Jam pendue…
nga Rozafa Shpuza
Jam pendue se kajherë kam harrue me ujit lulet në ballkon e prej pakujdesisë teme ato janë tha…
jam pendue, kur nade herët, nuk kam hapë grilat e kam mbetë pa u mrekullue prej rrezeve të para të dillit e cicrimave të hareshme të zogjve…
jam pendue që nuk kam nga’ ma shpejt, tue drashtë mos rrëzohesha në rrugicë, e kam mbetë pa i vra gjunjt e pa i ba copash…
jam pendue që u rrita e kam mbetë pa provue tana sherret e fëminisë, tue harrue se ajo kohë s’ka me u kthye ma kurrë…
jam pendue që u kam kthye krahët pëshpërimave naive të djemve, tue mos i pa në sy për me kuptue sa të kthjellët i kishin kur më thoshin “të due”…
jam pendue që padashas kam largue prej vedit miqt e vërtetë e kam afrue kallpët, pa mujt me kuptue menjiherë dlirësinë e shpirtit të sejcilit…
jam pendue që s’kam dashtë ma fort, pa pasë frikën e zhgënjimit e s’kam urrye ma thellë, pa i pshtue pendimit…
jam pendue që i kam djerrë ndjesitë rrebele e jam përmbajtë, pa e lanë shpirtin të lirë për me provue baptimën e dëshirave të mshehuna…
jam pendue që s’u kam ndenjë ma afër prindve e s’u kam thanë ma shpesh sa i dojsha, pa më shkue ndër mend se e përtejmja kishte me i thirrë aq shpejt…
jam pendue që i kam gjykue e jam diftue tekanjoze kur më kanë këshillue, pa e kuptue se kishin gjithmonë të drejtë…
jam pendue që s’kam kapë nji grusht dhé, kur u prehën nën qiparisa, pa pasë forcën me e përballue atë dhimbje…
jam pendue që s’u kam çue lule sa herë ato çilshin ndër degë, tue mos mendue se mund t’u përcillja edhe atyne mesazhin e ripërtërimjes së jetës…
jam pendue që s’kam notue kur deti ishte i ftohtë e me tallaz, por jam pshtjellë me peshqir, tue ju frigue tërbimit të tij…
jam pendue që kam vesh dorca kur kam luejt me borë e nuk e kam prekë magjinë e kristaleve të akullta…
jam pendue që ditëve me shi, teksa ecja ndër bordurat e parkut, kam hapë çadrën e s’kam lanë pikat e hallakatuna me flirtue me krrelat e mija…
jam pendue që kam vu syze të errëta, kur kam dasht me depërtue në sytë e atij që po shëtiste në pjacë përballë meje, e nuk i kam thanë çiltas sa më drithëronte ai vështrim…
jam pendue që s’kam shoqnue nji plak deri te trotuari matanë, tue harrue se një ditë pesha e moteve ka me më kërrusë edhe mue…
Jam pendue…
Oh, sa shumë jam pendue…, por e di që s’kam me zanë mend e kam me vazhdue me e përsëritë këtë refren, pa mujt me i ndalë akrepat e stinëve që rrokopujen midis mirakandjes e zhgënjimit, urimit e namës, ambëlsisë e hidhësisë, arsyes e ndjenjës, të njohunës e të panjohunës, të përtejmes dhe reales, miqve dhe armiqve, dimnit dhe pranverës.
(marrë nga muri i Fb i Rozafa Shpuzës)