back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Bota Shqiptare pa Ernest Koliqin Kastriot Marku…

Gazeta

Ernest Koliqi i ri (1903-1975)
Ernest Koliqi i ri (1903-1975)

Bota Shqiptare pa Ernest Koliqin

nga Kastriot Marku…

Poeti, prozatori, dramaturgu, profesori, studiuesi, kritiku, esteti, eseisti, përkthyesi, gazetari, publicisti, botuesi dhe politikani Ernest Koliqi, profesor i Universitetit të Romës, lindi në Shkodër më 20 maj 1903, në një familje tregtare, qytetare dhe aristokratësh të njohur të këtij qyteti me formim kulturor të krishterë, atdhetarë dhe europianë njëherësh. Mësimet e para fillore i mori pranë Kolegjes Saveriane të Jezuitëve, për t’i vijuar më pas prej vitit 1911, nën kujdesin e dajave të tij në Kolegjin “Cesare Arici” të Brescia-s në Itali. Mësimet e mesme në vitet 1918-1921 i kreu në Bergamo, po në Itali. Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, bashkëthemelon me një grup miqsh italianë revistën studentore “Noi giovani”, në të cilën publikon disa prej soneteve të tij në italisht. Në vitin 1921, pas dhjetë vitesh kthehet në Shqipëri, ku edhe iu shtërngua fillimisht mësimit me zell të gjuhës shqipe dhe mbi të gjitha formimit të tij kulturor, politik e atdhetar falë miqësisë me personalitete të njohura të kohës në Shkodër si At Gjergj Fishta O.F.M, Dom Lazër Shantoja, At Bernardin Palaj O.F.M., Karl dhe Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi etj, dhe mbi të gjitha me Luigj Gurakuqin, i cili ishte personaliteti politik më i formuar dhe më i rëndësishëm jo vetëm i Shkodrës, por edhe i Shqipërisë së asaj kohe. Këtij shkollimi socio-politik të tij rreth çështjes kombëtare shqiptare, i shërbeu edhe përnjohja e drejtpërdrejtë me parinë politike të Kosovës si Hasan Prishtinën, Bajram Currin dhe Isa Buletinin. Fitoi një konkurs për himnin kombëtar, të organizuar nga Ministria e Arsimit, juria e të cilit përbëhej nga At Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Mit’hat Frashëri dhe Luigj Gurakuqi. Në vitin 1923, së bashku me At Anton Harapin dhe Nush Topallin themelon gazetën (fletoren) “Ora e maleve”, tek e cila mbante funksionin e kryeredaktorit. Kjo gazetë qe një sukses i jashtëzakonshëm i gazetarisë shqiptare të kohës, kjo dhe falë bashkëpunimit me Luigj Gurakuqin, At Anton Harapin, Dom Lazër Shantojën, Karl Gurakuqin etj., me të cilët kryen një aktivitet të dendur kulturor dhe politik konfiguruar në radhët e opozitës së kryesuar nga Fan Noli. Këtu duke qenë se ishte kryeredaktor, në drejtimin e Luigj Gurakuqit, hedh edhe hapat e para me rëndësi në publicistikë dhe krijimtarinë letrare veçanërisht në rubrikën satirike “Ora ndër Valle”. Në mjediset e kuvendit Françeskan të Gjuhadolit, ku ishte edhe pikëtakimi i intelektualëve të qytetit, Koliqi zhdërvjelltësoi jo vetëm gjuhën, por edhe qëndrimin kulturor, politik dhe atdhetar. Në dhjetorin e vitin 1924, ndërsa punonte si sekretar i Luigj Gurakuqit, merr pjesë si anëtar efektiv i shoqërisë “Bashkimi”, krijuar nga Avni Rustemi dhe ku bënin pjesë edhe Tajar Zavalani, Sejfulla Malëshova e Llazar Fundo. Pas shuarjes së kësaj ëndrre në projekt për një Shqipëri të vlerave të njëmëndta civilizuese perëndimore, për shkak të rrëzimit të dhunshëm të asaj qeverie nga pjesa konservatore post-osmane me mbështjen serbe, konteksti jo gjithaq i emancipuar politik i kohës e detyroi Koliqin sikurse pjesën më të madhe të opozitës të emigrojë jashtë vendit, e konkretisht ai në Jugosllavi për pesë vjet (1924-1929), Tuzla (1925-1927). Po këtë vit botoi poemthin Kushtrimi i Skanderbegut. Aty mësoi gjuhën serbo-kroate dhe njohu edhe letërsinë gojore dhe autorët më të njohur serbo-kroatë. Në vitin 1929, kthehet në Shqipëri ku edhe botoi vëllimin me dymbëdhjetë tregime “Hija e maleve”, (Zara, 1929). Nga viti 1930 deri më 1933, punoi si mësues i letërsisë në shkollën tregtare në Vlorë dhe më pas në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër. Më 1932, boton vëllimin e parë të përkthimeve “Poetët e mëdhenj t’Italis”, me poezi nga Dante Alighieri, Francesco Petrarka, Ludovico Ariosto e Torquato Tasso, shoqëruar me një parathënie të At Gjergj Fishtës, një përballje përkthimore kjo shembullore. Më 1933, kur edhe nis studimet universitare në Universitetin e Padovës, boton vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”, ndërsa më 1935, boton poemthin në prozë Quattuor, vëllimin e dytë me gjashtëmbëdhjetë tregime e novela “Tregtar flamujsh” si dhe vëllimin e dytë me përkthime Poetët e Mëdhaj t’Italis me poezi nga Giuseppe Parini, Vincenzo Monti, Ugo Foscolo, e Alessandro Manzoni, paraqitur me një parathënie prej albanologut Carlo Tagliavini. Vëllimi i tretë, i cili nuk arriti të botohej, përfshinte poezi nga Giacomo Leopardi, Giosue Carducci, Giovanni Pascoli, Gabriele D’Anunzio, të cilat u botuan pjesë pjesë në revistën Shejzat dhe në veprën e Fulvio Cordignano-s Manuale di Lingua Albanese. Në mars të vitit 1934, bashkëthemelon me Asim Jakovën, Branko Merxhanin, Vangjel Koçën, Odhise Paskalin, Stefan Shundin, Anton Logorecin dhe Ismet Toton revistën Illyria, e cila për tre vitet e jetës së saj u bë dëshmi e një palestre të risive të letërsisë shqipe. Më 1937, pas katër vitesh studimesh të kryera në Universitetin e Padovës, mbrojti aty tezën e doktoraturës me temën: Epica popolare albanese (Epika Popullore Shqiptare), nën drejtimin e Carlo Tagliavini-t, e cila u vlerësua mjaft nga albanologët Norbert Jokl-i dhe Maximilian Lambertz dhe të tjerë albanologë të kohës. Në vitin 1938, fillon punën si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin e Padovës. Më 1939, themelon revistën Shkëndija në Tiranë dhe emërohet titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës.

