back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Dr. Besim Zyma, (1901-1983) – nga Pjerin Radovani – 90 vjet më parë filloi aktiviteti i shërbimit otorinolaringologjik në Shqipëri

Gazeta

Besim Zyma (1901-1983)
Besim Zyma (1901-1983)

Dr. Besim Zyma, (1901-1983) – nga Pjerin Radovani

90 vjet më parë filloi aktiviteti

i shërbimit otorinolaringologjik në Shqipëri

Neurokirurgu i parë që ka ushtruar në Shqipëri
ka qenë Profesor Walter Lehmann nga Frankfurti (1935-1939) (link).
Ai u largua nga Gjermania si hebre gjatë nazizmit dhe ka kryer në ‘‘Spitalin Zog I”
kraniotomitë dhe laminektomitë e para.
Në vazhdim Dr. Frederik Shiroka (kirurg i përgjithshëm) dhe
Profesor Besim Zyma (specialist ORL),
asistentë të Lehmann kryen operacione neurokirurgjikale.

Ceremonia e inaugurimit te Spitalit "Zogu I" 1 Shtator 1931 (nga arkivat e MP)
Ceremonia e inaugurimit te Spitalit “Zogu I” 1 Shtator 1931 (nga arkivat e MP)

Po cili qe Besim Omer Zyma?

Lindi në Manastir në vitin 1901, nga baba shqiptar (nga Elbasani) dhe nënë turke. I ati kishte mbaruar Akademinë Ushtarake të Stambollit dhe në vitin 1912, mbante gradën e kolonelit. Gjatë luftës serbo-turke bie rob i ushtrisë serbe dhe e mbyllin në një kamp pranë Nishit, me shumë oficera të tjerë turq. Zyma fëmijë shkoi të shoqërojë të atin në atë kamp, ku qëndroi gati një vit dhe tregon se përgjegjësit serbë të kampit e trajtonin me dashamirësi, i jepnin mësime private në frëngjisht dhe e lejonin të dilte nga kampi, i shoqëruar nga një oficer turk, që Zymës fëmijë i dukej shumë i ditur. Kështu një ditë kur po ecnin sëbashku mbi shinat e trenit, oficeri e pyet:
-Përse disa nga shinat janë të shkëlqyera, dhe të tjera matanë janë të mbuluara me ndryshk? Pa pritur përgjigjen e Zymës së vogël, vetë u përgjigj – Edhe hekuri është si truri, kur punon shkëlqen, por kur rrin në plogështi dhe nuk përdoret, ndryshket dhe shkatërrohet.
Këtë shprehje Zyma e kujtonte gjithmonë. Po kështu, kur e pyesnin të atin në kamp se çfarë dëshire kishte t’i jepte për profesion të birit, ai i përgjigjej:
-Edhe fshesaxhi le të bëhet, por të jetë fshesaxhiu më i zot në qytet.
Nëna qe turke dhe qenë martuar në Shkodër, ku i ati i nënës punonte si dirigjent i orkestrës ushtarake turke. Në shtëpi flisnin vetëm turqisht. Kur babai takohej me shqiptarë fliste shqip, që për Zymën qe krejt një gjuhë e pakuptueshme. Pas Luftës Ballkanike e gjithë familja çvendoset nga Shkupi në Stamboll. Zymën e regjistruan në shkollën e mesme ushtarake, por pas disa ditë qëndrimi dezerton dhe i ati detyrohet ta çojë në gjimnazin austriak St. George, me pagesë. E filloi me qejf këtë shkollë, sepse siç shkruan në kujtimet e tij, e tërhiqte shumë mësimi i gjuhëve të huaja, veçanërisht gjermanishtja, por dhe profesione si inxhinjeria dhe arkitektura. Në këtë gjimnaz ndoqi sektorin real, ku përveç tjerash, lëndë kryesore qenë disiplina shtëpiake dhe shoqërore. Nota negative në këto lëndë, i përjashtonte nga shkolla.
Në vitin 1914, filloi lufta e parë botërore dhe pas një viti i vdes i ati. Turqia u lidh me Gjermaninë kundër aleatëve. Në atë kohë gjuha gjermane ishte mjaft e kërkuar, kështu që Zyma i ri të gjitha të ardhurat për të ndjekur shkollën i nxirrte duke dhënë mesime në gjermanisht, përkthime, derisa në vitin 1917, futet si përkthyes në Ministrinë e Bujqësisë pa shkëputje nga shkolla.
Me 29 tetor 1923, nga Ataturku u shpall Republika Turke. Zyma shkruan gjatë dhe me nderim për këtë udhëheqës.
Ende pa mbaruar lufta rregjistrohet në Fakultetin e Inxhinjerisë, por kur del në rrugë takon rastësisht pedagogun kujdestar të gjimnazit, i cili nuk e mirëpriti aspak këtë vendim të Zymës së ri. E këshilloi të vazhdonte studimet për mjekësi, duke u përpjekur t’i sillte një sërë argumentesh në favor të mendimit të tij.
Ndërsa Zyma insistonte se mjekësia ishte e gjatë dhe nuk kishte para të përballonte vazhdimin e fakultetit. Atëhere mësuesi iu kthye:
-Studenti i mjekësisë apo edhe mjeku nuk kanë nevojë aspak të jenë të pasur. Atyre u duhen një letër dhe një penë. – e mes të tjerash ai shtoi – Mjeku mund të jetë shumë i ditur, por në mungesën e guximit për të marrë vendim dhe komunikimit me të sëmurin për ta siguruar në një shërim të shpejtë, ai nuk ngjall besim tek ai i sëmurë. Më tej ai vazhdoi – asnjë mjek nuk ka vuajtur nga papunësia dhe uria.
Edhe në gabimet profesionale ose edhe në burg po të jenë, mjekët kanë pasur një trajtim shumë të favorshëm.
Nga kjo bisedë, Zyma u bind dhe po atë ditë regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë “Hajdar Pasha” të Stambollit, pa i shkuar ndonjëherë ndërmend të bëhej mjek. Fitoi konkurset si në inxhinjeri ashtu edhe në mjekësi dhe filloi të studjojë në të dy fakultetet. Pas do kohe, edhe nga këshillat e të afërmëve, me pishmanllëk la fakultetin e inxhinjerisë. Shteti turk nuk jepte bursa për shkollat e larta, kështu që gjatë gjithë kohës që i mbetej e lirë, punonte si përkthyes, për të arritur kryerjen e studimeve. Në vitin 1920-1922, plas inflacioni monetar në Gjermani, çka bëri të mundur blerjen e librave pa devizë dhe me çmime të ulta. Zyma porositë shumicën e veprave mjekësore për çdo specialitet dhe bëhet i njohur në të gjthë fakultetin për bibliotekën e tij të pasur.

