back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Ermira Xhomaqi – “Pertej Harrimi” – Fituese e Çmimit të veçantë në Panairin e Librit – Prishtina 2018

Gazeta

Ermira Xhomaqi - çmimi  “Për vepër të veçantë”  Panairi i 20 i librit në Prishtinë
Ermira Xhomaqi – çmimi “Për vepër të veçantë” Panairi i 20 i librit në Prishtinë

Ermira Xhomaqi – “Pertej Harrimi” – Intervistë:

Fituese e Çmimit të veçantë Panairi i Librit – Prishtina 2018

Ermira Xhomaqi (Godo) fitoi çmimin “Për vepër të veçantë”
në Panairin e 20-të të librit në Prishtinë
me librin e saj “Përtej harrimit” – Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Libri i autores Xhomaqi (Godo) i kushtohet jetës dhe veprës së gjyshit të saj, Abdulla Rami,
i diplomuar në jurisprudencë në Francën e viteve ’30,
të cilin fati historik i popullit të tij ia përcaktoi karrierën dhe jetën jo vetëm të tij,
por edhe të familjes, kudo ku jetoi në Kosovë dhe Shqipëri.
Në promovim u tha se vepra paraqet kontribut për ruajtjen e kujtesës kolektive.
Me autoren Ermira Xhomaqi
biseduam për çështje të cilat shoqëria shqiptare ka nevojë t’i debatojë ende.
.
Autorja Ermira Xhomaqi-Godo
Autorja Ermira Xhomaqi-Godo
.
Revista Porta: Shoqëritë e dala nga sistemi komunist, si ajo kroate, sllovene, çeke, polake, po i debatojnë ende krimevet e komunizmit. Si mund të justifikohet që edhe pas pothuaj tre dekadash, “puna me kujtesën” te ne është kaq e ngadaltë, për të mos thënë tejet e vështirë për t’u realizuar?
Së pari ju falenderoj për ftesën tuaj dhe ndjehem e nderuar dhe e lumtur që Panairi i 20-të i librit në Prishtinë më nderoi me çmimin “Për vepër të veçantë”. Ndaj u detyrohem vlerësuesve dhe juve respektin tim më të thellë, ashtu si tim gjyshi, të cilit i kam kushtuar këtë libër, dhe gjithë atyre si ai – në Shqipëri a në Kosovë – u detyrohem kujtimin dhe mbi të gjitha të vërtetën.
“Nëse do të isha paracaktuar të jetoja, – shkruan Chateaubriand – do të mishëroja në personin tim, në kujtimet e mia, parimet, idetë, ngjarjet, katastrofat, epopenë e kohës sime, aq më tepër që kam parë mbarimin dhe fillimin e dy botëve, dhe që karakteret e kundërta të këtij mbarim-fillimi gjenden të pleksur në opinionet e mia.” E frymëzuar prej tij vijoj me idenë se ne kemi jetuar jo vetem pikëtakimin e dy botëve, por edhe të dy shekujve, dy vendeve, dy ideologjive dhe dy realiteteve historike tejet të ndryshme. Ndaj dhe kujtesa jonë kolektive, lidhet pashmangshmërisht me tre nocione themelore dhe të rëndësishme: mohimin, durimin pa folur dhe heshtjen.
Mohim i shtrirë në gjithë spektrin kohor të totalitarizmit në Shqipëri: mohim i të drejtave njerëzore më elementare, dhe i së drejtës më sublime: asaj për të menduar dhe jetuar. Durimin pa folur, i shtyrë deri në mpirjen fizike dhe psikologjike të mendimeve dhe reflektimeve. E pra sot kur nuk mundemi të zhbëjmë më mohimin dhe durimin e mosfoljes në atë epokë, ne vazhdojmë ta lëmë kujtesën tonë në heshtje… në heshtje institucionale, në heshtje ngjarjesh ende të pazbardhura, në heshtje vlerash kombëtare ende të pavlerësuara denjësisht dhe në heshtje shpirtërore e njerëzore ende të pashkruara.
