back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

“Virgjneshat e Betueme” dhe nji histori e imja me Burrnesha! Jozef Radi

Gazeta

Shenja e Virgjëreshës
Shenja e Virgjëreshës

Virgjneshat e betueme të Ballkanit:

Me jetue si burrë – nji zgjedhja e lirë e malsoreve

nga Daphnee Denis

“Virgjneshat e betueme” (ose Burrnesha në gjuhën shqipe) janë gra shqiptare që vendosin me e injorue identitetin e tyne femnor dhe me jetue si burra…
Fotografi Jill Peters udhëtoi nëpër Veri të Shqipnisë me synimin me i fotografue këto gra. Vendimi për me jetue si burra asht ma së shumti i lidhun me rolet gjinore në kulturën shqiptare se sa nji dëshmi e seksualiteti: këto gra e jetojnë krejt jetën e tyne duke u paraqitë si burra.

Jill Peters - Burrnesha Qamil 2012
Jill Peters – Burrnesha Qamil 2012

Virgjneshat e betueme kanë ekzistue ndër shekuj. Simbas traditës nji veprim i tillë daton qysh në shekullin e 15-të, i zhvilluem edhe prej Kanunit, mbi kodin e ligjit fisnor, e të klaneve fisnore në Ballkan, të ndikueme prej arsyes kur familjet mbeteshin pa asnji prani mashkullore, apo kur gjakmarrja i shuente krejt burrat e nji familjeje, dhe e vetmja mënyrë me shpëtue nderin e familjes ishte që nji grue të merrte përsipë me u bà patriarku i klanit dhe të fillonte me veprue dhe me u sjellë si burrë.
“Duke u bà kështu nji ‘virgjneshë e betueme’ ose nji burrneshë, grueja ngrihej në statusin e nji burri, duke dhanë kështu asaj gjithë të drejtat dhe atributet e gjindjes mashkullore,” – shkruan Peters në faqen e sitit. “Në mënyrë që ta bajë të dukshëm ndryshimin, gruaja pret flokët e saj, vesh rrobat karakteristike të meshkujve, dhe ka raste kur ajo ndryshon edhe emnin e saj… Ma e randsishmja e të gjithave, asht se ajo merr vendimin të mbetet beqare e dëlirë përjetë të jetë.”

Jill Peters - Burrnesha Mark 2012
Jill Peters – Burrnesha Mark 2012

Dhe sa i përket kësaj “virgjneshat e betueme as martohen kurrë dhe as lindin fëmijë, “Asnjena prej tyne nuk ndjen keqardhje për kët gjà,” – thotë Peters për gratë me të cilat ai ka folë – “Ata janë shumë krenarë për familjet e tyne, për nipat dhe mbesat e tyne!” Dhe për sa kohë ata të jetojnë nji jetë të ndershme, janë të respektueme dhe trajtohen si anëtarë të randsishëm të shoqnisë.
Shqipëria ka bà mjaft progres kur është fjala për të drejtat e grave, por në disa qytete të vogla ende s’asht futë plotësisht modernizimi. Në disa fshatra, gratë ende s’mund t’i drejtojnë punët apo të qepin e të veshin veshje te veçanta gjinore. Janë familjet e tyne ato që ende jua zgjedhin burrat me të cilat ato do të martohen në përshtatje me traditën kulturore dhe ato do të kujdesen për bashkëshortin dhe fëmijët e tyne. Për shumë vite, e vetmja mënyrë me i shpëtue rregullave të ngurta të shoqërisë ishte të zgjidhnin për mos jetue si femna.

Jill Peters - Burrnesha Hajdar 2012
Jill Peters – Burrnesha Hajdar 2012

Kurse “virgjneshat e betueme” janë tashma përfaqsuese historike të zakonshme, kur popullsia asht pakësue. Ato s’mund të jenë ma shumë se 30 burrnesha të mbetuna në fshatra të vogla, po ka edhe më të rinj të konsideruem “pak autentikë”, tash që të qenit grue asht ma e lehtë mbasi gratë janë ma të pavaruna.
Ato tashma janë të mbetuna peng të betimit të tyre, dhe mendjet e virgjneshave s’mund të ndryshojnë ma…
Edhe pse nji grue mund të bahet edhe Presidente e Shqipnisë, ato tashma e kanë vendosë fatin e tyne: sa të jenë gjallë janë burra!” thotë Peters.
Marre nga http://www.qualiafolk.com – Për ma shumë shihni dokumentarin “Te virgjneshat e betueme” Ai/ajo /ai (Përktheu dhe përshtati në shqip Jozef Radi)

Jozef Radi 2001
Jozef Radi 2001

“Virgjneshat e Betueme”

dhe nji histori e imja me Burrnesha! Jozef Radi

Kohët e fundit kam ndjekë me mjaft kuriozitet librat, shkrimet dhe dokumentarët e botës perëndimore mbi Burrneshat Shqiptare, gra të cilat në nji kontekst apo rrethanë historike, bajnë nji betim, (s’e di se para kujt e bajnë kët gjà) me jetue dhe me veprue si burrat… kështu, jeta e tyne kalon përfundimisht në krahun e burrave për gjithë të gjallët e tyne… Kjo kurreshtje europiane e ndrydhjes së seksit femënor, kryesisht ndër shqiptaret e Veriut, në emën të nji kauze madhore dhe qëndrimi stoik i këtyne grave për me jetue si burra, mund të them se ka qenë edhe nji kurreshtje e imja e hershme, nji kurreshtje pa zgjidhje, sepse në t’vërtetë kishte përballë nji grue, po ajo kishte vendosë me u shfaqë si burrë!?!
Hatman G. ishte prej nji familje me mjaft emën në Tropojë dhe kur unë isha rreth 12-13 vjeç Hatmani duhej të ishte rreth të tridhjetave… Truni im s’arrinte ta ftillonte psenë e asaj grueje që kishte vendosë që gjithë jetën me e jetue si burrë…!! Me mendje i shetisja gjitha mundësitë: mos ngaqë s’ishte fort e bukur, mos kishte pësue ndonji disfatë sentimentale, mos… dhe të gjitha mos-et ishin pa asnji përgjigje. Fakt ishte, se Hatmani ishte edhe komshia jonë dhe unë e shihja përditë që të gjithë e respektonin si burrë, i flisnin si burrë, ndrronin cigare me të si ndrronin zakonisht burrat, bile kur nxehesh Hatmani s’ta përtonte fort, edhe ndonji të shame ma zi se burrat ta lëshonte, dhe ajo e shamja e tij sado e randë na detyronte me e vu buzën në gaz… pse kushedi sa interesante do të ishte që ndonjenës prej nanave tona… t’ia bante Hatmani ashtu siç ishte shprehë!!!
Duke jetue në nji kamp interrnimi, Hatmani ishte i ndrydhun dyfish, e kishte privue vedin nga e drejta e martesës dhe fëmijve, pra e kishte ndrydhë ai vedin për arsyet e veta, (që unë s’i mora vesh kurrë), po e kishte ndrydhë edhe shteti i diktaturës me nji dënim të pamerituem krejt familjen e tij aty në kampin e Savrës. Dhe shpesh ai punonte me djem e me burra në punët ma të randa të bujqsisë si tezga apo transporti i foragjereve, punë ku asnjiherë s’kishte punue asnji grue… Ajo kokfortësia e tij prej malsori(e) bante që ai të luftonte me shpirt  nëpër dhambë, mos me e dëshmue at dobësi të vedit që ishte nji grue… Jo, ai ishte burrë e çfarë burri, që luftonte dhambë për dhambë në ato punë ku punon burra të fortë dhe djem të ri…
Deri këtu, jemi në kufijtë normalë të anormales… tash na duhet me u futë pak ma thellë, në kufijtë anormalë të anormales…

Jill Peters - Burrneshe 2012
Jill Peters – Burrneshe 2012

Ndodhte që drekave kur s’kishte gja gati në shtëpinë e të vëllait, ku ai  jetonte, Hatmani merrte tasin dhe shkonte në mencën e sektorit me marrë çka të kishte menyja: midis pilafit, fasuleve, turlisë dhe kosit…
Hatmani i Gashit të Gurit, ku ishte llagapi që i pëlqente ma fort, asht me tasin e aluminit në rradhë të kosit… I pëlqen kosi se i kujton bjeshëkt!Faturistja e mencës rastësisht kishte qëllue pak komuniste, dhe s’e kishte fort qejf Hatmanin… dhe kur atij i vjen rradha dhe porosit dy racione kos, ajo pa e mbarue mirë fjalën i thotë:
“Kos s’ka, kosi mbaroi!”
“Si s’ka?” – u habit Hatmani
“Mbaroi kosi, liroi rradhën tjetrit!” vazhdoi faturistja
“S’ka, s’ka, – tha Hatmani – po për atë para meje a kishte?!”
“Për atë kishte për ty s’ka – të thashë mbaroi. Na u hiq qafe tani!” – vazhdoi gjithë arrogancë  faturistja
Dhe Hatmani duke e ngritë pak zanin doli nga rradha dhe e lejoi tjetrin mbas tij me porositë…
Edhe ai për çudi porositi “Dy kos e dy pilaf” – dhe faturistja triumfalisht ia preu faturën dhe ia dha…
Ndërkohë Gashi i Gurit u ba bishë.. së pari i foli ashpër për padrejtësinë, po edhe ajo iu kthye, sigurisht pak me direktivë partie, atherë Hatmani i lëshoi së pari nji breshni të shamesh të forta burrash, e kur ajo ia theksoi partinë dhe interrnimin, ai gjet rast dhe e kapi mirë për flokësh… me ndërhymjen e të pranishmeve sherri u nga po jo inati i Hatmanit, as denoncimi i faturistes kuqalashe. At mbasdite në rrugicën e shtëpisë u shfaqën dy policë që e arrestuan Hatmanin, dhe mbas nja dhjetë ditësh iu ba gjyqi… Problemi ma i madh ishin gjeneralitetet… Nejse gjithë çeshtja u trajtua si violencë verbale e nji burri ndaj nji grueje, pra të shamet e tij ju konsideruen si të nji burri…

Elvira Dones - Sworn Virgin
Elvira Dones – Sworn Virgin

Hatman Gashi, i Gashit të Gurit u dënue me nji vjet burg, si “burri që fyu randë nji komuniste të re…!”, ndërsa dënimin e vuejti te burgu i grave në Kosovë të Vogël…
Ja kjo asht nji histori e vogël e atyne Burrneshave shqiptare, e cila ende sot asht nji kurreshtje e imja, e pashpjegueme perseja e nji zgjidhje të tillë, që s’pranoi në asnji mënyrë gjatë gjykimit se ishte grua… bile ndjehesh i fyem pse burgun e bani me gratë…
Jo, Hatmani ishte Burrë, e çfarë Burri…!! Ishte qëndrimi dhe sjellja e tij s’lente asnji shteg dyshimi…!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.