Prof. Koliqi Prof. Stadmuller ne Hora e Arbereshve
Prof. Koliqi e Prof. Stadmuller ne Hora e Arbereshve

Pas pushtimit fashist të Italisë më 7 prill 1939, në rrethanat gjeopolitike të krijuara, sikurse dihet nga Lufta e Dytë Botërore, opozita e vjetër tradicionale shqiptare u bashkua nën kryesinë e Mustafa Krujës, Ernest Koliqit, Dom Lazër Shandojës, e që pati edhe mbështejen e Terenc Toçit, At Gjergj Fishtës, Dhimitër Beratit, Xhaferr Ypit, Aleksandër Xhuvanit dhe At Bernardin Palajt, dhe bëri çmos të ndërmjetësonte këtë gjendje fatale të parapërcaktuar nga rrethana të jashtme, por edhe të brendshme në mënyrë që të arrihej një lloj marrëveshjeje, e cila të mund të përjashtonte pushtimin dhe kursi oksidental i vendit i mbetur në letër, të zhvillohej sipas mënyrës së duhur. Mosaprovimi i kësaj strategjie nga ana e palës italiane, e cila çoi në bashkimin e kurorave mbretërore nën të njëjtën perandori, ishte një zhgënjim i madh për palën shqiptare, dhe në kushtet e krijuara kur partneriteti politik nuk funksionoi, nuk mbetej rrugëdalje tjetër; ose t’u lihej në dorë gjithçka italianëve, ose të bëheshin pjesë qeverisëse me ta duke u përpjekur të arrinin atë çfarë mund të shpëtohej. Nëse kjo qe një zgjedhje taktikisht e gabuar, në një moment historik shumë delikat, e cila është diskutuar dhe vlerësuar si një vendimmarrje jo e drejtë politikisht nga historiografia jonë, faktet provojnë të kundërtën. Kështu Ernest Koliqi mori postin e Ministrit të Arsimit, post të cilin e mbajti për rreth dy vjet nga viti 1939, deri më vitin 1941, duke krijuar një rrjet administrativ dhe bashkëpunëtorësh të përbërë nga profesionistë, personalitete të arsimit kulturës dhe shkencës shqiptare si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Filip Fishta, At  Giuseppe Valentini S.J., Gaetano Petrotta, Kolë Kamsi etj, duke e mbajtur institucionin të distancuar nga varësia politike e kohës, larg klientelizmit dhe rekrutimit preferencial, duke patur si kriter të vetëm profesionalizmin dhe meritokracinë. Kjo periudhë e shkurtër qeverisjeje, në të cilën Ernest Koliqi qe anëtar i kabinetit ministerial, në postin e ministrit të Arsimit, na rezulton realisht se është një nga periudhat më të vlerta në historinë e punës së këtij dikasteri në një shekull veprimtari të tij, jo vetëm duke marë si bazë kohën fizike të punës së tij, por madje duke e krahasuar me shumëfishin e shumë prej veprimtarive të organizuara ministeriale në kushte paqeje e jo në kushet lufte sikurse ndodhej vendi asokohe. Në historinë e shtetit shqiptar, në historinë e arsimit shqip, kulturës dhe shkencës shqiptare, Ernest Koliqi ka lënë gjurmët e një organizatori, administratori dhe nxitësi të pakundshokun jo vetëm për gjetjet, zgjidhjet, projektet dhe realizimin e tyre, por mbi të gjitha për intensitetin, vëllimin dhe cilësinë e realizmit të tyre, duke krijuar kështu një shembull unikal të pakrahasueshëm me asnjë prej paraardhësve dhe pasardhësve të tij deri më sot në atë post.

