back to top
22.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Maj, 2026

Diku në kohë! – nga Avis Gjyshja

Gazeta

Avis Gjyshja në Tagish Lake - Skagway 2017
Avis Gjyshja në Tagish Lake – Skagway 2017
Diku në kohë!
nga Avis Gjyshja

Mbaj mënd, që midis gjërave të para që më ranë në sy në vendin e ri, ishte edhe se fundjavave apo në ditët e festave, trafiku i rrugëve që shkonin drejt veriut rëndohej shumë. Kur pyeta, më thanë se shkojnë “ap north”!
Por hartat nuk kishin ndonjë vend me këtë emër…
…Ka kaluar shumë kohë dhe e njëjta gjë vazhdon edhe sot. Ndryshimi është se tani jam dhe unë një nga ata që shkoj “ap north”.
Nuk e di se si është “ap northi” i të tjerëve, por ai imi është diçka midis reales dhe imagjinares, një vend mjegullash që më shumë ndjehet se preket, një vend me të cilin ndaj vetminë e flas për të kaluarën, një hapësirë e pa anë ku qiejt më duken më të lehtë e më të largët se sa ata të jugut, pyjet më të përgjumur, liqenet më të virgjër, salmonët më të shumtë e drerët më të mëdhej. Është një vend ku s’ka rrugë e as adresa, ku nuk bije telefoni dhe ku qetësia prishet rrallë, herë nga vaji i largët i ndonjë ulkonje që të kujton “Kushtrimin e të parëve” të Xhek London, e herë nga klithma hipnotike e ndonjë luni, vetmia e të cilit duket sikur i ngjan vetmisë time. 
Por unë sot do të tregoj për një ishull që gjendet në anë të rrugës për në “ap northin” tim, e ku unë nuk u mërzita kurrë së shkuari.

Grand Hotel
Grand Hotel

Është veç njëri nga rreth 30 mijë ishujt e liqenit Hjuron. Gjendet rreth 450 km larg në veri të Detroitit, 25-30 minuta me traget larg nga toka dhe ka një sipërfaqe jo më shumë se 10 km2. Gjeografikisht, bashkë me dy ishuj të tjerë, ai kontrollon daljen lindore të ngushticës Mëkinak (Mackinac) e cila ndan më dysh shtetin e Miçigenit dhe bashkon ujrat e liqeneve Hjuron e Miçigen. Ka të njëjtin emër me ngushticën dhe dikur ishte shtëpi e vend i shejtë për lëkurëkuqtë e tribusë Odawa. Ata besonin se ishulli ishte shtëpia e Gitçi Manitu, Shpirtit të Madh, i cili ishte krijuesi i gjithçkaje. Origjina e emrit të tij, vjen po nga fjala indigjene Miçilimëkinak që do të thotë “breshkë e madhe”. Dhe ky qe edhe emri i ishullit deri kur anglezët pushtuan zonën dhe e shkurtuan në Mëkinak. Ndërsa rëndësia e ngushticës për zonën përcaktohet nga fakti se ajo ështe i vetmi kalim lundrimor që lidh territoret e provincës së Ontario-s së Kanadasë dhe shtetet amerikane të Miçigenit, Ohaios, Pensilvanisë dhe Nju Jorkut nga njëra anë me shtetet e Indianës, Ilinoisit e Uiskonsinit në anën tjetër.
Historia thotë se i pari europian i bardhë që dokumentoi shkeljen e tij në këto zona qe Jean Nicolet, një eksplorues franko-kanadez, i cili erdhi këtu në vitin 1634. Pas tij erdhën priftërinjtë e pas priftërinjve ushtria. Në gjuhën e indigjenëve të tribuve të Liqeneve të Mëdha të bardhët u quajtën “uabishkiuej”.
Mundet që dhe para tij të ketë patur të tjerë “coureur des bois” siç quheshin udhëtarët e pyjeve që me një trastë gjërash pa vlerë përpiqeshin të krijonin pasuri duke i shkëmbyer me lëkura kafshësh të egra që i kishin indigjenët, por asnjë nga ata nuk ka lënë ndonjë dokument që ta provojë këtë.
