back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Prill, 2024

Don Mikel Beltoja… Cilit shekull i përket kjo masakër…? Fritz Radovani

Gazeta

Don Mikel Beltoja (1935-1974)
Don Mikel Beltoja (1935-1974)

Don Mikel Beltoja… Cilit  shekull  i  përket  kjo  masakër…? Fritz Radovani

 40 vjet  që  e  shkyen  për  gjymtyrësh…

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Don Mikel Beltoja (17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974)

…Edhe kjo vepër kriminale ka ngja në burgjet e Enver Hoxhës në Shkodër!

Me kenë se Don Mikel Beltoja ishte Klerik Katolik Shqiptar, Kuvendi Popullor i Shqipnisë nuk e sheh t’arsyeshme me diskutue dekoratat e diktatorëve terrorist. Krimet e komunizmit… mund të diskutohen kur “Shqipnia të hyjë në Europë”, po Gjenocidi që asht ushtrue kundër Klerit Katolik Shqiptar jo! Né pikrisht për ato tmerre jemi pranue edhe në “Konferencën Islamike” me 2 Dhjetor 1992…
Me çka mburrej Ramiz Alia?
Don Mikel Beltoja ka lé në fshatin Beltojë të Shkodrës, me 17 Prill 1935, prej prindëve Gjergj e Prenda Beltoja. Nën kujdesin e Imz. Ernesto Çobës u përgatit për me u ba meshtar në filozofi dhe teologji. U shugurue me daten 8 dhjetor 1961 në Shkodër.
Ishte famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, e ma vonë në Barbullush.
U arrestue me datë 19 Prill 1973, pranë familjes së vet në Beltojë. U dënue 7 vjet në Gjykatën e Shkodrës me 6 Gusht 1973, dhe u ridënue “me vdekje” me 4 Shtator 1973.
Veprimi i tij fetar mbas mbylljes së Kishave, trimnia në predikimin e Ungjillit, forca e fjalës së Tij në edukimin e brezave të rinj, gjithmonë në ballin e luftës kundër ateizmit dhe komunizmit enverian, e rreshtojnë në vargun e Martirëve t’Atdheut.