1938 - Shkodra: Mikpritese e Kultures
1938 – Shkodra: Mikpritese e Kultures

Pas çlirimit të Kosovës nga serbët në kuadër të dezintegrimit të Jugosllavisë së Karagjergjoviqëve në prillin e vitit 1941, kur për herë të parë Kosova iu bashkangjit shtetit amë, me nismën dhe përpjekjet e Koliqit u dërguan në “tokat e lirueme”, përmes një studimi të plotë e një plani të përpiktë deri në detaje, rreth 200 mësues, të cilët nën drejtimin e Inspektorëve dhe Drejtorëve të emëruar, hapën një numër të konsiderueshëm shkollash fillore në disa qytete por edhe në shumë fshatra të mëdha të Kosovës. Ministria hapi nji gjimnaz të plotë tetëvjeçar në Prishtinë (12 dhjetor 1941) si dhe tre shkolla të mesme 4-vjeçare në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe një shkollë bujqësore në Tetovë, sikurse dhe një shkolle zanati/profesionale për punime me dorë në Prishtinë. Drejtimin e gjimnazit të Prishtinës ministri Koliqi ia ofroi Prof. Rexhep Krasniqit, i cili do të ruante pozitën si Inspektor Epror në Ministrinë e Arsimit bashkë me Karl Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Anton Dedën, Kolë Kamsin e Kostaq Cipon. Drejtor i Gjimnazit të Prizrenit qe emëruar Prof. Kolë Margjini. Kjo ishte një përgjegjësi dhe rrisk institucional njëherësh, të cilin mund t’a merrte vetëm një shtetar dhe intelektual vizionar sikurse ishte Ernest Koliqi, i cili e ndjente thellësisht përgjegjësinë për kombin e tij, duke vënë themelet e arsimit të organizuar modern në pjesën tjetër të trojeve shqiptare. Jo vetëm kaq. Ai nisi nëpër universitetet italine me të cilat kishte kontakte intensive, dhjetëra studentë nga Kosova për t’u formuar dhe specializuar në degë të ndryshme, që më pas do të ishin elementi bazik i kulturës në viset e çliruara. Në vitin 1940, Ernest Koliqi organizoi një Kongres të Studimeve Shqiptare, nga nisma e të cilit lindi në Tiranë Instituti i Studimeve Shqiptare, e para Akademi Shqiptare e Shkencave, pjesmarrës të të cilit ishin intelektualët e njohur Carlo Tagliavini, Antonio Baldacci, Francesco Ercole, Angelo Leotti, Gaetano Petrotta, etj. Nën drejtimin e tij u hartua libri i rëndësishëm dyvëllimësh Shkrimtarët shqiptarë, (Vëll. I me Namik Resulin) (Vëll. II me Karl Gurakuqin), (Tiranë 1941), Rreze drite, (Tiranë, 1941), Bota shqiptare, (Tiranë, 1943), Te pragu i jetës, (Tiranë, 1943)  si dhe vazhdimi i serisë Visaret e Kombit, kur tashmë tre vëllimeve të para, nisur më 1937 me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë iu shtuan edhe njëmbëdhjetë të tjera. Një nga të tjerat akte të rëndsishme humane, qytetare dhe njëherazi kulturore të Koliqit është dhe mbetet përpjekja për shpëtimin e albanologut Norbert Jokl. Në një shkresë ministeriale, me numër protokolli 370/33, e cila mban datën 6 tetor 1941, drejtuar Albanologut të mirënjohur Norber Jokli, Ernest Koliqi në cilësinë e Ministrit të Arsimit i shkruan: “Tue çmuem veprimtarín t’Uej, qi tash sa vjetë keni zhvilluem rreth ditunís gjuhësore shqipe me anë botimesh të randësishme, Këshilli i Minitravet me vendimin e vet Nr. 1128, me 3 Shtatur 1941, pranoi proponimin e Ministris s’Arsimit për të Ju marrun në shërbim me kontratë për nji vjetë kohë, d.m.th. prej 1 Korrikut 1941 deri me 30 Qershuer 1942, si organizatuer të bibljothekavet të Shqipnis me rrogë muejore prej fr.shq. 600 (gjashtëqind). Jemi të sigurtë se prej veprimit t’Uej arsimi ynë dhe i tanë populli shqiptar do të nxjerrë nji përfitim të madh shkencuer. Ju lutemi qi porsa t’a merrni ketë shkresë, të kryeni formalitetet e udhtimit e të niseni sa mâ parë për Tiranë. Ministri. Ernest Koliqi”.

