back to top
14.5 C
Tirana
E shtunë, 13 Prill, 2024

Filmi në Shqipëri dhe Kosovë – (1969-2019) – 50 vjetori i Kosovafilmit

Gazeta

Logoja e Kosovafilmit
Logoja e Kosovafilmit

Filmi në Shqipëri dhe Kosovë

(1969-2019) 50 vjetori i Kosovafilmit

Kosovafilmi (1969) – organizatë për prodhimin,
distribuimin dhe shfaqjen e filmave shqiptarë
në Krahinën e Kosovës.
 
Ajo që kishte ndodhur në Europë, Amerikë e gjetiu në arenën e kinematografisë, natyrisht ishte shumë e vonuar në Shqipëri. Nuk mund te flitej as për zbulime as për shfaqje të filmit në vitet e hershme të tij. Megjithatë, në historinë e kinematografisë shqiptare, mund të përmendim fillimisht përpjekjet për fotografinë, të fotografit të njohur të kohës, Pjetër Marubi, i lindur në Piacenca – Itali më 1834, i cili nisi aktivitetin e vet prej fotografi shumë herët, qysh në vitin 1856, në Vilajetin e Shkodrës. Me “kutinë magjike”, më 1858, ai nisi të fotografojë jetën jashtë studios, ndër të cilat edhe ngjarjet politike të kohës, si për shembull “Kryengritja e Mirditës” (1876-77); Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-81), që mbetën dëshmi edhe në faqet e revistave të njohura evropiane “La guera d’Oriente”, “The Illustrated London News”, “L’lustration”, etj.
Pionieri i shfaqjes së filmave në Shqipëri ishte Kolë Idromeno (1860-1939), piktor dhe arkitekt, i cili në vitin 1883 ngriti në Shkodër një laborator të quajtur “Dritëshkronja Idromeno” dhe në vitin 1908, fillon të organizojë shfaqjen e filmave të parë. Më vonë u hapën edhe klube në të cilat shfaqeshin shfaqje të tilla. I tillë ishte klubi “Gjuha shqipe” (1911) në Shkodër dhe “Kafe Stema” në Korçë. Në vitin 1920, Kinema Përparimi u hap në qytetin bregdetar të Vlorës, dhe pas saj u hapën disa salla të tjera në Shkodër, Berat si dhe në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Kur fashistët Italianë pushtuan Shqipërinë, në vend kishte 18 salla kinemaje. Gjatë këtij pushtimi, pati shumë përpjekje për të ndërtuar një industri filmi. Përpara se Gjermanët të pushtonin Shqipërinë, një kineast i ri, Mihallaq Mone (1917-1984), xhiroi disa dokumentarë të shkurtër dhe madje u përpoq të prodhonte filmin e parë shqiptar, “Takim në liqen”. Në rol kryesor do të ishte ylli i kinemasë rumune, shqiptari Kristaq Antoniu.
Realizimet e para filmike në Shqipëri, ishin kronika. Kronika e parë është kronika e Kongresit të Manastirit (1908). Këtu edhe mund të hapim edhe fusnotat historike për vëllezërit Manaki për të cilët grekët thonë se janë me origjinë greke, maqedonët se i takojnë kombit maqedonas kurse ne mendojmë se ata janë manastiras, gjegjësisht shqiptarë. Nëse konstatohet kështu si mendojme ne, atëherë historia e xhirimeve nga xhirues shqiptarë është shumë më e pasur falë pikërisht vëllezërve Manaki nga Manastiri sepse ata konsiderohen pionierët e xhirimeve të imazheve filmike në Ballkan, posaçërisht të xhirimeve në vitet e para të lindjes së kinematografisë.
Pos tyre mund të përmendim edhe shoqatën italiane “Cines” e Torinos, e cila më 1909 xhiroi filmin “Shqipëria ngre krye” (Albania Ribele), film ky që tregon për luftimet e atdhetarëve shqiptarë kundër agresionit të fqinjve.
Ky film, llogaritet si filmi më i vjetër me temë shqiptare i xhiruar nga të huajt. Pastaj radhiten ekspedicione xhiruese nga Anglia, pastaj përfaqësues të firmës Gaumont nga Franca që xhirojnë copëtimin e tokave shqiptare dhe një film për Plavën dhe Gucinë. Sidoqoftë filmi i parë i xhiruar nga një shqiptar, mendohet të ketë qenë një kronikë e filmuar për Shqipërinë nga konsulli shqiptar në Boston, i cili u shfaq më 1928, në një panair tregtar. Më 1937 një tjetër amator anonim xhiroi një kronikë në Korçë që zgjaste 8-9 minuta, dhe si duket kjo ishte e tëra për kohën e paraluftës.
Gjatë 30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë, nga shoqëri të huaja kinematografike të Evropës apo SHBA, si dhe nga amatorë.
.

