back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Shkodra – qyteti im i lindjes dhe i dashnisë në frymëzimet e mia… Cikël Poetik nga Anton Çefa

Gazeta

Anton Çefa - Manhattan, prill 2016
Anton Çefa – Manhattan, prill 2016

Shkodra –

qyteti im i lindjes dhe i dashnisë

në frymëzimet e mia

Cikel Poetik nga Anton Çefa

Nji shkulm rrezesh

Nji shkulm rrezesh hollake
Të diellit n’prendim
E grisi çarçafin e palamë të reve.

Dangë e përgjaktë përflaket,
Zmadhohet e zvoglohet mes resh
Tue përskuqë
Tërthoren e Taraboshit n’maje,
Kodrat e Tepes, të heshtuna
Dhe brengën time për qytetin e lindjes.

Nata me hije të bruzta
Do të më ndryej mbas pak n’andrrën e vet.
Atje do të kërkoj
Shijen e nji jete t’grabitun.

Po, edhe nga syni i andrrës
Do t’më spërkasë shkulmi i përgjaktë
I rrezeve t’prendimit…
(1969)

Ilustrim grafik i Shkodrës së hershme
Ilustrim grafik i Shkodrës së hershme

Shkodrës

Të kam pa n’synin e gjitha qosheve të rrugëve
E tinëzisht
Të kam joshë çdo lakim dëshire
E dridhje zani.

Je tjetërsue sot, asht shkërmoqë thelbi i të gjitha fjalëve
Edhe i asaj që njerzit quejnë dashtni.
E Qinarit të Hoxhës së Dheut,
Hija e topitun
Ka humbë përgjithmonë kujtesën
E nuk më njeh.

Ende më vjen e mbytun
E me nji ritëm të çuditshëm
Jehona e hapave të lirë
(Jehonë hapash të dikurshëm
Mbi kalldramet tua të mëndafshta
E të buta si tapete).

E më duket se në këto shtjella ajri
Po zvargen ende tingujt e ambël
të kumonëve
që shpallshin paqen e njeriut të mirë.

Të kam dashtë gjithmonë
Por ma tepër e ma
Pse nuk filtrove me këtë kohë të ndytë.
(1972)

Rozafa

Si hana në boduarin e reve
Rozafa
Në themel të Kështjellit të gurtë
E n’krahë t’legjendës.

Përsëdytet e përthyhet
Drita e hanës
Në kullim të qumshtit ndër shekuj.

Shkëlqen ashti i flisë.

Shkodra - Pamje nga Rozafa
Shkodra – Pamje nga Rozafa

Drinit

Kam pi ujin tand
Sa rrajët e këtyne shelgjeve që rritën në t’tuat brigje
E në këto shtigje kallamishtesh e kaçubash
Jam shkoqë nga toka si zog i trembun
E n’ato plepa qi me maje prekin qiellin
E varen n’rreze t’diellit
Kam varë sa e sa herë trishtimin tim;
Mandej me dorën e lehtë të flladit
Në gugatje të valëve tua
Kam la sa e sa herë vargun tim
E kam zbutë gurin e mendimit.

E prap, e prap,
S’do të ngopem me ujin tand tanë jetën
Si rrajët e këtyne shelgjeve
Qi harlisen brigjeve të gjakut tim.

Motiv i dikurshëm

Drini ia lau kambët Kalasë
E dielli tue u rrxue mbas Taraboshit,
Ia fali qytetit lulkuqin e fundit
Të ditës.

Puthin aroma lulesh
Muret e oborreve të randueme nga shermasheku
E shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,
Krrusen
Nën peshën e lodhjes së mbramjes
E të qiellit n’prendim.

Krismat e dyerve që mbyllen njena mbas tjetrës
Dhe të gjitha zhurmat e tjera
Shuhen ngadalë ndër valë tw liqenit.

Me nina-nanën e bulkut të natës
Dremitin rrugët e vetmueme
E Shkodra flen.

Mbramje ne liqen
Mbramje ne liqen

Shtregullat

U harruen shtregullat,
Kur “Hovi i madh e hovi i vogël” *
Shlirshëm kalamendeshin nën hije t’mandave
Dhe duhi shpirtnash
Mbushte me amsim hapsinat.

Kanga kishte tjetër ndriçim
E fjala tjetër tingull
E jeta tjera hove.

*Varg i kangës së shtregullave.

Shnjoni*

Si çdo vjetë
Shnjoni i ndezi flakadajt
Dhe valles ia dogji hapin.

Deri n’ag të ditës
Përzhiten kambët e shpirtnat.

Kristianizmi pagzoi me emën të ri
Zakonin e vjetër
E arbërit mbeten arbër.

Zjarre të fikuna dikur
Ndezen rishtas në gjokset e të rijve
Ditën e Shnjonit.

*Me 29 gusht, ditën e Shnjonit (Shën Gjon Baptista) ka qenë zakon në Shkodër që të rijtë të ndezshin zjarre me kashta dhe të kërcejshin ndër flakadane.

Pax Vobis!

“Pax vobis”, kufoma jetësh t’zhgënjyeme!”
Pëshpërisin gjuhët e blerta të selvive
E shelgjeve u ranë gojët
Në litani mortore pa mbarim.

Mbi eshtna martirësh randojnë
E dridhen prej pezmi gurët e zajeve,
Kullojnë helm kaltërsitë.

*U kushtohet martirëve të pushkatuem mbas mureve të Rrmajit, në Zall të Kirit.

Mall agimesh

(Shkodrës)

Sado të randa qenë stinët,
Të errta, plot lagshti,
Malli yt asht mall agimesh
Që shkëlqen mbi Cukal e Maranaj,
E rrjedh me ujët e Bunës.

Nuk ndigjoj këtu
Fëshfëritjen e shermashekut mbi mure,
Nuk e ndiej erën e marangjylit n’oborre
E as nuk shoh prendimet mbas Taraboshit.
Këtu nuk e shuej etjen me ujë pusi.

Shkodër…

Në degëz të mallit tand,
Luhatet e varun zemra ime.

Shkodra - pikturë
Shkodra – pikturë

Kangë për tokën time

Rrugët janë të hapuna,
Po kthimi asht i vështirë.
Toka ime e dhimbshme
E dhimbshme dhe e bukur.

Te ti çelin agimet lule drite
E errën muzgjet n’piklime yjzish,
Toka ime e dhimbshme,
E dhimbshme dhe e dashtun.
Rrugët janë të hapuna,
Po kthimi asht i vështirë
E dhimbja asht e thekshme,
O toka ime,
e dashtun,
e dashtun dhe e braktisun

Mërgim

U nisa
Si nji yll që shkëputet në muzg,
U ravijëzue e thana.

Udhëve u dhashë nji emën të rrejshëm.
Ngarkesë e randë m’u bajtë:
Dekor i gurtë malor në Veri,
Legjendë kaltrije ujore në Jug.
Ngarkesë e randë m’u bajtë:

Shtëpia me kopsht e avulli
Nji jetë e preme për gjysë,
Kujtimet pa fund,
Të gjallët e të vdekunit.
Sa randë peshojnë të vdekunit!

Simfoni dashnie
Simfoni dashnie

Me bisedat e gjetheve

(Motrave: Letës e Verës)

Ngujue n’fund të kopshtit
Gjithmonë me kambë në dhe,
Si me motrat
U rritëm bashkë, moj kumbull.
Si nuk të lodhi pritja
Sa herë unë brodha
E të harrova,
Si nuk të lodhi pritja?

Me bisedat pambarim të gjetheve
Në pranverë
E me heshtjen e ngritë dimnore
Çka don me m’thanë, moj kumbull?
Largime,
Vajtje e ardhje ka kjo jetë,
Po ti mos u trishto:
Në degët tua kam varë përgjithmonë
Buzëqeshjen e fëminisë.

Në zemër më ngrin nji plagë

Ktheva në shtëpi
Si gjethi i zverdhun
Qi era hjedh për dhe.

Ndigjoj trokitjet e nallave të nanës
Në oborrin e shtëpisë së heshtun
Si kumbimet e bekueme
Qi binin mbi fmininë time.
Ajo s’asht ma.

Dhe as qeni nuk asht,
I miri im!
E mbyti malli.
Tash po përtypi
Lehjet e tij të mirëseardhjes
Si kashata të njelmëta malli.
Vetëm kumbulla, po,
Më përshëndet me nji fëshfërimë të blertë
Qortimi prozhmues.
Në zemër më ngrin nji plagë
Prej bryme e bore
Rishtas e hapun.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.