Në vitin 1671, aty ku sot gjendet qyteti Shën Ingnis (Saint Ignace) dhe bankinat e trageteve që çojnë e marrin njerëz në ishullin Mëkinak, gjendej një fshat tipik indigjen në të cilin prifti francez Jacques Marquette, themeloi një mision katolik, i cili u kthye shpejt në një ndër më të rëndësishmit e Liqeneve të Mëdha. Pak vite më vonë, lulëzimi i tregëtisë së lëkurave në territoret e Liqeneve të Mëdha bëri që francezët, të ngrinin në anën jugore të ngushticës, një fortesë ushtarake e cila funksionoi nga viti 1715 deri në vitin 1781. Pas vitit 1781, zona ra në duart e anglezëve, të cilët pasi e abandonuan fortesën franceze ngritën një tjetër fortesë të re në ishullin Mëkinak, ndërtesat e të cilës sot, janë restauruar dhe shfrytëzohen si atraksione turistike me shumë vlerë për ishullin.
I rrethuar nga bluja e ujërave të Liqenit Hjuron, i dukshëm që nga ura tetë kilometra e gjatë që kapërcen mbi ngushticë dhe lidh dy gadishujt e Miçigenit të ndarë që nga koha e krijimit të tyre, i mbuluar nga pyje aromatikë halorë të përzjera me mështekna lëkurë argjëndi e panja, i mbajtur si vendi numër një në botë për llojet e jargavanëve, me fortesat, kishat, dyqanet, ndërtesat, kabinat dhe hotelet unike të gjitha pa përjashtim të stilit viktorian të viteve 800, me memoriale e vepra arti, një vend ku si askund tjetër nuk lejohen makina e motorë dhe ku qetësia e jetës së përditshme prishet vetëm nga zilet e biçikletave të turistëve apo troku i kuajve të karrocave të cilat bëjnë punën e taksive -ky është vendi, ku në çdo cep, rrugë e objekt të të cilit ndjehet sot sharmi i së shkuarës e të pëshpërit historia. Këmbëngulja për ta mbajtur ishullin në të shkuarën e historisë është çelësi i famës së tij. Vera e ishullit, me jetën e ngecur në të shkuarën e tymtë të kulturave indigjeno – franko – angleze, me diellin që ndriçon, kopështet e luleve, blunë e ujrave të liqenit, urën e famshme dhe varkat e turistëve në sfond, është aq e bukur dhe e ngrohtë sa të sjell këmbëngultazi në mendje, idilizmin e peisazhit “Garden at Sainte-Adresse” të Claude Monet. 83% e ishullit të sotëm është park dhe pronë shtetërore dhe vetëm 17% e tij janë prona private të trashëguara brez pas brezi që disa shekuj më parë. Sidoqoftë ndërtime të reja nuk lejohen, ndërsa restaurimet e objekteve ekzistuese kalojnë e mbikqyren nga komisione ekspertësh dhe duhet me patjetër të ruajnë stilin dhe sharmin e së kaluarës.
Por lidhja e tij me të shkuarën, edhe mua personalisht më ngacmon e më kthen prapa në historinë time të vogël e të dhimbëshme të fillimeve si emigrant i ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur erdha këtu përveç ca leckave e ca librave që mezi i prumë nga matanë oqeanit, kisha gruan dhe dy fëmijët e vegjël që më ndiqnin pa e ditur se ç’qe ndërsa në shpirt kisha dhimbjen e vargjeve të këngës “Amara Terra Mia” të Domeniko Modunjos. Dhe sot sa here i kujtoj ato kohëra, kujtoj dhe pamjen e trishtuar të fytyrës së nënës time kur thoshte: -Hoj, hoj, hoj moj dynja! -Ku ishe e ku je!
