back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Një klithmë që nuk gjen qiell – tregim nga Izota Haruni Rexho

Gazeta

Izota Haruni Rexho
Izota Haruni Rexho

Një klithmë që nuk gjen qiell

tregim nga Izota Haruni Rexho

Kisha kohë që atë njeri e ndjeja edhe përmes gërmash…
Mbyllja sytë dhe arrija t’ia ndjeja aromën e frymës, erën e lëkurës, ngrohtësinë e shpirtit… arrija t’ia prekja ëmbël mollëzat dhe t’ia përkëdhelja lehtë flokët e tij shkëlqyes nga bryma e vjeshtës…
Merrja frymë thellë, pastaj e mbaja dihatjen gjatë brenda vetes, me qëllim që aromën e tij ta ndjeja e ta shpërndaja në gjithë qenien time…
Lëshonte gjoksin dhe psherëtinte thellë.
Nuk e njihja! Nuk ishin parë kurrë, dhe kjo më intrigonte më shumë. Kisha një kohë pakufi që ia kisha mbyllë portën ndjenjave, dhe më dukej sikur përjetoja dashurinë e parë. Ndjeja flutura në stomak… Ndjeja diçka që ndodhte brenda vetes sime, diçka që s’e kisha njohur kurrë më parë…
Diçka prej tij më kishte depërtuar thellë brenda meje dhe më qe ulur midis shpirtit…
Si ishte e mundur? – pyesja veten që dikush me hapa të pupëlt të kishte hyrë pa u shfaqur dhe të krijonte një kaos të thellë brenda meje.
As ai s’më njihte… ose së paku kështu besoja unë… Isha e bindur që ai kishte një mënyrë që të bënte për vete, që unë shpesh as arrija ta kuptoja…
Misteri… Misteri me të cilin e kish veshur veten, e nxirrte lakuriq ndjenjën time.
Një magnetizëm tërhiq-lësho, bëri që ta humbja kontrollin mbi veten dhe të bija pre e vorbullës së rrezikëshme të ndjenjave. Si ishte e mundur diçka e tillë… Mos ndoshta e gjeti hapur derën e zemrës sime… o ndoshta kish pikasur momentin e duhur… apo ajo aftësia e tij të depërtonte thellë… aq thellë sa kish prekur diku në akordet që nuk i kish mbrritur kurrë askush… Ndoshta kish prekur atje, ku as unë vetë nuk e dija se mund të ndjeja… dhe po zbuloja një pjesë të vetes që nuk e dija se e kisha, një pjesë të pashkelur… e të virgjër të qenies sime.
Dhe vetëkënaqesha me atë zbulim të ëmbël që prekja, e që çdo ditë më bëhej më i bukur.
E ndjeja si ai shpirt i boshuar në kohra, po më mbushej rrëmbimthi, një uragan po më merrte përpara çfarë gjente, dhe ajo ndjenjë po më përpinte çdo energji timen.
Kam qenë e dashuruar edhe herë tjera, por kjo është e para herë që dashuroj… Një dashuri pa kushte, pa pretendime, pa premtime… Një dashuri krejt e shlirtë, që vetëm një shpirt i lirë mundet të ta falë. Një dashuri që dhimbshëm nuk priste të rikëmbehej.
Asnjëherë s’kam për ta kuptuar arsyen pse po dashurohesha… asnjëherë s’kam për ta pyetur veten pse më ndodhte kjo… sepse nuk besoj se mund të ketë një përgjigje për arsyet e një dashurie…
Ndjeja një nevojë që më mposhtte dhe kërkonte me çdo kusht të frymoja fjalët, rrokjet e tij… ishin e vetmja herë ku sundohesha prej dikuj… Dhe nuk kishte një emër… as një fytyrë nuk kishte… nuk kishte asgjë… veç ajo ndjenjë e çmendur që jetonte brenda meje e nuk ia gjeja burimin.
.
"ai shpirt boshuar në kohra, më mbushej rrëmbimthi..."
“ai shpirt boshuar në kohra, më mbushej rrëmbimthi…”
