Një polemikë jo fort dashamire me një jofortdashamirës Flamur Shabani & Jozef Radi

Polemikë...

Polemikë…

Një polemikë jo fort dashamire me një jofortdashamirës

Flamur Shabani & Jozef Radi

Me zotin Flamur Shabani, nuk njihem realisht, pak për arsye moshe, pak për arsye rrethanash, pak për arsye interesash pak edhe për përkatësi pozicionesh që na kishte paravendosur fati i secilit. Duke qenë se kemi pasur të përbashkët një kohë, një qytet, një gjimnaz, dhe se ai e kish njohur tim atë e më ka shkruar mjaft mirë për të, me kohë mes nesh u vendos një raport mjaft pozitiv, aq sa herë mbas here i pata bërë vend edhe në punën time shkrimeve të tij, në shenjë vlerësimi dhe respekti ndaj tij pa asnji lloj paragjykimi apo interesi. Me kalimin e kohës, pa ndonjë arsye specifike mes nesh u vendos edhe njifarë heshtje në distancë, të cilën unë u përpoqa t’ia shpjegoj vetes me pozitën e tij si mësues, me ndonjë rrethanë simpatie e angazhimi të tij në politikë, çka unë e konsideroj si një zgjedhje e tij, e që unë, i kurrëpërzier në politikë partish a interesash politike, as më trazonte fare pozicionimi i tij. Paqja e gjatë në heshtje mes nesh do të kishte zgjatur pafund sikur para dy-tri ditësh, në nji shkrim timin të paraqitur në Lushnja Undergraund (http://www.radiandradi.com/rrethi-kuq-i-kepuctarit-mbi-intelektualin-nga-nji-rrefim-i-lazer-radit/testata-kryesore/gazeta/), të mos gjeja nga zoti Shabani jo thjesht një shënim, por një shkrim të studiuar e kalkuluar mirë, me një pozicionim të qartë polemik dhe me një fill të kujdesshëm cinizmi, duke i lejuar vetes opinione tejet provokuese, për një shënim aq të vogël timin, siç ishte ai midis raportit të dy fatkeqëve të luftës së klasave si Lazër Radi dhe Pandi Kristo, të cilët nji ditë u përballën mes tyre, ashtu krejt rastësisht, një bisedë të rëndësishme. Mbetem me bindjen se shkrimi i zotit Shabani ishte sa i gjatë aq edhe i studiuar, sepse krahas problematikës mjaft të gjerë e të mprehtë, ishte pa asnji gabim ortografik, po edhe vendosja e saktë e ë-ve, (çka nuk bëhet lehtësisht me tastierën e celularit) më bindi në kët mendim timin… Të them të drejtën, leximin e shënimit të zotit Shabani e bëra gati një ditë më pas, e duke qenë se isha në rrugë me celular i shkrova diçka duke iu referuar fjalive të tij, por sensi i provokimit nga ana e tij ishte aq cinik, sa kur e mbylla, mendova se duhej t’i jepja nji përgjigje më të plotë, më të qartë polemikës së z. Shabani… Si zakonisht koha nuk më premton polemika me askënd, kështu që e lashë pak si në heshtje kët punë që të mos e prishnim heshtjen e paqme mes nesh…
Por sot (15 korrik 2017), vërejta se zoti Shabani e kishte vazhduar polemikën… mbi shënimin tim, duke i shtuar mjaft ironi… kështu që unë po përpiqem t’i përgjigjem me premtimin se ai është në të drejtë të vet ta vazhdojë debatin, po unë s’mundem t’ia kënaq këtë dëshirë, as atij dhe askujt tjetër që të vazhdoj më tej…
Për korrektesë… do ta paraqes krejt tekstin e tij dhe do t’i përgjigjem me detaje gjithë asaj fryme polemike që ai jo rastësisht e ka lënë mbi nji shkrim të paraqitur prej meje… Lexuesit le të gjykojnë nëse ajo çka shtron zoti Shabani, është gjest miqësor e dashamir, apo një provokacion jo thjesht drejt meje, por më i gjerë e më i studiuar.
I siguroj zotit Shabani se nuk do ta lejoj kurrë veten të bie në ato nivele ku synon ta vendosë tehun e cinizmit, polemika e tij:
.
Flamur Shabani

