back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Dekodimi i vonë i “hermetizmit” të Zorbës, një humbje për letërsinë shqipe – nga Emi Krosi

Gazeta

Zef Zorba - Buzë të ngrira në gaz - Poezi
Zef Zorba – Buzë të ngrira në gaz – Poezi

Dekodimi i vonë i “hermetizmit” të Zorbës,

një humbje për letërsinë shqipe

nga Emi Krosi

Çfarë është e bukura?! Gjithmonë kam pyetur vetes, sidomos në art. E bukura nuk është vetë, estetika e të brendëshmes, natyrës, hireve të një femre, apo thjesht materia si një ngjizje mes shpirtit dhe trupit, por e bukuar në letërsi mos ka të bëjë me “të bukurën e madhërishmes”, të Kantit?! Por kjo bukuri me “errësi estetike” tek Zef Zorba, është mahnitëse, verbuese, sfiduese të çdo kohe, përtej çdo imazhi gri, përtej çdo dhimbjeje, përtej çdo enigme. “Unë jam e kuqja”, tha Orhan Pamuk, unë jam e jam e bukura, jam apoteoza e ekzistencializmit të qenies njerëzore, fundaj unë jam Njeriu, thelbi është Zoti!
Në jetë të ndodh shumë vonë të takosh gjëra të bukura, Stéphane Mallarmé: “S’ka gjë më të bukur se ajo që nuk ekziston” por më mirë vonë sesa kurrë. Takimi me poezinë e Zorbës, është e vonë. Një miku im poet kishte veprën e tij të cilën e fotokopjova, për ta patur të plotë. Në leximin e parë më mahniti poezia. Që nga eptimi i titullit, “Buzë të ngrira në gaz”, një togfjalësh “statik” ku palëvizshmëria e bën poetin edhe më enigmatik. Librin, mund ta ndajmë në:
.

Pjesa e parë:

Pashyrja, (dekodifikimi i “greminës së errët”), është “çelësi enigmatik” i një teksti të mbyllur, jo për faj të autorit, por të mospublikimit dhe komunikimit me lexuesin. Kompetenca letrare, estetike dhe poetike, në poezinë “Në vend të hyrjes”, “I errët ky shteg. Nuk mundem/ rrugën me gjetë pa dritën/ tande (Çka më sëmbon)/ Në cep të greminës/, që josh e ngujon,/ a nuk e sheh si po lëkundem?, f. 17, elipsa si mungesë, niset me një metaforë të “errët” jo vetëm errësira si tipar e poezisë hermetike, por si qasje estetike, i errët ky shteg, është metaforë fantazmagorike. Pse ka frikë poeti? Gremina nga ku është varur dhe qëndron “pezull” mes jetës dhe vdekjes, dritës dhe errësirës, “errësira nuk mund ta dëbojë errësirën vetëm drita mund ta bëjë këtë…”, ka thënë Martin Luter King, në kërkim të së vërtetës?! Cila është e vërteta?! Duke udhëtuar në shtigjet errëta të rrugëtimit poetik, e sheh veten të varur. Pyetja retorike a nuk e sheh si po lëkundem, ia drejton vetes. Uni poetike nuk “ka ngrirë” si buzëqeshja, (në harresën e pamundësisë të komunikimit me lexuesin), “nga ana tjetër këto punime s’janë bërë për botim, sepse edhe botimi i tyre kurdo më tremb shumë”, thotë vetë poeti në pasthënien e librit të tij. Dikotonomia dritë-errësirë, është tehu më u hollë që poeti kërkon brenda dhembjes, dritën. Ajo është jeta! Errësira është ferri, që shpirtrat nuk dinë se ku janë, por janë vetëm “hije” që Eden greminave, pafund. Poezitë: “Një çast poezi: një jetë”, “Kujtime”, vargjet: “zemra u beson/ shpirtanve/ që natën gufojnë/ prej gurësh/ të Rmajit/ f. 21, enigma se jeta bafton edhe nga varret, është si “klithma” e (mos)harresës. Poezitë: “Malle”, “Pjergull”, “Fjala”, “Shkalla e Kakariqit”, “Kashta e kumbarës dikur”, “Kur mbetesh vetëm pa ty”, “Fli”, “Qokthi”, “Robër”, “Sonte festë”, “Si zogj dallëndysheje”, janë poezi të librit të parë. Poezia: “Pjergull”, “e nyjça krahë/ të lacaruar/ shtjellohen, f.12, në formët e hajkut, (sintezë e lartë e mendimit dhe imagjinatës) një ndjesi shqisore “thyerja e shqisave” të Barthes, nëpërmjet vëzhgimit të hollë te autorit, e shprehur kjo më shumë përmes detajeve pikturale të përdorura sesa me metafora, një lloj “algjebre e poezisë”, “haiku është i shkurtër deri në emocion, deri në ëndërr” thotë Paul-Luis Couchoud. Poezia: “Një çast poezi: një jetë”, vargu: “dritë përmes avullit, f.20, është metamorfizimi i dritës përmes avullit. Dekodimi i teksetve hermetike, janë një lloj “arkitekture” që lidhen me njëra-tjerën, se jeta është një poezi. Vetëm çasti poetik, lidhet me vargjet: “dalloj fytyrën tënde, pluhur bore:/ marrshëm për pak më buzëqeshë/ si protoplazëm “in vitro”, tranformimi i fytyrës në “pluhur bore”, një bardhësi e pafajshe, që nënkuton fillesën e pafajësisë njerzore që në gjenezë. Togfjalëshi: si protoplazëm “in vitro” sjell dikotominë avull-borë, shëndërrimi i natyrës nëpërmjet fytyrës së pastër engjellore, të një fëmije, të një vajze, shtojzovallesh, (elemente mitologjike të mitologjisë shqiptare), pse jo edhe si “Zanafilla” Bibla, ku çdo gjë ishte e pastër. Poezia tjetër: “Malle”, me vargjet: “këso netësh/ në Qafë-Hardhi/piklohen/shkurret/me ëndërra/xixëllonjash, f. 23, poeti rreket të tregojë mallin, mungesën dëshirën por në një formë metamorfoze natyre, ku malli shpërfaqet me me ëndrra xixëllonjash, merr një tjetër dimension. Në poezinë: “Shkalla e Kakariqit”, elemetet e metamorfozës të japin imazhin e diktaurës. E kapërthyer me lugetër hëna/ njollat e territ përgjakë/ e nata/ tinzare fishkëllen mes pritash/ si në kohën e cubave/ kur thika vetëtinte e ftohtë/ e buzagaz me pezëm, f. 25, poeti ngërthen metamorfozën e natyrës me togfjalëshat: hëna si lugat, nata cub, rrëpira përbinësh, eshtra rrënojash, në atë boshësi ku ekzistencializmi ka vdekur. E ngeshme, fjalia që indetifikon diktaturën. Ajo nuk mërzitet se krimet janë “ foshnja të vdekura”, në ferrin komunist. Vargu, e buzagaz me pezëm, lidhte edhe me emetimin që në titull. Fytyrat e trishta pa busëqeshje, në pezëm (pikëllim), për “lumturinë” socialiste. Ishte e ndaluar të shprehet edhe pezmi, ensencialja e enigmës poetike, sipas Sabri Hamitit, “…duke dhënë pamje me efekte kaq kontarstive: buzë të ngrira në gaz”. Pamja groteske e ndërtesave të diktaturës vizaton Unin e poetit, nëpërmjet vetmisë tek poezia “Kur mbetesh vetëm pa ty”, (dimër, 1946), koha reale fizike si përcaktesë e vuajteve të poetit në burg, larg nga dashuria, si shumë të rinj të kohës, me vargjet: kur mbetesh vetëm pa ty/ o zemar ime f. 28, tashmë dashuria është “flijuar” me kodimin: armik i popullit. Nuk ka frikë nga vetmia, por nga “izolimi” larg botës, jetës dhe dashurisë, duke skajuar atdheun e robëruar të kthyer në një ferr, anë-mbanë ndërtesa golle se ç’kumbonte/ sajimesh/ që një mbas një/ ndeshëshin palë e palë, duke vizatuar metamorfozën e pamëshirshme njerëzore me poezinë, “Robër”, (Vjeshtë e v.1948) një eptim mjaft i thukët i realitet tij, tashmë si i burgosur. Vargjet: e pezull varen/ në tehun e një rrezeje/ qeniet e këputura/ me malle të mënjanuara/ me pezme/ spërkalen/ me ta këputë shpirti f.32, qëllimi i diktaturës është të këputë çdo “fije” madje edhe shpirtërore, që çdo frymë, çdo grimcë jete njerëzore të varte në tehun e fatit, si teh shpate, se shpata e Damokleut qëndron mbi kokat e njerëzve. Togfjalëshi emëror: qeniet e këputura, është e njëjtë si sintagmë e “Ferrit” të (Dantes), trajtësohet në masën e qullët të frikës së ferrit, në vargu: nji vazhdar turmash aq pa fund po shkonte/ sa mbi dhe mortja gjithë atë gjamë njerzie, Hajdegger shprehet, “pra vdekja, apo vetëdija mbi të, i jep kuptim jetës sonë, dhe ndryshon poashtu mënyrën e të menduarit për kohën”. As gjallë as vdekur, thotë: (Tomas Eliot), se pranëvënia e dy vargjeve: qeniet e këputura dhe me ta këputë shpirti, shndërrimi i njeriut në asgjë ka arritur deri tek Qenia dhe Shpirti. A shëndërrohet shpirti??! Poeti nuk ka thënë “hapur” për kompetencën geninaskiane, si “një të pyetur mbi vlerën e vlerave” të (Jacquet Geninasca), por filli i shpirtrave ose “koncepti i pushtetit”, i (Michel Foucault), e “Njeriut njëdimensional” të (Herbert Marcuzes), kritikë në të cilën shpjegohet se si synohet “fabrikimi i një individi ideor”, krijimi i njeriut të (anti)sistemeve.
.