Më mungonte ajri, kur koha kalonte pa e dëgjuar atë sinjalin e telefonit që më lajmëronte se dikush më kish shkruar… dhe kur ndodhte që dikush tjetër të më kish shkruar, zhgënjimi im kalonte në dëshpërim të thellë, aq sa nuk i bindej llogjikës.
Një luftë e brendëshme po ndodhte pothuaj çdo ditë brenda meje… Qenia ime grindej pa ndonjë shkak të përcaktuar….
“Kërkoje ti… shko ti dhe njihe… Gjeje ti e para!” – më fliste zemra!
“Jo, asnjëherë… Kurrë nuk do ta bëj…!” – përgjigjej krenaria brenda meje!
“Po lere kët çmenduri, se nuk i shkon moshës tënde!” – sulesh llogjika…
Por instinkti më afrohej ngadalë dhe ashtu ëmbël më fliste…
“Ti e do! Shpirti yt po vuan!”
Dhe unë i besoja shumë instinktit… Kurrë s’isha zhgënjyer më parë…
Orët kalonin dhe telefoni priste padurim në duart e mia. Nga çati në çast besoja se në atë display të vogël mund të shfaqej papritmas ai zë që e dëshiroja…
Pse ndodh që edhe zemerohesha ndonjëherë dhe bëheshin dite pa shkruar. Ndonjëherë edhe më bllokonte, e kjo ma bënte edhe më të padurueshme pritjen dhe pamundësia për t’i shkruar ma shtonte tensionin e dëshirimit.
E para herë qe e lehtë… Logjika punonte dhe i jepja kurajo vetes. Një i panjohur nuk mund të shtyjë të humbasësh gjithçka që e ke ngritur me kujdes brenda vetes… Një i panjohur nuk mund t’i verë shkelmin një muri të ngritur prej pothuaj dy dekadash… një i panjohur nuk mund ta shkrijë akullin që mban brenda zemra jote… .
Ditën e dytë llogjika nisi të maskohej, po në çdo dhjetë minuta, kontrolloja nëse kisha ndonjë germë prej tij…
Nga ana tjetër perceptoja një magnetizim të fortë po nuk ishte në gjendje të kuptoja më shumë se ç’ishte…
Ndjenja që përjetoja ma kishte dobësuar arsyen… ai kishte arritur të bënte të rrihte sërish një zemër që kishte kohë që kishte ngelur si një orë e vjetër e varur në mur, dhe që mbahej veç për bukurinë e saj dhe asgjë tjetër…
Ajo orë filloi të vërtitej sa majtas-djathtas dhe tiktaku i saj vuri në funksion gjithë mekanizmat shpirtërorë të një gruaje.
Ditët kalonin dhe ajo kërkonte me shumë… jo nga ana e ndjenjës, por donte të njihte se kujt ia dhuronte këtë ndjenjë…!?
Ajo ndjente me shtrydhej në shpirt, si një valë e ëmbel mi prekte mendimet dhe mi përcillte në gjithë trupin… ndjehesha me flatra…
Nuk ka fjalë t’i përshkruajë ato ndjenja… vetëm kush i ka provuar, kush i ka përjetuar, ose kush një ditë do t’i përjetojë do të arrijë ta kuptojë se si ndjehesha…
Pritja po zgjaste dhe po më kthehej në ankth…
E ndjeja se ai do më shkruante, e ndjeja me orë të tëra më parë… ndjeja të më shtërngohej gjoksi nga një morsë dhe të kisha dhimbje… ishte një dhimbje që e doja… por kjo pritje e sigurt e saj më cfiliste. Arriti çasti i kur mesazhi la atë zhurmën e tij lajmëruese… në atë çast zemra ndjeu të më dilte nga koma dhe filloi të merrte ritmin… filloi të jetonte.
Sa të fuqishëm ishin ato çaste çaste që ma mbushin zbraztësirën… çaste që vlenin sa vite jete..
Po ç’ishin ato çaste… ç’ishte ajo ndjenjë e fortë, ende pa e njohur atë njeri… pa e parë kurrë, pa e prekur, as jetuar praninë e tij!?
.
"duke folur me hënën, më zinte gjumi mëngjeseve..."
“duke folur me hënën, më zinte gjumi mëngjeseve…”

.

