18.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Vilsoni dhe Genci… – në “Ferrin e Çarë” të Visar Zhitit

on

|

views

and

comments

 

Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Vilsoni dhe Genci…

në “Ferrin e Çarë” të Visar Zhitit

Dy të rinj nga fshatrat e Librazhdit, dy poetë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, – shih, dhe emrat i kanë si në balada, – 42 vjet më parë, në 17 korrik 1977, u pushkatuan nga regjimi diktatorial me akuza të çmendura e barbare, të pavërteta. Dy poetë të pafajshëm, por poezia e tyre ishte e lirë, metaforike, kundërshti dhe kërcënim i fshehtë për totalitarizmin dhe Realizmin Socialist të tij, Dhe gjyqi i shpalli “sabotatorë” të kooperativës bujqësore me bëma dhe me poezi(?!). Dhe i pushkatuan. Tmerr!
I përkujtojmë me mall dhe dhimbje dhe me urrejtje të shenjtë ndaj së keqes, duke u lutur për drejtësi dhe nderim të përjetshëm.
Me këtë rast po sjellim pjesë tronditës nga burgologjia “Ferri i çarë” për Vilsonin dhe Gencin…
 .
Dosja Penale e Vilson Blloshmi dhe Genc Lekës
Dosja Penale e Vilson Blloshmi dhe Genc Lekës

* * *

-Anonimi i skuadrës së pushkatimit tregon: – Ju flisni shpesh e shkruani nëpër gazeta për pushkatimin e atyre dy të rinjve nga Bërzeshta e Librazhdit, që bënin dhe poezi, Vilson Blloshmi e Genc Leka, botoni librat e tyre, i nderoni, u keni nxjerrë dhe eshtrat nga vendi ku i vramë dhe i mbuluam. Është dhënë dhe një emision televiziv, e kam parë, ashtu është… Gjithmonë kam pasur frikë se mos shiheshim edhe ne, megjithëse isha i sigurt që atë natë s’kishte kamera a aparat fotografik, vetëm armë dhe plumba, dhe gjak. Pres se mos dalin emrat tanë, me ankth, po ç’faj kemi ne? Vërtet ne i vramë, por s’ishim ne vrasësit. Gjejeni kush urdhëroi… Dhe unë sikur lehtësohem… Prandaj dua të tregoj ç’pashë atë natë, jam një nga ata të skuadrës së pushkatimit, burrë i vjetër tani, por mos më pyet për emrin, nuk ta them, as ku rri e ku do të iki, por s’mund të rri pa e treguar. E vërteta ka më rëndësi…
Pas mesnate, se ashtu bëhen pushkatimet, pa nisur zbardhëllimi, ndalën te vendi sekret, i caktuar më parë, një rrëpirë e shkretë në humbëtirë. Zbritën nga karroceria e makinës ushtarake ata të skuadrës së pushkatimit. Nga “xhipat” dolën shefat, komandanti i skuadrës së pushkatimit, kryetari i Degës, prokurori i rrethit, mjeku… Dhe i sollën ata të dy, Vilsonin me Gencin, të sfilitur, të torturuar. Të qethur, me nxirje në fytyrë e copërlime në gjymtyrë, as rrobat e shqyera nuk ua mbulonin. Mezi rrinin në këmbë. Gati me të shtyra shkuan tek ai pak shesh i gjymtë mes shkurreve e gurishtave. Terr dhe hije malesh më keq se terri. Heshtje, që prishej nga hapat e çizmeve ushtarake a nga ndonjë guriçkë që merrte të tatëpjetën. Groooopaaa… Përroi i Firarit, tamam vend djajsh. Fenerët e dorës bënin dritë të frikshme a u ndezën dhe dritat e njërës nga makinat. Ata të dy më këmbë, të zymtë përbuzshëm, të tronditur deri në moskuptim dhe në një si panik të shtypur, të drunjëzuar. A kështu u dukej atyre që ishin përballë, skuadrës së pushkatimit. Se ata s’do t’i shihnim më ata drurë përreth, as botën, njerëzit e tyre. Nuk mendoheshe dot më shumë, këputej çdo mendim, s’e dije ç’ishe e ç’ishin ata që do të pushkatoheshin. Vilsoni dhe Genci. Anash rrinin drejtuesit e kësaj ceremonie vrastare, të tmerrshme, të pashembullt. Si në detyrë, si në punë. Urdhri paraprak ishte që të qëllonin vetëm mbi Genc Lekën. Nga fare afër. – Zjarr! Genci ra e po përpëlitej mbi barin e lagur me gjakun e tij. Rënkonte. Rrëketë e gjakut vërshonin nga plagët që sapo hapën plumbat në trupin e tij. Vilsoni, me sytë gjysmë të mbyllur i shtangur më këmbë.
-E shikon shokun tënd? – u dëgjua një zë. Njëri nga shefat iu afrua kufomës ende më këmbë të Vilsonit. -Kështu do të biesh edhe ti, por prano. Duam bashkëpunimin… Di gjuhë të huaja, mund të na shërbesh, çështjes së madhe të…
.
17 korik 2019 - lule në përkujtim të Poetëve të Pushkatuar
17 korik 2019 – lule në përkujtim të Poetëve të Pushkatuar
-Kam thënë jo, mbaroni shpejt! – foli dënesshëm Vilsoni.
-Mendohu, por shpejt, s’ke kohë shumë, balta të pret.
-Më mirë baltë sesa me ju, – u duk sikur u përgjigj vetë balta.
-Shoku yt mbaroi, shiko te këmbët. Ti mund t’i arrish ëndrrat…
-Ashtu?! – guxoi e foli oficeri? Sa të poshtër!
-Jooo, – ndërpreu gjithçka ulërima e Vilsonit, – me shokun tim e nisa, me të ta mbaroj! – dhe po u bërtiste atyre, dukej sikur donte që të mbyllej sa më parë kjo tragjedi, ai i ishte dhënë vdekjes me kohë, që kur i arrestuan, në hetuesi, në gjyq, kur hodhën sentencën: dënim me vdekje, me pushkatim. Më herët akoma, ai endej në mbretërinë e vdekjes, që kur shkroi poezinë parë, që kur po përkthente fshehurazi njërin nga ata poetët e mallkuar, që, kur u dashurua me atë aktoren, por tani s’kishte kohë më për asgjë, veç për të nxjerrë dufin e fundit, para se të nxirrte frymën e fundit.
-Vrasës… Më vrisni… se edhe ju… kriminelë…
– Zjarr! – u përsërit urdhri, më me rreptësi e më me mllef… dhe batareja e plumbave e griu të gjithin. Ra përsipër shokut të tij. Gjaku që sapo i vërshoi, iu përzie me të atij dhe, siç bëhen vëllamë duke pirë nga gjaku i njëri-tjetrit, ata u bënë vëllezër në pafundësinë e territ, ashtu siç është vetë vdekja.
Dy kokë të bronzta mbi siprinën e ujit, të mëdha, të rënda, si dy planete. Buzë rrugës në të hyrë të qytetit të Librazhdit. Grup skulpturor në nderim të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Uji është kujtesa a vetë koha, a kthjellimi i kujtesës. Sytë të mbyllur në një gjumë bronzi. U dola nga pas. Ndërrova prapë vend. Kërkoja vrimat e plumbave në kafkë. Më dukeshin të sapovrarë dhe uji më bëhej gjak. Se dhe pasqyronte perëndimin e diellit. Po shikoja i hutuar. M’u nëpërmend ajo ditë e largët, kur unë me shokun tim, Sherifin poet, të dy gjimnazistë, ishim në drekën e përshpirtjes së tyre në shtëpinë e motrës së Gencit, në Pluk, në internim. Ato dy kokë bronzi mund të ishin dhe tonat. Iu afrova. Sikur i ngjan ca i biri Gencit, njëherë e kam takuar në një përurim të poezive të të atit. Kurse kokës së Vilsonit i ngjan tamam Bedriu, i vëllai. Në burg, kur e shihja, më dukej i sertë gjithmonë. I paafrueshëm. “Hapu”, i bërtiste kujtdo që gjente përpara. Mbase u thoshte xhindëve. Dhe atë e dënuan me vdekje, por ia kthyen dënimin pastaj me 25 vjet burg. Dhe ai jeton pas vdekjes tani, por jo në bronz, rojë në një shkollë. E ka çuar në Strasburg a Bruksel çështjen e pushkatimit të të vëllait dhe të mikut të tij. Kërkon drejtësi, se ata që e vranë, janë ende gjykatës, deputetë, punojnë nëpër ministri, tek të drejtat e njeriut, shpërblehen, kurse vajza e Vilsonit ka nevojë për ca para të paguajë spitalin në Milano, për një operacion të rëndë dhe do t’i mjaftonte dëmshpërblimi i të atit. Por ai vonon ose jepet me këste aq të pakta, sa nuk zgjidh dot halle.
Ç’është kjo demokraci me vrasësa?!
Shih gazetat, na i mbushën me ligësi e spiunë, sikur vetëm kështu ka qenë. Po të tregojnë, të futen në tekstet e shkollave dhe bëmat e Sokolit me Tomën, Vilsonit me Gencin, baladë mbi baladat, si dhe të shokëve të tyre. Dy kokët e bronzta më dukeshin si mbi lot. Zgjata duart t’i ledhatoj.
Sytë e… tragjedisë
…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore!”. Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… Si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë?! Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!! Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar njëherë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve. Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare! Botë Edip, qorre, ulëri e masakruar në fundin tënd!
.
Te Kulla e Blloshmëve në Bërzeshtë - poetë e shkrimtarë
Poete e shkrimtare te Kulla e Blloshmëve në Bërzeshtë –
* * *
Epilog i vogël:
-Çfarë kërkon, cilat janë fjalët e tua të fundit? – e pyetën Trifon Xhagjikën, pasi i dhanë dënimin kapital, me pushkatim.
-Do të doja një top, – tha ai, – jam artilier, që t’i bija Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë…

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.