Hyqmet & Besim Zyma
Hyqmet & Besim Zyma

Në vitin 1923, mbarojnë studimet grupi i parë i mjekëve të republikës dhe në ceremoninë e dipllomimit merrte pjesë dhe Mustafa Kemali. Pas studimeve emërohet asistent i kirurgjisë në spitalin “Numune”, në kryeqytetin e ri të Turqisë, Ankara. Zyma përshkruan gjatë Ankaranë e asaj kohe, me shtëpi njëkatëshe dhe rreth 20.000 banorë. Spitali qe i vogël dhe mungonin shumë specialitete. Administrohej me radhë nga një mjek i ri. Ftoheshin shumë autoritete shkencore të huaj, veçanërisht gjermanë, ndër to profesorët e njohur gjermanë Martini dhe Vogel, të cilët i pat shoqëruar Zyma. Zyma flet me respekt për korrektesën e këtyre gjermanëve.
Në një weekend i propozoi të vizitonin vendin historik Efezus, por ata në mënyrë të vendosur refuzuan, duke thënë:
-Ne nuk paguhemi për të shëtitur në vende turistike.
Qenë këto profesorë që bënë të mundur për Zymën vazhdimin e studimeve në kirurgji-gjinekologji në Universitetin e Hamburgut. Ndërkohë vazhdonte punën dhe specializimin në Numune për kirurgji-gjinelokogji, por me që nuk kishte mjek ORL, vizitonte dhe mjekonte në mënyrë autodidakte për sëmundjet vesh-hundë-fyt familjet e punëtorëve hungarezë, që në ate kohë qenë me shumicë në Ankara, të cilët punonin për ndërtimin e Ankarasë së re.
Në fund të vitit 1925, merr lajm nga Prof. Martini se ishte pranuar si asistent pa pagesë në klinikën e kirurgjisë e gjinekologjisë të spitalit Barmbeck të Hamburg-ut. Niset menjëherë, por qëndroi disa ditë në Vienë, ku u njoh me Dr. Jani Bashon, i cili qe larguar pas rënies së qeverisë së Nolit dhe për të cilin flet me shumë respekt. Lidhën një miqësi të ngushtë. Këshillat e tij të sinqerta i lanë një përshtypje të paharrueshme gjithë jetën. Siç shprehet Zyma, deri atëhere nuk dinte ndonjë gjë të madhe për një vend në një qoshe të ish perandorisë që quhej Shqipëri. Shpesh hamendësonin me njëri-tjetrin nga rridhte ky emër, dhe hamendjet nuk arrinin në një përfundim. Zyma në dorëshkrimet e tij thotë:
-Dr. Basho me përzemërsi dhe dashuri patriotike më këshilloi të mësoj gjuhën shqipe dhe të specializohem për sëmundjet ORL, me që në atdhe mungonte fare kjo degë mjekësore. Për herë të parë një mik i propozoi kthimin në Shqipëri.
Zyma kujton me nostalgji spitalin Barmbeck, më i madhi në Europë në atë kohë, strukturën e tij, organizimin dhe administrimin e punëve, trajtimin e të sëmurëve, etj. Gjatë specializimit në Hamburg, filloi të punojë në shërbim roje në maternitetin “Finkenau” me gati 45 lindje në ditë. Kur kishte kohë të lirë shkonte për të mësuar në repartin ORL të spitalit St. George, që ishte pranë Finkenau-t.
Në Hamburg qëndroi deri në vitin 1929. Sipas ligjit gjerman të asaj kohe duhet të shërbente në terren për një vit. Emërohet në vaporin “Livadia” i linjës Hamburg-Amerika Linie, që bënte rrugën për në Afrikë. Merr me vete vegla kirurgjikale. Shkruan gjatë për jetën e mjekut në Afrikën Perëndimore, ku filloi të bënte edhe punën e kirurgut maksilofacial (hiqte dhëmbë, imobilizim frakturash nofulle, etj.). Flet për jetën në pyjet afrikane, tekstualisht: “…këto insekte janë edhe aq të vogël sa që hyjnë në çdo xhibinlluk. Fatkeqësitë më të rënda janë sëmundjet vdekjeprurëse si ata të gjumit, dizanterisë, dhe malaria tropikale…” Për shërbimin në marinë, qeveria gjermane e nderoi me çmimin e madh “Poseidon”.
Mungojnë shënimet në vazhdim, por dijmë se në fillim të vitit 1930, pranohet si asistent kirurg në klinikën e famshme “Charite” të Berlinit, me drejtor Carl-Otto von Eicken. Shumë autoritet shkencore botërore punonin në atë klinikë, siç qenë Prof. Bayer, Seiffert, Vogel, Breuer, etj., me të cilët u lidh në një miqësi të ngushtë. Më tej gjejmë shënime të shkëputura se si qe organizuar puna në këtë klinikë me 350 shtretër.
