back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

“William Shakespeare” nga Victor Hugo* – Përkthyer nga Abdulla Rami & Ermira Xhomaqi-Godo

Gazeta

Viktor Hugo - Per Williem Shakespeare
Viktor Hugo – Per William Shakespeare

“William Shakespeare” nga Victor Hugo*

Përkthyer nga Abdulla Rami & Ermira Xhomaqi-Godo

Si sot 135 vjet më parë, në një 22 maj të vitit 1885, rreth një milion parizianë përcollën trupin e Victor Hugo-së nga Harku i Triumfit në Panteonin e nderit. Ajo mizëri njerëzish përcollën mes dhimbjesh e nderime shkrimtarin, poetin, republikanin, pamfletistin, një nga më të shquarit e letrave franceze…, prej të cilit kush nuk mbart në kujtimet e hershme a të vona një varg a një poezi, një titull libri apo një personazh të pashlyer; “Të Mjerët”, “Katedralja e Parisit”, “Njeriu që qesh”, “Viti ‘93″… Mariusi, Kozeta, Esmeralda, Kuazimodo, Zhan Valzhani, Cromwell, Claude Gueux…, lista e tyre është e gjatë pafund.
E si për ta shtuar këtë mrekulli të letrave, këtu e plot 70 vjet më parë, duart e një burri të lodhur nga burgu e humbja e viteve të paqme të jetës, mes një bote ku i mungonte shumëçka, ku ëndrrat dremisnin lodhshëm e trazuar e s’guxonin të thonin asnjë fjalë, ku ajo që pëson diku në një çast të jetës të ndjek pas e s’të lë kurrë rehat…, mendja e shpirti i atij burri përzgjodhën, për të përkthyer për herë të parë në shqip “William Shakespeare” të Hugo-it të madh… Ndoshta për t’u “arratisur”, ndoshta për t’u përhumbur, apo ndoshta për të sjellë tingullin e këmbanave të Shekspirit e të gjenive si ai: Homerit, Jobit, Eskilit, Isaiut, Ezekjelit, Lykresit, Juvenalit, Tasitit, Palit, Janit, Dantes, Rabëlesë, Servantesit… etj etj.
Kjo vepër është shkruar në vitet e ekzilit të Hugo-it, kur ai i detyruar të largohej nga Franca në një ditë dhjetori të vitit 1851, mori udhën e mërgimit, fillimisht drejt Brukselit e më pas drejt brigjeve të ftohta e të mjegullta të Anglisë, e jetoi  në ishullin “Jersey”, strehuar në një shtëpi të zymtë e të trishtë, të cilën shkrimtari i madh e pagëzoi me emrin “Marine Terrace”…
Hugo e nisi fillimisht këtë shkrim thjesht si një parathënie për përkthimin e Shekspirit nga djali i tij, në vitet e dëbimit në Angli… por shumë shpejt e transformoi atë në një vepër-manifest, në një vepër filozofike dhe politike, ku ai shpalosi me ngjyra emocionuese rëndësinë e një letërsie krejtësisht të angazhuar, luftën e tij për të denoncuar gjithë mbështetësit e sistemeve autoritare, tiranët, diktatorët, mbretërit…, një zhytje e thellë mbi artin e angazhuar, një korrespondencë e mendjeve të ndritura me historinë dhe të vërtetën, një studim vizionar për gjenitë, dhe mbi të gjitha një përkufizim individual dhe kolektiv i artit, si thelbi i demokracisë!
Jo pa e pyetur shumë herë veten, në një dialog në mungesë me tim gjysh, nëse do t’ia dal, jo pa kaluar me mijëra orë, ditë e netë në këtë udhëtim me përgjegjësi të dyfishtë e në imtësinë e detajit mbi origjinalin e veprës në frëngjisht dhe përkthimin e saj në anglisht, për ta plotësuar, ripunuar, rishkruar e përgatitur për botim, shpresoj që Hugo të vijë edhe një herë në shqip dashuri, poezi e madhështi.
Ermira Xhomaqi-Godo
.
Abdulla Rami & Ermira Xhomaqi - Godo
Abdulla Rami & Ermira Xhomaqi – Godo
Anglisë
Ia kushtoj këtë libër,
Lavdisë së poetit të saj.
E të vërtetën Anglisë i them,
Por si vend i shquar dhe i lirë, e adhuroj,
Si vend strehim,
E dua me shpirt.
.
Victor Hugo, Hauteville-House, 1864
.
Dorëshkrimet e përkthimet të Veprës së Hygoit mbi Shekspirin
Dorëshkrimet e përkthimet të Veprës së Hygoit mbi Shekspirin