Gjenocidi komunist
Gjenocidi komunist

***
Për kohën që ishte i dënuem me vdekje, flet kjo letër e bashkvujtëses zonja Laura Keçi:
“Isha 16 vjeç kur u arrestova dhe shprehja e parë që ndigjova posa më futën në hetuesi ishte: Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë do ta pushkatoja pamëshirë me priftin që sonte… dhe, më futën në nji birucë aty afër tij.
Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me zinxhir në birucën e tij, ku priste vendimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si duket ishte shumë e ngrohtë mbasi nga djegia e sajë ndigjohej virrma e Priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte nji torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë. Nji polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmet e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, dhe veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohem, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye…
Nji ditë, personaliteti dhe vendosmënia e Tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja, kur pashë nji bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne…
E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët të tonin e komandantin që ishte me të. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna si fëtyra të vdekunish që zbulonin ndërgjegjën e tyne të randueme me krime e, që shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçe… mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme e, u thashë: Shihni vehten në pasqyrë!… Shihni si jeni ba!… Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli… Ju jeni si të vdekun para Tij, Ai ka fitue mbi ju edhe pse fizikisht ndoshta, Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej, mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dëshmia ma e kjartë e fitores së Jezu Krishtit përmes dyshepullit të Tij Don Mikelit, i cili, ju ban ju, me pa me sy praninë e Jezusit në tokë, kenien e fuqisë së Zotit këtu, që na jep né forcë për me përballue torturat tueja…
Përgjegja e tyne kje vetëm kjo: Prandej asht tue ju ndihmue…
Kur pashë gjunjëzimin e tyne mora edhe njiherë zemër dhe ju thashë: Pse, ndihmë e vogël ju duket ju lutja e Tij, ju e torturoni dhe Ai lutet për shpirtin tuej të kacafytun me djallin… Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju që unë nji vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush…? Hë… pse nuk keni forcë me na mposhtë? Ku asht forca e atij kryexhelatit tuej? Veç, nji virrëm qeni ndigjova: Dil jashtë… jashtë!… Aq shumë ishte torollosë sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrigë. Kur u kujtue komandanti më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht por e kënaqun… fjeta pak…
Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i Predikonjësit të Ungjillit. Don Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të Tij: Mos torturoni vëllaun tuej… Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se Ai asht aq i mëshirshëm sa ka me i falë gjynahet tueja… Mos kini turp me ju drejtue Nanës së Tij, Virgjinës Mari, Ajo asht Nana e gjithë njerëzimit, asht edhe Nana e juej… Pendohuni!.. Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se edhe ata që nuk kanë lanë gja pa ba mbi kristjanët dhe besimtarët e Zotit, edhe ata kanë dyert e hapuna tek Zemra e Nanës Mari, tregoni se ndëshkimi i Zotit asht aq i madh për krimet që kanë ba sa fundi i shekujve nuk ka me i shpëtue… Tregoni atyne që me krimet që kanë ba kanë shkretnue familjet Shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë… Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vllazënve tuej, mos veshni n’zi nanat, motrat e gratë Shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë… I thoni damave të tyne mos u kënaqni me vrasjet  e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë! Keni harrue se jeni tue vra Shqiptarë! Shkatrruet Atdheun!
Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy persona për çeshtje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne. Shpesh ata i çonin në dhomën e Tij për me e zgjue nga dremitja e agonia e vuejtjes së vazhdueshme.
Erdhi nji kohë që zani i Tij ndigjohej ma rrallë, filluen me i ba gjylpana për me e vue në gjumë. Tashti e kuptoj pse i banin gjylpana se, kur fillonte me i ikë efekti, ndigjoheshin gjamët e dhimbjeve e si nëpër gjumë fliste: Ah, moj nanë… nuk kam kockë të pathyeme… Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!
Ai vuante pandërpremje e bashkë me Té edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga nji vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerrshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ato të fundit të ferrit. Asnjiherë s’e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë… por gjithmonë zharg…
Mbas pak ditësh, nuk mora vesh sesi isha zhytë në nji gjumë deke. Po shihja andrra të llahtarshme, vuejtje, tortura, gjak, nji tmerr i vërtetë më kishte pushtue, u dridhesha si thupra në ujë nga frika, nji frikë që s’e kuptoja nga vjen.
Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, nji tmerr i vërtetë… isha e lame në djersë… Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë por, si duket, ndër andrra kisha lëshue ndonji thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një shshshë…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje… Nji lëvizje rojesh jo e zakonshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të tham… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimesh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë.
Ishte mjedis kafshësh të egra që donin ta shkynin, e ai thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më nep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mij, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zojë e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhtë Shpirti em!…
Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!”
Zani i Tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve… edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani i Tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për nji kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku!
Ai iku në Mbretni të Qiellës…
Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin, mbasi e morën at natë, nga nji roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin N. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë dhe rrugës i kanë ba nji ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendohet se Ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.
Atëherë, dhe sot, që ka kalue nji çerek shekulli nga kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtes për kët njeri që torturohej aq mizorisht nga kriminelët komunistë: 1.Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe, 2.Ku e merrte forcën Don Mikeli për me i përballue ato tmerre vuejtjesh? – Gjithmonë e njajta përgjegje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta, Ai fliste me Jezu Krishtin çdo çast që goditej nga kriminelët… Vetëm Ai e forconte Atë dhe mue… Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit! Ai asht i përjetshëm në kujtimet dhe lutjet  e mija!
Shkodër, 15 shtator 2000    
Bashkëvuejtësja e Tij,  Laura  Keçi  d.v.”

***
Nga shkrimi i z. Gjergj Kola, në librin “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, kam shkëputë pak rreshta për me plotësue portretin e Martirit Don Mikel Beltoja, i cili asht arrestue pse ka thanë: “Dashnia e Zotit asht e përjetëshme, drejtësia e njerëzve asht e përkohëshme… Bashkë me bukën e përditëshme duhet t’i jepni fëmijëve edhe virtytin. Atdheu forcohet nga virtyti i bijve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht devotshmëni ndaj Kombit.” Ky ishte “agjitacioni e propaganda”, për të cilat dënohej Don Mikeli…”
Nga dëshmia e nji personi që asht kenë i pranishëm kur asht nxjerrë nga Dega e Mbrendshme e Shkodrës kam veçue kët thanje: “Don Mikel Beltojën kur ka shkue terroristi Shyqyri Qoku me e marrë për me e pushkatue, e ka gjetë tue ba lutjen e fundit ndër gjunjë… Bashkë me kriminelët tjerë e kanë kapë dhe e kanë shkye për gjymtyrësh, ashtu të vdekun e kanë nisë për Tiranë. Ai ka dalë i shkymë nga Dega e Shkodrës… Atë ditë asht kenë data 10 Shkurt 1974.” (Dëshmi gojore nga NP, 1992)
Shpesh, pyes veten: “Cilit shekull i përkasin terroristët Enver Hoxha dhe pasuesit e tij barbarë, që vazhdojnë me kenë ‘heronj’, vetëm, pse vrisnin e shkynin Klerikë Katolikë Shqiptarë e Atdhetarë të nderuem? Si mundet me u heshtë perballë këtij Gjenocidi?!”
Melbourne, Shkurt 2014

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.