Doli libri: “…Duke i kujtuar, më dridhet zemra!” – Neriman Hoxha

1
18
Neriman Hoxha - Kopertina e Librit
Neriman Hoxha - Kopertina e Librit
Neriman Hoxha - Kopertina e Librit
Neriman Hoxha – Kopertina e Librit

“…Duke i kujtuar, më dridhet zemra!” – Neriman Hoxha

Doli nga shtypi libri me kujtime i Neriman Hoxhës “…Duke i kujtuar, më dridhet zemra!”, botim i Shtëpisë Botuese KLEAN. Nji rrëfim rrënqethës i jetës së nji familje të kultivuar, e vendosur brenda kuadrit të tragjedisë së krejt nji populli… Në kopertinë, ka lënë nji shënim të tij Fatos Beja. Parathënia e librit është shkruar nga Jozef Radi.

Fatos Beja (1948)
Fatos Beja (1948)

***
(Shënim në kopertinën e pasme të librit)
Historia e një familje qytetare të kultivuar që thërmohet në nofullat e përbindshit totalitar, na sjell një dëshmi të Shqipërisë pak të njohur të kampeve të interrnimit. Ka padyshim një vlerë publike: për ne që jetuam në diktaturë, na ndihmon  të shikojmë në skutat enveriste që ishin larg syve tanë, për ata që ndjenë padrejtësinë t’u brente pamëshirë jetën çdo ditë, është një nxitje për të rrëfyer atë që vuajtën; për të rinjtë e sotëm është një burim urrejtjeje për diktaturat dhe një përkushtim për të drejtat njerëzore… Ikja e një 20 vjeçari nga Shqipëria, bëhet krimi i pakryer i tri motrave të tij, mësuese të reja në gjimnazet e Tiranës, dhe i prindërve pleq, për të cilin u ndëshkuan mbi 30 vjet interrnim në kampet e punës.
Autorja sjell një tufë kujtimesh të idhëta të motrave Hoxha dhe bashkuajtësve të tyre, që e fusin lexuesin në rrethet pambarim të ferrit komunist…
Fatos Beja

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Kur rrëfimet e dhimbjeve pafund bëhen libër… Jozef Radi

Shënime që mund të shërbejnë edhe si parathënie e librit

“…Duke i kujtuar, më dridhet zemra” të Neriman Hoxhës

Po i afrohemi çerekshekullit, që diktaturën më të egër të Europës, me gjithë mekanizmat e përbindshëm të saj i kemi lënë pas në kohë, po si duket jo ndër shpirtra… Ende nuk jemi larg aq sa duhet prej asaj së vërtete rrenqethëse; ende s’është bërë ajo çka ishte e domosdoshme të bëhej; asnji “mea culpa” publike, asnji rehaibilitim njerëzor e atyre që pësuan padrejtësisht, asnji respektim dinjitoz i vuajtjes, asnji ndëshkim ligjor i krimeve në abuzim edhe të vetë ligjeve të diktaturës… ende s’ka ndodhur.. ende s’po ndodh… e ndoshta as ka për të ndodhë… Pikërisht, prej këtyre fakteve të dhimbshme, diktatura – në dukje e mbetur pas, duhet me çdo mjet e mënyrë të mos harrohet e të mos shpërfillet krimi i saj i pandëshkuar, sepse kërcënimi i saj dhe i gjithë mekanizmave të verbërta të së djeshmes: izolimi, terrori, dhuna, survejimi, shpifja dhe i depersonalizimit të njeriut janë edhe sot aty mbas dere… më kërcënues se kurrë…
Pikërisht, kësaj “klithme në kujtesë”, mendoj se i shërben edhe kjo punë e gjatë shumvjeçare dhe e mundimshme e zonjës Neriman Hoxha… libri “…Duke i kujtuar, më dridhet zemra!”.
Prej vitesh ajo ka trokitur ma së pari në dyert e kujtimeve të saj, e mandej në shumë dyer të njohura e të panjohura bashkëvuajtësish me pasionin dhe këmbënguljen e mbledhjes se dëshmive të asaj së vërtete që “s’duhet të vdesë në jetë të jetëve…”, nëse mendojmë se e duam kët vend, nëse duam që ai të mbetet atdheu i secilit, dhe i të gjithëve së bashku… Më së fundi, kur Ajo e kishte gati trokiti edhe në dyert e Shtetit dhe Institucioneve përkatëse me shpresën se do të ndihmohet për këtë botim… Por asgjë… veç heshtjes edhe ca premtimeve zvarritëse  e shterpe… s’ka gjetur asgjë tjetër.
Tashti Ajo, mbas kaq vitesh përpjekje, e ka marrë përsipër ta botojë vetë  këtë libër, kët Bibël të Vuajtjes…

Motrat Handan, Suzan dhe Neriman Hoxha
Tri Motrat Hoxha: Handan, Suzan dhe Neriman

***
Tri motrat Hoxha, ishin dikur tri vajza plot pasione dhe ëndrra, por fati i tyre nën nji diktaturë të përbindshme, bëri që ato të kalonin plot tri dekada internim, në nji prej kampeve më famëzinj: në atë të Savrës.
Nji ditë, ashtu të reja siç ishin i përplasën aty mes baltës! Të hutuara prej asaj çka po ju ndodhte, kur dikush i pyeti: “Po pse erdhët?” Iu përgjigjën: “Nuk erdhëm, na sollën!!” Po, i kishin sjellë përdhunshëm. Tri vajza të reja me dy prindër pleq… U kishin marrë pronën, u kishin vrarë rininë, i kishin hedhur në rrugë, i kishin kërcënuar me burg, ua kishin bërë të pamundur jetën dhe të arthmen, vetëm pse vëllai i tyre i vetëm Asafi, nji djalosh plot energji e shpirt drejtësie, nji ditë të bukur arratiset… Vërtet, në nji farë mënyre ai e kishte shpëtuar jetën e vet, por kishte rrënuar pa e besuar fatin e tri motrave të pafajshme…
Tri motrat Hoxha, janë gjithnji të gjalla në kujtesën time, qysh fëmijë. Ato më shfaqen qysh herët, me atë pamjen e tyre fisnike, me sjelljen e tyre të veçantë, me atë mënyrën e tyre të rezervuar, me ato flokët për të cilat tregonin gjithnji kujdes, me at shetitjen e zakonshme buzmbramjes arave, me atë pozitivitetin e tyre të padiskutueshëm… Të tria Motrat Hoxha, edhe pse nga i njejti zjarr me diktatorin, (nga i njejti qytet dhe me po at mbiemër), s’e shpëtuan dot rininë tyre prej nji kampi interrnimi… Edhe pse s’kishin cënuar askënd në kët botë, edhe pse s’kishin shkelur asnji ligj të asaj bote proletare, pësuan rëndë, shumë rëndë duke mbetur tri vajza të përjetshme… sepse fati i tyre prej të internuarash, s’u dha atyre asnji mundësi të merrnin prej jetës atë çka normalisht i takon çdo vajze…
E mora përsipër të shkruaja diçka në përcjellje të librit në fjalë, sepse e ndjeja si detyrë thellë brenda vetes… sepse, s’më ka ndodhë asnjiherë që të takohem me to dhe të mos flisnim për kët libër, që po shkruante më e vogla e tyre, Nerimani…
Nuk mund ta kapërcej të vërtetën… se qysh fëmijë kam trokitur rregullisht në shtëpinë e tyre, se qysh herët, krejt fëmijë kam njohur xha Vehipin, të jatin e tyre, mësuesin më të shenjtë të jetës sime; zonjën Nalo, nji grua me mirësi dhe butësi të pashoqe, që kurrë s’e pashë të ngrinte zërin dhe të ndalesh nji çast… dhe ato tri Motrat, tri Motrat Hoxha: Handani, Susani dhe Nerimani…

***
Handani, ishte e madhja… Ajo ishte sporti, muzika, filmi, hareja. Tenistja e parë shqiptare, vajza që jetonte në qiellin e ëndrrave të saj. Handanin, më pëlqen ta kujtoj ashtu bjonde, të shkujdesur, me at ecjen e saj karakteristike, me ata flokët si dallgë deti, shpesh mbi nji biçikletë, me energjinë e saj prej sportisteje, me atë fërshëllimën e lehtë ndër buzë, si e posadalë nga ndonji koncert klasik… Në të përditshmen e atij kampi interrnimi, jetoi sikur ajo jetë e rëndomtë dhe e përbaltur ku e kishin hedhur s’kishte asnji lidhje me të… Handani dukej sikur jetonte në botën e lirisë dhe ëndrrave të saj… edhe pse tridhjetë vitet ma të bukura të jetës… iu ndrydhën aty në Savër…

***
Suzana ishte e dyta… Ajo ishte disiplina, rregulli, maturia, ekonomia, dipllomacia… Në të vërtetë ajo ishte muzika në sensin e saj ma të plotë të fjlaës. Autore e librit të parë të solfezhit, mësuese muzike në lice, gjithnji e shtruar, e arsyeshme, e gatshme, e kujdesshme dhe plot kulturë… Gjithnji e gatshme për të ndihmuar… Nëse kanë harruar mund t’ua kujtoj unë, se mjaft djem nga Savra, prej atyre që konsideroheshin “të lirë” kanë marrë tek ajo mësimet e solfezhit dhe s’ishin pak… Po përpiqem t’ua kujtoj emrat disave si Pandi A., Bashkim D., Adem B., Arjan H., dhe mjaft të tjerë edhe “nga tanët” që gjenin tek Suzana jo veç mësuesen, po edhe nji botë përplot me dritë dhe dije…

***
Nerimani, ishte më e vogla… Përndryshe e sakrifikuara. Ende s’kishte mbaruar për mësuese rusishteje kur e degdisën Myzeqesë. Në të njejtën kohë ajo kishte studiuar edhe anglisht… dhe shumë vetë e kanë shfryëtzuar këtë vlerë të saj. Korrekte si mësuese, Ajo ishte vajza e letrave, e gjuhëve te huaja, e punëve të vështira, e përkthimeve, e redaktimeve… Ajo është edhe autorja e këtij libri,  që me gjithë “pretendimet modeste”, siç shprehen ato vetë, ka nji domethënie të madhe… Është nji libër me shumë jetë të sakrifikuara brenda, jetë që ajo e ka ndjerë dhe e ka vuajtur vetë, nji libër për të cilin ajo ka trokitur në dhjetra dyer për të mbledhur thërrimet e tragjedive të mëdha shqiptare… Ka trokitur edhe në shumë dyer institucionesh që të ndihmohesh botimi i tij… Po premtimet dhe fjalët e bukura mbetën veç fjalë dhe premtime, ajo e  ndjeu se mundi i saj do të mbetesh i braktisur, ashtu si fati i mijra tragjedive të fashitura të kësaj Shqipërie, shumicën e të cilave, ata që i vuajtën i morën me vete… S’duhet të harrojmë se ato i dolën zot vetë kësaj pune, si nji amanet për gjithë ata njerëzve që sot s’janë më mes nesh…

Suzana Hoxha dhe baraka e saj
Suzana Hoxha dhe baraka e saj

Libri, është i ngjeshur me ngjarje, me personazhe pozitive e negative, me vendqëndrime të njohura tmerri, me dhunë e krime, me qëndresë dhe fisnikëri… Aty është përpjekur të jepet e vërteta e krejt një gjysëm shekulli, ashtu e gjallë, rrënqethëse, shpesh e pabesueshme edhe prej vetë atyre që rrëfejnë… Përmes kujtimeve, personazhet duket sikur dalin prej Ferrit dëshmojnë të vërtetën e tyre dhe rikthehen përsëri në Ferr. Janë aty gjithë kampet e terrorit si nji vargan i pafundmë krimesh, duke filluar nga kampi i Krujës dhe Beratit, duke vazhduar me Kampin e tmerrshëm të Tepelenës, me llagëmet drithëruese të Porto-Palermos, me humbëtirat e Kuçit të Kurveleshit, për t’u kthyer së fundi te kampet e shumta të Myzeqesë, që po mbinin si këpurdha mbas tharjes së kënetës së Tërbufit, dhe ku nevoja për skllevër ishte aq e madhe. Aty do të kalonte prej nji brezi tek tjetri stafeta e vuajtjes së përjetshme, sikur Rrëzimi i Murit të Berlinit, të mos merrte me vete krejt Perandorinë e së Kuqes (së Keqes), ku bënte pjesë si flamurtare edhe Shqipëria…
Për këtë punë të paepur meritojnë nji përgëzim e falenderim të veçantë të tria Motrat Hoxha, mbasi secila ka at pjesën e saj të vogël, por në mënyrë të veçantë Nerimani, që falë shpirtit të sakrificës, dhe mësueses së paepur, u tregua këmbëngulëse dhe e palodhur për t’i shkuar deri në fund kësaj pune, punë e cila jam i sigurt se në të ardhmen do të meritojë falenderimin e brezave që vijnë, sepse “E keqja që harrohet, kërcënon gjithnji të përsëritet…”
Libri “…Duke i kujtuar, më dridhet zemra!”, nji citim i nxjerrë nga vepra e Virgjilit, është nji libër që u bashkohet dëshmive pafund nga ferri komunist, dhe unë ndjehem i nderuar, përpara këtyre Tri zonjave, që m’i dhanë besim të plotë  fjalës sime në hyrje të mundimit të tyre…
Në mbyllje, më duhet ta përsëris se kam trokitur shpesh te porta e Tri motrave Hoxha, qysh fëmijë dhe s’mundem ta harroj, se edhe në ditë të vështira, ato kanë qenë gjithnji fisnike jo veç me mua dhe familjen time, por me këdo… Dhe desha të kujtoj me kët rast, se aty në kamp, midis oborrit ato kishin mbjellë dy trëndafilë të mëdhenj… Unë s’mund të largohesha prej tyre pa ju kërkuar edhe nji trëndafil. Dhe ato merrnin gërshërët dhe ma dhuronin me shumë delikatesë…
Sot, për gjithë trëndafilët e dhuruar prej këtyre Vajzave të Përjetshme, do të doja që shkrimi im në librin e tyre, të ishte trëndafili i vetëm që unë jua rikthej atyre, me shumë dashuri…
25 mars, 2014
Jozef Radi

 

 

 

Related Images:

Artikulli paraprakPoezia e Piro Kuqit një mesazh kundër regjimit totalitar nga Prof. Dr. Klara Kodra
Artikulli tjetërHerodoti – (484-425 p.K.) – Dija dhe Pushteti
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

1 Koment

  1. Jam i interesuar ta kem në Bibliotekën time këtë libër. Ku mund ta gjej?
    Uroj gjithë të mirat për Zojat bashkëvuajtëse, dhe më vjen shumë mirë që kanë bërë një punë të tillë, duke treguar copëza nga ajo “parajsë”, tmerri…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.