Kapitulli I

Këtu e dymbëdhjetë vjet më parë, në një ishull pranë brigjeve të Francës, ndodhej një shtëpi,1 e cila në çdo stinë të motit dukej e zymtë dhe bëhej veçanërisht e errët porsa fillonte dimri. Era e perëndimit frynte lirshëm dhe i ntrashte edhe më shumë shtëllungat e mjegullës që nëntori krijon midis jetës, tokës e diellit. Mbrëmja bie shpejt në vjeshtë dhe vogëlsia e dritareve i bashkohej shkurtësisë së ditëve, duke e rënduar kështu zymtësinë e mugët të kësaj banese.
(…)
Banorët e saj ishin një grup, ose më mirë të themi, një familje. Ishin të internuar. Më i moshuari prej tyre, ishte ndër ata burra, të cilët në një çast të caktuar të jetës, bëhen të tepërt në vendin e tyre. Ai vinte nga një kuvend, ndërsa të tjerët ishin të rinj që kishin dalë nga burgu.
Të kesh shkruar, është arsye e mjaftueshme për të justifikuar prangat.
E ku gjetkë të çon të menduarit, veçse në qeli?
Burgu i kishte lënë të lirë, por të dënuar me internim.
Plaku, babai, i kishte aty pranë të gjithë të vetët, me përjashtim të vajzës së madhe, e cila nuk kishte mundur ta ndiqte pas. Edhe dhëndri kishte qëndruar pranë saj.2 Shpesh ata uleshin rreth tryezës ose në një stol, të heshtur, të vrenjtur, duke menduar bashkërisht, por pa shqiptuar asnjë fjalë, për ata të dy që mungonin.
Përse vallë këta njerëz ishin vendosur në këtë shtëpi kaq të papërshtatshme?
Thjesht për arsye nguti dhe nga dëshira për të zënë vend kudo të ishte, përveç bujtinës. Padyshim gjithashtu, edhe pse ajo shtëpi ishte e para që ata mundën të gjenin me qira dhe sepse në këto raste, të internuarit nuk e kanë këmbën e mbarë.(…)
Vendet e vuajtjes e të mundimit, përfundojnë në kujtime të një hidhërimi të ëmbël, i cili, më vonë u kthehet në keqardhje. Madje këto vende kanë një mikpritje të vrazhdtë e cila i pëlqen ndërgjegjes. (…)
Një mëngjes nëntori, dy nga banorët e saj, babai dhe djali më i vogël i shtëpisë, ishin ulur në dhomën e poshtme dhe rrinin në heshtje si dy notarë që kanë shpëtuar nga mbytja.
Binte shi, frynte erë dhe shtëpia ishte si e shurdhër nga gjëmimet që dëgjoheshin jashtë. Të dy, at e bir, mendonin, ndoshta të rrëmbyer prej kësaj përputhje të fillimit të dimrit me fillimin e internimit të tyre.
Papritmas, djali ngrihet në këmbë, ngre zërin dhe pyet të atin:
-Ç’mendon ti për këtë internim?
-Do të jetë i gjatë.
-Si mendon ta kalosh?
I ati iu përgjigj:
-Do të kundroj oqeanin.
Ra një heshtje. I ati vazhdoi:
-Po ti o bir?
-Unë, – tha djali, – do të përkthej Shekspirin.
.
Abdulla Rami - pjesë nga Dorëshkrimi
Abdulla Rami – pjesë nga Dorëshkrimi

