Poetët e krijojnë atdheun, të tjerë e tradhëtojnë – nga Yzedin Hima

Martin Camaj gjatë punës

Martin Camaj gjatë punës

Poetët e krijojnë atdheun, të tjerë e tradhëtojnë

nga Yzedin Hima

(Shkrimi i Auron Tares është studim apo denoncim?!)

Në një portal të njohur u botua “studimi” i Auron Tares me titull “Dritëhije në histori” dhe me nëntitull “Martin Camaj & Ernest Koliqi të pazbuluar” për dy nga shkrimtarët e “Letërsisë së penguar” Ernest Koliqin dhe Martin Camajn. Autori ngutet mjaft për të vërtetuar tezën e sigurimit të shtetit se dy shkrimtarët janë armiq të Atdheut. Për të hedhur dritë mbi një shkrimtar së pari duhen studiuar tekstet e tij, gjë të cilën autori i “studimit” e injoron. Po për çfarë zbulimi kryehet ky “studim”, kur nuk përfillen tekstet e dy autorëve?! Ky “studim” është i denjë vetëm për revistën famëkeqe të sigurimit të shtetit “Në shërbim të popullit”. Në të gjithë treguesit e këtij teksti ndeshim kërkesat për botim të asaj reviste famëkeqe si: parimi i luftës së klasave, partishmëria proletare, parimi i historicizmit, paragjykimi, dyshimi, etj. etj.
Që në titull ndeshim një fjalor si reminishencë e fjalorit të përdorur në shkresat e punonjësve të sigurimit famëkeq të shtetit të diktaturës: dritëhije. Nëse keni jetuar në diktaturë e mbani mend revistën e sigurimit të shtetit “Në shërbim të popullit”, ku shfaqet figura e një zbuluesi gjysmë në dritë dhe gjysmë në hije. Te nëntitulli kemi fjalën “të pazbuluar”, një nga fjalët kyç të operativëve të sigurimit. Rubrika titullohet “Mite të rreme”. Paragjykimi është materiali që thur tërë këtë “studim”. Të deklarosh që në fillim të shkrimit injorancën tënde në njohuritë për letërsinë dhe të emërtosh dy nga figurat më të ndritshme të letërsisë shqipe si “mite të rreme”, nuk je në fushën e një studimi, por në fushën e një shërbimi. Nëse një shkrimtari i shpërfillen tekstet e tij letrare, nuk vihen ato tekste në fokus të studimit, atëherë kurrsesi nuk kemi studim, por thjesht përbaltje. Dijetari i letërsisë Roland Barth në shkrimin e tij “Vdekja e autorit” thotë se pas shkrimit të veprës, autori “vdes”. Nuk ka asnjë rëndësi jeta e tij. I rëndësishëm është teksti, ndonëse edhe në jetën e tyre personale këta autorë nuk kanë asgjë për t’u gjykuar.
Autori shkruan: “E sa për lëmin e letërsisë nuk kam kompetencën e duhur për t’i gjykuar këta dy shqytarë kalorsiakë, shpresoj që me analizën e mëposhtme lexuesit të krijojnë një ide të qartë mbi “Mitet e rreme” që promovohen dhe lartësohen edhe nga Ministritë tona të Kulturës.”
.
Martin Camaj - Koha e Lules - poezi

Martin Camaj – Koha e Lules – poezi

Pas këtij paragrafi është marrëzi të presësh diçka interesante nga “studimi”. Autori deklaron inkompetencën për studimin e tekstit letrar dhe nis kërkimin për jetën e autorëve në dosjet e shërbimeve të fshehta për dy shkrimtarët e dëbuar nga diktatura. As më shumë as më pak nis aty ku e ka lënë punën sigurimi i shtetit, i cili ndiqte jetën personale të shkrimtarëve, po pa harruar edhe tekstet letrare për të cilët përdorte ekspertët letrarë nga radhët e shkrimtarëve,
Po si mund t’i emërtosh “Mite të rreme” dy shkrimtarë pa analizuar tekstet e tyre letrare?! Miti i një shkrimtari ndërtohet mbi bazën e teksteve të tij, letërsisë së tij. Nëse autori i “studimit” do të analizonte tekstet letrare dhe do të argumentonte se ato tekste janë pa asnjë vlerë artistike, qoftë edhe duke u nisur nga parimet e socrealizmit, atëherë arbitrariteti i përcaktimit të tij për dy shkrimtarët ishte i pranueshëm, konform formimit të tij kulturor e estetik. Të vendosësh etiketën “Mite të rreme”, pa shqyrtuar qoftë edhe një tekst të dy autorëve të shquar të letërsisë, do të thotë të shfaqësh urrejtje për dy nga figurat e shenjuara të letërsisë, urrejtje që buron ndoshta nga mospërputhjet ideologjike e politike te autorit të “studimit” me dy shkrimtarët.
Gjatë diktaturës shkrimtarët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi ishin “shkrimtarë të nëmur” nga regjimi. Pas rënies së diktaturës tekstet letrare të dy shkrimtarëve shkaktuan habi estetike te lexuesit. Ernest Koliqi, bashkë me Migjenin, janë themelues të prozës moderne shqipe. Tekstet e tij janë nyjëtuar sipas estetikës së letërsisë moderne europiane të shekullit XX. Ndërsa tekstet e Martin Camajt, në prozë dhe poezi, e zgjerojnë dimesionin europian të letrave shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Për disa nga tekstet e tij kam shkruar disa ese, të cilat janë botuar në gazetat letrare.
Nëse do të ndalemi te teksti, ku flitet për Martin Camajn se ka qënë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, ende nuk kemi shënimet e Camajt për të shkuar te e vërteta. Sigurimi pas rrëmbimit që i bëri mësuesit të ri Martin Camaj, i ka hapur një dosje ku pretendohet se i riu ka firmosur bashkëpunimin me sigurimin. Më pas, dihet se Martin Camaj i la në dorë pendët sigurimit duke u arratisur në Jugosllavi. Nëse Martin Camaj do të ndihej i lumtur duke i shërbyer sigurimit, s’kishte pse të rrezikonte të arratisej, ndërkohë që jugosllavët kishte raste që i kthenin të arratisurit në Shqipëri. Mjaft nga intelektualët shqiptarë, midis tyre edhe shkrimtarë, kanë bashkëpunuar me sigurimin dhe kanë fituar privilegje të mëdha nga regjimi. Po Martin Camaj ishte nga një brumë tjetër. Ai zgjodhi privacionet e emigrantit në vend të shërbimit ndaj regjimit.
Më tej në tekst aludohet se Martin Camaj mund të jetë rekrutuar nga UDB-ja, shërbimi sekret jugosllav. Autori nuk sjell asnjë dokument për këtë pandehmë të tij, vetëm tregon një document të CIA-as amerikane, ku thuhet se shërbimi sekret jugosllav kishte nën kujdesje emigrantët. Po dihet që në një shtet të bllokut lindor emigrantët do t’i mbante nën mbikqyrje shërbimi sekret. Edhe pjesëmarrja e Camajt në një organizim emigrantësh kundër regjimit komunist shihet si punë në dobi të UDB-së. Po, cilido antikomunist do të merrte pjesë në organizime për të përmbysur regjimin stalinist në Shqipëri. Gjithashtu, autori aludon se bursa e fituar nga qeveria jugosllave është dhënë në këmbim të një shërbimi nga Martin Camaj! Nuk sillet asnjë dokument për këtë, Vetëm dyshohet. Edhe puna e Camajt si profesor në universitetin e Beogradit shihet me dyshim nga autori i “studimit”, ndërkohë që sjell një pohim të vetë Camajt, ku ai pohon se e fitoi atë vend pune falë aftësive të tij.
.

Karpa - Roman nga Martin Camaj

Karpa – Roman nga Martin Camaj

Sillet si “fakt” puna e Martin Camajt në Radion e Beogradit. Natyrisht, Camaj do të përdorte çdo mjet për të përmbysur diktaturën në vendin e tij. Kjo ndoshta i irritoi edhe disa enveristë në institucionet shkencore të Prishtinës së asaj kohe, ndërkohë që Camaj ishte në të drejtën e tij. I gjithë “studimi” është mbushur me dyshime të njëjta me ato të sigurimit të shtetit. Edhe martesa e Martin Camajt me një vajzë serbe nga Beogradi shihet si punë e stisur nga shërbimi sekret jugosllav. Autori, për habi, kurrsesi nuk i shkon mendja te një dashuri e fortë e një djaloshi të iluminuar shqiptar me një bukuroshe serbe. Të gjitha moskuptimet dhe keqkuptimet e tij autori i kthen në enigma konspirative me spiunë. Të gjitha pikëpyetjet në kokën e tij autori kërkon t’i transferojë dhunshëm në kokën e lexuesit. Herë-herë autori del nga jermi dhe shprehet: “Në mungesë të dokumentacionit të palës jugosllave, vetëm mund të spekulojmë.” I gjithë teksti për Martin Camajn është një spekulim, të cilin nuk mund ta shpjegojmë se përse bëhet dhe kujt i shërben. Një urrejtje e tillë për shkrimtarët ka ekzistuar vetëm në mjediset e errta të sigurimit të shtetit. Personalisht jam lumturuar kur takova tekstet letrare të Martin Camajt, Ernest Koliqit, Visar Zhitit, Zef Zorbës, Frederik Rreshpjes, Mihal Hanxharit, Jamarbër Markos. U ndjeva krenar që jam bashkëkombas i tyre. Ata i dhanë dimesione të mrekullueshme atdheut tim moral, i cili u bë më shpirtëror, më europian, më njerëzor.
Në një bisedë virtuale me shkrimtarin e njohur Visar Zhiti ra fjala për denoncuesit e tij. Visar Zhiti më befasoi me përgjigjen e tij, kur e pyeta se si do të sillej nëse do ta kishin përballur në qeli me një tjetër shkrimtar të shquar, natyrisht me pranga në duar, të cilit i kishin marrë një dëshmi me shkrim në dëm të tij. Shkrimtari Visar Zhiti u përgjigj: “Nëse do ta kishin sjellë në qelinë time për ballafaqim, unë as nuk do t’i dëgjoja, as nuk do t’i kundërshtoja theniet e tij, thjesht do ta përqafoja…!”
Nuk po ndalem më tej në pandehmat e autorit të “studimit” për veprimtarinë e Martin Camajt në Itali dhe bashkëpunimin me Ernest Koliqin, të cilat shihen si kombinime të shërbimeve të fshehta gjermane, amerikane, italiane, jugosllave, shqiptare. I gjithë ky tekst ngjan si vijim i përndjekjes gjatë 50 viteve që u ka bërë sigurimi këtyre dy shkrimtarëve. Labirinti i merimangës ku ka ngecur autori nuk besoj se është interesant për lexuesin. Për mendimin tim, i gjithë ky “studim” i ngjet një denoncimi. Arsyet vetëm mund të merren me mend. Po kujt i intereson që atdheun tonë moral të na e bëjnë pis herë pas here?!
Përpjekja për të hedhur baltë mbi dy shkrimtarët është e dështuar. Poetët dinë ta krijojnë atdheun, të tjerë e tradhëtojnë atë…
.
Marrë nga Muri i Fb i Yzedin Himës, 7 korrik 2020
.
 
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook