12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Shkodër, kur andja t’rrok e dishrimi me t’dasht, m’përflak – nga Albert Vataj

on

|

views

and

comments

Albert Vataj - Shkodra
Albert Vataj – Shkodra

Shkodër, kur andja t’rrok e dishrimi me t’dasht, m’përflak

nga Albert Vataj

Shkodër, je njatje ku andja t’rrok e dishrimi me t’dasht, m’përflak me njaq dashuni, sa mundem veç m’u përul, e tue u lut si para nji altari t’shëlbyem prej gazmimit; mundem veç me besue n’mrekullim t’gjanave qi mylmehen amëlcisht n’zemrat qi i bajn vend çdo andrre.
Mall kam për çdo gja tanen, Shkodër Loce.
Mall e dhimbje qi m’sëmbon njaq fort, sa krejtçka tjetër ma zbeh, gjithçmos t’rrokshme, veç ma ftof.
Ti ke mbetun njatje ku t’përkundin kujtimet, kotesh kllapitjeve t’ambla, kah Drini t’vërshon e Buna t’lag shputat e kamve, mramjeve kur meditueshëm lshohesh… njatje ku Maranej t’përpin e Taraboshi t’fillëron përmbi; njatje ku liqeni shkadahet n’paqtin e vet, e ti veç jepesh dorzan atij adhurimi.
Iki pa dasht me ta kthye shpinën, e kthehem tue mos besu se kam ik ndojherë.
Ka do gjana t’cilave edhe pse u ke kthye shpinën, s’munden me t’braktis, s’munden me t’ra mohit. T’vuhen parmas si jehona e zanit t’nji legjende. Rrijn me ty, me gjanat tueja, me ma t’shtrenjtat andje e kujtime.
Sa ma gjatë qi m’mungon, njaq ma i thellë asht shpimi i mallit për ty. Sa ma larg iki, njaq ma t’dishrueme e t’anshme mbetet tançka më mban t’lidhun me ty.
Ndër andje harbimesh t’thekshme e dishrimesh të rreshkuna mallit, gjegjem me u kacarrit mbas do kumtesh fotografike, s’andej me ftillue saora nji gjendje tërbimi ngjyrash, nji ngulm me i diftue gjanat bash njashtu siç ky shkulm rreket m’i end. Tinzisht m’bahet se dielli turret ma duhishëm me e la me dritë e larushì, kah syni rrok me shastisje, se sa vet realja përçapet me e ravijëzue me dogoni idilin e vet, në k’si ditësh të fillrueme prej resh t’nargueme me zemëratë t’amshueme, e t’nji kjartësie që e ngërthen në solemnitet pamjen.
Ndoshta ma shum se syni, dikund mundet me kqyr njaq thellë e njaq kjart veç zemra, kjo ngase tançka asht end me fillin e vezullimit të dishrimeve ma t’epërme, si tue dasht me krijue nji diçka fort t’andshme e ma t’bukrën qi ka mujt m’e rrok me rreze dielli.
Kam gjet përditë nji fije përkushtim me t’kujtue, si tash qi po mundem me t’përtrì n’përfytyrimin tem. Kam ardhun te ti tinzisht, njashtu si fminija e mbetun larg na i kujton gabimet. Ndahem prej teje tue t’lan çka ka ken përgjithmon veç jotja, tue mujt me ken diqysh edhe jona… t’mirën e zemërbardhsinë. Rrin e na pret te pragu si nana, diellplote, hanëndritun, e tançka tjetër vetvedi kena patun si ngulm me e kumtue.
Gëzo Shkodër ma t’bukurin nur që t’ka ra. Shfleto n’kangt tueja, harenë e akshihaneve dhe namin e përbotshëm t’bijve t’tu. Ma t’bukurën prej tyne këndoje me zà, ta ndigjojn tan bota t’bylbylshmen kang, njat t’dashnis, dashnis qi ke dijt bash fort me e dasht.
Tankush kje me ty, edhe un’, ashtu me shpirt e zemër njaty ku ti dergjesh n’halle tueja, përpushesh n’dogonit tueja, harbon n’gazmendin tand. Vijmë n’prehnin tand, e ikën, si prej prehnit të nanës, përplot me gazmend e dishira. E ti metesh tamli ma jetdhanës, ai i gjinit t’nji flijimi.
Ke ndryshue njaq shum’ Shkodra jeme. Je ba njaq e bukur për syt’e mi, e njaq flakruese për ma t’ndërkrymet dëshira qi mylmehen n’t’amblen, limfë tanden. Po këndoj e po kjaj për ty. Po gazmoj e po vuej prej se njaq shum m’mungon. Kam lan te ti kujtimet, fminin, gazmendin e idhnimin, kam lan ç’ka kam pas ma t’shtrejt e ma t’dishrueme. Lanun kam n’ty, Shkodër, diellin ma t’ndritshëm qi kam pa, ma t’harbuemet pranvera qi m’kan deh, kam lan n’prehnin e truellit tand eshtnat e prindve t’mi, e do t’la ç’ka ka me mbet e jemja për amshimin.
Janar, 2018
.
Shkodra - Pamje nga Kalaja e Rozafes
Shkodra – Pamje nga Kalaja e Rozafes


Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

1 Koment

  1. Përulësisht mirënjohës, vullnesës së mir’ dhe shërbestarit të këtij besimi, Jozef Radi

    Tue dasht me me i ba t’vlefta do gjana, ndoshta ma mir’ asht me i promovu, si tue iu dhan nji urdhnesë qi t’ban me u ndi diqysh ma i çliruem prej mendimeve vetiake. Asht fjala për nji komunikim qi pata përmes Facebook Messenger me Jozef Radin, një personalitet i patëdytë i kumtimit dhe sublimes krijuese, qytetaris’ dhe dijes, promovimit të vlerave dhe kungimit të atij tharmi qi përçapet me mujt me shpëtue sa mundet, thesaret, kyt testament qi po e kërcënon bash shum kjo “shoqni e langshme”, siç quante Umberto Eco.
    Shkas ishte persiatja jeme e paradyditëshme, “Shkodër, kur andja t’rrok e dishrimi me t’dasht, m’përflak”, e cilla tue m’dal prej shpirtit, gjeti zemra t’hapuna qi e pranuen kyt za, dhe vullnesa dashamirse qi e banën me krahë kyt kumtim.
    Krijimi, tue m’rrëmby n’turravrapin e shkulmit dhe vërshimit, pahiri duket se la do gjana me shkue jo kah e përsosuna. Fundja faji i zemrës nuk mundet me ken pendim estetik, por kur zjarmet prajn e vërshimi i magmës së shpirtit ka xan vend, tue kqyr ma ftohtë, do gjana pahen e sfida e t’përsosunës s’t’len t’paqt, t’nguc, t’ysht me u përmend, ndoshta edhe tue ken pranues sygjerimesh dashamirse e diskutimesh frutdhanse.
    Jozef Radi, i cilli ka nji blog bash t’mir’, http://www.radiandradi.com, lypi me e publiku tekstin, me e ba pjesë të bashkësis së gjanave t’andshme qi ai ka publiku duke e kthye kyt blog në një t’mundshme fort t’bujrashme e cilësisht t’pasun. Njiherash m’lypi leje me ba ndonji ndërhyme t’vockël n’shërbim t’nevojës për ta mirësue njat zjarm qi përpushi ky moment shpuzë impresioni për Shkodrën.
    Tue marr leje prej jush po due me e falenderu publikisht për vlerësimin qi ai i bani këtij shkulmi impresioni malli dhe kujtese, por ma s’shumi për do përkujdesje qi bashkëndamë n’lidhje me përsosjen e t’shkrumit gegnisht. Si një sy ma kthjellët e përvojë ma e sprovueme m’bani do këshilla n’shërbim të mirësimit të t’këndumit geg, njiksaj vlere qi fatmirësisht po gjen çdo dit’ e ma shumë lëvrues. Dora-dorës, na, t’tan si jena tue u përpjek, tue ken t’hapun e bashkpunues, tue shkue te besimi i t’vyemes përulsisht, njimendena për t’themeltën e nevojës për njani-tjetrin.
    Jo çdo gja qi merr bekimin hyjnor t’krijimit mundet me meritu me ken yll e me shndrit n’qiellin e andjeve tona t’kungimit estetik. Gjithqysh ai e mbush me vezullim, kah syni e rrok, sepse gjithnji na shohim çka dishrojmë, por kur zjarmi pran e syni lyp me pa ma kjart, pikas do njolla t’errta, t’cillat duhet dlir prej nji përkujdesi qi i blaton t’përsosunes, çka ka ma t’vyme, kohën dhe besimin te t’merituemit të gjanave qi tue dal prej zemrës, shejtnohen.
    Tue u dakordsue me tançka biseduem, na i bame nji shërbim s’pariher qytetaris dhe s’dyti, asaj qi e fisnikron krijimin, ngulmin me kërkue paprà njat qi asht ma e mira, si shërbesë e nji sensi t’epërm estetik.
    T’paçim Shkodër qi na bane me u ndi fryma jote!

    Albert Vataj, 26 janar 2018

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.