”, Durrës 2019, f. 34.
Lazër Radi, Poetika, Shtypshkronja “Jozef”, Durrës 2019, f. 37.
Lazër Radi, Poetika, Shtypshkronja “Jozef”, Durrës 2019, f. 102.
Lazër Radi, Poetika 7, botimet …, Tiranë, f. 239-240.
Lazër Radi, Poetika 7, botimet …, Tiranë, f. 46.
Lazër Radi, Vepra 7, botimet …, Tiranë, f. 46.
Lazër Radi, Vepra 7, botimet …, Tiranë, f. 70.
Lazër Radi, Vepra 7, botimet …, Tiranë, f. 71-72

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.