back to top
32.5 C
Tirana
E diel, 21 Korrik, 2024

Ati dhe Biri i Poezisë… Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti 2013
Visar Zhiti 2013

Ati dhe Biri i Poezisë… Visar Zhiti

Parathënia e Librit “Muret e Muzgut” poezi nga Lazër dhe Jozef Radi

Kush është ati i poezisë?
Qielli, Mali Parnas, ku bujtnin muzat si në një hotel modern artistësh, realiteti, mendimi i lirisë, i dhimbjes, i dashurisë, apo i krijimi i një realiteti të dytë që më tepër është i brendshëm?
E poezia kë ka bir të vetin?
Prapë dhimbjen, lirinë, statujat e mermerta të Apollonit, rrebelimin tënd, magjepsjen, prehjen, realitetin e dytë, që ta sfidojë të parin.
E mbase ati bëhet bir, e ndonjëherë biri del e bëhet baba, ashtu si emrat në fis, ku ngjallet i vdekuri, e ndonjëherë humbin të dy dhe mbetet poezia, së cilës i mjafton vetvetja, si një psherëtimë, që befas bëhet lule, apo si buzëqeshja, që befas bëhet lule, si fjala që befas bëhet lule, apo si lulja që befas bëhet fjalë, buzëqeshja, psherëtimë…
Po plagët? A s’ngjajnë ato më shumë me lulet? Po brilantet? Pse e krahason poezia jonë luftëtarin e plagosur si të mbushur me xhevahire? Ndërkohë që vetë poezia është plaga, nga andej vjen, vetë e shkakton dhe poeti s’është gjë tjetër veçse mendësia permanente e plagosjes, së pari e vetvetes.
Gjëra të tilla po mendoja kur lexoja poezitë e Radëve, nën dy emra: Lazër dhe Jozef. Ati dhe biri. Dhe s’e di pse mërmërita diçka si lutje; në emër të atit, të birit dhe të…
E gjitha ajo që lexova ishte një shenjtëri, po aq e shpjegueshme sa ç’nuk mund të shpjegohej dot kurrë.
“Ç’u duhej poezia – mund të pyeste një zë brutal – ndërkohë që atyre u mungonte buka dhe liria?” E jo vetëm kaq, kur poezia i rrezikonte edhe më tepër ata, atin dhe birin, jetën, ditën, vetë engjëllin, natën, fatin, djallin?

“Muret e muzgut”
“Muret e muzgut” 1993

Lazër Radi gjithë jetën e tij, mbas Luftës së Dytë Botërore e kaloi burgjeve dhe internimeve, nëpër baltën infernale të diktaturës. Edhe pse i doktoruar për drejtësi në Romë (pikërisht drejtësia i mungoi atij dhe atdheut), edhe pse gazetar dhe krijues, studiues, mik i Migjenit; patriot edhe kur rrokullisej humnerave, e përplasej në sfidat e kohës etj., etj., e kur dhuna e largonte atë nga letrat… ai pikërisht atyre s’u ndahej si një cikloni që t’i vërtit pranë.
E megjithatë poezia e tij s’është as shkatërrim e as mallkim. Rrëfim i qetë, do të thosha unë, gati monoton, që të kujton ato enët që i vendosin nëpër shtëpi për të mbledhur ujin që pikon, në një ditë dimri.
Në një shtëpi të tillë, që pikonte vetëm halle, muzg, në periferi fushash dhe brengash të mëdha, lindi Jozefi. Dhe jo vetëm emri, por edhe fiziku i tij të kujtojnë diçka nga martirizimi i Krishtit.
Lind i internuar dhe punon qysh fëmijë në baltën e detyruar që i la i ati. Pse s’i dha gjë tjetër babai Lazër atij?!
Po poezinë? Edhe pse biri i tij s’mund të bënte dot universitet apo të kish kohë të studionte, ai prap shkruan poezi. Ka gjithë jetën që shkruan.
Mbase vazhdon aty ku e la i ati (në fakt edhe i ati vazhdon të shkruaj) pse thotë ato çka s’mund t’i thoshte ai. Mbase përmbush pengun e tij, apo aty realizon vetveten e mohuar apo proteston heshturazi!? Mbase… po më e rëndësishmja është që shkruan bukur, trishtueshëm, me fisnikëri, plot me reflekse drite dhe do të shtoja, është modern. E, për paradoks, në vendin më primitiv gjer në brutalitete vrasëse.
Ky libër, poezitë e atit e të birit, janë dëshmi tejet emocionuese e pamposhtmërisë së njeriut dhe vlerave të tij. Ato janë një mozaik i bukur, tronditës, nën baltën e kohës që iku. Ashtu së bashku, ata: at dhe bir, janë më domethënës, më kuptimplotë. Sikur i japin njëri-tjetrit plagët… ja ashtu si thëngjijtë e vatrës që malsorët ia japin njëri-tjetrit për të ndezur… cigaret?! Jo, jo, poezinë!

(Hapsirë Mendimi (Lushnje), e enjte 14 tetor, 1993)
(RD, e enjte 4 nëntor 1993)

Lazër Radi 1995
Lazër Radi 1995

Kush është Lazër Radi

U lind në Prizren më 29 janar 1916. Në nëntor 1929, i detyruar nga dhuna e represioni serb, familjarisht vendoset në Shqipëri. Jeton disa kohë në Tiranë dhe Durrës. Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës merr pjesë intensivisht në jetën intelektuale. Është koha kur në shpyp shfaqen shkrimet e tija të para. Në vitin 1936, kalon pushimet verore në Pukë bashkë me mikun dhe shokun e tij, Millosh Gjergj Nikolla – Migjenin.
Kjo periudhë do të lërë gjurmë të thella në jetën dhe veprimtarinë e tij të mëvonshme letrare dhe publicistike. Pasi mbaron gjimnazin në vitin 1938, fillon fakultetin e Drejtësisë në Romë, të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyera, në vitin 1942. Punon si avokat dhe publicist gjer në dhjetor të vitit 1944, kohë pas së cilës vetëm për shkrimet dhe pikpamjet e tij antikomuniste dënohet në vazhdimësi me të gjitha format e dhunës.
Si njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja ka përkthyer disa vepra të rëndsishme nga kultura botrore: Po përmendim pesë vepra të Platonit, Jevrem Brkoviqin, Ivo Andriqin, etj. Ka disa vëllime origjinale në dorëshkrim si kujtimet, “Kujtime me Migjenin”, novelën “Murgesha dhe poeti”, “Ato vite të paharruara tridhjetë”, “Ditët e fundit të Mirash Ivanajt” etj. etj.
Ky është libri i parë poetik i tij.
U kthye në Tiranë pas një Odiseje 46 vjeçare terrori!
Edhe sot vazhdon të punojë e të shkruaj.

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.