Është pikërisht kjo heshtje e papërgjegjshme dhe e shurdhët e cila frenon punën me “kujtesën kolektive” dhe konkretisht mund të përmend këtu që ende sot në fshatin Velekince – paralagje suburbane e Gjilanit, ekziston një rrugë me emrin e diktatorit Enver Hoxha, dhe sikurse dihet, ky fshat është njëkohësisht edhe vendlindja e Mulla Idrizit, liderit kryengritës të rezistencës së armatosur kundër okupimit serb. Emërtimi sot i një hapësire publike nuk duhet kurrsesi të jetë burim provokimi për opinionin publik qytetar dhe duke qenë se i përkas një familjeje e cila i ka përjetuar me humbje shumë të rënda vitet e diktaturës dhe tek e cila kthetrat e regjimit të Hoxhës janë futur thellë në katër breza: 330 vite internim, si edhe të vrarë e të burgosur në çdo brez – ndjehem përballë një detyrimi qytetar për të mos heshtur.
.
Ermira Xhomaqi - Përtej Harrimit - Abdulla Rami
Ermira Xhomaqi – Përtej Harrimit – Abdulla Rami
Revista Porta: Çfarëdo që personazhi juaj kryesor mund të ketë bërë në ato kohëra të vështira për një popull të vogël, siç është ky i yni në Luftën e II Botërore, duket se ai përfaqëson më shumë se vetveten, të paktën brezin e tij, apo të sapodiplomuarit nga Evropa të emëruar nga qeveria e Tiranës nëpër tokat e çlirueme siç u quajt Kosova?
Abdulla Rami – personazhi protagonist i kësaj vepre, shkon përtej figurës së një individi të cilësuar. Ai përfaqëson kalvarin e intelektualit shqiptar antikonformist jeta dhe vepra e të cilit u rrënua dhe u harrua nën dhunën e totalitarizmit në Shqipëri. Ndaj përmbajtja e këtij libri – dhe këmbëngul në këtë fakt – më shumë se një biografi – është një përpjekje për të rrëfyer një copëz realiteti shqiptar që mbart një kuptim tejet më të gjerë e më të plotë dhe i përket asaj pjesë të historisë së Shqipërisë, e cila u fsheh dhe u përgënjeshtrua enkas, për më shumë se një gjysmë shekulli. Në këtë këndvështrim, ky libër besoj të shërbejë si burim për njohjen e natyrës së diktaturësnë Shqipëri: metodat, organizimin dhe funksionimin e saj, krimet e shkaktuara ndaj të pafajshmëve, shtypjen e individit, ndrydhjen e mendimit, shkurajimin e kuriozitetit, mbytjen e individualitetit dhe konformizmin e shoqërisë. Ky libër nxjerr në pah edhe zgjedhjen që individë të veçantë si Rami bënë në ato vite: Ata refuzuan çdo lloj konformizmi pavarësisht nga pasojat, duke mos pranuar kështu vdekjen e tyre morale dhe intelektuale, dhe për këtë ata paguan shtrenjtë, shumë shtrenjtë, por mbeten zot të fatit të tyre dhe njerëz të lirë.
Përkrahë juristit Abdulla Rami, në këto vite shërbenin në Gjilan e Kosovë edhe gjyqtarë të tjerë si Esat Berisha, Thoma Jani, Hasan Kryeziu Zeqir Arni, Kudret Kokoshi, Eqrem Hado, Odise Dhima, Selami Libohova, etj. Ishte koha kur Rami dha kontributin e tij si gjyqtar në vitet 1941-1943, në administratën juridike të Gjilanit, dhe bëri të gjitha përpjekjet për të mbrojtur me përkushtim të drejtën legjitime të shqiptarëve në Kosovë, duke e konsideruar këtë mision si një prolog të aktit të madh të bashkimit të trojeve etnike shqiptare dhe pati meritë të veçantë në fushën e jurisprudencës për sa i përket shqiptarizimit të plotë të institucionit juridik të Kosovës të dominuar krejtësisht nga elementet serbe. Ai ngriti zërin e protestës kundër shovinizmit serb duke kërkuar rishqyrtimin e çështjeve gjyqësore të shumë prej kosovarëve të burgosur, të mbetur viktima të genocidit sllav dhe duke shpallur jo vetëm pafajësinë por edhe lirimin përfundimtar të tyre.
.
Revista Porta: A mund të mbrohet e drejta e padiskutueshme e viktimave të totalitarizmit sot vetëm në ligjërimin për Kujtesën? A mos është vonë për heronjtë e shtypur të cilët jetuan jetëra të ndrydhura e tani nuk jetojnë më, të gërmohet kaq thellë për të arritur të nxjerret leksioni i historisë?
Çdo komb e shoqëri është ballafaquar të paktën në një moment të caktuar të historisë së vet me nevojën e pashmangshme të punës me kujtesën, në një lexim të drejtë të saj. Prandaj dhe angazhimi im në shkrimin e këtij libri është një përpjekje për të plotësuar sadopak atë boshllëk të madh në rindërtimin dhe rievidentimin e kujtesës sonë të përbashkët, kam parasysh këtu kujtesën tonë historike, atë kulturore dhe shpirtërore. Atë kujtesë të pashlyer të cilën Kosova e Shqipëria e kanë ruajtur me sakrifica për vite e vite me rradhë, nëpërmjet rezistencës, moskonfrontimit dhe mbijetesës. Njerëz si Rami kundërshtuan kategorikisht vdekjen e tyre morale dhe intelektuale, ndaj dhe ligjërimi mbi kujtesën është vetëm njëra prej hallkave në përpjekjet për mbrojtjen e tyre. Kam parasysh këtu të drejtën e tyre për dinjitet historik, si edhe për dëmshpërblim. Arsye për të cilën ndaj sot me Ju, të drejtën e këtyre martirëve, për njohjen e së vërtetës së tyre dhe rivlerësim. Kjo kërkon kurajo civile që të mundeme të jemi sot plotësisht të gatshëm të përballemi me të shkuarën tonë, ta analizojme e të reflektojmë duke nxjerrë mësimet e duhura.
Përsa i përket “vonesës”, në pyetjen tuaj të dytë, theksoj se kur flasim dhe dënojmë një diktaturë që ka përpirë jetë njerëzish, koha e humb nocionin e saj të zakonshëm në fjalët “dje dhe sot”. Aktualisht ne kemi nevojë urgjente “të normalizojmë” historinë tonë, kemi nevojë për modele të tillë intelektualësh sidomos sot kur shoqëria jonë është në krizë modelesh. Ne kemi nevojë për njohjen e këtyre intelektualëve, ende të pavlerësuar ashtu si duhet dhe më duhet në këtë pikë të mos anashkaloj faktin që Abdulla Rami i përkiste asaj elite të re shqiptare, të formuar në nivelet më të larta të universiteteve europiane, në periudhën më të bukur, por edhe më tragjike të viteve ’20-’30 të shekullit XX, bashkëkohës dhe bashkëstudentë i mjaft prej figurave intelektuale të spikatura në ato vite si: Arshi Pipa, Musine Kokalari, Hasan Rami, Lazër Radi, Isuf Vrioni, Nedin Kokona, Sabiha Kasimati, Myslim Çarçani, e të tjerë, ëndrra e të cilëve do të zhytej shumë shpejt në terrin që i ofroi diktatura. Ndaj dhe pyetja: A dimë ne aq sa duhet për atë dramë të rëndë që përjetuan kundërshtarët politikë të regjimit totalitar dhe familjet e tyre, menjëherë pas vendosjes së tij në Shqipëri? Mbetet një përgjigje jo e plotë mbi një tablo të mjegullt e fort të ngatërruar!
.
Administrata juridike e Gjilanit-Kosovë 1942
Administrata juridike e Gjilanit-Kosovë 1942
Revista Porta: Si mund të tejkalohen këto probleme kronike për kombin shqiptar tani në epokën e globalizimit, internetit dhe qytetarit modular të botës?
