back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Poeti Gëzim Hajdari në botën anglo-amerikane nga Ylli Polovina

Gazeta

Gezim Hajdari - Stigmata (Anglisht-italisht)
Gezim Hajdari – Stigmata (Anglisht-italisht)

Poeti Gëzim Hajdari në botën anglo-amerikane

nga Ylli Polovina

“…Rritja e prestigjit të poetit shqiptar në Itali
edhe në botën e madhe anglo-amerikane
mund të ketë edhe zhvillime të tjera,
suksese këto mbi të gjitha të autorit.
Por ndihemi mirë edhe ne të tjerët,
kudo ku ndodhemi, në Shqipëri, Kosovë apo nëpër botë…” ylli polovina

Ylli Polovina
Ylli Polovina

Krijimtaria e Gëzim Hajdarit, poezia e tij veçanërisht, por edhe botimet studimore, duke dëshmuar se kanë vitalitet në rritje, po përparojnë në prestigjin e tyre, jo vetëm për cilësinë artistike, për tematikën e nxehtë bashkëkohore, por edhe kërkesën për shtrirje dhe përhapje gjeografike. E nisur në Tiranë më shumë se dy dekada më parë, në fillim të viteve nëntëdhjetë krijimtaria e tij u zhvendos në Itali, fare pranë Romës, në qytetin Frozinone, ku poeti ngriti, mes vështirësive të një të emigruari, selinë e tij të re të punës.
I shpallur “Qytetar Nderi” për vlera artistike i këtij qyteti, Gëzim Hajdari në bashkëpunim me disa shtëpi botuese vendase, por veçanërisht me “Besa” të Livio Muçit (Leçe, Pulia), publikoi një krijimtari të begatë, të dendur dhe njëkohësisht mjaft moderne e origjinale. Një pjesë të saj vetëm në gjuhën italiane, tjetrën në shqip dhe italisht, duke u shndërruar në poetin aktual dygjuhësh më të madh shqiptar.
Dygjuhësh, me misionin e një ure komunikimi mes dy popujve dhe kulturave, Hajdari realizoi një sukses të madh me botimin e vëllimit me këngët shqiptare të nizamit, po ashtu edhe ato të mërgimit, për të hapur rrugën e paraqitjes së afërmi në gjuhën italiane edhe të lirikës popullore shqiptare. Kjo është një punë e barabartë sa e disa profesorëve së bashku apo edhe e tërë një instituti.
Ka lënë po ashtu përshtypje befasuese libri i tij në italisht, krijim i rrallë në llojin e vet, për genocidin e poezisë jo vetëm gjatë periudhës së bolshevizmit në Shqipëri. Ndërkohë Gëzim Hajdari është poet udhëtar, i pranishëm në vendet me gjendje të dhimbshme lufte apo urie, në Afrikë, pasqyruar kjo edhe në një album nga fotografi i shquar italian, Piero Pomponi (“World Focus”).
I promovuar gjerësisht në Itali (pothuaj në çdo skaj të këtij vendi), me tri monografi të shkruara mbi veprën e këtij poeti shqiptar “Poesia dell’esilio. Saggi su Gëzim Hajdari”. Cosmo Iannone Editore, 2010, përgatitur nga Andrea Gazzoni, profesor në University of Pennsylvania; “In balia delle dimore ignote. La poesia di Gëzim Hajdari”. Besa, 2015, shkruar nga Sara Di Gianvito dhe “La Besa Violata. Eresia e vivificazione nell’opera di Gezim Hajdari”, Besa, 2014, krijuar nga Alessandra Mattei, ai është pritur shumë mirë edhe prej lexuesit francez të poezisë. I përkthyer në gjermanisht apo i vlerësuar në gjuhën maqedonase, Gëzim Hajdari po e përparon vrullshëm prestigjin e tij artistik edhe në botën anglo-amerikane.
Viti 2016 i solli një ngjarje mbresëlënëse. Në Angli u publikua vëllimi “Vragë/ Stigmata”. Përkthyese është Kristina Viti ( Cristina Viti), e cila jeton prej tridhjetë vjetësh në Londër. Viti ka përkthyer në Angli poetët dhe shkrimtarët e shquar italianë, si Dino Campana, Amelia Rosselli dhe Elsa Morante.
“Vragë/ Stigmata” u publikua nga Shearsman Books në Bristol, drejtues i së cilës është Tony Frazer. Shearsman Books boton çdo vit nga krijimtaria botërore rreth gjashtëdhjetë poetë të shquar bashkëkohorë dhe klasikë. Promovimet Tony Frazer i bën në Londër, në Swedenborg Hall, e cila është afër British Museum dhe mban emrin e Emanuel Swedenborg, filozof e mistik, por mbi të gjitha frymëzues i poetit dhe i piktorit William Blake, i Balzac, Baudelaire, Coleridge, Goethe, Borges.

Hajdari i paraqitur nga - Lettera Internazionale
Hajdari i paraqitur nga – Lettera Internazionale

Vëllimi “Vragë/ Stigmata” është botuar tri herë në Itali nga “Besa Editrice”: 2002, 2006, 2016.
Sigurisht botimi në Londër nuk erdhi si rastësi për Gëzim Hajdarin. Qe rrjedhojë i publikimit të poezive të tij nga disa revista angleze. Në vitin 2013, ishte e shquara “Agenda Poetry”, themeluar në 1959 nga William Cookson dhe Ezra Paound, që i botoi një cikël, si edhe një intervistë. Në vitin 2014 ishin revistat “Shearsman” (Bristol), si edhe “The White Review (Londër).
Por interesi mbi veprën e poetit shqiptar në Itali, Gëzim Hajdari, ka qenë i vëmendshëm edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje që mbi pesëmbëdhjetë vite më parë, me “Herald International Tribune/ Italy Daily Thursaday”, e cila nëpërmjet gazetares Kristine Crane e ka intervistuar në 23 nëntor 2000. Në vitin 2010, profesorja në St. John- s College të Annapolis, Sarah Stickney, fitoi një bursë njëvjeçare nga Fondacioni Fulbright për të punuar në Itali mbi përkthimin në anglisht të antologjisë së Hajdarit, “Poezi të zgjedhura, 1990-2007”. Ndërkaq antologjia poetike “The Poetry of Migrant Writers in Italy”, 2011, përgatitur nga Mia Lecomte e Luigi Bonafini, ky i fundit profesor në Brooklyn College, publikoi një seksion me 20 poezi të Gëzim Hajdarit. Në vitin 2013, revista amerikane online www. Warscapes. com botoi një bisedë të gjatë me poetin Hajdari (intervistuar nga Anita Pinzi, City University of New York). Ajo u shoqërua me 20 strofa nga “Poema e mërgimit”. Në vitin 2014, gazeta e përditshme në gjuhen italiane në SHBA, “America Oggi”, në suplementin kulturor “Oggi7” botoi një intervistë të poetit me gazetaren Paola Mille. Në vitin 2015, revista amerikane “A Public Space” ( New York), Nr. 22 Winter 2015, publikoi disa poezi të Gëzim Hajdarit, përkthyer në anglisht nga Charif Shanahan, poete. Po ashtu vepruan këtë vit edhe revista amerikane online “Lunch Ticket e Antioch University Los Angeles, revista “Notre Dame Review e University of Notre Dame”, si edhe revista e përgjashtëmuajshme “Structo Magazine”. Në këto dy raste, përkthimin e pati kryer poetja Sarah Stickney.
Së shpejti, pasi e kanë marrë miratimin e publikimit, do të botohen në anglisht “Trup i pranishëm” (përkthyer nga Charif Shanahan), “Poezi të zgjedhura 1990- 2007” (përkthyer nga Viktor Berberi), “Poema e mërgimit” (përkthyer nga Anita Pinzi), “Poezi të zgjedhura 1990- 2007” dhe “Hije qeni” (përkthyer nga Sara Stickney), si edhe “Dhimbjehëne” (përkthyer nga Patrick Barron).
Rritja e prestigjit të poetit shqiptar në Itali edhe në botën e madhe anglo-amerikane mund të ketë edhe zhvillime të tjera, suksese këto mbi të gjitha të autorit. Por ndihemi mirë edhe ne të tjerët, kudo ku ndodhemi, në Shqipëri, Kosovë apo nëpër botë.
Panorama (Albania) 15 gusht 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.