Montale, Quasimodo, Ungaretti - “Perfectum Trinum” - Përktheu Zef Zorba
Montale, Quasimodo, Ungaretti – “Perfectum Trinum” – Përktheu Zef Zorba

Pjesa e dytë:

Blerime tjera e zalle, (“metamorfozimi” i shpirtrave), përfshin ciklin poetik: “Zalli i Kirit”, “Eja me ne”, “Qyqja”, “Kruja”, “Përtej”, “Dritare në rrugë”, “Tjera blerime”, “Prapë me furi”, “Pa element”, “Hej zemërplësura!”
Poezia “Zalli i Kirit”, është një poezi, me një tekst shtatëvargësh, një tekst me dy rrafshe: rrafshi semantik, i ndarë në dy pjesë:
a)nënkuptimi (vdekja e fëmijëve është metaforizuar në yje) që kanë zbritur në zallin e Kirit (lumi i Shkodrës, ku janë pushkatura shumë njerëz), të povarrosur janë “shpirtëzuar” në yje.
b)metaforiale, (sytë e fëmijë që vdesin me habi!) Cili është shkaku?! Imazhi lëviz brenda vargjeve, ka një diskurs estetik të gjetur, se në vargjet: zallet e bardha pa dritë/ ku natën zbresin yje/ me mijëra/ pa u ndi/ mbase janë sytë/ sytë e fëmijëve që vdiqën në habi, f.36, të habit ndërtimi estetik, ndoshta jo aq qëllimtare, fjalët [dritë/sy], kuptohet se syri nuk mund të jetojë pa dritën e tij (bebëzat), por tashm këta “sy” janë vrastare, janë metamorforizuar në vdekje. Lëvizjet jo vetëm brenda vargjeve por edhe nga poezia në poezi, “thellon” metamorfozën tek “Qyqja”, element nga mitologjia popullore shqiptare (shndërrimi i vajzës në qyqe) nuk është në kuptimin “parak” por në formën e ironisë. Poeti qëllimisht ka dhënë qindra shndërime (brenda metamormozës fjala [(qyqe)/katër herë]), metaforat fantazmagorike: shkëmbi djeg, vreri avullon, mortja pe, dashuria gur, epshi gurgullon, kandrra shprese, shpirti myk, vargjet: ku thellohet dishrake në shpatin/ gëlqeror ajo zgarva e kumrisë/ kulihum ku bijen ditshëndërrimi i vajzës në qyqe dhe nata/ …/ ku çdo gjë, ku çdo gjë terrasitet/ kapu tinzare e ngul/rrezikja ti qyqe f.40, fjalët: lakmia, lajkatimet, dështimet, rrenat, ëndërimet, tinzare ose vargjet: dalin rrenat: kuku e kuku/ ditën e natë; zhel e mel, zemrën e thatë , na ndërkall me korbin e (Poe-s). Prania e fjalisë: rrezikja ti qyqe, me kukunë e saj, a nuk është metaforë krahasimtare, me “betimin” e korbit: kurrë më! Sketërrina e pandryshueshmërisë së qyqes, nuk e zhbën as vargu: kur s’ka drita ç’i do sytë, vallë a është “deus ex machina” e Zorbës?! Rrugëtimi trishtues, “vizaton” pamje ekspresioniste tek poezia: “Dritare mbi rrugë”, nëpërmjet vargjeve: plandosen, mbi pluhur muzgu/ pemët hollohen e shtëpitë/ të murrmë e të sheshta, ndehem/ në plumbin e mugët të qiellit/ përgjumen, E ti? Me syrin e skuqur/…/ E ti? Po shuhet?/ E shkreta dritare/ nuk paske më askujt m’iu qa!/ …/ ku feks një dritë e mekur/ rrinë gjallë pa ty gjersa nesër nadje/ mjerimi e shpresa, f.44-46, dritarja është rruga, hapsira, jeta, (tofjalëshi në kllapa, Oh, jeta rrokull e rrokull!), por pejsazhi është tronditës, lodhës. Tejrruga që sheh, pemët, makina, të dehur, taverna, qiellin, natën, dashnorëst, hënën, yjet, shpresën, mjerimin, lakuriqët, tjetërsohet në një përbidësh, kur polici, sahat, është mjerimi dhe “troku” i çizmes së policit (frika nga sistemi), si Gazi ’69 i (Bilal Xhaferrit). Pyetja retorike: E ti?, e “fsheh” dritën e mekur kur feks, mjerimi e shpresa. Poezia “Tjera blerime”, dashurira nuk është një “trill” i ëmbël që feks shpirtin e lodhur të poetit. Historia e dashurisë së dy të rinjtë në qytetin e Shkodrës, në vitin 1946, (Terezina Pali dhe Zef Zorba), në gjyqet e kuqe për të thyer moralin dhe dashurinë e tyre, por triumfoj. (Shënimi Terezës) është dëshmia e një dashurie të fortë që barbaria nuk e mposhti, si lule dyelli gjethet/ veshur me vapë e t’zberë/…/ e…oh…/ tjera blerime/ rinore, f.48 dhe shprehja në formë pyetja: a të kujtohet? Hapet një stinë verore deri në shtator, (koha e arrestimit) dhe mbyllet po prap me: a të kujtohet? Stuhia e shtatorit… a të kujtohet? Si mund të harrohet? Dëshmia jetësore e një dashurie nëpër terr. Dëshmia, dy vajzat e tyre.
Poezia, “Pa elemente”, sado që të largohemi,/ o dhimbje/ mos ti cekohesh?/ Ç’e mjerë/ kënaqësia jonë/ dritëshkurtër, f. 51, dëshmia e trishtë dhe mjerimi i një shoqërie pa socialitet, ku kënaqësia vetëm për një çast është dritëshkurtër.
.

Pjesa e tretë,

pasqyra të cfilitura (të fillimeve e të fundit), janë imazhe dhe skajime “të lodhura” jete, që hapet me poezitë: “Ballkoni”, “Mbas varimit”, “Lule-crrule”, “Merimangë”, “Rrënime”, “Rrugët në vjeshtë”, “Shtëpizat”, “Zhigu”, “Atleti”, “Në kuminë e tullave”, “Prej dritares, dëshirat”, “Shpejto, pranverë…”, “Sa mirë, atëherë…”, “Guri i zi”, “Kesh ngopeëshim me frymë”, “Vajtimi i plakut në shtëpinë e shkretuar”, “Uratë për ditë gushti”, “Lodhje”. Këtë cikël do ta hap me një poezi, që shënon edhe kulmin e poezisë së burgut sipas citimit të (Yzedin Himës), “si tekste të fshehura në kohë”, poezia: “Merimangë” me vargjet: “Je kryqi im/ ngërthyer me pezëm/ në skaj të murit lart/ -shakrravinë e zezë-/ përbluan pusi/ ah, shporru. Shporru: ja prite!/ por menjëherë/ fijet e këputura vihesh dhe i lidh/ e endë, e endë, e endë…f.64, por ky teskt poetik, i shkruar në dy kohë të ndryshme, me një citim të Shekspirit: “turn back, dull earth/ and find thy center aut”, vetë poeti në pasthënien e botimit të përmirësuar, më 2010, shkruan: “…funksioni i të cilave ka qenë rivelimi e shoqërimi fenomenologjisë së brendshme” në skëterrën e burgut, (një shtresëzim sipas fenomenologjisë së tekstit) ku tingëllimi dhe eptimi i bashkëtigëlloreve të mbyllura i jep një trishtim poezisë si: [n/m, sh/p], poezia ka një ndërtim estetik, me një stilistikë të pasur, ku mbisundojnë figurat tingëllore: (asonanca, [shporru, shporru], konsonanca: [Ah, shporru, shporru: ja prite], aliteracioni: [e endë, e endë, e endë…], retiçenca: [e endë…], poeti e lë lexuesin pezull. Poeti e fillon këtë cikël me ballkonin, me filizat e njomë të lulevilës, si një udhëtar nëpër udhët e qytetit horizontalisht, sheh një kortezh mortor, të një lajmërimi në shtyllë, me pasthirrmën e fëmijëvë: “Uuu…! ai plaku” deri tek fiku, pemë e oborrove të shtëpive të vjetra shkodrane, duke kaluar nëpër shtëpizat. Në baladën me titull: “Në kuminë e tullave”, nëpërmjet vargjeve: unë tretem në mendime/ Ruzha, flokë-verdha/ bërrylin ma fërkon. Në gjiun e thatë/ sillem por syrin gacë/ vrik e largon, f.71, ka “guxuar” ta flakë tej petkun e hermetizmit, eksistencializmit, ekspresionizmit, për të shijuar energjinë e dashurisë, që në çdo rrethanë të “çliron” nga brengat, se fundvargjet: pse dridhesh kështu/ thua dashuria brengat/ shpaguan?, forca e dashurisë është sa e mahnitshme aq edhe ngjethëse, “zgjodha të të dua në heshtje…” thotë (Rumiu). Poezia: “Sa mirë, atëherë…”, duket sikur skajon një tjetër motiv; fëmijërinë. Ka dy kohë:
a)koha e parë: kujtimet fëminore, ka shënues kohën e shkuar: sa mirë atëhere, o mite, kur ishim fëmijë/ I lodhur prej lodrimesh gjithë ditën/ në hije të një shelgu, bija i kutur gjumit, ëndrra, f. 78, koha e nostalgjisë fëminore, kur ishte i lirë, koha si antishenjë, ka “trembur” mitet që besonin në fëmijëri se jeta do të vazhdojë ashtu si ëndërrimet, por antikoha nuk ka më strukje tek mitet dhe personazhet e tyre. Tani, e ardhmja nuk ekziton, e tashmja skajon “një përmasës të katërt kohore” sipas (Rugovës).
b) koha e dytë: e tashmja e përjetshme, zhbën Unin e poetit, ku edhe koha metamorfizohet: bie ora pesë e kryqin marr në krah:/ e me pak frymë fillhem për Kalvar. Uni “zgjohet” dhe kërkon ndihmën e Zotit. Por diktaturat nuk kanë Zot, as Kryq, as Jezus, por vetëm kalvar… kalvar. Pesha e kohës së pafundme të mundimit, nëpër kampe pune, baltëra dhe ujëra të qelbuar (tharje kënetash dhe hapje kanalesh), në rënie të lirë vargu: e këmba përbi baltë lë gjurmë të thella, f. 80, të trullos kur lexon vargjet, (me datëkohën; 1948), kuptohet se poezia: “Kesh ngopeshim me frymë”, është sendërtimi i ferrit të njëmentë të botës shqiptare. Vargjet: mbi supe të kanalit/ jarguar currilash/ plumb një rryp qielli/ peshon/ shikonami:/ vërtetojmë burime primitive/ me nofulla kërcëlluese/ të dërmishura/ përtypim mundimin/e balta e më unji/…/ kesh ngopeshim thellë/ njëherë më frymë, f. 84-85, janë të krahsueshëm me sonetin e (Arshi Pipës), “Kanali”, një shpërfaqje me përngjasmime me kohën e skllevërve, vërtetojmë burime primitive, krahasimi me kampet e përqëndrimit, me nofulla kërcëlluese/ të dërmishura, por mjeshtria artistike e Zorbës, e “zhyt” lexuesin në gjolin e llucave të kampeve të punës imagjinare, ku vetë i ka jetuar, përtypim mundimin/ e balta e më unji/…/ kesh ngopeshim thellë/ njëherë më frymë, për të lartuar fjalën e shkruar, sipas (Hans-Joachim Lanksch), “vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës”.
.
Zef Zorba - Buzë të ngrira në gaz - Poezi
Zef Zorba – Buzë të ngrira në gaz – Poezi

Pjesa e katërt:

(fugat e fundit), me pesë poezi, (emërtime në italisht), fjala fugë: shtjellë, ose iku me fugë, më vrap, “Allegro”, “Andante mosso”, “Lento”, “Largo”, “Allegro forioso” nis me “Alegro”, përtërimjet ernat gjithnjë/ çartafillojnë/ e shmangin cdo pikësynim, f.92, si një mirash stinor, ku poeti joshet nga natyra me fjalët: përtëritet, natyra, mjegull, vesë, horizont, kristale, liqen, Zanë, deri tek vargu: …e shpesh kam pa liqenin të shpupurisur, poezia Allegro furiosos, f. 99, që mbyll këtë cikël natyror.
,

Pjesa e pestë:

(mbresat e rrugëve), (thyerja e tingujve në “introduktën” të ndiesive shpirtërore ) “Introduksion”, “Tema e fagotit”, “Tema e ksilofon kumbonëve”, “Tema e intrumentve me perkusion”, “Tema e violinës”, “Parte concertante”, “Kadenca e ksifolon kumbonëve”, “Kadenca e fagotit”, “Kadenca e violinës”, “Kadenca e instrumenteve me perkusion”, “Ripresa”, “Stretta finale”... janë poezi të një stili të veçantë që poeti ka ideuar vetë, ku shprehet se: “për unjisim muzikal është kërkuar, jo vetëm ritmi i qenësishëm në fjalët e në vargje, por edhe tentative, e riprodhimit të formave muzikore: fugat, fugatot, sonata e tempot, kadencat, etj.” Në këtë cikël poetik, ka “zbutur” hermetizmin e tij, në formë lirikash rruge, çfarë kuptojmë me lirika rruge? Janë ndiesi shpirtërore në formë, të komunikimit të një grupi veglash muzikore, ku stinët, jeta, marrëdhëniet njerëzore janë “nota muzikore”. Që nga poezia: “Introduksion”, me shënimin (kthehen kujtimet) me vargjet: tash lehtë/ njëher/ tash lehtë/ lehtë…lehtë, dhe f. 102, një poezi me aliteracione, anafora dhe epifora. Shënimi, (ne, djemtë e vajzat e një mature), tek poezia: “Tema e violinës”, vjen pas shënimit (përzemërsi, lodra dhe dituri…), tek poezia: “Parte concertante”, me shënimet: pranverë, vjeshtë, verë , dimër, ndarjet dhe shënimi (sikur…) tek poezia: “Stretta finale”. Ku vargjet: pra lehtë/ më lehtë…/ edhe më lehtë…/…/ jetë/ veçantia ime këtu qëndron:/ që nuk të dua sepse të dua, f. 128, e mbyll ashtu si edhe hyrjen në këtë cikël “orkestal” jetësor, por edhe natyror. Elisi i kuartetit vjetor, mbyllet me: jetë/ veçantia ime këtu qëndron:/ që nuk të dua sepse të dua, një përgjigje, sa hipotetitke, aq edhe e gënjeshtër, se jetën e duam, por nuk e duam kur na lodh me gjithe ato “persekutime”, por kur ndiejnë zërin e shpirtit, nga thellësia e vetes duke u përpjekur të njohim veten, zëri i brendshëm që na ushton fuqishëm, në heshtje, që shumë herë na duket sikur mbytemi: kush jam unë? Kuptojmë së të gjithë njerëzit i përkasin ose diçkaje, ose gjithçkaje, ose Hiçit dhe Asgjësë. “Në ciklin Fugat e fundit poetit ia doli me krijue nji sintezë unike në letrat shqipe, atë të muzikës e letërsisë, cikli Mbresat e rrugëve – Poemë (Në formën e një koncerti për violë, fagot, ksilofon – kumbonë dhe instrumenta perkuisioni) asht i komponuem simbas strukturës së sonatës (me hymje, ekspozicion temash, pjesë koncertuese, kadencat solo, reprizë dhe nji coda). Vetëm me këto dy cikle, Zorba do të kishte fitue nji vend të dukshëm në modernen poetike europiane”, – shkruan: Hans – Joachim Lanksch.
.

Zef Zorba & Tereziina Pali
Zef Zorba & Tereziina Pali

Pjesa e gjashtë:

Në zgrip, (jeta në tehun e saj, është sfida përse jetojmë), me ciklin e poezive: “Një gozhdë,”, “Hënë të reja”, “Natën kur bie shi”, “Rakia dhe lirika”, “A s’ma ndërtoni një shtëpi”, “Rrokollja në flakë”, “Balada dritash për lalin”. Në këtë cikël, janë dy poezi, që jam ndalur: Poezia: “Një gozhdë”, vargjet: Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë/ e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur./ Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë/ e futur thellë në mur, një gozhdë e futur./ Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë/ e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur/ e ngulur thik…/ e futur thellë…/ e mbetur thatë …tipike hermetike, vetëm me dy emra: [gozhdë/mur], me me tre mbiemra: [e ngulur/e futur/e mbetur/] me tre ndajfolje: [thellë/thatë/thikë], që përsëritet gjatë gjithë poezisë. Përsëritja e vetëm e dy emrave e bën poezinë edhe më të errët, se hermetizmi dhe koncepti me “errësi poetike” në letërsinë shqipe me shumë etikohet poezisë së Camajt, por si koncept (hermetizmi dhe errësira janë realitete të poezisë), jo vetëm që nuk duhen ngatërruar, por duhen pranuar si një “hapje” e veprës letrare, term i futur nga (Umberto Eco), që nuk e implikon aspak poetikën hermetike, që lidhte me Hermesin (për neoplatonikët që mbanin sekret e krijimit të fjalës), të krijimi të artit të pastër, ose Artit për Art. “Errësimi” i lirikës moderne, përmes figurash simbolike, që duan çelësa të veçanta dekodifikuese, kuptohet edhe thënia e (Camaj-t): “në të gjitha poezitë e mia ka principe metrike (të fshehta) që nuk e prishin ritmin e radhitjen e natyrshme të gjuhës”. “Errësimi” si një cilësi poetike është një shqetësim i posaçëm për purizëm dhe esencializëm, jo në kuptimin e purizmit bosh të lirikës moderne, se errësimi i poezisë është shenjë e modernitetit. (Baudelaire-i) shkruante: “…është një lavdi e veçantë që të mos jesh i kuptuar” kurse (Montale) shprehet: “…askush nuk do të shkruante vargje, nëse problemi i poezisë do të ishte ai që të bëhesh i kuptueshëm për të tjerët!”. Në këtë shtjellë, Zorba, ka ndërtuar këtë poezi, që duket e “grirë”, “e errët”, “statike”, pra një gozhdë dhe një mur. Gozhda (sendi), që ngulet në mur, (qëndresa) për njeriun, në rrethana të ekzistencializmit të tij, por muri, pengesa, ndalesa e (poetit dhe poezisë) por edhe gozhda, (burgu) është sendi që ngulet thellë, por muri qëndron aty, kurse gozhda edhe mund të “zhduket”, pra qëndresa njerëzore. (Kadare) në parathënien e librit “Buzë të ngrira në gaz” shkruan: “ai është nga të rrallët poetw shqiptarë, që bëri eksperimente avanguardiste, aq pak tq pranishme në poezinë shqipe”. Elipsa mungesore tek vargjet e fundit: “e ngulur thik…/ e futur thellë…/ e mbetur thatë…, të shoqëruraa me ndajfoljet vepruese, poeti e stilizon drejt unit të tij vetanak, sepse “gozhda” është fati i tij, (burgu) dhe duke pranuar që ajo gozhdë është futur thellë, si një thikë në shpirtin e poetit. Është rast i rrallë në poezinë shqiptare, të ketë një poezi vetëm me kaq pak gjymyrë fjalie dhe pa lidhëse apo folje vepruese. Një gjuhë ku shenjuesi (muri) dhe i shenjuari (gozhda) nuk mund të mbetet përgjithmonë. Mbetet vetëm shenja, por dhimbja do të zhduket dhe ndryshimi është i pashmangshëm. Poezia: “Natën kur bie shi”, vargjet: “kujtoi Ungaretin/ dashnorin/ kujto Kuazomodon/ pikëllimin/ kujto Montalen/ zhgënjimin…/ natën/ kur bie shi/ me rrëshëkë…/ kur bie shi… kur bie…kur…” f.137, në fund kemi një këputje të fjalisë, ose shkallëzimi zbritës deri në pyetjen, kur?, por “habia” e lexuesit nënkupton edhe “shqetësimin” e poetit. Heshtjen e thellë dhe harresën gjysmëshekullore, për Zorbën nuk solli “devijim intelektual”, por ishte pajisur me një kulturë të madhe me letërsinë dhe filozofinë moderne duke përkthyer poetë të tillë si: R. Frost, Xh. Ungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T.S. Eliot, dramaturgë si Shou, Pirandelo, Uelld, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj. Kjo qartëson edhe “stilin” e tij personal edhe të “ndikuar”, kur përktheu: “Perfectum trinum” me 103 poezi të 3 autorëve Montale, Quasimodo dhe Ungaretti. Tekstura eliptike dhe thurja e veçantë tingullore, përbën artin autonom të fjalës shqipe në poezinë tonë moderne. Zef Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjalë për atë të shkrueme në Shqipni”, – thekson (Hans – Joachim Lanksch). Një veçanti pse edhe risi mund të quhet edhe poezia: “Rakia dhe lirika”, është shprehuar (Fatime Kulli): “kurse në këtë më së miri na e përflet krijimi poetik “Raki dhe lirika”, një hartim i realizuar në nivelin artistik, kurse këtë e dëshmojnë , mimezisi, katarsa dhe qëllimshmëria e përgjithshme e thadruar pastër shqip”. Mënyra e komunikit me lexuesin nëpërmjet kësaj poezie lirike, “risi” nëpërmjet një kodimi dhe analize, si një “pështjellim”, “befasi” apo “rekturë poetike”, nëpërmjet vargjeve: por ne vrojtimin presim lart/ ku rrezet e perëndimit përhudhen/ akrobatike çati më çati;/ rreze ato, të vetmet që ne kapim/ pa cingërime t’ashpëra – frekuencat/ tona mbi artin, estetikën, fjalën/ e zorshme.” f. 138-139. Ky tekst ka dy pamje:
-pamja e parë: është pamja boheme e një ditë të diele, absurdi, paradoksi dhe kotësia e jetës, me “utilitaritetin” e poetit, mes reales dhe imagjinares, duke mos “përjashtuar veten”, nga “loja” e pijes, dehjes, në kafene;
– pamja e dytë: teksti togfjalor; fjalën e zorshme, hermetizmi i poetit e ka përajshtuar “logjikën” e fjalës. Fjala dhe e zorshme, paraprin vetëm ca frekuenca të artit, të estetikës, pra “qëllimisht” poeti e ka arritur domethënie, por mesazhi parësor humbet brenda fjalës së zorshme. Fragmeti tjetër: “Duam dy raki, jo katër! Dy raki…/ e dy lirika…!- “Çfarë?!…” – shkrepi rrufe/ e ra me sheshit sa një obelisk/ pika çuditëse e saj… E tremijë,” f.140., pas një përshkrimi sa bohem edhe baritor në një kafene (lagjeje) në Shkodër, ndeshim “lojën e të dehurit”, ku dialogon me veten, në formë monologu pyetës “çfarë”?! Ka “harruar” poeti, praninë e femrës-kamariere në mejhanet e ndyra të pianecëve, me seks dhe orgji bodleriane, si vargu universal i (Omar Khajanit): “Ngrehu! Sa rron, zbras kupa e puth çupa”, ku pikëçuditësja epton gjithë fjalinë.
“Sa gota i ngrejtëm tok?/ Kush i numëroi? Dolli e vargje na ngrenin/ mbi re sikur me aerostat./“Nga vini?-/ I pyetëm. “Prej parnazit: breg polar,/ ku natën del aurora boreale…/ E piqen portokale”. -“Jo – qeshi ajo – /Nga shkreti e Saharës; si mirazh/ Mund të duket, por gjendet përnjëmend:/ Në mes të verës pellgu ngrinë akull;/ Aty zhvillohen gara patinazhi/ Çdo vit. Ç’“teta”, sa spirale bëjnë/ Mi akull, veç t’i shihnit – mrekulli!…”/ “Just as in California – ia pohoj -/ dikur aty patën gritur një “lager”/-shtoi me trishtim. – Maitenantil n’ya pas. Tani/s’ka “lager” më…! por po ndërtojmë një rampë…/ – zëri u fik. Por ajo butë ia priti: “Qu’importe, my dear!”