Ky është një mision sa i qartë edhe i vështirë. Për këtë, ne shqiptarët e të gjitha trojeve duhet të investojnë pa pushim për të ndërtuar një shoqëri me solidaritet, paqësore, të edukuar, të aftë dhe teknologjikisht të përparuar dhe konkuruese. Përballja me të vërtetën, zhvillimi i shpejtë dhe i gjithanshëm, forcimi i marrëdhënieve mes të dy vendeve, anëtarësimi i përbashkët në BE i Shqipërisë dhe i Kosovës, është forma më konkrete dhe efikase për t’i tejkaluar këto probleme dhe për t’i rrafshuar ato. Në këtë kontekst aktual qasem me idenë se problemi “emocional” i bashkimit tonë kombëtar, do të kryhet në një tjetër rrafsh në sinkroni të plotë me zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe në botë. Sigurisht Kosova ka qenë, është dhe mbetet gjithmonë pjesë integrale e koshiencës sonë kombëtare dhe sot, një shtet i lirë e i pavarur, në rrugën e duhur, me zgjedhjet e duhura, edhe pse me vështirësi e kundërshti të pakrahasueshme; një shtet i vogël që ka ende nevojë për mbrojtje dhe ndihmë por mbi të gjitha për bashkëpunim, mirëkuptim dhe mbështetje. Ndaj me anëtarësimin në BE të të dy shteteve shqiptare, kufinjtë shtetërore e humbasin në njëfarë mënyre rëndësinë e tyre të mëparshme dhe problemet tona shtrohen në tablonë e një fryme të përbashkët në rajon. Prandaj sot orientimi i politikës kosovare është detyrimisht anëtarsimi në NATO – për siguri – dhe në BE – për ekonomi dhe barazi shoqërore. Ky proces do të marrë kohë, shumë më shumë nga sa e mendojmë ne, sepse realitetet kanë ndryshuar dhe kushtet janë ashpërsuar. Ne duhet të konsolidojmë në mënyrë të gjithanshme dhe në vijimësi, në çdo fushë e në çdo nivel marrëdhëniet dhe bashkëpunimin politik, doganor, një planifikim komplementar, dhe përgatitjen për hyrjen në Europë si një treg modern dhe i organizuar. Një gjë është e sigurt, në kohën e sotme “hallet” tona janë ndoshta më pranë e më të përbashkëta se kurrë, ndaj askush nuk do të mund t’i ndajë me shqiptarët: Kosovën dhe Shqipërinë. Do të doja të kujtoja këtu mes të tjerash edhe një fakt shumë të rëndësishëm: përpjekjet e përbashkëta të dy vendeve tona për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në tetor-nëntor të vitit 2015-të, përpjekje të cilat kam mundur t’i ndjek nga afër në ambientet e UNESCO-s.
.
Revista Porta: Ç’qëndrim duhet mbajtur për dëshmitë që lidhen me persekutimin, mes atyre të pasojave të viktimave të dhe asaj që ata kanë deklaruar?
Për arsye që ne i dimë e i njohim, ne shqiptarët i kemi paguar një “haraç” të madh historisë, i kemi paguar një çmim të pallogaritshëm për qëndresën, mbijetesën dhe për të ardhur në këto ditë kur mund jo vetëm të vajtojmë të humburën por mbi të gjitha të festojmë të fituarën. Prandaj është e rëndësishme, kyç madje, që puna me kujtesën tek ne, në të dy anët e kufirit të na mësojë së pari të qëmtojmë me kujdes e pa pasione historinë, ngjarjet, njerëzit, fenomenet; të nderojmë e respektojmë ata që u ngritën mbi vetveten, ata që dhanë gjithçka për të përbashktën, për kauzat e mëdha; të ndreqim pa hezitim gabimet e së shkuarës e vendimet e mbrapshta; dhe mbi të gjitha të forcojmë ritmet e zhvillimit për t’u bërë pjesë normale e asaj pjese të botës që është sot në pararojë te zhvillimit.
Kurrë ndonjëherë në historinë e tyre shqiptarët nuk kanë qenë, më pranë ëndrrave më të paimagjinueshme; kurrë më parë shqiptarët nuk i kanë pasur fatet e tyre në dorë siç i kanë sot. Prandaj ajo që ne mund e duhet të bëjmë është të ndërgjegjësohemi për atë që kemi e për më të mirën që duhet të bëjmë.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.