Në atë pak kohë të lirë të atyre fillimeve, përpiqesha që të bëja dhe pak vend për gjueti e peshkim. Vendi i ri kishte aq shumë ujra e pyje sa që indigjenët Oxhibue (Ojibwe) e quanin “Mishigamau”, emër që në gjuhën e tyre kishte kuptimin e “liqenit” ose të “ujit të madh” dhe që përbën dhe origjinën e emrit të sotëm të shtetit të Miçigenit. Liqenet ishin të paana dhe mitologjitë indigjene thonin se thellë në shpellat e errta të fundeve të tyre jetonte “Mishipeshu-ja”, një lloj përbindëshi nënujor imagjinar që kishte trupin e një rrëqerbulli gjigand, brirë si të bizonit dhe kurriz e bisht të gjatë me luspa si të krokodilit. Legjendat thonin se mjaftonte një shkundje e saj që në Liqenet e Mëdha të ngriheshin stuhira të llahtarshme, dallgë, dhe vorbulla të tmerrshme siç qenë Shtrigat e Nëntorit ose Hurrikanet e Bardha që ndodhnin kryesisht në kohën e vjeshtës kur mbi Liqenet e Mëdha kacafyteshin erërat e ftohta polare me erërat e ngrohta të jugut.
Në ditë të tilla anijet kërkojnë gjire të mbrohen, liqenet gjëmojnë e bëhen të zinj, dallgët ngrihen edhe më shumë se 15 metra, erërat vrapojnë me mbi 100 km/orë e ura mbyllet…
Pothuaj po në ato kohëra dëgjova dhe për lamprejat. Askush nuk dinte të thosh se nga erdhën e qysh, por e sigurt qe se ato u çfaqën në ujrat e Liqeneve të Mëdha gati dy shekuj më parë dhe kjo ndodhi menjëherë pas ndërtimit të kanalit Welland i cili anashkalonte kataraktin e Niagarës dhe mundësonte lidhjen lundrimore të Liqeneve të Mëdha me oqeanin Atllantik.
Lamprejat qenë krijesa ujore që natyra i kish bërë të rronin me gjakun e gjallesave të tjera por thashethemet e zmadhimet në bisedat e peshkatarëve, i tregonin ato gati si përbindësha të ardhur nga planete të tjera. Për herë të parë unë e pashë një të tillë, shumë vite më parë, në dritën e një hëne të mekur mesnate, kohë kur sapo kishja filluar të peshkoja salmonë në ujrat e Liqeneve të Mëdha. Qe diçka midis tmerrit dhe neverisë, e mbërthyer pas trupit të një salmoni të madh, me katër sy, dhëmbë radhë radhë, as si ngjalë dhe as si peshk – një krijesë e shpifur uji që sulmonte befasisht dhe që u ngjitej në trup e u pinte gjakun krijesave të tjera. Jo larg pas saj, ndodhi që pashë dhe një film të zhanrrit horror të quajtur “Blood Lake: Attack of the Killer Lampreys” (Liqeni i gjakut: Sulmi i lamprejave vrasëse) në skenat e të cilit miliona lampreja të uritura dilnin nga thellësitë e liqeneve dhe sulmonin netëve banorët e një qyteti të përgjumur liqenor që sipas filmit ishte jo larg nga shtëpia ku unë vazhdoj të banoj edhe sot. Është pak të them, por ndërpreva peshkimin dhe pata të njëjtën frikë si ajo që kishja ndjerë kur kishja parë filmin “Jaws”, me peshkaqenë që hanin njerëz e tmerronin turistët në një ishull amerikan të quajtur Amiti, diku në ujrat e oqeanit Atllantik, pranë Anglisë së Re.
Sot pavarësisht gjërave që thuheshin e thuhen, filmave dhe frikërave të mija, unë e di që Liqenet e Mëdha janë vendi ku zoti çoi bukurinë dhe pasurinë dhe se lamprejat mund të bëjnë dëme tek peshqit, po kurrë tek njerëzit.
……….