/…/ sërishmi do dëgjojmë kanone/ mozartiane… “In una tedio malcerto/ il certo tuo fuocco…” f.144-145, rrëfimi si një tekst prozaik, për të rrëfyer për “qejfet” në anglisht dhe italisht, duke citur vargje nga Wilde dhe Montale, se të gjithë poetët janë të “çmenduar”, “pijatarë”, “dashnorë”. Fundja fatalistët, ekzistencialistët, moralistët “përmbysen” në këtë tekst lirik bohem, madje deri në nihilizëm. Nihilizmi a është një paradosk?! Paradoksi si filozofi poetike, “…për tjera fjalë/ nuk paskërka nevojë as ironia” f. 139. Ironia e fatit, “luan poker”, “luan” të dehurit (Uni dhe Egoja) mbase e tërë shqoërisë. Figurat satiristike, pikëçuditëset, laraska, bota e madhe sa dielli, nuk është vetëm kodi i një proze lirike të “kulluar”, por përjetimet, metaforat, simbolet, epitetet, aluzionet, nënkuptimet, ironia deri tek grotesku, rrëfimet deri dhe me detaje, (ngjyrat e veshjes së kamarieres dhe mbulesa e tavolinës), duket si “survejim” i të keqes kolektive, absurdi i botës njerëzore, tipike për Bodlerin, Prustin, Satrin, Kamy etj, se klithma e papajtueshmërisë me realitetin, vjen nga poeti amerikan, (Wallace Stevens), “bota juaj jeni ju. Unë jam në botën time”. Ndoshta shumë larg Bodlerit, me “Lulet e së keqes”, ku poeti u dënua si “heretik”, “mëkatar”, “perves”, por kjo lirikë sjell një përmbysje të realitetit të trishtë dhe absurdit sikur “Toka e shkretë” e (Eliot-it), “poema është një objekt i pavarur, i gjendur midis autorit dhe lexuesit, marrëdhëniet midis poemës dhe autorit janë të ndryshme nga ato midis poemës dhe lexuesit” pse jo edhe si një mjet domethënës për lexuesin, kur (Yeats-i), “dëshironte që poezia të vishte po aq domethënie sa mund të gjejë lexuesi”.
Gjuha që përdor poeti, tregon se kjo lirikë (përkundër stilit të tij) ka karakter sa të “hapur” aq edhe të “mbyllur”, por tingulli u gjuhës për  (Lamartini-in) do të thotë se: “poezia është ndjenjë dhe ndijim, shpirt dhe materie; kjo është arsyeja që shprehëse e saj është gjuha e përsosur, gjuha shkëlqimtare, që e pushton njeriun tërësisht dhe plotësisht, është ide që përshkon tejembanë qenien njerëzore, është ndjenjë e shprehur përmes shpirtit, është figurë e selitur në imagjinatën e njeriut, është muzikë që të ledhaton veshin”. Poema tjetër, “Rrokollja na flakë”, mbyllet me: “O jetë. Edhe në zgrip/ shtegtarët e tu/ gjithjnë të dashurojnë…” f.158, të shkruar në “stilin” hermetik, për një personazh real, të gjymtuar në kampet e punës. Gjuha e “ashpër” jo vetëm si dhimbje, por me thirrjen drejtuar jetës, si një dashnore e pabesë se dashuria për të është, sa njerëzore aq edhe tokësore, por edhe Hyjnore. Duket sikur po lexon fundpoemën homeriane “Iliadën”, kur pleqtë e Trojës shprehen: për atë bukuri, ia vlen vdesësh! Dëshmi kjo edhe mikut të gjymtuar të poetit, se pas çdo vuajtje ia vlen të jetosh, por vdekja ishte “gozhda” e ngulur në mishin e tij prej shumë vitesh. Poema e fundit, kushtuar vajzës së tij (thërritur me përkëdheli Lal), është pjesë e botimit të viti 2010, të plotësuar. Kjo baladë më titullin, “Baladë dritash për Lalin”, kam marrë vetëm disa vargje kuptimplote: “…e perdja ra pa përfunduar akti/…/ veç drita s’ka mbarim, f. 169, se perdja e hekurt ra, atëhere kur poeti shkruan mespërmes natës së errët totalitare, trishtimi i shpirtit të tij nuk e ka mposhur besimin, se perdja do të binte dhe ajo ra, ku; veç drita s’ka mbarim, drita e besimit dhe e shpresës, për të botuar dhe lexuar këtë poet madhështor, bashkë me gjuhën e tij poetike të pastër, të kthehet në piedestalin nga ku e hoqën dhunshëm dhe deshën ta përçudnojnë me të padrejtë. “Errësira për të cilën i tërhiqet vëmendja poetit vjen nga vetë nata që ai vetë eksploron: nga errësira e shpirtit dhe e misterit ku zhytet qenia njerëzore”, citon (Saint-John Perse).
Ndoshta metoda fenomenologjike imja, s’është ajo e duhura, por shumë shkolla të kritikës moderne, por edhe të kritikës së hershme, kanë hapsira boshe që të mbushin akoma më shumë kumtin poetik, lirik, estetik të poezisë së harruar, por jo të humbur të poetit brilant hermetik shqiptar, Zef Zorba!
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.