back to top
16.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

“Një ikje ekzotike… një mall për të shkuarën a një sprovë për të këndellur sende të bukura…?!” nga Gjovalin Shkurtaj

Gazeta

"Gjama e Eres" dhe Erenestina Halili - Gjergji
Gjama e Eres” dhe Erenestina Halili – Gjergji

“Një ikje ekzotike… një mall për të shkuarën

a një sprovë për të këndellur sende të bukura…?!”+

nga Gjovalin Shkurtaj

Vlerësim mbi vëllimin poetik “Gjama”

të Erenestina Halili – Gjergji

“…sed male cum recitas,
incipit esse tuus” (Marciali)
(…qyshse nis me e recitue keq,
at’here ka nis me u ba yti)

Akademiku Gjovalin Shkurtaj
Akademiku Gjovalin Shkurtaj

Erenestina Halilin e kam pasur studente dhe, si shumë prej shoqeve të saj, të vitit tashmë të largët 1994, doli në jetë, u diplomua për gjuhë letërsi shqipe e për gazetari dhe u përballua me “Quo vadis?”, duke kryer, sikundër thonë italianët, “periudhën e gavetës” si  gazetare, me trajnime në Institutin e Mediave, Tiranë (1995), në Rai, Romë (1995), përvojë njëmujore në Partenership for Peace, Louisiana, SHBA, korrespondente e “Rojter”-it për Shqipërinë (1995-96), gazetare dhe folëse në RTSH, kryeredaktore e parë në RTSH, drejtore e përgjithshme e RTV “Real”, Drejtore kabineti në Ministrinë e Shëndetësisë. Ka fituar gradën “Master  shkencor” (2007-2008) me studimin “Dukuri moderne në dramën e Teki Dervishit” dhe  “Doktore e shkencave filologjike” me studimin “Dukuri moderne në dramën  shqipe në Kosovë”; qysh nga viti 2011, ka  ardhur në Fakultetin ku ishte diplomuar, por tashmë si pedagoge e brendshme në departamentin e Letërsisë, si titullare e lëndëve “Histori dhe tipologji e dramës”, “Redaktimi i tekstit letrar”, etj.
Por, ajo na paska edhe një “dashni të hershme e të pashueme” për vendlindjen, për gjyshen  e saj nga Gimajt e Shalës, që quhej Bjeshka, dhe si mbesë urtake e si vajzë mali krenare, ka ruajtur edhe ajo një etje e prirje të fortë drejt pasqyrimit të asaj bukurie ligjërimore, që i është ushqyer qysh së vogli në mendjen e në zemrën e saj. Ka shkruar një tufë poezish me titullin “Gjama” dhe ia ka ënda t’ua vërë në dorë lexuesve jo në shqipen standarte, por në një të folme malësore, në të folmen e Shalës së Dukagjinit.

Erenestina Halili - Gjergji - Buzuku - Panairi i Librit 2016
Erenestina Halili – Gjergji – Buzuku – Panairi i Librit 2016

Më gjeti edhe mua me vjershat e Erenestinës si Darën e Ri me të bijën e Lalës, që e çoi “në monë e shkuom”.
Ka disa ditë që merrem me ato poezi, të cilat edhe më pëlqejnë, edhe më vënë në mendime, herë-herë edhe në mëdyshje nëse duhet apo jo ashtu, po edhe disa fjalëve nuk ua gjej lehtë kuptimin e parë, porse kumti poetik  është i këndshëm e bjerr mot për të gjetur tharmin leksikor të tyre.
I lexoj, pastaj edhe i rilexoj vjershat e saj. Janë të bukura, plot me gdhenj e gjurmë të një etnografie të foluri të hershme e tashmë gati të harruar, por gjithsesi prekëse e të këndshme. Poetja  gërmon në folklorin e zonës dhe sjell së andejmi motive e leksematikë shumë të bukur, por edhe jo gjithmonë të kuptueshme për brezin e ri, besoj edhe për shoqet e saj të njëmoshe, me të cilat tashmë ndan sukseset e detyrat në katedër a department.
Pyes veten: Ç’ta ketë shtyrë vallë, këtë zonjë, mbas një përvoje të mirë e relativisht të gjatë në lëmin e gazetarisë e të letrave, me tituj të mbrojtur e çmime të fituara për shkrimtari e gazetari të realizuara në shqipen standarde, të shkruajë poezi në dialekt dhe as në gegnishten tradicionale, por në një të folme anësore e gati prej shumëkujt edhe të harruar. Të harruar e në harrim e sipër edhe prej shumë asish, që kanë lindur atje, por janë tashmë në Tiranë, në qytete të tjera shqiptare, po edhe në metropole të Evropës e deri në Amerikën e largët e në Australi.
Pra, a kemi një ikje ekzotike “larg rrëmujës e rrëmetit”, apo një mall për të shkuarën e një sprovë për të këndellur sende të bukura, “rrëgjata” të ndryshkura, por që kanë vlerë të madhe, pikërisht si gjetjet e hershme në zbulimet arkeologjike(?!) Dhe, në mendje më vijnë fjalët e Suetonit, një nga burrat e mençur të Romës së Lashtë: “In civitate libera linguam mentemque liberas essere debere” (Në një shtet të lirë duhet të jenë të lira edhe fjalët dhe mendimet” (Suetoni, De vita Caesarium Tiberius).1
Kujtohem se edhe unë, në librin e Dialektologjisë, në pjesën teorike të përgjithshme, duke iu referuar abatit Rusëlo,  e kam shkruar e theksuar se të folmet  dhe dialektet e vendbanimeve të largëta në krahasim me gjuhët e standardizuara të shkrimit, kanë për studiuesit e dialekteve po atë përparësi që kanë manushaqja dhe lulet e pyllit ndaj luleve të kopshteve botanike.”2
Me siguri Erenestinës do t’i kenë mbetur në mendje edhe citimet që jua thosha në leksione, duke iu referuar J. Haust-it: “Më tepër  sesa lulet e një lulishteje, bimët e egra të fushës, barërat dhe drunjtë e pyllit tërheqin vëmmendjen e botanisit”, si dhe sa shkruante F. Shnakenburgu, i cili, duke vlerësuar e lëvduar dialektet, pohonte: “E folmja përballë frëngjishtes është si një skllav në prani të një zotnie të ashpër; ai hesht dhe nuk guxon të lëshojë zë derisa të jetë i sigurt se zotëria nuk po e dëgjon më. Por, larg zhurmës së qyteteve, larg pluhurit të rrugëve të mëdha, në fshatrat e vetmuara, mbi malet, në luginat, atje shfaqen në dritë të plotë këto gjuhë të thjeshta, naive, diafane që janë sot ato që ishin këtu e disa shekuj më parë, sepse askush nuk ka marrë përsipër t’u japë atyre, arbitrarisht, ndonjë përsosje…
Njeriu nuk mund të bëjë një gjuhë pa metodë; ai nuk mund të krijojë një metodë të re për klasifikimin e fjalëve të tij; ai e bën gramatikën dhe sintaksën si bleta hojet, si zogu çerdhen”.3
Pra, u vura ta lexoja dorëshkrimin, pastaj edhe e rilexova dhe bëra ndonjë redaktim. Natyrisht, me kujdes e pa ia prekur mëvetësinë dhe stilin e saj, ashtu si pata bërë vite më parë me librin e Atë Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” (Pjesa e parë, Tiranë,1995), duke u ruajtur që të mos prek asgjë ku autorja mund të ketë “investuar” lajmin poetik dhe tharmin joshës të lexuesve me këtë lloj shkrimtarie.
Dhe, teksa përparoja në redaktimin e shqyrtimin rresht për rresht e fjalë për fjalë të poezive, në mendje më vinin,  si një vegim urtësindjellës, fjalët e eruditit e Mikut tim të madh, Dushko Vetmos (Françesko Solanos), i cili  thoshte gjithmonë: “punë e vështirë të prezantosh para lexuesve një poet të ri”. Edhe më e vështirë është detyra ime në rastin e Erenestina Halilit, e cila, ndërsa tashmë është një emër në gazetarinë shqiptare e në mesin e profesoratit të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, një ditë të bukur, më vjen më një tufë vjershash  të shkruara në  të folmen e Shalës.
Dhe jo vetëm se shkruan në dialekt, por edhe është e “zhytur” krejt në një ndjenjë adhuruese për gjithçka ka nxënë në atë mjedis malësor, sidomos nga gjyshja e saj, të cilën e kujton me përmallim e nderim të papërshkrueshëm, shkruan për “Gjamën”, po edhe për shumëçka nga palca e dokeve e virtyteve të Maleve Shqiptare, ndër të cilat Dukagjini ka pasur vendin e vet të rëndësishëm e të veçantë.
Por, le të kuptohemi, kjo poete nuk shkruan as rapsodi, as bejte. Ajo i ka “përveshur mëngët” për të krijuar në një të folme që asaj i duket “më e bukura e më e përshtashmja” për poezinë e saj, anipse, shumëkujt do t’i duket se po e bën, o për  “ekzotikë postmoderniste”, o  për një farë “mode” që ngren në qiell gjërat dikur të shkëlqyeshme, ku hyn edhe gegnishtja.
Tiranë, 22 tetor 2016
Titulli radiandradi.com

Erenestina Halili Gjergji - "Gjama e Eres!"
Erenestina Halili Gjergji – “Gjama e Eres!”

A din… Poezi nga Erenestina Halili Gjergji

A din,
kur kqyr damart e tu blu rrezhda-rrezhda
si udhët qi pshtonin gjindjen n’kshtjella t’rrethueme
si konopi i temeleve qi lidhin skajet e ngrehins s’re
njashtu asht dita e tanve sod: E vnueme re qysh dje!
 
A din,
kur zjermin ia vnuen njatij qyteti perëndish
n’përçudë mendes njerzuere me ba t’pabamen
damart blu rrezhda-rrezhda, tuj plasë vner
njashtu t’tanë sod, lyp e mos gjet’ erz, as nder!
 
A din,
pse jena t’panjoftun, kur n’emën thrrasim t’tanë
e damart blu rrezhda-rrezhda tha janë ndër ne
thue ma temele e rrugë kanë mbetë n’skaj?
Thue asht dita tanve sod, e vnueme re qysh dje?
Marrë nga libri “Gjama e Erës” Buzuku 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.