Që nga brigjet kontinentale, e para gjë që dallohet në të jeshiltën e ishullit është Grand Hoteli, një ndërtesë e madhe dhe e çuditëshme, e kthyer për së gjëri nga jug perëndimi. Është një nga hotelet më të famshëm, më me histori e më të çuditshëm të Amerikës, një hotel në të cilin edhe presidenti i Amerikës nuk ka mënyrë tjetër për të shkuar përveç se duke ecur me këmbë, biçikletë ose me karrocë të tërhequr nga kuajt. I hapur që më 10 Korrik të vitit 1887, i habitshëm për nga stili viktorian i ndërtimit, pamja dhe madhësia, me ballkonin më të madh ndër gjithë hotelet e botës, me galeri e muzeume, restorante, bare e teatro brenda tij dhe pishina, fusha golfi e lulishte nga më të bukurat në rrethinat e jashtëme. Nuk i kam numëruar, por thuhet se ka 385 dhoma, kam parë disa, asnjë e ngjajshme me tjetrën, të gjitha në stilet e kohës së shkuar, të gjitha me histori njerëzish të mëdhej që kanë bujtur në to. Midis klientëve të famshëm bien në sy shpikësi Thomas Edison, i cili e përdorte Grand Hotelin edhe për demonstrime të shpikjeve të tij, një prej të cilave qe dhe gramafoni, shkrimtari Mark Twain, presidentët amerikanë Franklin Delano Roosevelt, Harry S. Truman, Dwight D. Eisenhower, John F. Kennedy, Gerald Ford, George H. W. Bush dhe Bill Clinton e shumë emra të tjerë të mëdhenj të historisë, biznesit, artit e politikës botërore.
Dhe ky është dhe hoteli, ku më 1980, u xhirua dhe filmi “Somewhere in Time” (Diku në kohë), një fantazi romantike nga më të pëlqyerat e të gjitha kohërave, në rolet kryesore të të cilit luajnë Christopher Reeve dhe Jane Seymour. Isha mahnitur nga ai film dhe sigurisht që as që më kish shkuar ndërmënd se do vinte një ditë kur edhe unë e familja ime do të bëheshim klientë të atij hoteli.
Historia e filmit qe marramendëse për mua. Edhe për lojën e aktorëve apo për muzikën e zgjedhur por kryesisht për idenë e “kthimit mbrapa në kohë” mbi të cilën qe ndërtuar filmi…
..Një dramaturg i suksesshëm që jetonte në Çikago e që quhej Riçard Kallier, vjen me pushime në Grand Hotelin e ishullit Mëkinak. Rastësisht, ai sheh aty një fotografi të një aktoreje të famëshme e shumë të bukur që kishte qenë në Grand Hotel rreth 70 vite më parë. Riçardi marroset pas bukurisë së zonjës në foto dhe pasi interesohet, mëson se ajo quhej Elise M’Kena dhe se kishte vite që kishte vdekur. I dashuruar si i çmendur me aktoren e vdekur, Riçardit i fiksohet se për ta takuar gruan e ëndërruar, duhet të udhëtojë mbrapsh në kohë e të shkonte në vitin 1912. Dhe sipas filmit kjo ndodh nëpërmjet hipnozës e ai shkon në vitin 1912 ku e gjen Elisën duke ecur buzë liqenit dhe këtu nis një histori dashurije që tronditi botën e kinemasë.
Ndryshe nga Riçard Kallier unë nuk kisha ndonjë të dashur që të më thërriste nga e shkuara dhe sigurisht as që besoja tek e pamundura e bukur e “kthimit mbrapa në kohë”. Por si gjithë të tjerët, edhe unë kisha rininë e fëmijërinë që kishin ikur dhe nënën që më kish vdekur e për të cilën më digjte malli që ta shihja dhe një herë të gjallë. Shpesh si një fëmijë ëndërroja që sikur këtë moment të ishja në një planet 50 vite dritë larg nga toka dhe të kishja mjetet e nevojshme, do të mund të shihja veten djalë të ri e nënën gjallë e të re.
…………………
Koha më e bukur për të vizituar ishullin është pranvera dhe vjeshta. Dhe këtë radhë fëmijët kanë zgjedhur vjeshtën. Si për gjithë zonën, kjo është periudha më magjike e vitit. Portokallija dhe e kuqja e ndezur e panjave, e verdha vezulluese e mështeknave përzjerë me të gjelbërën e bredhave, jeshilja e barit të parkut dhe fushës së golfit, ngjyrat e shtëpive dhe të luleve, bëjnë një kontrast të thellë me qiejt e ujërat kristal blu që rrethojnë ishullin.
