back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Kryefjala e jonë kje: kultura shqiptare mbi të gjitha! – Ernest Koliqi i shkruen Karl Gurakuqit

Gazeta

Palermo: Aula Magna nga e Majta Shllaku, Dr. Petrotta, Prof. Koliqi, Isa Ndreu, Prof. Guzzetta
Palermo: Aula Magna nga e majta: Shllaku, Dr. Petrotta, Prof. Koliqi, Isa Ndreu, Prof. Guzzetta

Kryefjala e jonë kje: kultura shqiptare mbi të gjitha!*

Ernest Koliqi i shkruen Karl Gurakuqit

I dashuni Karl
Më ka ra në dorë me kohë letra e jote. Petraqi (Petraq Vuçani) me gojë më vuni në dijeni për punët e atyshme. Ai Ty të don. Or e ças ia ban profesori tha këtë, shkoi aty, foli kështu. Më kallzoi qi kujdesesh për ta. Të falem nderit q’i don, i këshillon e i përkrahë. Thueju të mos merrem me politikë pa krye studimet. Kanë kohë se kur me e prishë gjakun vetes. Tashti t’ia venë menden mësimeve, bukuris së natyrës e t’artit, grave (me masë). Politika e mplakë njerin para kohe. Ata ta ruajnë sa më gjatë atë thesar qi asht rinia. Mue e ty, mjerisht na shpëtoi doret. E po themi vetëm doret! Artikujt të tuj, jo vetëm pranohen, por kërkohen. E ke për ne asht botue ai i pari.
Ky i dyti, qi i çove Ismailit (Ismail Verlaci), do të botohet në numrin e ardhshëm.
Për punën t’ande s’asht nevoja qi të më porositish m’u kujdesue. E kam përher para sysh. Shpresoj me vjetin e ri akademik diçka do të bahet. Mos shpreso përpara, veç në baftë Zoti mrekulli.
Ndër këto dit’ do të këthehem në Relazioni Culturali ku tash prap asht emnue nji mik i em. Jam gzue shum për Spiron: njiherë për operacionin qi i shkoi mirë e mbandej për rregullimin (ashtu si mund u bante) të pozitës së tij shkollore. Për Pashkë po shkoj në Rapallo: mësimet do t’i rifilloj me 3 prill. Sivjet kam zhvillue kët argument: “La poesia di Naim Frashëri e gli influssi orientali nella letteratura albanese”. U detyrova të lexoj historinë e letërsis persiane e vjershat (në nji anthologji frëngjisht ba mirë) të Hafizit e të Rumiut…
.
Familja Koliqi - para 1944
Familja Koliqi – para 1944
I fola Ismailit dhe më premtoi qi për Pashkë do më kujtojnë të shamet e belbacukve të gjuhës shqipe nëpër radio të Tiranës e të Londrës (me më sha mue janë d’akord) e shkrimesh epileptike të mistrecave qi çohen në majë të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikan serjoza, nuk më bajnë mu as të nxeht as të ftoftë. Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si Shqiptar i mirë në rrethanat ma të vishtira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata qi më njofin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi m’je gjetë pranë si bashkëpuntor në rasat ma kritike. Ti e din mirfilli se gjatë kohës s’eme këshilltarët italjanë nuk pijshin ujë. Pregatitme tekste, vendosem njëherë e mirë mbi terminologjinë shkollore, themeluem Institutin e Studimeve Shqiptare edhe komunistat tue i ndrrue natën emnin e mbajtën, përmirësuem gjendjen e mësuesve e të profesorve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume. Kryefjala e jonë kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha degët e bektashinjvet, nisa studentë ndër male me mbledhë pasunin folklorike, futa xhakona në Kosovë para lirimit, konviktorë vendas me libra shqip.
Sa dhe si ministër, mora rishtas në shërbim Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori e u dhaç rrogat e mbrapambetuna. Lirova nën garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzonin para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin – Vasil Andonin – Mihail Zallarin. Mora në shërbim Abaz Ermenjin sa ktheu nga Greqia (mos ta merrshim në shërbim do të shkonte qysh atëherë në Ventotene). Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të ministris, e emnuem drejtor konvikti në Prishtinë, kur u lirue Kosova. Nisëm me përgjegjësi personale, pa ardhur ende udhëzime të përgjithshme nga Roma për tokat e lirueme 200 mësues e profesorë në Kosovë e u përpoqa me i vu themelet arsimit shqiptar para se të dihej formula me të cilën Kosova do t’i kthente Shqipnisë.
.
Prof. Koliqi midis Znj. Matilda Mancinelli Dreshtoresh e "Shejzave"dhe se shoqes Vangjelija Vuçani
Prof. Koliqi midis Znj. Matilda Mancinelli Dreshtoresh e “Shejzave”dhe se shoqes Vangjelija Vuçani
Asokohe në Romë flitej me lanë për 10 vjet, s’paku, gjuhën sllave në shkolla e n’administratë. Atë qi bamë për vendin e gjuhës shqipe në shkolla shumkush e din. Mirpo, me mija vetësh i shërbyen italjanvet pa kundërshtue (kundërshtimet filluen kur Italia shifej qartas se po humbte luftën), me qindra mija vetësh u pasuruan e përfituen – e sot “tradhtar” mbetem vetëm unë: Unë e solla Italinë, unë desha ta çrrënjosi shqiptarizmin (tue botue tekste shqip), unë vetëm u pasunova, unë shtypa intelektualët. Unë e dërrmova arsimin tue ngranë si katallanjt nji profesor në çdo mëngjes, dy mësuese në drekë e nji drejtor konvikti ferlik të pjekun në hell në darkë. A jam i zoti, a s’jam? Unë i vetëm me ba të gjitha këto punë? Kur e mendoj, fryhem si bibani prej krenis (sidomos kur më kujtohet se kapa telefonin e i thashë Musolinit): urdhno e merre Shqipnin, pse po ta shes me çmim të lir! Edhe Musolini mbas telefonatës s’eme erdh e e mori?! A jam i zoti!
Nji amerikan, tash nja dy muej më tha: “E dini pse shumica e Shqiptarvet ju lufton: pse s’munden me ju kuptue, tue kenë ju, për sa merr vesh vetë më i oksidentalizuemi ndër shqiptarë”.
Kjo cilsi s’asht vetëm e imja po e të gjithë shkodranve. Ai amerikani më njifte vetëm mue. Po sikur të njifte D. Lazrin (Shantoja), P. Bernardinin (Palaj), Ty etj do të kishte dhanë nji gjykim ma kolektiv.
Dom Lazri, i shkretë thonte në Vjenë: “Shkon Klisura (Ali Këlcyra) tu ministri Jugoslav e Shqiptarët thonë se shkoi me ba politikë; shkoj unë, e ata thonë se shkoj me ba spijunazhe!! Atëherë, për me ba politikë u dashka me kenë toskë e mysylman; pse gegët e katolikët kenkan të gjithë spijuna!?
Simpatia e amerikanve e të italijanve për këtë grup politik serios e faktiv, Blloku Kombtar Independent, janë akordue elementë partish të ndryshme dhe qysh në nesër e kaluene prej Ameriket në Turki, ç’prej Francet e n’Egjipt e ca kanë nis nji fushatë shpifjesh e shkarkimesh kundra eksponentavet të B.I (Bllokut Kombëtar Indipendent) e sidomos kundra meje. Motive kryesore të propogandës së tyne: -Populli Shqiptar, Gjomarkajt, Verlacin, Kolbibën, Koliqin i njeh tradhtarë e kurrë s’ka me lanë të kthehen në Shqipni…
Shëndet e të mira ty e zojës.
Ernest Koliqi
.
*Titulli nga radiandradi.com
Marrë nga Muri i Fb i Benn Oroshit – Rrëfimtari vizual, 2 maj 2020
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.