back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Agim Gashi – Letër Birit tim Ninel Gashit vrarë me 21 Janar

Gazeta

Agim e Azalea Gashi
Agim e Azalea Gashi

Agim Gashi – Letër Birit tim Ninel Gashit

të vrarë më 21 Janar 1994

Agim Gashi, asht i lindun i paepun…
ku me ide e ku me penë, ku me kangë e ku me sharki, ku me biseda e ku me shkrime, ai nuk rresht së punuemi, e së derdhuni dashni për tokën dhe vendin e vet…
Agim Gashi ka vite që lufton me sëmundjen në trupin e vet, ka vite që duket sikur prek fundin, po prap ngrihet në kambë e rrok sharkinë dhe ja nis kangës heroike… Kjo asht ajo që më ban ta admiroj dhe ta vlersoj mjaft Agimin…
Sot lexova diçka sa të trishtë edhe aq njerzore nga ai… Nji letër, për të birin e tij Ninelin që ia vranë serbët në moshën 17 vjeçare… Kanë kaluar 20 vite prej asaj vrasje, po letra e këtij prindi për fëmijën e tij të humbun nga dhuna e verbër e shtetit asht e nji dhimbje e papërmasë… Kisha besue se dhimbja e nanës asht ajo ma e madhja, ma e epërmja, pse ajo asht krijuesja e ripërtritse e jetës, por mbasi e lexova letrën e Agimit për të birin e kam ndje se edhe dhimbja e nji babe ka nji përmasë dashnie pakufi për djalin e vet…
Sot, Agimi ndjehet i lodhun nga kjo luftë e pafund me dhimbjen e me sëmundjen… para nji viti ai pati nji transplantim mëlçie të dikujt në trupin e tij… tash kanga e tij nuk asht vetëm e tija, dhe Agimi e din kët gja…
S’më mbetet tjetër veç me i urue jetë të gjatë Agimit, Azalesë dhe krejt familjes së tij… dhe kurrë mos e lshoftë sharkinë prej dore… j.r.
21 janar 2014

I dashur biri im, Ninel!
Ti e di që të kam shkruar poezi, të kam shkruar këngë, të kam përkujtuar çdo vit, por letër, o biri im s’të kam shkruar dot. S’të kam shkruar se gjithëherë të kam pasë në kujtimet e mia ashtu si ke qenë, i buzëqeshur gjithmonë, pak i lazdruar, gjithmonë faqekuq dhe disi si me marre…
Kjo është hera e dytë që të drejtohem me letër!
Të shkruajta më 21 janar të vitit 2012, me shpresën se do të shkruaj edhe më 21 janar të vitit 2013, por ja që nuk munda, sepse akoma isha në shtratin e shërimit. Atëherë një mik i panjohur më kishte dhuruar mëlçinë e Tij e që mjekët në krye me prof, Naumannin ma dhanë mua…
Tash kur të shkruaj, të shkruaj me një trup e dy shpirtëra, sepse edhe ai që nuk e njof, gjysma zuri vend në trupin tim e në shpirtin tim, e gjysma i gjendet atje ku je ti. Ndoshta edhe jeni takuar, por këto unë s’kam si i di. Këtu ku e ka pjesën tjetër, po më duket se më shumë po ma dirigjon jetën ai se sa unë, për çka shpesh më vjen inati.
Të mbaj mend edhe kur ishe shumë i vogël, e kur bërtitje: “Unë jamë sciptal”. Kështu thoshe se akoma nuk mundje ta shqiptoje mirë fjalën shqiptar. Atëherë unë nuk e dija se ty do ta merrte jetën mu kjo fjalë, e cila kishte zënë vend në kokën tënde.

Ninel Gashi dhe lajmi i vdekjes
Ninel Gashi dhe lajmi i vdekjes

Ninel i dashur!
Ti e di, të kam treguar, se data e çdo 21 janari, në mua ka shumë ngarkime. Pikrisht më 21 janar 1994, të kishin vra Ty, policia serbe. Një vit më vonë më 21 janar 1995, lindi Azaleja, tre muaj para kohe, me operacion, por Zoti dashti që një vit më vonë kur ti ke dhënë shpirt, të rilindet shpirti yt në Azalenë. Kjo për mua tregon shumë, sepse nuk mundem ta quaj rastësi.
Ti, shumë shpejt lëshove shtat. Kur ika në kurbetin e zi, ti nuk ishe rritur akoma, por si për inatin tim, sapo u largova, ti lëshove shtat, thua se doje ta prekje qiellin ose të zgjateshe aq shumë për të më parë se ku gjendem, sa larg gjendem dhe se a do mundesh të më mbërrish.
Thoshin njerëzia: Si gufoi ky kështu, ore? Mos është kob?!
Po të shkruaj, o biri im, me dhimbje të madhe shpirti, që po të mos ishe vrarë pafajësisht, sot do t‘i kishe 37 pranvera, do të ishe njeri i pjekur e me familje të formuar. Nusja jote do të ishte shumë e bukur, e mençur dhe e sjellshme. Do të kishit disa fëmijë, të cilët do t’i edukonit njerëzisht, kombëtarisht, e që të rriteshin të drejtë e të ndershëm. Sa do të kisha pasë dëshirë të rrija e të luaja me fëmijët e tu. Do të isha ndje gjysh e shkuar gjyshit. Por të vranë, o biri im i shtrenjtë, nuk të lanë t’ia arrish asaj dite.
Të vranë për një fjalë goje, të vranë pafajësisht, të vranë e të shanë ty e mua. Por mua, o bir, s‘më vranë, por duke të vrarë ty, më vranë edhe mua. Ta morën kufomën dhe u frikësuan nga kufoma jote, nga kufoma e një fëmije me rrezatim drite, me rrezatim Kosove, me rrezatim lirie… Dhe babai yt i mjerë, as varrin nuk ta di.
Por ti mos u mërzit, biri im Ninel, sepse babai shumë shpejt do ta marrë rrugën e amshimit, atje ku je ti me shumë engjëj të pafajshëm, engjëj, që para kohe ikën nga kjo botë për t‘i dhënë asaj tjetre bukurinë që ka. Të kam gënjyer kur të pata thënë më herët se do të vij… e nuk erdha. Nuk mundesh me ardhë kur të duash ti, e kur të teket ty. Vetë Zoti e di edhe pse shenjat tani kan filluar kjart se po nisem. Atje unë patjetër do ta gjej çerdhen tënde.
Deri atëherë s’më ka mbetur edhe shumë të këndoj këngë për Ty, të ta shkruaj ndonjë poezi apo edhe ndonjë përkujtim…
Bëhu burrë si je e më prit se do të vij!
Babai yt Agimi nga kurbeti i Zi!

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Përshëndetje Familja Gashi…
    Më erdhi shumë keq kur e lexova kët shkrim për djalin Tuaj, apo vllnav tonë të pa harruar Ninel Gashi që lindi në vitin 1977, ndërsa ka ndrruar jetë në vitin 1994, ne do ta ndajmë këtë dhimbje së bashku për të nderuarin dhe të paharruarin Ninel Gashi…
    Shpirti i pushoftë në paqe e lule e dritë ju baft vendi ku pushon trupi i djalit tuaj Ninel Gashi. Kam ndëgjur për familjen Gashi, kam ndëgjuar në radio rapsodin shumë të mirë edhe vuajtjet e të nderuarit Agim Gashi se si ka folë e si asht rritur e çka ka përjetu dhe si ka dalë në gyrbet…
    Përshendetje nga Agron Dushi.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.