Të bësh një xhiro në pjesën më historike të ishullit është një gjë që e bëjnë të gjithë ata që vizitojnë ishullin. Ngaqë kemi fëmijë të cilët nuk ecin dot as në këmbë e as me biçikleta ne na duhet të marrim një karrocë taksi. Në qëndrën historike të ishullit ka një si lloj axhensie ku sipas asaj që zgjedh të shohësh, pret bileta e ku pret të vijnë karrocat e të hipësh. Linjat standarte midis të cilave mund të zgjedhësh janë të tilla që të japin mundësi që bashkë me bukuritë e tjera të shohësh edhe ikona historike si Fortesat Mëkinak dhe Holmes, vilat viktoriane shumëmilionë dollarëshe mbi brigjet shkëmbore të Lindjes dhe Perëndimit, Arch Rock, një hark natyror shkëmbor dhe Hubbard’s Annex, një lagje e vogël me kabina të mrekullueshme pushimesh deri në tre kate të larta e të tjera. Turi më i gjatë i mundëshëm, me disa pushime të shkurtëra midis që përdoren për të pirë ujë kuajt apo për t’i ndërruar me kuaj të tjerë të freskët, shkon deri 5 orë, kohë që mjafton për të parë pothuaj gjithë gjërat kryesore të ishullit si dhe pjesën më të madhe të parqeve, lulishteve e të veprave të ndryshme të artit të shpërndara nëpër ishull. Karrocierët, të cilët bëjnë dhe punën e guidave janë ndoshta disa qindra, por unë midis gjithë atij numuri të madh di vetëm emrin e njërit.
Quhet Sëm, është rreth të gjashtëdhjetave dhe sipas asaj që më ka treguar është me origjinë nga Minesota. Ka 22 vjet që rron në ishull dhe është një ndër ata shumë pak njerëz që nuk dalin kurrë nga ishulli. Më kish thënë njëherë se një rrethanë familjare kish bërë që të humbëte besimin tek të afërmit e tij dhe se ishulli qe për të si një farë manastiri ku u mbyll dhe gjeti ngushëllim. Dimrit kur sezoni mbyllet dhe kuajt shkojnë për dimërim në kontinent, ai kujton kohën e shkuar dhe pi e prish paratë që ka fituar në verë. Më kish thënë se nuk kish njeri pas shpirtit dhe se kish blerë varrin e hequr mënjanë vetëm pak para për funeralin e tij.
Njerëzit zakonisht hipin në karrocën e radhës por ne pritëm derisa i erdhi radha karrocës së Sëm. Karroca është e madhe si një vagon dhe tërhiqet nga tre kuaj. Kurse ne bashkë me fëmijët bëhemi 11 veta.
-Rehatohuni – thotë Sëm dhe pas kësaj unë e di gati përmëndësh se çfarë do të na thotë rrugës në vazhdim.
-Së pari, më lejoni t’ju prezantoj djemtë që shihni para jush. Ky këtu – dhe tregon kalin në të majtë – është Bidëll – dhe ndërsa kali tund bishtin si fshesë, ne në kor bashkë me fëmijët përshëndesim “Haj Bidëll!” – I kanë vënë emrin e asaj shtëpisë atje – dhe me bishtin e drujtë të kamzhikut tregon drejt njërës nga shtëpitë muze në anë të rrugës.
-Ndërsa ky tjetri, është Don Zhuani – dhe pa mbaruar fjalën Sëm, ndërsa ne hamendësojmë se përse duhet ta thërresin ashtu, Don Zhuani që mbase as nuk e di emrin e tij, fillon e urinon në mes të rrugës. Era e urinës hapet shpejt dhe kalamajtë zënë hundët me dorë.
-Ti more! – bën sikur hakërrohet Sëm, – Na falni – thotë dhe ndërsa fëmijët qeshin ai kthehet nga ne dhe justifikohet duke thënë se ka rreth 500 kuaj në ishull dhe asnjë WC për ta.
Pasi e harron në sekondë “turpin” e Don Zhuanit, kthehet nga kali tjetër dhe thotë se ai është adashi i tij.
-Tallen ata horrat – thotë pa u kuptuar mirë se për kë e ka fjalën – dhe i kanë venë emrin tim, por kjo veç ka bërë që unë ta dua më shumë se të tjerët adashin tim -thotë Sëm dhe tund litarët e frerëve që mban në duar:
-Hopa djema!
