
Made in Soros
nga Elona Caslli
Identiteti i një individi të fabrikuar nën kujdesin e veçantë të Sorosit është lehtësisht i identifikueshëm, sepse ndërtohet sipas disa skemave të mirëpërcaktuara, si në imazh, ashtu edhe në përmbajtje.
Ai do të rrëfejë historinë e jetës. Në qendër të rrëfimit do të jetë gjithmonë familja e varfër, të ardhurat e pakta dhe djali i varfër që, me shumë sakrifica, ia doli mbanë në jetë. Kurrë nuk do të dëgjoni se ai vjen nga një familje me mirëqenie ekonomike, sepse skenari kërkon që suksesi të lindë nga varfëria, por kurrsesi nga mirëqenia.
Do të shfaqet rregullisht në fotografi me familjen, ndërsa fëmijët do të përdoren si një lloj kartëvizite besimi për publikun. Mesazhi duhet të jetë i qartë: kemi të bëjmë me një familjar të devotshëm dhe të përgjegjshëm.
Në çdo fjalim do të përsëriten formulat e njohura: “puna e palodhur”, “një Shqipëri më e mirë”, “e ardhmja” dhe “brezi i ri”. Formulat për një shoqëri demokratike do të hidhen kudo, ndërsa fotografitë plot shkëlqim dhe fjalimet e mbushura me erëza atdhedashurie do ta çojnë publikun drejt një pyetjeje të pashmangshme:
–Ku punon lideri i së ardhmes?
Përgjigjja është gjithmonë e njëjtë:
Në një shoqatë.
Shoqata bëhet jetëshkrimi. Shoqata bëhet përvoja profesionale. Shoqata bëhet kartëvizita me të cilën pretendohet se mund të ndërtohet një Shqipëri më e mirë.
Financimet e shoqatës fillojnë të trajtohen si të ishin zëra të buxhetit të shtetit. Aktivitetet e organizuara me bojëra, pankarta dhe slogane paraqiten si certifikatë sigurie për të drejtuar institucione dhe në këtë logjikë lind paradoksi:
-Kush tha se, ai që ka drejtuar një shoqatë nuk mund të drejtojë një shtet?
Shoqata bëhet njësh me shtetin, ndërsa kryetari i shoqatës projektohet si kryeministri i ardhshëm.
Problemi nuk është dikush që ka punuar në një shoqatë. Problemi është kur përvoja e një organizate të financuar nga donatorë shitet si e barabartë me përvojën e drejtimit të institucioneve publike, administrimit të parave të taksapaguesve dhe marrjes së përgjegjësive që vijnë me pushtetin.
Një shoqatë mund të zbatojë projekte, të përpilojë raporte, të zhvillojë aktivitete dhe të marrë financime, por shteti është diçka krejt tjetër.
Post Scriptum – A po zgjedhim një lider shteti, apo thjesht po promovojmë drejtuesin e radhës të një OJQ-je?!
Kjo është dilema.