Flamur Shabani

Flamur Shabani

Një realitet i trishtueshëm.
I kam njohur të dy personazhet në këtë shkrim, si intelektualin Lazër Radi, edhe këpucarin Pandi Kristo, madje më tepër Pandi Kriston, se jetoja në një lagje me të dhe dyqani i këpucarisë ishte përballë godinës së Komitetit Ekzekutiv e të Partisë. Nuk mund të pohoj vërtetësinë e fjalëve në bisedën e tyre, por ka mundësi të jetë e vërtetë.
Veç pasi lexova shkrimin në mënyrë të vetvetishme, më erdhi ndër mend një përqasje e kryqit të dikurshëm të këpucarit mbi intelektualin gjatë gjithë viteve të Pasçlirimit e, sidomos, pas viteve ’90, kur u përmbys Diktatuara dhe filloi një farë revanshi nga të persekutuarit e sistemit. Pra, u ndërruan rolet në një farë mënyre, çka do të rindizte edhe një herë të ashtuquajturën “luftë të klasave”, por në një realitet të ri. Urrejtja thuajse biologjike për njëri-tjetrin na ka bërë ne shqiptarët të mos ngremë kryet e të mbetemi si një aneks i botës së qytetëruar. Kur do të mbërrijë ai brez që ta shikojmë njeri-tjetrin pa urrejtje e pa dyshime, por me dashuri si vëllai vëllanë?
Eshtë detyra jonë, e më të moshuarve, të injektojmë te brezi i ri, te fëmijët e nipat tanë dashurinë, tolerancën e mirëkuptimin, duke i hequr një kryq të madh makthit të së shkuarës, pa këmbëngulur në të ashtuquajturën kërkesë ndjese për krimet e komunizmit, një kërkesë absurde për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që as kanë qenë ndonjëherë komunistë, madje nuk kishin lindur, kur u përmbys ai sistem. Kush mund t’i vërë para përgjegjësisë e t’i ngarkojë me ndjenjën e fajit të lindurit deri 10 vjet para ’90-ës. Çfarë dinin ata për Diktaturën. Kjo do të thotë se 40-vjeçarët e poshtë kësaj moshe mund të jenë simpatizantë të çdo partie, pavarësisht spektrit politik që përfaqëson e në votime mund të mbushin thesin e çdo lloj partie. Ndaj politikanët duhet të bëjnë kujdes që mos ta ndajnë elektoratin në “Ne” dhe”Ata”, duke i kundërvënë, sepse ndryshe instiktivisht do të veprojë psikologjia e vetmbrojtjes e secili do të tërhiqet në llogoren e vet e prej andej, do të qëllojë në llogoren e kundërshtarit.
.
Jozef Radi 2016