Pasqyrat e Narcizit - Ernest Koliqi
Pasqyrat e Narcizit – Ernest Koliqi

Sa i perket Norbert Joklit duhet theksuar se ai pat bërë disa kërkësa qeverisë shqiptare nën pushtim, se dëshironte ta transferonte në Shqipëri të gjithë bibliotekën dhe shkrimet e tij, e mbas tyre të vinte edhe vetë para se të arrestohej, por edhe dëshira dhe kujdesi i Koliqit nuk mjaftoi. Zhdukja e Norbert Joklit në kampet e përqëndrimit ishte një humbje e madhe për albanalogjinë, aq me tepër se bashkë me të humbi edhe biblioteka me të gjitha dorëshkrimet e tij.
Në vitin 1941, Ernesti martohet me mësuesen Vangjelie Vuçani dhe vitin mbas (1942) largohet nga Ministria e Arsimit dhe emërohet në krye të Institutit të Studimeve Shqiptare duke patur bashkëpunimin e At Anton Harapit, Eqerem Çabejt, Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, Mustafa Krujës, At Giuseppe Valentini-t, Ernesto Cozzi-t, Karl Gurakuqit, Ismet Totos, Lasgush Poradecit, Ali Asllanit, etj. Në projektet e shumta të këtij Instituti ishin botimi dhe ribotimi i veprave themelore të gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe duke nisur me dorëshkrimin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe të Mustafa Krujës, kompletit të veprës së At Gjergj Fishtës, veprat e At Anton Harapit etj. Në fund të vitit 1943, për shkaqe të qarta politike, u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Itali pranë Universitetit të Romës si profesor i Albanologjisë, ku punoi deri sa doli në pension. Veprimtaria e tij tashmë do të shfaqte një pjesë tjetër të personalitetit të tij. Ai do të kthehej në një pikë kryesore referimi për emigracionin politik në Itali dhe njëkohësisht si një urë lidhëse për të gjitha qendrat e emigrimit në Europë dhe Amerikë. Profesor Koliqi, jo vetëm e mbajti në këmbë dashurinë për kombin dhe kulturën e tij gjatë kohës së mërgimit, por e vazhdoi punën në përpunimin kultural në dobí të kombit me autoritetin e tij të padiskutueshëm si profesor e si letrar njëherësh, në komunikimet me mjaft prej autoriteteve dhe zërave të njohur të albanologjisë në katedrat universitarë në Romë, Milano, Bari, Palermo, München, etj.

