back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 23 Maj, 2024

Bota jonë politike – Lexohet para Gjyqit Special – Dosja Nr. 1568

Gazeta

Lazer Radi - Foto e Laures 1942 Doktor ne Jurisprudence
Lazer Radi – Foto e Laures 1942 – Doktor ne Jurisprudence

Bota jonë politike – Lexohet para Gjyqit Special

Material nga dosja Nr. 1568, Gjyqi Special – (mars-prill 1945)

“Bota jonë politike” është një artikull i shkruar nga “Ushtima e Sharrit”
– pseudonim i Lazër Radit, botuar në gazetën Bashkimi i Kombit,
të mërkurën e 26 janar 1944. Gjatë Gjyqit Special,
autorit vazhdimisht i përmenden shkrimet e periudhës së vitit 1940,
po më së shumti ato të vitit 1944. Kёtё shkrim qё paraqesim, prokurori Bedri Spahiu,
e lexoi mё zё tё lartё, nё sallën e Gjyqit, mbasi e konsideron si mё famëziun…!!
Mbas 75 vitesh nga dita e botimit, mendoj gjithashtu se ky shkrim ёshtё ndёr mё tё çmuarit
dhe më largpamësit e Lazër Radit, e shumё gjёra do tё ishin ca më ndryshe e ca mё mirё,
sikur disa prej nёnvizimeve tё autorit t’ishin mbajtur parasysh dhe vlerёsuar si duhet…
I ftoj lexuesit tё mё gjejnё gabim, nё çfarё shpreha me mendim tim!
.
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special

Nga Dosja Nr. 1568 – Gjyqi Special – (mars-prill 1945)

1.Pёr Lazёr Radin ish drejtorin e “Ballit tё Rinisё” qё dilte nё kohёn e fashizmit. Ka shkruar vazhdimisht nё “Bashkimin e Kombit” artikuj kundra nesh me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”. Gestapoja s’linte tё vihej emri i tij i vёrtetё sepse ishte i kompromentuar me shkrimet nё “Ballin e Rinisё” e nё shumё gazeta tё tjera fashiste.
Arben Puto – Tiranë, më 17.03.1945
(Dosja Gjyqi Special – shёnim i faqes 316 – 201)
P.P. Artikulli i botuem nё gazetёn “Bashkimi i Kombit” me titullin “Bota e jonё Politike” me datё 26.01.1944, asht bamё duke u korigjue disa pasazhe prej Ministrisё Kulturёs Popullore; (U kёndue ky artikull).
(Po japim tё plotё pёr lexuesit artikulli me tё cilin Prokurori kёrkon tё inkriminojё Lazёr Radit)
(Bashkimi i Kombit, – e mërkurë, 26 janar 1944) Bota jonë politike nga “Ushtima e Sharrit” pseudonim i Dr. Lazër Radit
.
Skena nga Gjyqi Special 1945
Skena nga Gjyqi Special 1945

Bota jonë politike – Sensi politik nuk i mungon shqiptarit.

Ky kuptim s’i ka mungue as në të kaluemen e nuk i mungon as në të tashmen. Vetëm se sensi politik i së kaluemes përfshihesh në nji botë të ngushtë, në nji botë që përqëndrohesh të thuhej vetëm në familje, mandej mund të shtrihesh në katund, por, po nuk e kalonte kurrë bajrakun.
Kështu ngjante për atë politikën e imët që mund të quhej edhe individuale. Sa për politikën ndërfisnore, këtu sensi politik zgjerohej, por, me gjithë gjatësinë që mund të kishte, ishte gjithnji nji “politikë e vogël”, politikë shqiptare. Ishte e tillë derisa individët interesoheshin për çashtjet e njëni-tjetrit mbrenda nji kuadri të lidhun me kufijtë “komb”: interesoheshin aq sa mund të interesohet sot p.sh. Tirana për tregimin e Durrësit, ose Durrësi për tregimin e Korçës a të Shkodrës.
Derisa qëndruem këtu ishim brenda kufijve tanë dhe punët shqiptare shkojshim mirë mbasi që seicili duhet me i shtri kambët aq sa e ka gunën.
Mirëpo, ky sens politik, u shndërrue ma vonë në “politikë të madhe”. Qysh atëherë populli shqiptar e la politikën e vet, “politikën e vogël” politikën kombëtare dhe nisi të interesohej për çashtje intereuropiane dhe internacionale, filloi të deformohej koncepti i politikës shqiptare dhe filloi dekadenca e njisisë kolektive. Kjo politikë e lehtë u fut në palcë dhe deformoi jo vetëm individë por edhe politikën e kombit. Asht për t’u çuditun se si shqiptari, kaq realist prej natyre, kaq i rrahun prej rrymave të kohëve, kaq i mbushun me eksperiencë historike, nga invazionet e ndryshme, kaq i matun ndër gjykime e kaq i pjekun në mendime, mos me qenë i zoti me gjetë në politikë rrugën e mesme! Pse ky ekstremizëm? Pse ky bipolaritet” politik: ose politikë e vogël fort individuale, familjare, ose politikë e madhe fort internacionale, kozmike!!
Arsyet janë psikologjike. Ato duhet t’i kërkojmë në mendimin tonë, në ekspansivitetin e shpirtit tonë dhe në frymën e importueme që mund të përblidhet kështu: Dëshirë e ndezun për gjithçka asht materialisht “kolosale” dhe për gjithçka asht doktrinarisht “utopike”.
Na s’duem të futemi thellë në analizën e shpirtit dhe as të duem të tregojmë se karakteristikat e të gjitha doktrinave nga pikpamja intelektuale janë: gabimet dhe nga pikpamja morale janë: mashtrime; por duem të dalim në kuptimin praktik shqiptar të politikës.
Tash asht tuj u luejtun karta e fundit e “përleshjes vigane”, prandej asht faza ma e rrezikshme. Rreziku asht, të thuesh, për krejt Europën njisoj, për na shqiptarët asht ma i madh. Na ose duhet t’i bajmë ballë këtij rreziku – tuj u nisë dhe tuj u mbështetë natyrisht vetëm ndër forcat tona, ose duhet ta lejmë që ky rrezik të na shtypë, s’ka rrugë tjetër!
Sot lufta ideologjike kërkon mbi të gjitha nji ditë, nji rreth në të cilin idetë të lëvizin dhe të shoshiten, kërkon pjekuninë politike, kërkon mbi të gjitha ambientin e përshtatshëm, ngrehinat industriale, organizatat e punës e ndërgjegjen e klasës, të cilat nuk mund të arrihen edhe pak shumë kohë në vendin tonë, në të cilin ma tepër se 80% të popullsisë janë analfabetë dhe tetonikë. Na sot kena luftën e propagandave të hueja, sikurse kemi edhe nji politikë amorale, politikë rrugash, gënjen ai që sheh kur vret vëllau vllanë dhe thotë se e vrau për të mirën e Atdheut. Atdheu, sot, ma tepër se në kurrnji send tjetër duhet të bajë kursimin ma të madh në elementin “njeri” pse vetëm me anë të këtij elementi, nesër të armatosun dhe të bashkuem do të mundet të kërkojmë të “drejtat” e tona, të plotësojmë ruejtjen e integritetit kombëtar dhe t’u imponojmë fituesve të luftës, ruejtjen e integritetit kombëtar dhe t’u imponojmë fituesve të luftës vullnetin e njisisë dhe të pashkëputshmërisë kombëtare! Gënjen ai që në emër të lirisë së Atdheut i vën pengesa aparatit të shtetit dhe saboton lirinë e popullit. Kush i mrekullohet këtyne heronjve të “thikave” e të pistoletave mbas gardhit, asht nji armik i kombësisë shqiptare, i cili nëpër dorë të huej vepron në mënyrë të pandërgjegjshme kundër lirisë së Atdheut pro nji vasaliteti të huej. Në luftën e madhe kundër okupatorit ishim të bashkuem: lufta ishte e përbashkët, e bukur dhe heroike. Na e ata bashkoheshim në nji qëlllim: çlirimin e Atdheut. Çlirimin e fituem, por, të ashtuquejtunit nacional-çlirimtarë u ndane prej nesh. Ata kërkojnë nji çlirim tjetër! Çfarë “çlirimi” politik tjetër mund të kërkohet kur sot mbi shpatullat e popullit shqiptar randojnë të gjitha peshat financiare dhe ekonomike për të mbajtun gjallë e në kambë nji shtet? Në botën shqiptare janë dy botkuptime në luftë: ideja në shërbim për të mirën e atdheut, dhe ideja në shërbim kundër Atdheut. Na nisemi nga botëkuptimi shqiptar, ata nisen nga botëkuptimi i huej; na nisena nga parimi që Shqipnija të jetë nji, e pandame, e bashkueme dhe etnike, ata nisen nga parimi i përkundërt, ata duen që Kosova mos të jetë shqiptare dhe Shqipnia mos të ketë shqiptarë: ata janë preversë, janë heronj të luftës kundra natyrës.
Na sot kemi nji botë politike tonën sepse kemi besimin ndër fatet e Atdheut.
Na besojmë në fatin e Atdheut dhe në pavdekshmëninë e tij. Ky besim na jep forcë, entuziazëm dhe guxim. Filozofia e jonë asht besimi shqiptar. Besimi i jonë asht nji parim i vetëm, kategoria që i spjegon të gjitha shkaqet dhe i mban të gjitha efektet e ky asht besimi në fatet e Atdheut…
 
Asht e vёrtetё se nё kёtё artikull kritikon, nё disa pasazhe botёkuptimin e lёvizjes nacional-çlirimtare, por siç thashё janё modifikue nё zyrёn e shtypit prej Mas’har Sopotit e Xhelal Mitrovicёs. Pёr modifikimet qё ata u banin artikujve mund tё pyeten sekretarёt e shtypit si dhe ish-drejtori gazetёs z. Akile Tasi. Kёtё gabim qё kam shkrue nё gazetёn “Bashkimi i Kombit” e kam bёrё nga nevoja e jetesёs se unё kam punue pёr njё minimum jetese. Ndonji dam them se nuk i asht sjellё frontit N.Çl., me artikujt e mij sepse dihet botёnisht qё ata artikuj nuk i kёndonte kush e s’ja varte kush torbёn.
U pyet e pandehuri Akile Tasi e tha se: Po, asht e vёrtetё se zyra e Shtypit nё Ministrinё e Kulturёs Popullore shumё herё artikujt politik i ndryshonte dhe ata qё i ndryshonin Xhelal Mitrovica e Mas’har Sopoti, jo vetёm artikujt e kёtij por edhe tё tjerё.
Unё nё gazetё kam qenё si drejtor teknik.
(Dosja Gjyqi Special – shёnim i faqes 438 – 323)
.
(Marre nga Dosja Gjyqi Special – Nr.1568)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.