Jozef Radi 2016

Jozef Radi

I nderuar Flamur, e shoh që leximin e këtij shkrimi e ke bërë paksa me syrin e dikurshëm të profesionit tënd (masovik), gjë për të cilën më vjen sinqerisht keq. Megjithatë, je në të drejtën tënde të çdo opinioni… megjithëse në disa piketa duhet të ishe më korrekt! Shprehja juaj “një farë revanshi nga të persekutuarit e sistemit… çka do të rindizte edhe një herë të ashtuquajturën “luftë të klasave”, por në një realitet të ri.” jo vetëm që është tejet fyese, por edhe e një dashakeqësie të pashoqe… Sepse midis atyre që ishin humbsa (të persekutuar), filloi lufta për mbijetesë… dhe si për çudi nga shteti (të gjitha ngjyrosjet politike) të parët ndihmuan bashkpunëtorët e sigurimit dhe të dytët ata që kishin qenë nga gjaku i shprishur (komunistët e rënë nga vakti)… Nëse ka pasur ndonjë betejë, ka qenë vetëm betejë morale, të cilën unë e quaj absolutisht të drejtë, e që mendoj se edhe ti vetë duhej ta përkrahje (kam mjaft shënime prej teje), njëfarë katarsisi dhe duhet ta bëje… E dyta, shprehja juaj: “Urrejtja thuajse biologjike për njëri-tjetrin na ka bërë ne shqiptarët të mos ngremë kryet e të mbetemi si një aneks i botës së qytetëruar. Kur do të mbërrijë ai brez që ta shikojmë njeri-tjetrin pa urrejtje e pa dyshime, por me dashuri si vëllai vëllanë?” Urrejtja thuajse biologjike… e kujt more zotëri? Urrejtja e partisë shtet që vazhdon edhe sot e kësaj dite, me format më meskine të luftës së klasave, e kamufluar nga të gjitha qeveritë dhe përfaqësuesit e saj. Shqipëria nuk po ngre krye nga pushteti dhe jo nga ndonjë përplasje e të përndjekurve… Urrejtje biologjike! Nga kush e drejt kujt?! Me çfarë motivi?! Urrejtjen biologjike kërkojua atyre që ti i njeh mjaft mirë, dhe jo atyre që ende mbijetojnë në kushte vështërsish e privimesh tejet të mëdha. “Ne shqiptarët të mos ngremë kryet e të mbetemi si një aneks i botës së qytetëruar” kjo vjen prej shpirtit komunist (fajtor gjithnji armiku i klasës) prandej ende s’ka ndodhur ekuilibrimi i shoqërisë, çka po e dëshmon vetë jeta…
Dashuria dhe respekti, për të cilat ju shkruani, si dhe detyra e kultivimit të tyre është e krejt shoqërisë shqiptare… por kjo bëhet duke u rrëfyer e vërteta kriminale e diktaturës, dhe jo duke u fshehur apo ledhatuar ajo… bëhet duke gëzuar frutet e lirisë dhe drejtësisë sociale dhe jo mashtrimet elektorale, sepse morali i një shoqërie nuk vjen nga kompromisi me të keqen, por nga lufta pa kompromis ndaj saj…
Gjithsesi do të përgjigjem më gjatë dhe me qetë Flamur, nisur edhe nga fakti që jeni mësues… dhe roli juaj mund të ndikojë më mirë në edukimin e rinisë… Por mendoj se ende jeni nën efektet anësore të asaj kohe të cilën përpiqeni ta mbroni, po edhe të kësaj kohe, që simbas meje ende nuk ka gjurmë të qarta demokracie…
Duke u dëshmuar i shqetësuar për brezin e ri, që ju vetë e edukoni, dhe ndërsa flisni për paqen e dashurinë shkruani se “…duke i hequr një kryq të madh makthit të së shkuarës, pa këmbëngulur në të ashtuquajturën kërkesë ndjese për krimet e komunizmit, një kërkesë absurde për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që as kanë qenë ndonjëherë komunistë…” Këtu nis krejt diabolizmi juaj (djalli i fshehur në detaje), sepse theksoni me një cinizëm të paparë, sikur për krimet e komunizmit po u kërkohet ndjesë brezave të rinj apo shqiptarëve që s’kanë qenë komunistë… Jo mor zotëri… Ne vetëm duam që ajo të mësohet dhe të kuptohet dhe të mos përsëritet… Kurse ju, si mësues në vend që ta ngrini zërin e ndjesës për krejt krimet e shkaktuara nga diktatura dhe krejt mekanizmat e saj ndaj të pafajshmëve, (të dokumentuara ditë mbas dite nga burime dokumentare e të gjalla, një prej të cilave jam edhe unë vetë, ju e quani absurditet kërkimin ndjesë, në një kohë që flisni për tolerancë dhe mirëkuptim, apo për slloganin tashmë të bajatosur “bashkëvuajtës dhe bashkfajtorë…”) i bëheni apologjet asaj!
“Çfarë dinin ata për Diktaturën?” - shtroni pa të drejtë pyetjen ju zotëri. Po pse nuk e pyesni veten se çfarë u keni shpjeguar ju nxënësve për diktaturën?! A keni ftuar në shkolla ju ndokënd që e ka vuajtur diktaturën e tua shpjegojë krimet e pësuara, ai dhe sivëllezërit e tij?! Cilin libër që demaskon krimet e diktaturës e keni futur me detyrim si mësues në shkollë, në mënyrë që nxënësit të afrohen e ta mësojnë të vërtetën… Këtu mund të fillojë toleranca dhe mirëkuptimi, dhe nëse ju do të ishit mendje e hapur dhe dashamire, nëse do të dëshironit të mos mbeteshim në “anekset e botës së qytetëruar”, për të cilat shfaqeni aq i shqetësuar…!! duhet të kishit vepruar ndryshe…
Për ta maskuar problemin, ju shkoni e përplaseni te politika dhe politikanët, tek ndarja e tyre “ne dhe ata…”! Unë nuk hyj as tek ne as tek ata, unë hyj tek drejtësia sociale e kthimit të pronës, te barazia para ligjit, te hapja e dosjeve dhe nxjerra e krejt mekanizmave të diktaturës jashtë vendimmarrjes, te lufta e krimeve të diktaturës, te dekriminalizmi i pushtetit të sotëm, te nderimi i krejt atyre gjigandëve të kulturës dhe historisë që sakrifikuan në emër të lirisë, drejtësisë dhe paqes, po mjaft edhe te serioziteti dhe depolitizimi i shkollës… Pra, kjo ishte beteja e jotja, e imja dhe e gjithkujt që e do kët vend, dhe jo te ajo melodia juaj tashmë e sintonizuar me termin “broçkulla”…
.
Polemike...

