
Çka ndodh sot në Kosovë, nuk është aspak rastësi…*
nga Bukra Hysenukaj Kastrati
E frikshme, e rrezikshme rruga në të cilën është futur e po ecën qorrazi Kosova. Sikurse në ligjet e fizikës, teposhtën po e bën me shpejtësi rrokullisëse. Është qartë i lexueshëm investimi i qarqeve antishqiptare në krizën politike dhe institucionale që prej afro dy vitesh ka mbërthyer vendin në një rreth vicioz zgjedhjesh pa zgjidhje. Përgjegjëse janë të gjitha partitë, sidomos ajo fituese, së cilës zgjedhësit i kanë besuar, pikërisht për të kundërtën e asaj që po dëshmon. Një tjetër dimension, sa paralel, aq edhe i lidhur me krizën politike, është një shpërthim i fanatizmit fetar në Kosovë, çka nuk është aspak rastësi. Të dy religjonet janë të përfshira në një fushatë, që përbën një garë të çmendur dhe të rrezikshme, të ngritjes së sa më shumë objekteve fetare, kisha e xhamia ndërsa përpjekjet për afrimin e besimtarëve po bëhen në mënyra jo transparente, përmes përfitimeve materiale, shfrytëzimit të varfërisë, injorancës, etj, forma këto që, nuk e afrojnë por e largojnë një shoqëri nga rruga e Zotit. Besimi është sa i shenjtë, aq edhe personal. Demonstrimi dhe imponimi, nuk i rrinë për shtat asnjë besimi. Predikuesit, siç shpesh po provohet, janë kontigjent që vetëm interesit kombëtar shqiptar nuk i shërbejnë. Edhe këtu përgjegjësia kryesore bie mbi shtetin, një shtet totalisht miop, (me ose pa dashje) veçanërisht në këtë aspekt.
Në kontinentin europian, nuk gjen një popull tjetër të përfshirë dhe të investuar kaq masivisht, verbërisht e në mënyrë demonstrative, në fe dhe politikë. Janë të gatshëm të vriten për fe e parti. Konflikti që po ushqehet çdo ditë e më shumë, me motive politike e fetare, po sjell ndër shqiptarë, përçarje shumë të thella, që po tejkalojnë edhe përmasat e plagës së madhe të gjakmarrjes, që e pat shëruar Anton Çeta, me lëvizjen historike të faljes së gjaqeve.
Shkurt, Kosova ka nevojë për një tjetër çlirim, me kusht që më pas, ta udhëheqin ata që i kontribuuan vërtet çlirimit.
Marrë nga Muri i FB, Bukra Hysenukaj Kastrati, 19 gusht 2026
*Titulli redaksional