Shejzat e Koliqit - 1971
Shejzat e Koliqit – 1971

Më 1947, nis bashkëpunimin me fletoren e porsadalë L’Albania Libre, ku bie në sy veçanërisht punimi i tij historiko-letrar Dy shkollat letrare shkodrane (e Etënvet jezuitë dhe e Etënvet françeskanë). Në vitin 1957, katedra që drejtonte, me dekret të Presidentit të Republikës Italiane shpallet Institut i Studimeve Shqiptare dhe po këtë vit nis botimin e revistës Shejzat (Le Pleiadi), e cila për 18 vjet më radhë (1957-1975) ishte organi më i rëndësishëm periodik kulturor jashtë kufirit zyrtar shqiptar, falë një vargu bashkëpunëtorësh dhe intelektualësh të tillë si Martin Camaj, Karl Gurakuqi, Zef Valentini, Giuseppe Gradilone, Giuseppe Schiro, Rozolin Petrotta, Mustafa Kruja e sa e sa të tjerë. Po ashtu këtë vit boton në Firence vëllimin: Poesia popolare albanese, me tekstet shqip përballë përkthimit italisht. Krijimi i katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitetet italiane, si dhe zhvillimi i albanologjisë si lëndë universitare në to i detyrohet nismës dhe kontributit të Ernest Koliqit. Veçanërisht i jashtëzakonshëm ishte roli i tij në botën arbëreshe, ku koordinimi, mbështetja dhe mbajtja gjallë e projekteve kulturore i dedikohet vetëm atij. Në vitin 1959, boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (I canti della Rinascita), ndërsa një vit më pas romanin “Shija e bukës mbrueme”. Dy vjet më pas përkthen dhe pajis me shënime sqaruese Këngën XXVI të Lahutës së Malcis, atë me titull “Koha e re”. Në vitin 1963, boton Antologia della lirica albanese (Antologji e lirikës shqipe), botim në të cilin për herë të parë u paraqitën në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikave  të autorëve më të njohur shqiptarë. Po kët vit riboton të ripunuara “Shtatë Pasqyrat e Narçizit! Në vitin 1965, boton në italisht monografinë Albania, si pjesë përbërëse e Enciclopedia dei popoli d’Europa.
Pas vdekjes së bashkëshortes më 1969, një vit më pas riboton poemthin Symfonija e Shqipeve. Një vit mbas përkthen në italisht sërish nga Lahuta e Malcis katër këngë; XII-XV dhe në vitin 1972 publikon vëllimin me përmbledhje prej 17 esesh dhe studimesh mbajtur në konferenca të ndryshme me titull: Saggi di Letteratura Albanese. Në vitin 1973, përkthen sërish nga Lahuta e Malcis katër këngë (II-V), si dhe poetë të ndryshëm në faqet e revistës Shejzat si: Diego Valeri, Enrico Grassi, Emil Verhaeren, Charles Baudelaire. Krijimtaria letrare dhe studimore e tij gjendet në mjaft organe shtypi si: Hylli i Dritës, Ora e Maleve, Gazeta Shqiptare, Leka, Minerva, Illyrija, Shkëndija, L’Albania Libre, Shejzat etj. Ernest Koliqi ishte padyshim personaliteti më i rëndësishëm i kulturës shqiptare jashtë kufinjve shtetërorë zyrtarë shqiptarë. Instituti i Studimeve Shqiptare si dhe gjashtë katedrat e albanologjisë në Itali: (Romë, Milano, Bari, Palermo, Napoli, Padova) kishin shtysën dhe mbështetjen e tij.

Ernest Koliqi dhe Asdreni midis miqve nga Korça
Ernest Koliqi dhe Asdreni midis miqve nga Korça

Ernest Koliqi vdiq në Romë (Itali) më 18 janar 1975. Me vdekjen e tij kultura shqiptare humbi pa asnjë dyshim një ndër figurat më të mëdha dhe më elitare jo vetëm të letërsisë moderne shqiptare, por të komunitetit të albanologjisë në tërësi përgjatë shekullit të XX. Varfëria shpirtërore që la në familje, ndër miq, kolegë dhe ish studentë të tij, e mbi të gjitha në kulturën kombëtare shqiptare ka qenë e vijon të jetë e madhe, ngaqë ai ishte përfaqësuesi më i parë dhe i mbramë i kulturës shqiptare të shekullit të XX, që Shqipëria ia ktheu vendit fqinj Italisë, për kontributin e dhënë në albanologji, veçanërisht komunitetit arbëresh. Me humbjen e Koliqit qendra albanologjike që ai krijoj në Romë e humbi rëndësinë që kishte, sepse ajo tashmë nuk e kishte organizatorin dhe jetëdhënësin e saj. Kjo qendër u tranferua më pas në Palermo e Kozenca, falë intelektualëve arbëreshë, ngaqë pasuesit e Koliqit nuk patën shtatin e dhe vizionin e tij. Arkivi i tij personal duhet të ishte përpunuar, sistemuar, kataloguar dhe botuar, por është për të ardhur keq që në epokën dixhitale as periodiku i tij Shejzat, tashmë një raritet albanologjik, nuk ka gjetur vëmendjen e katedrës së themeluesit të saj që të konsultohet online.