Polemike…

Flamur Shabani

Je për t’u mëshiruar në përgjigjen tënde, Jozef Radi. Më vjen keq, po nuk e prisja një reflektim të tillë prej teje, sidomos prej teje. Kaq cinizëm e mllef nuk i shkojnë për shtat dikujt që mëton të ushqejë të drejtën, paqen, harmoninë në shoqëri. Hidhu edhe një herë sytë fjalëve, mendimeve e tonit të shprehjes që ndihet në to! Duket sikur flet nga maja e Olimpit dhe je ti zotëruesi i vetëm i arsyetimit të shëndoshë, ndërsa para teje jam unë, i vobegëti, që ka nevojë për orientimin tënd mëshirëmadh! Nuk e kuptoj se ku e gjen kurajon qytetare të shprehesh me mua me një gjuhë të vrerosur! Kemi ndjekur të dy të njëjtat shkolla, i njëjti profesor të ka mësuar edhe ty, edhe mua; kemi ndjekur të njëjtin fakultet me të njëjtët pedagogë, me Tefta Radin, ikonën e TVSH-së kam qenë në një kurs në fakultet. Si shpjegohet që të gjithë këta tek unë kanë ndikuar negativisht e tek ti pozitivisht?! Nejse, mund të të shkruaja edhe më shumë, po nuk ia vlen. Gjithsesi, jam i detyruar të kujtoj shprehjen e njohur të bishtit të qenit, i cili nuk drejtohet, me gjithë përpjekjet e mundshme të shkencës, sado e sofistikuar të jetë ajo, sepse është diçka gjenetike. Nuk doja të ta jepja këtë përgjigje, por u detyrova, sepse edhe në një replikë të paradokohshme për standardin e gjuhës shqipe, ke mbajtur të tilla poza të zotëruesit të së drejtës dhe të denigrimit të atij që ka mendim ndryshe. Ndrysho, më i pranueshëm, më tolerant ndaj mendimeve e qëndrimeve ndryshe, Jozef Radi! Hidh sytë përqark dhe shiko të tjerët! Nuk jemi më në fillim të viteve’90, kur nga naiviteti besonim se vërtet erdhi Demokracia për të gjithë.
Ka disa shkaqe, që humbi kaq thellë e djathta shqiptare. Më kryesorja nuk është paaftësia e Bashës për të krijuar besim rreth vetes, por janë disa qëndrime e veprime të papranueshme ndër vite, që sa vjen e do ta bjerrin edhe më tej elektoratin e djathtë. (Paça aq fuqi, sa mos të detyrohem t’u kthej përgjigje provokimeve të tua të mëtejshme!)
.

Gjimnazi i Lushnjes '70

Gjimnazi i Lushnjes ’70

Jozef Radi

Te kjo pjesë e dytë e polemikës, ajo çka s’e pranoj e që më shkakton mjaft buzëqeshje është se më quani “të rënë kaq poshtë”; se “jam për t’u mëshiruar”, se “kaq cinizëm dhe mllef” se përdor “një gjuhë të vrerosur” apo përdorimi i batutave të vjedhura nga filmat e realsocit si “bishti qenit bishtqeni…” (çka të afron më shumë me shpirtin e masovikut se me gjuhën e një mësuesi) apo “zbulimet gjenetike të trashëgimisë” (së armikut të klasës) më bëjnë ca për të qeshur e ca për ta shpërfillur kët dashamirësi të shtirur vende vende! Pastaj vjen edhe ajo pjesa ku më jepni këshilla se si duhet të sillem, si duhet t’ju pranoj, si mund të jemi të barabartë, kur dihet se unë ende pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në mjaft kampe interrnimi, kurse ju për fatin tuaj të mirë (me ca më shumë vite se unë) jeni rropatur si një masovik i devotshëm i propagandës së partisë së punës, po edhe mbas ’90, për shumë vite si mësues në edukimin e brezave të rinj…!! Nuk do t’ua kisha përmenduar këtë fakt, por me që ju zgjodhët të më këshilloni që të ndryshoj, të jem më tolerant dhe më i pranueshëm, kur duhej që këto më shumë t’ia këshillonit e t’ia përsërisnit vetes suaj, pra ishit ju që më detyruat t’iu përgjigjem si një masoviku të djeshëm, prej të cilit së paku s’mund të marr këshillat e sotme… edhe nëse e vlerësoj përgatitjen tuaj! Besoj se për kaq gjë, do të më mirëkuptonit!!
Është e vërtetë se kemi pasur një qytet të përbashkët, se kemi bërë shkollë të përbashkët, (se kemi jetuar mjaft vite nën të njejtën ideollogji), se kemi pasur edhe mësues të përbashkët, e ndoshta edhe në vetshërbim të kemi ngrënë në të njëjtat pjata… por më duhet t’jua kujtoj se jam përjashtuar dy herë nga ajo shkolla e përbashkët padrejtësisht, thjesht pse ashtu i pëlqente regjimit, se kam punuar 17 vite kanaleve të Myzeqesë, se nuk kisha asnjë të drejtë shkollimi, dhe as profesioni, ndërkohë që ti i gëzoje ca privilegje e ca shërbime delikate ia bëje regjimit edhe pa qenë komunist…!!
Vitet ’90, ishin vite shprese për të gjithë dhe aspak vite revanshizmi si i mendoni ju zoti Shabani. Në ato vite, unë kam studiuar, kam folur, kam shkruar, kam punuar në institucione, kam botuar libra revista, po gjithnji në emër të një shoqërie të lirë, ku të mund të vihej në vend padrejtësia e një gjysëm shekulli, dhe jo të blindohesh pushteti neokomunist, mbi padrejtësi të reja…
Zoti Shabani, me keqardhje vërej shumë politikë dhe shumë sqarime politike të vendosura në shënimet që më drejtoni mua, Ju sqaroj se nuk kam qenë kurrë në asnjë parti dhe ma merr mendja se s’kam për t’ia lejuar vetes të vishem me rroben e hekurt të asnjë partie, cilado qoftë ajo, siç mund të keni bërë ju në zgjedhjet tuaja… Unë jam njeri i lirë me shpirt social; i emancipuar dhe i edukuar në një familje me vlera të larta; me kontribute më shumë se modeste; i kulturuar dhe i kënduar mjaft; njeri tolerant dhe i pranueshëm; kurrë nuk kam ulërëtur për vuajtjet e jetës dhe familjes sime (thjesht kam dëshmuar dhe dëshmoj) jam mirënjohës, respektues dhe vlerësues i të