Nga çfarë materiali është bërë qenia jonë që arrin të prodhojë një adrenalinë të tillë…
Koha hecte dhe një ditë mesazhet morën jetë… nga ana tjetër e telefonit një zë më kërkonte… e ndjeja që nuk po e zotëroja veten… U ula dhe me duart që po më dridheshin afrova telefonin te veshi…
Nuk më kujtohet asgjë nga ajo bisedë. Asnjë fjalë! Po nuk e harroj kurrë atë zë… Kurrë! Ai zë më qe futur nën lëkurë… në labirinthet e shpirtit… ai zë m’u bë ushqim.
Një zë i ëmbël dhe i fortë… i bukur dhe i egër… i qetë dhe dominues… një zë që e përforcoi edhe më shumë atë çka ndjeja.
E kisha dëgjuar atë të zë të më fliste si në ëndërr… e njihja edhe pa e dëgjuar… e doja atë zë!
A mund të dashurohesh pas një zëri?!
A mund ta keshë të domosdoshme ta dëgjosh ate zë?..
Gjithmonë do të kem nevojë për atë zë… për të qeshurën e atij zëri… E ndjeja kur lëkura i pulsonte… e ndjeja kur merrte frymë… kur era ia sillte pëshpërimën e ëmbël që i përkëdhel qafën.
Nuk isha mësuar të përkulesha asnjëherë, por po e shihja që krenaria po më zbriste nga një shkallë… dhe herë pas here i dërgoja ndonjë mesazh..
Të lutem… kam nevojë të dëgjoj zërin tënd… Të lutem… dhe lotët bënin që gërmat të më lëviznin para syve.
Isha njeri i lirë… në gjykim dhe ndjenjë. Ishte vetvetja. Sinqeritetit i bashkova edhe guximin që e kisha me tepricë dhe i deklarova anës tjetër të telefonin çfarë ndjeja… I thashë se kam nevojë për atë zë… se kam nevojë edhe pse për të ishte e pazakontë e doja siç dinë të duan të verbërit… shpirti im ushqehej veç me dëshirën për të… ai shpirt i trazuar e kishte mbikaluar njohjen fizike… Nuk kishte më rëndësi asgjë… Ishte i bukur a jo i bukur… i gjatë a i shkurtë… asgjë fizike nuk kishte vlerë… Ajo ndjenjë e fortë kishte prekur hyjnoren. Ishte diçka që nga brenda qenies dilte jashtë, dhe vishte çdo gjë me bukurinë që vetëm me mendje mund të shihet.
Ndjenja ime nuk njihte më shqisa. Akoma nuk e kuptonte se deri ku mund të prekej thellësia e vendit ku flinte shpirti…
Jo nuk kërkoja në drejtimin që rrok syri… Syri im drejtohej lart… kërkonte në hapësirë… donte siç duhet dielli… Kam nevojë për të siç ka nevojë etja për ujin..
Nuk e lidh me të asgjë mishërore… Jooo është më e pastër… është më e thellë, më e lartë.
Përqafoja erën dhe ndjeja krahët e tij të më zotërojnë… e lija veten në marrinë e këtyre mornicave që e më drithëronin sa herë era më futesh ndër flokë!
Shpesh flisja me hënën… Aty takoheshim… dhe ajo ndjehej e plotësuar!
Sa herë flisja me hënën shihja se sytë e tij më buzëqeshnin, asnjë buzqeshje nuk më ka gjunjëzuar më parë, por kjo buzqeshje e hënës e shoqëruar me tingujt e zërit të tij më bën të mos u besoj gjunjëve…
E duke folur me hënën, më zinte gjumi mëngjeseve….
Nuk e di se sa dashuri mund të ketë në anën tjetër… Asnjëherë nuk do ta mësoj… Nuk do të mundet, sepse e gjithë kjo ëndërr e bukur ngeli veç ëndërr…
Ngeli një dashuri e madhe, e paprekur… Një dashuri e pastër, e papërlyer… një dashuri e virgjër! Ngeli një ëndërr që vdiq pa lindur, mbyllur brenda zhguallit të një zhgënjimi… Një ndjenjë që klithi thellësive dhe nuk u dëgjua, një klithmë që nuk gjeti qiell…
Asnjë dashuri nuk fluturon po nuk gjeti qiell…
Le ta quaj dashuri të çmendur… dashuria më e hidhur e jetës sime…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.