Gjatë ditëve të para në “Charite” Zyma punonte në repartin që drejtohej nga Prof. Seiffert, duke zëvendësuar në kabinete të ndryshme mjekët që mungonin për arsye të ndryshme. Një ditë i sjellin një grua në gjëndje të rëndë, me temperaturë të lartë, nuk gëlltitej dhe qe e ënjtur në anën e majtë të qafës, e cila qe vizituar tre ditë më parë po në atë kabinet nga një tjetër mjek. Zyma e çon për radiografi, ku zbulohet një trup i huaj, gjilpërë. Menjëherë ia raporton Seiffert-it. Ky e pyet Zymën se ç’duhej bërë. Zyma pa asnjë mëdyshje shprehet se i vetmi shpëtim është ndërhyrja nga jashtë. Po atë ditë futen sëbashku në sallë. Seiffert-i duke parë vendosmërinë e Zymës, i jep bisturinë dhe vetë asiston. Nga qafa u zbraz pus dhe u hoq trupi i huaj. Profesor Seiffert u mrekullua nga aftësia manipuluese e Zymës dhe të nesërmen i raporton von Eicken-it ngjarjen, i cili jo vetëm e përgëzoi, por e trajtoi gjatë gjithë kohës si asistentin më të afërt. Prej asaj dite të gjithë e shihnin me nderim mjekun “turk”. Kolegët me dashamirësi e quanin Omer Turku dhe përpara se të shkonin te Seiffert-i, i merrnin një mendim edhe Zymës. Më tej Zyma flet gjatë për punën në klinikë, autoritetin e von Eicken-it, aktivitetet kërkimore dhe shkencore dhe pjesmarrjen aktive në ato aktivitete. Gjatë kohës që vazhdonte specializimin në “Charite”, ndiqte operacionet plastike dhe të kirurgjisë rekonstruktive pranë klinikës së Jacques Joseph.
Ndërkohë, vëllai Inxh. Selim Zyma vazhdimisht i bënte thirrje të kthehej në Shqipëri, çka realizohet nga fundi i muajit mars 1932. Qëndroi përreth 2 javë në Svicërr. Në Davos u njoh me Dr. Ludwig Kalmar, i cili e informoi mjaft për Shqipërinë dhe se si duhej të udhëtonte. Me 12 Prill 1932, arrin në Durrës dhe të nesërmen paraqitet në Drejtorinë e Shëndetësisë në Tiranë, emërohet në spital, mjek ORL, me rrogë mujore 140 Fr. ari. Fillon punë me inaugurimin e spitalit të ri me 15 Korrik 1932, ku në një ndërtesë qenë repartet e ORL, okulistikës dhe dermatologjisë. Sidoqoftë nga shënimet e lëna duket i zhgënjyer për punën në këtë vend, sepse vizitat nuk kalonin më shumë se 140 raste në vit dhe shumë më pak qenë rastet kirurgjikale. Vizitoheshin intelektualë, ushtarakë, ndonjë i huaj dhe familjet e tyre, ndërsa masat e gjëra popullore nuk besonin në mjekësinë shkencore, por shetisnin nga një sharlatan në tjetrin, duke përfunduar më tej pranë institucioneve të kultit. Kështu në vitin 1932 bëhet një tonsilektomi dhe në fund të vitit 1932, i bën trakeotomi bijës së gjeneral Parianit, e cila vuante nga difteria. Mjekët ushtarakë italianë e kundërshtuan këtë ndërhyrje, por ku Zyma e shoqëroi vajzën në një spital të Barit, mori falenderimet e të gjithë stafit për saktësinë e diagnozës dhe ndërhyrjes vendimtare. Rasti tjetër qe i biri i komandantit të xhandarmërisë i quajtur Bazi Cani (siç fliste Zyma), por duhet të ketë qenë Abaz Kupi, që vuante nga një otit kronik, sinus trombozë dhe absces ekstradural. Dr. Kristidhi dhe Dr. Osmani e këshilluan të mos ndërhynte, por ta niste për në Vjenë, sepse po të pësonte gjë i biri, i ati do të hakmerrej. Zyma nuk i dha rëndësi këtyre argumenteve dhe e merr djalin për operacion. Në sallë futen edhe tre malësorë të armatosuar. Pas një debati me anën e një përkthyesi, Zyma arriti t’i bindë që të hiqnin armët, por ata vazhduan të qëndronin në sallë. Kur panë hapjen e mastoidit me daltë, të tre njëri pas tjetrit u rrëzuan për tokë; kështu u boshatis salla nga “nga njerëz të padurueshëm”. Pasi djali u bë mirë, autoritetet e këshilluan Zymën t’i bënte një vizitë komandantit. Zyma pasi i shpjegoi gjendjen e të birit dhe çka ndodhi në sallë, ai u ngrit në këmbë, e përqafoi duke i thënë: “…jo mor doktor, unë nuk jam kriminel. Edhe sikur djali të vdiste, prap se prap mirënjohja ime për shërbimin e ri mjekësor do të ishte e pafund…”
Me këtë ndërhyrje Zyma u bë i njohur dhe kudo flitej për te. U shtua numri i operacioneve si ato ORL, kirurgji maksilofaciale, operacione rekonstruktive pas heqjes së epiteliomave të fytyrës,etj., por jo një numur i kënaqshëm. Në këto rrethana dhe veçanërisht pas një ftese të von Eicken-it për të drejtuar një nga klinikat e Charite-së, Zyma largohet për në Berlin në fund të vitit 1936. Atje gjen një atmosferë të ftohtë e të papëlqyeshme. Mjaft nga miqtë e tij qenë larguar nga puna, apo dhe nga Gjermania. Çdo klinikë drejtohej nga një sekretar partie nacional-socialist dhe para mbledhjes së mëngjezit, çdo gjë që ndodhte në klinikë i duhej raportuar atij. Edhe vetë von Eicken-i nuk e pëlqente një gjë të tillë, por të qënit gjerman dhe mosha e mbante të lidhur ende me atë spital. Brauer-i, megjithse gjerman i pat thënë: “…ik sa më parë. Këta mazokistë që kanë ardhur në pushtet po përgatisin katastrofën e këtij vendi”. Pas tre muajve Zyma kthehet në Shqipëri, po me insistimin e vëlla Selimit.

Prof. Besim Zyma - Mjeku i Vetvetes
Prof. Besim Zyma – Mjeku i Vetvetes

Pushtimin nga Italia e përjetoi me dëshpërim dhe lajmin e merr vesh kur po kthehej nga një kongres i shoqërisë gjermane të ORL në Berlin. Përshkruan gjatë peripecitë e udhëtimit, lajmet kontradiktore në gazeta, situatën mbytëse që gjen në Shqipëri, etj.
Italianët i kërkuan të vishte uniformë, por ai asnjëherë nuk u pajtua me këtë gjë, aq sa e hoqën nga spitali dhe punonte vetëm në ambulancë.
Një ditë Dr. Shiroka futet me urgjencë në dhomën e vizitës dhe i kërkon të linte çdo punë e të shkonte në sallë të operacionit, sepse Prof. Fornari po torturon një fëmijë sepse nuk din të gjejë antrumin. Eja ta ndihmosh! Zyma tregon: “U futa në sallë, e kapa prej leckash Prof. Fornarin dhe me forcë e nxorra përjashta, duke i bërtitur gjermanisht “kokat e shqiptarëve nuk janë me shumicë që ti të bësh prova me to, mor mjek i paaftë!”. Ndërkohë Dr. Shiroka kishte kapë kokën me duar për këtë “budallallëk” timin. Vazhdon “Të nesërmen më arrestuan sëbashku me Dr. Spiro Liton, i cili duke qenë prezent në skenën që ndodhi, mohoi ngjarjen”. Pas disa ditësh i transferuan të dy në një burg në Bari të Italisë, ku qëndruan tre muaj. Prej andej i dërguan në një burg të Pesaro-s, ku qëndruan disa ditë dhe mandej i dhanë një liri të kufizuar në krahinën e Penabili-t. Zona nuk kishte mjekë dhe çifti Zyma-Lito mori një emër të madh në të gjithë krahinën, aq sa vinin njerëz për t’u vizituar edhe nga Pesaro. Njerëzit i donin, i respektonin dhe i shpërblenin për punën që bënin, aq sa autoritetet italiane u detyruan t’i lirojnë. Qëndruan në internim 11 muaj. Pas kthimit në Shqipëri, autoritetet nuk e lejuan të punonte në spital dhe as në ambulancë, por e transferuan në Mitrovicë, ku punoi në kushte mjaft të këqia përreth tre muaj. Pasi arriti të sigurojë një leje, kthehet në Tiranë dhe hapë një klinikë private pranë shtëpisë së tij, ku kryente vizita, operacione kirurgjikale; strehonte, mjekonte edhe partizanë. Ka strehuar dhe mshehur mjaft çifutë shqiptarë, austriakë, gjermanë. Kaq e vërtetë është një gjë e tillë, sa që në vitin 2000, Komiteti Ndërkombëtar Izraelit dërgon në Shqipëri një autoritet me emrin Jack Goldfarb, i cili në emër të këtij komiteti i shpreh konsideratat familjes dhe emri i Besim Zymës ndodhet sot në një nga muret e Jeruzalemit.
Çlirimin e vendit Zyma e konsideron si lindjen e një epoke të re për zhvillimin e shëndetësisë shqiptare në përgjithsi dhe shërbimit ORL në veçanti, si një epokë të re të punës dhe përparimit si në spitalin civil ashtu edhe në ate ushtarak. Shtohet në 40 numuri i shtretërve, që nuk rrinin asnjëherë bosh, u shtuan mjaft vizitat dhe operacionet.
Me çlirimin e vendit, punonte, si në klinikën e tij private dhe më shumë në ato shtetërore si: Spitali Ushtarak dhe spitalet e rretheve e të qyteteve. Në vitin 1948, ekzekutohet i pa gjykuar vëllai i tij, inxhinier Selim Zyma.
Vitet ’50 shënuan ardhjen e mjekëve të rinj të specializuar në vendet e lindjes si Dr. Spase Trimçev, Dr. Emil Qirko, Dr. Anesti Boçka të cilët përbënin edhe bërthamën e parë të stafit klinik dhe pedagogjik ORL.
Në vitin 1952, hapet Fakulteti i Mjekësisë, në Tiranë dhe Zyma emërohet pedagog. Më 1956 emërohet shef i katedrës së Otorinolaringologjise. Tiranë, me 7 korrik 1960, Komisioni i lartë i atestimit, i datës 17 shkurt 1960 i akordon titullin dhe gradën shkencore Docent, kandidat i shkencave mjekësore. Rroga baze 15.000, për drejtim katedre 34%=5.100; gjithesej 20.100 lekë. Efekti financiar fillon 17 shkurt 960. Zv.Rektor / Hasan Duma /*
Për punën e palodhur dhe me vetmohim, iu dha titulli “Profesor”. Doli në pension ne vitin 1971, por vazhdoi te kryente konsulta dhe operacione në Spitalin Klinik Nr.1, Spitalin ushtarak dhe në spitalet e rretheve.
U nda nga jeta në 26 nëntor 1983, duke lënë pas një plejadë mjekësh të afirmuar në specialitetin ORL.

*Material i plotësuar nga Wikipedia

Shënim nga Artan Kafexhiu: Autori i këtij shkrimi është në rrethin tim familjar, Dr. Pjerin Radovani, që ishte edhe nxënës i doktor Zymës.

Të interrnuar në Pennabilli të Italisë. Mes tyre edhe Dr. Zyma
Të interrnuar në Pennabilli të Italisë. Mes tyre edhe Dr. Zyma

Shënim nga Irena Stein-steinova: Dr. Besim Zyma ka qenë i internuar në Pennabilli të Italisë, si antifashist, në vitin 1940, së bashku me disa patriotë të tjerë shqiptarë.
Në atë periudhë patriotët shqiptarë u internuan një pjesë në ishullin Ventotenne, për të cilët është shkruar mjaft.
Në të njëjtën kohë një grup tjetër prej 19 patriotësh shqiptarë është internuar në Pennabilli të Italisë, për këtë grup nuk shkruhet gjë.
Dr. Besim Zyma është njëri nga 19 patriotët që u internuan nga italianët në Pennabilli.
Ai kishte dhe një vëlla, z. Selim Zyma, të cilin ja vranë satrapët, e të rrëqethet mishi.
Për z. Selim Zyma dhe familjen e tij, shkrimtari Petraq Kolevica, i ka përkushtuar një libër: “Varri i fshehtë”

Përveç antifashistëve dhe të huajve që i përkisnin kombeve armike, në Pennabilli (Itali) do të gjejmë edhe një grup të madh të internuarish shqiptarë, të cilët mbërritën në dy grupe midis dhjetorit 1940 dhe janarit 1941.
Pushtimi italian i Shqipërisë në ’39 kishte sjellë si pasojë lindjen të formave të opozitës, të ndëshkuara me arrestime dhe burgime në Itali. Në rastin konkret, largimet do të zgjasë deri në korrik 1941.
Të dhënat personale dhe emrat janë marrë nga arkivi i komunës.

Besim Zyma i Mehmetit, mjek, 38 vjeç,
Kaci Prifti di Dhimitrit, hotelier, 43 vjeç
Calivopulo Aleksandër i Gjergjit, një mjek-kirurg 55-vjeçar
Cipi Andon i Janit, zyrtar në Ministrinë e Financave, 43 vjeç
Gafur Langu i Osmanit, kryeinxhinier divizioni, 36 vjeç
Galip Juka i Amit, doktor i shkencave politike, 25 vjeç
Garuli Micco i Mihalit, hotelier, 45 vjeç
Kiko Gjermeni nga Venesel, tregtar, vjeç 34
Jani Zoto i Filipit, tregtar, 30 vjeç
Kozma Cici i Filipit, librashitës, 29 vjeç
Lame Kareco i Dhimitrit, ish-ministër i Financave, 50 vjeç
Martin Todoni i Simonit, agjent banke, 47 vjeç
Mitka Zizi ishte Janit, rrobaqepës, 70 vjeç
Pano Hido i Petros, një mësues fillore
Papadopulo Dhimitër, i Sokratit, farmacist, 32 vjeç
Prifti Andrea i Dhimitrit, tregtar, 35 vjeç
Kanxheri Stavri i Dhimitrit, prift ortodoks grek, 41 vjeç
Spiro Lito i Ilias, mjek kirurg, 28 vjeç
Vasel Rupi i Dhimitrit, tregtar.

Marre nga https://www.archiviomaggiolimazzoni.it/internati-ebrei-e-non-ebrei-a-pennabilli…
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.