Kapitulli II

Ka njerëz vërtetë oqeanë.
Këto dallgë, kjo baticë dhe zbaticë, kjo vajtje-ardhje e hatashme, kjo oshëtimë erërash, këto dritë-hije, kjo bimësi rritur veç shpellash, këto imazhe resh mes uraganit, këta zgalema dallgësh, ky lartësim i mrekullueshëm yjesh reflektuar në kushedi çfarë pështjellimesh të mistershëm e ndër miliona maja të shndritshme, këto turbullira kokash të panumërta, këto rrufe të fuqishme e bredharake që kërcënojnë, këto ngashërima të pafundme, këta përbindësha që mezi i rrok shikimi, këto netë ogurzeza çarë klithmash, këto zemërime e delirime, këto stuhi e shkëmbinj, këto përmbytje e anije që përplasen mes tyre, këto bubullima njerëzore përzier me gjëmime hyjnore, ky gjak në humnerë; e në anën tjetër, këto hijeshi të ëmbla, këto festa, këto veliera të bardha e të hareshme, këto varka peshkimi, këto këngë ushtuese, këta limane vezullues, këto tymra të tokës, këto qytete në horizont, kjo kaltërsi pafund e detit dhe qiellit, ky shkrumbim pjellor, ky trishtim që rigjeneron gjithësinë, kjo kripë e ashpër pa të cilën gjithçka do të kalbej; këto turfullime e paqëtime kjo e Gjithë në Një, kjo e beftë në të shtangurën, kjo mrekulli e paskaj e monotonisë së pashterrshme në larmi, kjo fashë pas stuhisë, këto ferre dhe parajsa të pambarimta përjetësisht emocionuese, kjo pafundësi e papenetrueshme; e kur të gjitha këto bashkohen te një mendje, atëherë kjo mendje quhet Gjeni! Ja, kështu ju shfaqet Eskili3, ju shfaqet Isaia4, ju shfaqet Juvenali5, ju shfaqet Dante6, ju shfaqet Mikelanxhelo7, ju shfaqet Shekspiri8, dhe të kundrosh këto shpirtra është njësoj sikur të kundrosh Oqeanin9.
.

Footnotes

1.Vendbanimi në internimin i Viktor Hygosë në Jersey, nga viti 1852 deri në vitin 1855. Përkujtimi i treqind vjetorit të lindjes së Shekspirit dhe reflektimi rreth gjenialitetit shekspirian, lidhen ngushtësisht me gjendjen shpirtërore të Hygoit gjatë viteve të internimit.
2.Leopoldina, vajza e Viktor Hygosë, dhe burri i saj, ishin mbytur në Senë, në Villequier, në 4 shtator 1843.
3.Eschyle (greqisht: Αισχυλος), dramaturg dhe tragjedian i Greqisë antike (525-456 p.e.s.)
4.Isaïe, profet i Biblës së Vjetër, i cili ka jetuar mes shekullit të VIII-të dhe të VII-të p.e.s.
5.Juvenal, poet satirik romak i shekullit të I-rë të e.s.
6.Dante Aligieri (1265-1321), poet, shkrimtar dhe politikan italian.
7.Michelangelo Buonarroti (1475-1564),skulptor, piktor, arkitekt dhe poet italian. 
8.William Shakespeare (1564-1616), dramaturg anglez.
9.Nëpërmjet kësaj liste e rradhitjeje të gjenive, Hygoi deshifron faktin se çdo gjeni bëhet njëherësh “absolut” dhe “mendjet hyjnore” ndriçojnë mbi tokë gjithë etapat e përshkruara nga qytetërimi.
 
*Fragment “William Shakespeare” nga Victor Hugo


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.