Varri i Koliqit në “Prima Porta”,  Romë.
Varri i Koliqit në “Prima Porta”, Romë.

Varri i Ernest Koliqit në varrezën “Prima Porta”, në Romë, duhet të kthehet në një peligrinazh kulturor kombëtar për atë çfarë ka dhënë ky burrë fisnik i kulturës arbërore. Historiografia jonë e lodhur dhe e ngarkuar me stereotipe të së shkuarës duhet të sqarojë drejt pozicionimin politik dashakeqës e mënjanues ndaj Ernest Koliqit i cili ende konsiderohet si “kolaboracionist”, ndërkohë që pena e tij nuk ka firmosur asnjë urdhër ekzekutimi vrasjeje në favor as të fshistëve e as të komunistëve “dashamirë” jugosllavë gjatë kohës që ai ishte zyrtar përgjat Luftës së Dytë Botërore. Përkundrazi. Rasti i Jokl-it përbën faktin më kuptimplotë që përgënjeshtron heshtjen ndaj tij. 100 vjetori i shtetit shqiptar e gjeti atdheun e Ernest Koliqin, pa një shtatore domethënëse dedikuar atij, ndërkohë që ai duhet të ishte mu para dikastereve ku punoi mbi të gjitha para Akademisë së Shkencave e Shqipërisë. 100 vjet më pas Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve duhet të ishte kujdesur për botimin e veprës së plotë tij. Gjithsesi nuk është vonë. Kur ka pritur kaq kohë, në 110 vjetorin e lindjes sërish nuk është vonë.
Marrë nga Gazeta 55 12 maj 2013

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. “Për shkak të rrëzimit të dhunshëm të asaj qeverie nga pjesa konservatore post-osmane me mbështetjen serbe, konteksti jo gjithaq i emancipuar politik i kohës e detyroi të emigronte…”
    Pse autori i shkrimit s’e thotë qarte: “Një revolucion alla bolshevik solli në qeveri Nolin.
    Triumfi i legalitetit në dhjetor 1924, tregon që Fuqitë e Mëdha nuk lejonin një qendër bolshevizme në Ballkan. Ata të cilet autori citon, Avni Rustemi, Tajar Zavalani, Sejfulla Malëshova (KGB), Llazar Fundo… njihen që herët si eksponentë të “social-demokracise”. Optika nuk është aq e thjeshtë, osman, mbështetje serbe apo ndonjë gjë e këtille. Pikërisht gjykimet e cunguara, pasi faktet historike aty janë, kanë çuar në këtë ndarje të mendimit historiografik.
    “…Në 1929 kthehet në Shqipëri E. Koliqi…” – Kjo na tregon qartazi mënyrën se si trajtohej opozita, dhe intelektualët në atë kohë, paçka se historia është çeshtje interpretimi më shumë.
    Më tej vazhdohet me pushtimin italian. Në asnjë rresht autori s’e përmend faktin e nacionalizmës së E.Koliqit që u bë ministër arsimi, por citon “Të shpëtojmë ç’të shpëtojmë…”, a thua se E. Koliqit nuk i përkedhelej pak inkoshienca që do të fliste italisht.
    “Pena e tij nuk ka firmosur asnjë urdhër ekzekutimi!!!” – Më sipër shpjegohet që Koliqi ka qenë ministër arsimi, jo i brendshëm. Ndoshta i ka shkarë pa dashje autorit. Por, edhe nqs do e kish bërë mendoj se historia do e vlerësonte dhe më shumë…
    Ernest Koliqi ngelet një gjigand i letrave shqipe dhe shqiptarizmës, por shkrimi është marrë nga gazeta “55” dhe s’ka shumë nevojë për komente të mëtejshme…
    Mjafton të shohim emisionin “A paragjykohen muslimanët ne Shqiperi” te Opinion dhe e kuptojmë qartazi mendimin e F. Balliut mbi këto çeshtje.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.