back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Çufrrogi… nga Ilir Seci

Gazeta

Foletë e zogjve
Foletë e zogjve

Çufrrogi…

nga Ilir Seci

Nji verë, në fmininë teme të hershme, patëm dalë në Bjeshke në Rudinë… me do motsanikë të mi. Asaj vere patëm nxanë nji loje të veçantë, ishim në garë se kush gjante ma shume çufrroge (fole zogjsh)… Për fmijë të moshës shtatë-tetë vjeçare sa ishim na asaj vere, kjo u kthye në nji lojë që na kurthoi krejt… Çdo nadje mezi pritshim me lshue dhentë, dhitë e loptë e me msy kullosën… Nanat tona bajshin seri çka na kish kapë tanë ky dell gjallnie me shkue mbas gjasë së gjallë, kur shumicën e kohës me zor shkonim me ruejtë bagëtinë!?
Fëmijë…! për ne futbolli ishte gjithshka…
Në Rudinë, njasaj vere u dhamë mbas asaj loje, garë e vërtetë se kush e kush po gjan ma shume çufrogje. Lojë që na merrte tanë kohën… Sa u çojshim në nadje prej gjumit e deri sa errej nata… Në darkë mbledheshim te zjermi i madh mes staneve e i krenoheshim njani-tjetrit për numrin e çufrrogjeve…
Duke dashtë me gjetë sa ma shumë çufrrogje nisëm edhe me iu mshefë njani-tjetrit për mos me na i gjetë kush çufrrogjet tona.
Nanat tona n’krye të staneve, bajshin seri mes veti kah na shihnin si ndaheshim me bagëtitë seicili më veti… çka na kish gjetë at verë që po kujdeseshim njaq shumë për bagëtinë sa as me sho-shokun nuk i ruenim bagtinë, por po i ndanim në veti!?
Të shkretat nana kujtonin se na kishim hallin e bagëtive!!
Në nji prej këtyne ditve çufrrogjesh, për ngut mësyna Rudinës përpjetë për me dalë në Qetën e Shpatit përtej para tjerëve… Kisha shpresë me gjetë fole fllanxash mali, (na u thom edhe pula t’egra), që ishin ma të v’shtirat ndër tanë shpendtë me ua gjetë çufrrogin…
Se kush e gjante nji çufrrog fllanxash e kish të fitueme lojën.
Sa u shkepën gjaja nëpër kullosë shpatit, unë ju avita imshtës mbanë të poshtme. Ecsha në maje të gishtave. Tanë ato ditë tue kërkue çufrrogje më kishin ba mjeshtër mos me u ndie kah eci. Nuk bajsha as ma as krismën ma të vogël. Ashtu majegishtash nëpër imshtë me frymë të ndalu, kur… m’u ba se ndjeva nji za njerì, si me qenë tuj thirrë prej ndonji shpelle o si me pasë ra kund në ndonji gropë…
Ndala dhe vuna vesh…
Po, po…
Ishte za çike njaj zà! Zà që ngjante sikur gjimonte mes imshte. Iu afrova ashtu kadalë e me veshë të mprehun me pa ç’ka mund te ishte, kur midis do çufrrash pashë nji çift që po përlesheshin!
Shtanga krejt…
Ishte za femne që gjimonte, e dallova njaty pse vajza që lshonte gjamtë ishte perfundi dhe njaj djali që me ç’ka kuptova me mendjen e shtatëvjeçarit po e mbante me zori! Çika gjimonte me dihama të shpeshta, e rënkimet e saj vijshin si të shurdhta, me za si të shterrun… Ndoshta e ka humbë zanin tue bërtitë për ndihme e shkreta! Ashtu e pleqnova atë skenë t’asaj dite, me mendjen teme prej fmie shtatë vjeç. Çika m’u duk se po përpiqej me u lirue e me u largue prej djalit, por ai s’e lshonte gjallë! Bile nga përleshja çikës së shkretë i ishin hapë edhe teshat e njaj djalë ja kafshonte cicat tanë afsh, shumë ma tepër se sa ia kafshonte nanës së vet bebja e kojshisë kur pinte gji?!
“Burrë që do me pi cicë!?” – bana seri me veti…
-O më mbyte bre! Oj nan-o vdiqa bre! Oj nan-o, vdiqa bre! – rënkonte çika tanë dihamë dhe… unë as e mendova e as u mata dy herë, veç t’i kapa do gurë e nisa po e gjuej njat djalin…
Kur, të dy kcyen përpjetë ma të trembun se dhitë e egra, kur u avitet ujku…
Çika u mundue me ngrehë teshat nalt e me e mblue disi parzmin, ndërsa njaj djali si i shkalluem msyni vrap drejt meje…
Ika dhe un vrap… e gati qeshë tuj i hikë, po për dreq u pengova n’nji rranjë ahu e u rrzova përtokë…
Ai djali erdh e jo veç m’kapi po ma dha edhe nji të rrehun që me e mbajtë mend…
.
Dashni ne pyll...
Dashni ne pyll…

***

…Edhe sot e kujtoj at të rrehun.
Në fëmininë teme ma të mdhajtë na kanë rrehë sa herë. Ma së shumti na kanë rrehë kot!
Sot qeshem me veti, kur e kujtoj atë të rrehun… Prej tana të rrehunave që kam provue në fmininë teme, njajo e asaj dite, ka qenë ma e merituemja…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.