tjerëve… kështu që cinizmi i gjykimit tuaj, është problemi juaj, jo i imi. Edhe ju keni qenë respektuar prej meje, deri para tri ditësh, kur nuk e di për ç’arsye e prej çfarë “shtysash të epërme”, u detyruat të më shkruanit atë tip Dacibao-je… që s’kishte asnjë lidhje me thjeshtësinë e shkrimit që paraqitej prej meje… Si duket e kishit studiuar qetësisht e me kohë këtë punë. Aty thjesht ju doli lepuri në shteg dhe me një cinizëm të pashoq goditët disa pika mjaft delikate, çka më shtyu ta mendoj mirë e ta kuptoj qartë se nuk ka qenë krejt as rastësi, as dashamirësi e as mirkuptim, por një dorashkë cinizmi për një përplasje në fushë të hapët, por për fat të keq me një mendje disi të mbyllur, siç unë ju konsideroj tashmë…
Ju dëgjofsha të mirën zoti Shabani, dhe ju uroj suksese në edukimin e brezave të rinj… Nuk e di nëse më duhet t’ju kërkoj ndjesë që për të më trazuar mua në punën time, ju është dashur të harxhoni kaq shumë, nga e shtrenjta kohë e juaj…
16 korrik 2017
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Gazeta, Hapësirë Debati  Etiketat: , , , , ,
Një përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Alida Jolie
    Jozef,
    ndoqa gjithë “polekmikën” tuaj. Si fillim të përgëzoj për etiketën e komunikimit dhe qetësinë që ruan gjatë shkëmbimit me z.Shabani Së dyti, në vitet që të njoh e të ndjek, mbase je ndër të vetmit persona që gjuhën e urrejtjes nuk e ke përqafuar. Besomë, njoh mjaft të persekutuar që kanë vuajtur më pak se ti dhe familja jote por fatkeqësisht urrejtjen e kanë bërë të tyren dhe nuk është diçka për t’u vlerësuar. Ndër radhët e persekutuarve dolën shumë të kamufluar dhe kta janë ata që vërtet i kanë fryrë ndasisë dhe përçarjes se shoqërisë.
    Tani, përsa i përket pergjigjeve të bën përshtypje sesi një njeri në rolin e edukuesit dhe mësuesit shkruan për tolerancë, dashamirësi dhe paqe kur një sistem diktatorial i fryu furishëm urrejtjesh dhe përçarjes. Me të drejtë lind pyetja, sesi mund t’i kërkojmë kto atribute të vyera për një shoqueri të shendetshme, kur ne s’kemi larguar sëmundjen nga trupi? Shoqëria jonë nuk mundi në këto 27 vite demoNkraci të bëjë asnjë katharsis me të shkuarën e saj të errët sepse mëkohet nga kjo lloj mëndësie e ndyrë. Si mund të flitet për shoqëri me vlera shoqërore, kur ne s’kemi bërë asnjë reflektim për të dënuar të keqen që i ndodhi jo vetëm shtresës intelektuale dhe patriote shqiptare, por edhe gjithë popullit ane e mbanë.
    E kam thënë dhe më parë, gjëja më e tmerrshme që i ndodhi popullit tonë nuk është thjesht masakrimi dhe persekutimi, por ç’bërja e shpirtit. Një popull pa shpirt, dhe pa ekzistencën e Zotit, prodhon shoqëri me qënie mjerane si e këtij zotërisë që e shumëzojnë të ligën me zero.
    Këta njërez që kanë role edukuese në shoqëri bëhen edhe më të rrezikshëm se vetë sistemet diktatoriale pasi i mëkojnë brezat të veprojnë në mënyrë të tillë pa bërë asnjë reflektim moral e shoqëror. Prandaj, o zotëri me rolin fisnik të mësuesit jemi bërë “aneksi i botës” pasi ka njerëz si ju që të zezës i thoni të bardhë.
    23 korrik 2017

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook