back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Poezia e Piro Kuqit një mesazh kundër regjimit totalitar nga Prof. Dr. Klara Kodra

Gazeta

Prof. Klara Kodra
Prof. Klara Kodra

Poezia e Piro Kuqit një mesazh kundër regjimit totalitar

nga Prof. Dr. Klara Kodra

Poezia e Piro Kuqit është mesazhi i një poeti që iu kundërvu regjimit totalitar dhe e pagoi shtrenjtë këtë kundërvënie, si thotë vetë ai në vjershën “Përqafimi i Diellit”, ku pohon se e kanë “varrosur gjallë” se dëshironte të përqafonte diellin (metafora që shprehin dëshirën për liri dhe humbjen e lirisë që pasoi, rrjedhojë e dëshirës së parë, burgimi politik, kalimi nga burgu i padukshëm në burgun real).
Kjo poezi është e ngjashme me një burim të kulluar që ka shpërthyer nën trysni.
Në fakt trysnia ideologjike e diktaturës i shtypte shpirtrat duke i deformuar dhe duke mbytur brenda tyre vlerat më të mira, që megjithatë tek individët më të fortë vazhdonin të mbijetonin si një rrymë e nëndheshme.
Drama e poetit shprehet përmes një vargu antitetik simbolesh që përsëriten: shkretëtira, muri, pusi, gropa ku është varrosur gjallë, figura të lidhura me shtypjen dhe thatësinë e diktaturës dhe nga ana e kundërt, burimi dhe përroi, simbole jete, dinamizmi, pastërtie.
Piro Kuqi di ta pikturojë tragjedinë e individit, të shtypur nga diktatura dhe të çorientuar nga anarkia që pasoi, po di edhe të shprehë poezinë e së zakonshmes, e gjërave të vogla dhe këtu të kujton “crepuscolarët”, (“poetët e muzgut”) italianë.
Përveç poezive simbolike gjejmë disa lirika delikate plot dhembshuri: për nënën, figura e së cilës është e pranishme në poezi të ndryshme nga të cilat kemi zgjedhur njërën për spontaneitetin dhe çiltërsinë e saj (të mendohet për thirrjen shpërthyese “Nënë!” që duket thirrja e një fëmije, e fëmijës dyzetvjeçar që është në atë kohë poeti), për gruan e dashuruar që, me gjithë ndonjë notë sensualiteti, (të shihet “Këmisha”), mbetet një figurë e vagëlluar dhe fluide, më tepër ëndrre se sa realiteti (poeti s’u martua kurrë), për ndonjë qenie të thjeshtë e të pafajshme si “macja e dashur” që poeti e kishte humbur dhe për të cilën e merrte malli.
Piro Kuqi, me gjithë përvojat e dhimbshme, ka krijuar në thellësi të shpirtit të vet “fëmijën” e Paskolit dhe poetikën që buron s’andjemi. Në poezitë e tij më të mira uni lirik ka pafajësinë e një fëmije.
Poezia e Kuqit është kundër rrymës në kuptimin që refuzon hermetizmin; s’është as si shumë poezi nga poetë shqiptarë, e modeluar mbi folklorin; është një poezi tradicionale që respekton rimën dhe ritmin dhe ka një muzikalitet të vetin; jep përshtypjen se është shkruar në vrullin e parë të frymëzimit, po, me gjasë, s’i ka munguar puna e limës.
Ndonjëherë turbullohet nga shfaqje retorizmi që megjithatë s’janë aq pozë sa shfrim.
Ka raste që poeti humbet në pyllin e figurave që bëhen qëllim në vetvete.
Thelbësorja është se Piro Kuqi e arrin poezinë e vërtetë.
Prof. Dr. Klara Kodra

Poeti Piro Kuqi (1942-2006)
Poeti Piro Kuqi (1942-2006)

Mua s’më troket njeri në derë…

poezi nga Piro Kuqi

Nuk dua

Nuk dua lajme nga bota,
as zëra njerëzish, aspak.
Sa shumë fraza tëkota
më hynë në gjak.

Sa shumë lajme, gënjeshtra,
sa shumë fraza të shtirur
më hyjnë deri në eshtra
nga dhimbja kam thirrur.

Po kush e dëgjoi këtë zë?
Kush pyet sa vuan poeti?
Nëse e ka dëgjuar ndonjë,
ka thënë: i shkreti, i shkreti!

E madhe bota

E madhe bota pa kufi,
dhe unë i vogël sa një mi,
po ku të futem, nuk e di.

E madhe bota, e paanë,
po njerëzit që më rrinë pranë
përse më ruajnë si gardianë?

Sa herë hedh unë hapin tim,
në çdo lëvizje reagim,
o, sytë e tyre në përgjim!

Edhe me veten time bluaj:
Përse u dashka që të vuaj,
o njerëz, unë nga sytë tuaj?

Porse mua…

Pse gjiri yt është aq i fryrë?
Pse gjiri yt është aq i plotë?
Zilepsi krejt këtë natyrë;
zilepsi gjithë këtë botë.

Do desha diçka prej argjendi,
do desha diçka prej floriri;
Porse mua veç më çmendi:
rrumbullakësi e atij gjiri!

Zhgënjimi

Jashtë bie shi edhe fryn erë,
mua s’më troket njeri në derë,
Hapa njerëzish rrugëve tek-tuk,
po dhe hapi i fundit, ja, u zhduk.

Të shpëtoj nga çastet e rënda,
shiu, era le të hyjnë brenda.
Hap dritaren: shiu, era ka reshtur;
sërish, bie i zhgënjyer, i heshtur.

Përqafimi i Diellit

O njerëz, jam i gjallë, çfar’ bëni ju kështu,
përse këtu më sollët të më varrosni, ju?
Çak, çuk bien kazmat, po bien pa pushim
dhe zhurmë e egër e kazmave e mbyti pa pushim,
dhe ja tek u hap varri, u hap goxha i thellë,
aty do futem unë ku s’ka as hënë, as diell,
e ngrejnë arkivolin me trupin tim të gjallë,
më fort bërtita unë, s’dëgjuan njerëzit vallë?
Dëgjuan njerëzit mirë, se nuk janë të shurdhër,
por për varrimin tim në xhep mbajnë një urdhër.
“Ky njeri të futet në varrin më të thellin,
se ky pati guxim të përqafojë Diellin!

Kanë ikur shumë vite, unë jam këtu në varr,
dhe gjindjes i thërras, gjëkund përgjigje s’marr.
Vetëm mbi varrin tim po hedhin dhe përnatë;
nga dheu që është hedhur u ngrit një mal i lartë!
Ndërsa unë jam këtu në varrin, më të thellin”.
Të tjerë ngjisin malin të përqafojnë ‘Diellin’!

Pylli

Zgjati duart e tua të gjelbra,
theje kafazin e ditëve të zymta;
ledhatomi flokët me harmoninë e gjetheve;
shpalos fshehtësinë tënde
para syve të mi;
si një kordele gjelbërimi.
Dua që balli im
të laget nga burimi i thellësive të tua,
të ndiejë pulsin e mugullimit.
Dua të kridhem në virgjërinë e fletëve,
netëve!

Kur të njoha Ty

Kur të njoha Ty,
njoha fytyrën e detit,
ti je deti që më mbyti
me dallgëzimin e flokëve.

Kur të njoha Ty,
njoha fytyrën e qiellit,
ti je qielli që më mbulon,
me ujëvarën e syve.

Kur të njoha Ty,
njoha fytyrën e tokës,
ti je toka që më josh
në shtegun e ëndrrave.

Kur të njoha Ty…

Pusi

Oh, ky pus i thellë,
oh, i ftohti pus!
Nuk ka as hënë, as diell,
më kërrus.

Jam në fundin e tij.
I etur për ajër, dritë,
Nuk e di,
kur është natë a ditë.

Zërit tim të ngjirur
muret i bëjnë pritë.
Sa shumë kam thirrur!
Mos kthehem në kufomë?

Do dal në ajër, në dritë,
lirshëm të marr firomë?

Shkretëtirë…

O, shkretëtirë e gjatë,
shkretëtirë e pafund!
Ec unë ditë e natë,
sa mund.

Eci, për ku vallë?
Braktisur nga botë e tërë.
Asnjë qenie e gjallë.
Veç rërë…

S’di sa rrugë kam bërë,
S’di sa rrugë ka mbetur,
veç eci unë nëpër rërë,
i etur.

Një, dy hapat i hedh.
Hapat e mi të lodhur;
Oh, – shkretëtira më ngjeth:
Ç’ka ndodhur?

Ç’ka ndodhur me mua kështu?
Ç’ka ndodhur në botën e tërë?
Askush s’përgjigjet këtu,
veç rërë…

Një degë plepi

Ah, kur s’jam një degë plepi,
e të puthesha me erën,
e ta ndieja gjer në palcë,
dhe dimrin dhe pranverën.

Eh, çfarë kënge do këndoja,
që s’e kam kënduar kurrë,
se kështu kam vetëm brenga,
se kështu jam i sëmurë.

Jam banor i një qyteti,
plot brenga dhe sëmundje,
eh, kur s’jam një degë plepi,
veç nga era në lëkundje.

"Braktisur nga botë e tërë..."
“Braktisur nga botë e tërë…”

Hëna

Hëna është e hollë, e hollë,
porsi drapër nuk më ngjan,
po më ngjan si brinjë e thyer,
nga kraharori im i shqyer,
nga kraharori që më qan.

Hëna është e brishtë, e brishtë,
pasi vashëz nuk më ngjan,
po më ngjan si psherëtimë,
nëpër këngët plot trishtim;
del nga shpirti im që qan!

Hëna është e lehtë, e lehtë,
posi shpend ajo s’më ngjan,
po më ngjan si lot i ndritur,
nëpër faqen e zhuritur,
delnga zemra që më qan!

Hëna është e parfumuar,
posi trëndafil s’më ngjan,
po më ngjan si gjethe e verdhë;
qielli shiun nis të derdhë,
ja, për mua hëna qan.

Syri im

Gjoksi im – kambanë e ndryshkur.
Zëri im – një gjeth i vyshkur.
Dora ime – degë e shqyer.
Ëndrra ime – qiell pa yje.
Kënga ime – myshk ndër pyje.
Shpirti im – shi i pareshtur.
Gjoja ime – prag i heshtur.
Rruga ime gjol i thellë,
Syri im – zgavër e shpellë!

Si gur në gjoksin tim

Po s’erdhe nesër mbrëma,
po s’erdhe në takim,
do varet vetë Hëna,
si gur në gjoksin tim.

Dhe gjoksi nga kjo peshë.
Do dergjet në lëngim,
po s’erdhe, pëllumbeshë,
po s’erdhe në takim.

Vesë

Po shkëlqejnë pika vese
në livadhe, nëpër bar,
janë ato rruaza shprese,
janë ato margaritar.

Dua t’i marr nëpër duar,
t’i thëthij si aromë bari,
porse duke u avulluar,
më rrëshqet margaritari.

Ashtu si rinia ime,
o, sa shpejt që shkriu vesa!
Mbetën veç disa kujtime,
posi bari i thatë – mbresa.

Hajdutja

Hajdutja e dritës së diellit,
që lan mëkatet në lumë,
Hëna – spiune e qiellit,
mendimet përgjon nëpër gjumë.

Ndaj natën unë s’kam gjumë,
dua të kridhem në lumë.
Po rrugët ajo m’i ka zënë,
me rrezet e saj si hafie.

Ç’kërkon nga unë, moj hënë?
Lërmë të prehem, të bie!
Mes reve fshihet dhe shfaqet,
me vuajtjen time kënaqet.

Fshihet dhe shfaqet mes reve,
përgjon dhe qimet e kokës,
unë – viktimë e kopeve,
midis qiellit dhe tokës.

Hajdutja e dritës së diellit
spiune e tokës e qiellit!
Marrë nga http://gazeta-nacional.com 27 maj 2012

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.