12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Lume Blloshmi – Arti që ngre pezull ujrat e ndenjura – nga Shpend Sollaku – Noé

on

|

views

and

comments

Lumturi Blloshmi - Autoprtret
Lumturi Blloshmi – Autoprtret

Lume Blloshmi – Arti që ngre pezull ujrat e ndenjura

nga Shpend Sollaku – Noé

Në kohë pandemie duhet diçka e rëndësishme të të ngrejë moralin. Dhe më shumë se fuqia bestiale e një personazhi super asgjë nuk mund të të ndihmojë. Kam mijëra e mijëra materiale në kompjuterin tim të fundit, pasi ai i parafundit nuk nxinte më, pasi ai i tretëfundit nuk nxinte më, pasi ai i katërfundit o pesëfundit i… i…
Më në fund i gjeta ato gjëra që mendoja se i kisha humbur.
Jam i lumtur për të prekur më së fundi një temë që më zbërthen të tërin: talenti i jashtëzakonshëm i një gruaje të jashtëzakonshme, i një vepre që tashmë e ka tejkaluar të vdekshmen.
Ajo m’u gjend si një speranzë për barkën time që në këto ditë rrezikonte mbytjen në dallgët e lodhjes e të dëshpërimit.
.
Lume Blloshmi - Hapësirë Vizuale
Lume Blloshmi – Hapësirë Vizuale
Lume Blloshmi - Dekorata
Lume Blloshmi – Dekorata
Është arti i saj dhe i atyre të paktëve që i ngjajnë Lumturi Blloshmit, që mund të na bëhet serum në këto kohëra kur vdekja e shpërfill kaq shumë ekzistencën tonë.
I hap me kujdes ato foto të bëra në takimin tonë tashmë të mëparshëm, në studion e saj të ngushtë, që as për banesë një të zakonshmi nuk do t’i mjaftonte. Në studion e kthyer prej saj në atelie planetare. Nga jashtë ajo ngjan me një hyrje të thjeshtë të një pallati banal. Por mjafton të kapërcesh pragun për t’u ndjerë si Liza në botën e çudirave, që sapo ka rënë në strofullën që e shpie të shijojë të pamendueshmen. Edhe mua më mjaftoi ta kapërceja atë prag, për të lënë për një kohë të pamasë jashtë asaj dere të rëndomte një botë të parëndësishme, të pakrahasueshme si vlerë me një artiste të tillë.
Për të mbijetuar, ku të kapem më mirë tek vepra e Lume Blloshmit?
.
Lume Blloshmi - Dashuri dhe urrejtje
Lume Blloshmi – Dashuri dhe urrejtje
Do të më mjaftonte edhe vetëm “Hapësirë vizuale”, që mund ta bëjë të zejë vend në muzetë më prestigjozë. Figura jonë më e rëndësishme kombëtare, të paktën përkrenarja e tij, mbi një kokë të pazakontë, që me brirët shënon kulmin e pjesës së majtë të veprës, në bazamentin e të cilës duket sikur prehet(?) një dragua; zjarrin e ka Prometeu-Gjergj-Zeus- që lidh me një drejtëzë të përshkënditur shqiponjën e kuqe të një flamuri në ngjyrë gjaku të mpiksur.
Një faqe të tërë muri pothuaj e zë një tjetër vepër madhore – “Dekorata”. E gjerë jo vetëm prej përmasave, (259,5 x 112) por sidomos prej ideve që mbart, prej ironisë, prej simboleve, prej dëndësisë e shumëllojshmërisë të figurave që paraqet. Me secilën prej tyre mund të ndërtohet një kuadër më vete. Teknika mikse thekson relievin e vaj-argjendtë, të vënë në pah edhe nga një përflakje që mbledh si një qefin i pjeshëm një trup gruaje në dukje të mumifikuar.
Stop. Si i kisha kthyher shpinën një kuadri të tillë si “Dashuri dhe urrejtje?” Vaji e argjendi këtu ngërthejnë dy trupa që nuk u kuptohen kufijtë; edhe kokat sikur kërkojnë të gëlltisin njera-tjetrën, në një rendje të kotë në dukje, pasi fundi është i pashmangshëm.
Kjo lloj teknike mikste vaj-argjend është arma vetiake e Lume Blloshmit. Askush si ajo hap zjarr me të. Pasi një zjarri të vërtetë i ndruhesh, përzhitjes prej tij, ndërsa ndodhesh para tyre. Të një llave të tillë janë ndër shumë të tjera veprat madhore “Ikja”, “Obsesion”, që të dyja të vitit 2002.
.

Lume Blloshmi - Homazh  Damien Hirst
Lume Blloshmi – Homazh Damien Hirst
Por në këto pak rreshta unë nuk mund të rri pa risjellë një tjetër mënyrë për të bërë art. Janë shumë veprat që Lumturia u ka dhënë jetë me ketë teknikë të papritur: të frymëzuar nga lëkura e portokallit – ide dhe mjet artistik. Un po ju po përmend vetëm njerin prej tyre: “Kryqëzimi”, në cilin Blloshmi rri karshi Giotto-s.
Një tjetër teknikë që i siguroi ekspozimin në Chelsea Art Museum New York është vepra e saj “Menu Kamasutra”, një kuadër i ndërtuar tërësisht me këmbë bretkosash. Erotizëm origjinal, i pastërt, që u pranua të ekspozohej edhe në një institucion fetar në Modena.
E vepra “Homazh Damien Hirst”? Ajo është ndërtuar me mjet kryesor artistik filtrat e cigareve. Tronditje prej domethënies, prej përkushtimit, prej lëngatës së përzgjatur që njeriu i shkakton vetvetes në lojën vetëshkatërruese që ai e konsideron jetë.
.
Lume Blloshmi - Ikja (argjend e kanavace)
Lume Blloshmi – Ikja (argjend e kanavace)
Origjinaliteti e kësaj autoreje përfshin edhe teknika të tjera. Një shkrim homazh si ky nuk mund të përmbledhë gjithcka. Kudo, edhe në atë që rëndom e quajnë art të aplikuar, ajo është tjetër gjë, si për shembull në njërën prej veprave të saj “Piramida – viaggio leggero” , ekspozuar në Modena (2005), në të cilën mjeti shprehës gjendet tek shishet.
Përhumbem edhe njëherë në fotot e shkrepura në studion e saj prej Edit, sime shoqeje. Rikridhem në një album që përmbledh pjesë të gjenisë së kësaj artisteje të madhe që jeton e vetmuar, diku, në periferinë e Tiranës një një apartament-studio, ku edhe një krijese të rëndomtë do t’i ishte marrë fryma. Dhe jo më Asaj.
Ndërsa për të tjerë ndërtohen muze për së gjalli, si shpërblim të besnikërisë politike. Ndërsa për të jetuar kanë hapësira që edhe vetw nuk arrijnë t’i jetojnë.
Kur do të mësojmë t’ua lehtësojme krijimin gjenive tanë rebelë? Vijnë aq rrallë në jetët tona, saqë jemi ne që bëjmë vetvrasje kur i shpërfillim.
.
Lume Blloshmi - Fiqtë e detit
Lume Blloshmi – Fiqtë e detit

 

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.