Historia filmit dhe televizionit të Kosovës

Në Kosovë Ahmet Zherka (1882-1967) nga Gjakova në fillim të vitit 1900, hap dyqanin e parë fotografik në vendlindje, pasi e mësoi zanatin në Budapest të Austro-Hungarisë. Megjithatë, vitet e para të zhvillimit të kinematografisë në Kosovë, nuk flasin edhe për ndonjë emër shqiptar që kishte zhvilluar ndonjë aktivitet të tillë në përgjithësi.
Sipas gazetës Male Novine (1912) që botohej në Serbi, projeksioni i parë i filmit në Kosovë është shfaqur në Pejë, në një hambar, në vitin 1911, nga kinematografi shëtitës, që kishte ardhur nga Cetina, mbas shpalljes së Mbretërisë së Malit të Zi. Në këtë kohë shfaqeshin kronikat filmike – (journal).
Kronikat e para filmike të xhiruara në Kosovë, ishin bërë nga produksionet e huaja. Mund të përmenden kronikat, si: Arnautët e zënë rob (1913) me xhirime të produksionit Pathe; Marrja e armatimit nga arnautët në Hanin e Dulës në rrugën për Prizren (6 mars1913) kino Stinberg, Beograd; Vdekja e Mujës nga Lipjani (24 mars1913), kino Stinberg, Beograd, etj.
Deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore, thuhet se forcat okupuese austro-hungareze, që kishin qenë në Kosovë, kanë pasur një kinema ushtarake që është quajtur Feldkino, por nuk dihet se në cilin vend ka funksionuar ajo.
Në vitet 1935-’37, kanë qenë të regjistruara 7 kinema: Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Pejë.
.
Azem Shkreli (1938-1997)
Azem Shkreli – Drejtor i Kosovafilm (1938-1997)

Kinematografia në Kosovë pas LNÇ

Pas vitit 1945, filmi i parë dokumentar për Kosovën i xhiruar në Kosovë ishte “Dritat e para” (1949), produksion i Avala Film, nga Beogradi, regjinë e të cilit e realizoi Zhivorad Mitroviç. Në film paraqitet bashkëpunimi në mes shqiptarëve dhe serbëve për elektrifikimin e Kosovës. Ngjarja zhvillohet në regjionin e Istogut.
Regjisori i njëjtë, xhiroi edhe filmin e parë të metrazhit të gjatë me temë luftën, “Njësiti i doktor M” (1955), ngjarja e të cilit zhvillohet në regjionin e Kosovës në kohën e Luftës ë Dytë Botërore. Për herë të parë, në njërin nga rolet paraqitet një shqiptar nga Kosova – Abdurrahman Shala, në rolin e Muratit. Me të njëjtat motive, regjisori Zhivorad Mitroviq do të realizojë edhe filmat e tjerë si “Kapetan Lleshi” (1960) dhe “Obracun” (1962), në të cilët në rolet kryesore të shqiptarëve u paraqitën aktorë serbë, ndërsa për herë të parë muzikën e komponoi një kompozitor shqiptar, Rexho Mulliqi.
Shtëpia filmike “Slavija Film” nga Beogradi, në vitin 1959 realizoi filmin gjysmëdokumentar “Minatorët e Kosovës” (regjia dhe skenari Milos Stefanoviç), në të cilin për herë të parë dhe për të vetmen herë, në një film në Kosovë, paraqitet aktori i njohur Bekim Fehmiu, në rolin e një minatori shqiptar, i cili dashurohet në një femër serbe.
Me iniciativë të Abdurrahman Shalës, “Slavija Film”, në maj të vitit 1961, hapi një zyre në Prishtinë, të cilën e udhëhiqte A. Shala, ndërsa në gusht të po atij viti, kjo zyre u shndërrua në “Studio Artistike”, e cila shumë shpejt u mbyll. Para mbylljes kishte filluar xhirimi i një filmi dokumentar për ndërtimin e Termoelektranës në Obiliq “Ari i zi i Kosovës” (1963), regjinë e të cilit kishin filluar ta bëjnë Milos Stefanoviç dhe Abdurrahman Shala, ndërsa e kishte përfunduar Sava Popoviç.
Në dhjetor 1960, në Prishtinë u themelua Qendra Autonome Kulturoro-Propaganduese për regjionin e Kosovës e Metohisë (më vonë Qendra Kulturore Propaganduese e KSA të Kosovës), detyra e së cilës ishte të zbatojë kinematizimin e vendit, të organizojë prodhimin e filmave, të bëjë dublifikimin në gjuhën shqipe, të aftësojë kuadrot për përdorimin e mjeteve teknike, të organizojë kinematë lëvizëse me kinoprojektorë 16 milimetërsh, dhe të distribuojë filmat. Në vitin 1966, kjo qendër realizoi filmin e parë dokumentar “Ekselencat” (prodhim i Kosmet film). Kjo qendër prodhoi edhe gjashtë filma të tjerë dokumentarë, në mesin e të cilëve edhe filmin “Skënderbeu”(1968) të regjisorit Zdravo Velimiroviç, ndërsa po ashtu u realizua edhe filmi dokumentar “Një lindje” (1969) i Ekrem Kryeziut, që flet për Teatrin Krahinor të Prishtinës, e që ishte vepra e parë e një autori vendor nga Kosova.
Gjithashtu, kjo qendër në koproduksion me shtëpi të tjera filmike nga ish Jugosllavia realizoi edhe dy filma të metrazhit të gjatë, njëri nga ta “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”(1968), sipas skenarit të Murteza Pezës dhe Abdurrahman Shalës, me regji të Miki Stamenoviçit, dhe me muzikë të Rexho Mulliqit. Në rolet kryesore u paraqitën Ljuba Tadiç (zëri i të cilit u sinkronizua në shqip nga Shaban Gashi) dhe Abdurrahman Shala.
Kjo qendër po ashtu dubloi në gjuhën shqipe edhe filmat “Kapetan Lleshi”, “Kozara”, “Beteja në Neretvë”, etj. Veprimtaria e Qendrës u mbyll në vitin 1970, pasi një vit më herët (1969) u themelua “Kosovafilm”, në krye të së cilës u emërua Abdurrahman Shala.
“Kosovafilmi” e filloi aktivitetin e vet me koproduksionet filmike. Në vitin 1970, u realizua filmi “Dashuria e parë”, i cili film ishte një nga filmat më të shikuar në ish Jugosllavi, në rolin kryesor të të cilit u paraqit aktori Faruk Begolli, ndërsa skenograf ishte Nuredin Loxha.
Filmi i parë i pavarur i metrazhit të gjatë “Si të vdiset”, u realizua në vitin 1972, në regji të Miomir Stamenkoviç, ndërsa në film paraqiten aktorët Mira Stupica, Faruk Begolli, Abdurrahman Shala, Istref Begolli, Xhevat Qorraj, etj.. Filmi flet për fatin e dy shokëve të luftës në Luftën e Dytë Botërore.
Deri në vitin 1974 Kosovafilmi angazhonte xhirues nga ish Jugosllavia, kurse me ardhjen e Azem Shkrelit (1938-1997) si drejtor, filluan gjërat të ndryshojnë. Kështu në vitin 1975 nga firma Arriflex e Munihut arritën 2 kamera 35 mm Arriflex 2C dhe një 16mm Arrist 16mm, me komplet pjesët dhe optika e nevojshme, që për atë kohe përdoreshin në xhirime në ish-Jugosllavi. Në këtë periudhë fillojnë të realizohen edhe veprat e para me kuadrot vendorë të shkolluar jashtë vendit.
Projektet e para filmike të ndërmarrjes së vetme për prodhim të artit filmik Kosovafilm i realizuan kineastët: Rudolf Sopi, Afrim Spahiu, Shaban Gashi, Murat Zeka , Shukri Kaçaniku dhe asistentë të kamerës Agron Nela e Kujtim Bejtullahu, me regjisorin e skenaristin Ekrem Kryeziu dhe Besim Sahatqiun. Kështu që në vitin 1978, u realizua filmi dokumentar “117”, që flet për bashkësinë e madhe familjare, në regji të Besim Sahatçiut, me xhirues Afrim Spahiun, të dy të diplomuar në Akademinë e Teatrit, filmit dhe televizionit në Zagreb. Filmi fitoi shpërblimin “Grand Prix” në Festivalin e filmit dokumentar në Beograd. Me fillimin e produksionit të pavarur u vunë themelet e prodhimtarisë filmike origjinale, me ngjyrime të theksuara autoktone, që flisnin shqip dhe që paraqisnin kulturën e traditën tonë, por pati edhe dështime evidente në koprodukcionet me producentë të tjerë, ku nuk iu kushtua kujdes aspak shkollimit të kuadrit teknik dhe artistik nga Kosova.
Kosovafilm (1969)
Kosovafilm (1969)

.

Filmat e prodhuar nga Kosovafilmi:

Dashuria e parë (1970, koprodukcion);
Rekuiem për të nesërmen (1970, koprodukcion);
Koka ime e krisur (1971, koproduksion);
Si të vdiset (1971);
Hedhësit e bombave (1973, koproduksion);
Sulmi i kuq (1974);
Dervishi dhe vdekja (1974, koproduksion);
Majat e Zelengorës (1976, koproduksion);
Kur pranvera vonohet (1979);
Era dhe lisi (1979, Besim Sahatçiu);
Gjurmë të bardha (1980, Ekrem Kryeziu);
Lepuri me pesë këmbë;
Përroi vërshues;
Njeriu prej dheut;
Proka (1987, Isa Qosja);
Pikniku;
Rojet e mjegullës (1988, Isa Qosja), etj.
.

Filma dokumentarë

Kosovafilmi ka prodhuar edhe një numër të madh filmash dokumentarë nga të cilët ndër të dalluarit janë:
“Brigadat kosovare”;
“117” (1978, Besim Sahatçiu);
“Bukë e kryp e Zemër”;
“Tepricat” (1981, Ekrem Kryeziu);
“Pik e Gur”;
“Ngjyrat e dheut”;
“Dita e Mërgimtarëve”;
“Kur pranvera xhirohet” etj.
 
Si të vdiset (1971, Miomir Stamenkovic)
Filmi “Si të vdiset” ishte realizuar në vitin 1971. Premiera e tij u dha më 20 mars 1972. Filmi ishte realizim i Kosovafilmit, mirëpo në të pjesën e realizimit e bënë kineastë nga vendet e ish-Jugosllavisë, ndërsa në film luajnë aktorë shqiptarë, si: Abdurrahman Shala, Faruk Begolli, Istref Begolli, Shani Pallaska, Xhevat Qorraj, etj.
 
Era dhe Lisi (1978, Besim Sahatçiu)
Në vitin 1978, filloi realizimi i projektit filmik dhe serial TV, më i madhi deri atëherë në Kosovë
“Era dhe Lisi”, me regji të Besim Sahatçiut, që ishte produksion vendor. Në projekt kanë qenë të anagazhuar pos aktorëve kosovarë edhe një numër i konsiderueshëm i specialistëve të filmit dhe televizionit nga Televizioni i Prishtinës. Premiera e “Era dhe Lisi” u dha më 6 korrik 1979. Konsiderohet se projekti “Era dhe Lisi” ishte një sukses i madh artistik dhe organizativ i kinematografisë dhe televizionit kosovar . “Era dhe lisi” u shpërblye me disa çmime, si: “Arena e Artë” (për skenardhe për rolin kryesor; Pulë, 1979); “Shpërblimi tradicional i kritikëve të filmit” (Sarajevë, 1979).
 
Kur pranvera vonohet (1979, Ekrem Kryeziu)
“Kur pranvera vonohet” ishte një seri televizive dhe film per kinema që trajton Luftën Nacionale Çlirimtare të partizanëve të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botrore. Seriali përbëhet nga pesë pjesë me kohëzgjatje prej 55 minutash. Në rolet kryesore prezendohen aktorët shqiptar si Hadi Shehu, Abdurrahman Shala, Melihate Ajeti etj. Regjinë e ka bërë Ekrem Kryeziu në bazë të skenarit nga Azem Shkreli dhe librit – “Ditari partizan” të Fadil Hoxhës. Është prodhim i studios Kosovafilmi i vitit 1979.
.

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK)

Qendra Kinematografike e Kosovës është institucion me atributet e autoritetit qendror për kinematografi. QKK ka për objektiv realizimin e politikave në fushën e kinematografisë që pasqyrojnë interesin publik. Qendra Kinematografike e Kosovës ka organet e saj drejtuese: Këshillin Drejtues dhe Drejtorin. Këshilli Drejtues përbëhet prej 5 anëtarëve.
Qendra Kinematografike e Kosovës në përputhje me buxhetin e miratuar shpall konkurs çdo vit. Konkursi hapet për këto kategori: film i metrazhit të gjatë, të shkurtër, film dokumentar, dhe film vizatimor/animuar.
.
Marrë nga shkrimi: Historia e filmit dhe televizionit – Ligjërata 11
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.