Fillojmë e ecim dhe nën trokun ritmik të patkojve të kuajve, Sëm tregon gjëra që i kish treguar përdit gjatë 22 vjetëve të punës së tij në ishull. Tregon për objektet anës rrugës, flet për historinë e emrit të ishullit, për të shkuarën e tij si vendi i shenjtë i indigjenëve, tregon për luftrat midis francezëve e anglezëve, tregon për Grand Hotelin kur kalojmë pranë tij, për rezidencën verore të Guvernatorit të Shtetit të Michiganit që është ngjitur me Fortesën Mëkinak, për muzeun e karrocave ku edhe qëndrojmë për një vizitë të shkurtër, për Shpellën e Kafkave, për Guzhinën e Shejtanit, që është një shpelle pamja e jashtëme e së cilës ngjan me një fytyrë të tmerruar e gojë hapur të një njeriu dhe brenda së cilës Sam thotë se shpirtrat e këqinj piqnin dhe hanin mish njeriu.
Më tutje shfaqet një shkëmb gjithë gunga për të cilin Sëm thotë se dikur ka qenë njeri, i cili u kthye në shkëmb nga Manabozho, i dërguari i Shpirtit të Madh në tokë, një figurë e mitologjisë indigjene, pjesërisht njeri dhe pjesërisht hyjni, i cili kaloi pleqërinë në këtë ishull. Sëm thotë se dhjetë djem të rinj erdhën nga larg me kajakë dhe takuan Manabozhon me shpresën se ai do ju plotësonte secilit prej tyre nga një dëshirë të veçantë. Nëntë të parët kishin dëshira normale njerëzore dhe ai ju a plotësoi ndërsa i dhjeti kërkoi jetë të përjetshme gjë që ishte një e drejtë që i takonte vetëm Shpirtit të Madh. Dhe legjenda thotë se Manabozho u zemërua dhe e shëndërroi atë në atë shkëmbin gjithë gunga e copëra ashtu siç edhe është edhe sot e kësaj dite.
Unë e di se Sëm është superticioz dhe nuk e ndalon kurrë karrocën e tij afër varrezave të Shën Anës. Ai nuk flet as për Luçin, fantazmën e një vajze të re lozonjare e me flokë të kuqe kaçurrela për të cilën flasin të gjithë e që mbrëmjeve ose ditëve të qeta të vjeshtës thonë se ecën e vetme rrugës nga kalojnë karrocat dhe zhduket papritur kur mbërrin afër varrezave. I mjeri Sëm ka shumë frikë nga fantazmat, të cilat në mendjen e tij janë pa asnjë dyshim të vërteta. Ai nuk thotë as se në ishull përveç fantazmave të ushtarëve të vrarë që thonë se shfaqen herë pas here brenda ose rreth fortesës, dalin dhe lëvizin edhe fantazmat e shtatë grave të pafajshme të cilat në fillim të viteve 1800, i akuzuan dhe i gjykuan si shtriga dhe pasi ju lidhën gurë në këmbë i hodhën të gjalla në liqen. Vendin se ku i mbytën e dinë të gjithë sepse ka dhe një pllakë përkujtimore për këtë punë, por Sëm as nuk guxon as t’i kthejë sytë drejt atij vendi, ndërsa unë si për ta ngacmuar bëj sikur nuk ja di pikën e dobët dhe e pyes nëse e di se ku është vendi ku i mbytën ato shtatë gratë.
-Ja atje, – thotë dhe pa e kthyer fare kokën drejton bishtin e drujtë të kamzhikut drejt një gjiu ujrat e të cilit nxijnë direkt buzë bregut.
Në fakt i gjithë ishulli ka qenë i mbushur me histori e legjenda tani pothuaj të harruara të epokës së lëkurëkuqëve. Shumica kanë humbur e pak kanë ngelur ndërsa të tjera me protagonistë të bardhët janë krijuar e kanë dalë në sipërfaqe. Midis të ngelurave është dhe legjenda për Arch Rock, të cilin indigjenët e mendonin si portën që lidhte qiellin me tokën e përmes së cilës hynin e dilnin shpirtrat. Në bregun juglindor të ishullit gjendet një shkëmb që quhet “Lover’s Leap”, i cili ka marrë këtë emër nga legjenda e vetëvrasjes së një vajze indigjene që thuhet se u hodh nga shkëmbi kur mësoi se i dashuri i saj qe vrarë në luftë.
E kështu Sëm vazhdon e tregon derisa mbërrijmë tek parku që mban emrin e Marquette dhe ku unë i them Sëm se dua të zbres sepse dua të bëj disa foto të gjirit në perëndim të diellit.
-Si të duash – thotë Sëm dhe tërheq frerët e kuajve. -Po qe i lirë pas orës nëntë, pimë diçka.
-Flasim – i them ndërsa me vehte jam i sigurt se nuk do të gjej kohë për të shpenzuar me të. Kisha familjen që ishte bashkë me mua.
Bashkë me mua zbret dhe nipi im.
……………….
Larg në perëndim duket “Mighty Bridge” dhe në lindje ngrihet e vezullon këmbanorja e bakërt e kishës së Shën Anës. Mbi mua është fortesa. Në bedena duken grykat e e topave ngjyra e metaltë e të cilëve, më kujton dhitë ngjyrë thinjura të vendit tim. Çdo ditë, në orare të caktuara, disa nga ato gryka shtjenë me gjyle fallso por mua më duket sikur ato kanë mall për gjylet e vërteta të luftërave të rinisë tyre të largët. Në fortesë ka ushtarë të cilët janë aktorë që paguhen, uniformat dhe armatimet e të cilëve, janë ato të disa qindra viteve më parë.
Dielli po ulet, qielli bëhet i kuq, ajri është i ngrohtë dhe vjen aromë bredhash e jargavanësh. Ca tufka të ngjyrosura e të rralla resh më kujtojnë kohën e gëzimeve vezulluese të rinisë. Shoh pyllin që po humb format, ndjej dorën e vogël të nipit në dorën time, marr frymë dhe ndjej freskinë e ajrit. “Vonia vakan” – “Shpirt i Shenjtë” – e quajnë indigjenët Odaua ajrin dhe mua më rrëmben vala e nostalgjisë e më çon larg në të shkuarën.

Ulemi në një nga stolat pranë dhe më mbysin kujtimet. Nipi bën pyetje dhe mua më duket se gjithmonë në brigje ujrash unë kam pasur të njëjtën ndjesi si atë të netëve të fëmijërisë kur rrija buzë pellgut të vogël të kopështit dhe shihja në ujë pasqyrimin e përmbysur të yjeve të universit. Nuk është se kam parë shumë ishuj, por këtu në Mëkinak kam kujtime të prindërve që nuk vijnë dot më dhe të fëmijëve që po ashtu nuk bëhen të vegjël dot më. Kam dhe kujtime shokësh e miqsh që i prura këtu për t’ju treguar të veçantat e këtij ishulli.
Disa rrojnë e disa jo dhe kur më shkon mendja tek kjo, mua më duket sikur të gjithë të njohurit e mij të rëndësishëm të veriut të Miçigenit kanë vdekur. Jeta e njeriut më duket si ajo hija e vogël që zgjatet mbi barin para meje dhe që do humbë pa gjurmë e pa nishan me perëndimin e diellit.
Heminguej vrau vehten kur unë akoma nuk ja kisha dëgjuar emrin, Hiawatha që e kisha shok humbi po atje ku e njoha, në Manistee River ndërsa prifti Marquette kishte vdekur që disa shekuj para se të lindja unë. Emrin e Heminguejt e dinë të gjithë, atë të Marquette e mbajnë qytete, lumenj, pyje të mëdha e universitete ndërsa Hiawatha kishte për adash një pyll me sipërfaqe sa dyfishi i Shqipërisë e brenda të cilit është dhe “ap northi” im.
Ndërsa emrin tim nuk e di as unë vetë.
Jo larg nesh, në mes të parkut ngrihet statuja e priftit Marquette. Vështrimi i saj shkon tutje drejt gjirit Haldimand dhe duket sikur i bashkon në një të gjitha historitë pa të cilat ky ishull nuk do të ishte sot kështu siç është. Në njërën nga bankinat dalloj një nga tragetet e kompanisë “Star Line” bijë e kompanisë së famëshme “White Star Line”, pronares së dikurshme të Titanikut. Dhe një tjetër çudi që e bën dhe më të afërt këtë histori është se jo më larg se 30-40 metra nga vendi ku jam ulur unë me nipin, gjendet një nga shtëpitë e John Jacob Astor IV, njërit ndër pasanikët më të mëdhenj të botës së kohës së tij, i cili u mbyt bashkë me Titanikun, më 15 prill 1912. Kisha rishkruar në mënyrën time tragjedinë e Titanikut dhe kujtoj se në një rast tjetër po këtu në ishull kisha fotografuar një ushtar i cili më kish habitur duke luajtur në violinë “Meditejshën of Thais” të francezit Massenet, një nga pjesët më prekëse në kollonën zanore të filmit “Titanik”.
………….
Një ritëm daullesh indigjene dhe ca thirrje me zë koke të tipit “heja hej, heja hou..” më përmëndin. Përqëndrohem dhe kujtoj se ajo është “Kënga e ujit” të cilën ma kishin kënduar në familjen e Hiavathës në tribunë “Little River Band”. “Kënga e ujit” është një ninullë, që lëvdon shejtërinë dhe fuqinë e ujit, bukuritë e tij, shkëlqimin e diellit në liqenet blu, fosforeshencën e bardhë të ujëvarave, burimet, përrenjtë dhe lumenjtë, retë e bekuara dhe shirat meshkuj e femra që lehtësojnë etjen e rrënjëve të pemëve..
-Uji dëgjon dhe mban mënd! – më thosh Hiawatha kur gjuanim salmonë në Manistee River. Por ai nuk më kish thënë se uji i merr dhe nuk ja u kthen të afërmëve njerëzit që e duan atë.
Ngrihem nga stoli dhe shoh se jo larg nesh, buzë liqenit, një grup lëkurëkuqësh me veshje ceremoniale e zbukurime puplash janë ulur e këndojnë rreth një daulleje të madhe që e kanë vënë në mes. Dyshoj në se janë indigjenë të vërtetë dhe pyes një mirëmbajtës parku me uniformë që më kalon aty pranë.
-Janë Odaua – më thotë. – E bëjnë gjithmonë.
……………………
Bie telefoni dhe shoh se janë njerëzit tanë që na presin në hotel. Me nipin përdore ecim drejt hotelit. Pyetjeve të tij ju përgjigjem pa e pasur mendjen.
Pranë na kalon një karrocë me dy kuaj – një të bardhë e një të zi. Në sediljen e prapme puthen e përqafohen dy të rinj kurse karrocieri me frerët e kuajve në duar, frak e cilindër të zi, duket si një buratin druri që as sheh e as dëgjon. Por ngjyrat e kuajve mua më kujtojnë këngën “Karrocë e bukur me dy kuaj” të Grigoris Bitikotsis, i cili kërkon që kur të vdesë karroca që do e çojë në varreza të ketë dy kuaj: – një të bardhë e një të zi.
………………….
Dua nje karrocë të bukur me dy kuaj./ Një kalë të bardhë
si ëndrrat kur isha fëmijë/ dhe tjetrin të zi/ si jeta që iku…

Shpejt do vijë dimri me borën e erërat e kallkanta që i bëjnë drurët e “ap northit” tim të kërrusen e të rënkojnë si gjëra me shpirt. Liqenet do ngrijnë, kuajt do ikin dhe ishulli do mbyllet për turistët. Këtu do ngelet vetëm Sem që do pijë e pak njerëz të tjerë që do kujdesen për ishullin deri në pranverë kur të kthehen të tjerët dhe bashkë me ta dhe kuajt e turistët. Të vetmet gjëra që as ikin dhe as vijnë janë historia dhe legjendat, pa të cilat ky ishulli nuk do t’i arrinte kurrë më shumë se një milion vizitorë në vit…
Nesër ne do ikim por do vijë një ditë kur unë s’do jem më dhe nipi im atëhere do ketë “ap northin” e tij dhe do shohë në ëndërr vezullimet e salmonëve që kërcejnë mbi ujë e klithmat e vetmuara të lunëve dhe do e marrë malli për gjyshin e tij të çuditshëm që e deshte aq shumë veriun.


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.