back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Vetëdija dhe realiteti i njeriut shqiptar përmes tranzicionit shoqëror, në romanin “Në Tiranë bie shi”, të Kliton Nesturit – nga Emrije Krosi

Gazeta

Studiuesja Emrije Krosi
Studiuesja Emrije Krosi
Vetëdija dhe realiteti i njeriut shqiptar përmes tranzicionit shoqëror,
në romanin “Në Tiranë bie shi”, të Kliton Nesturit

nga Emrije Krosi

Letërsia e pasviteve’90-të, përveçse lirisë në krijimtarinë artistike, shënon edhe një realitet të ri socio-shoqëror. Ky realitet u shoqërua edhe me një përmbysje të fortë sociale dhe politike. Në vetëdijen e një kohe, ku ngrehina e madhe e një shoqërie solidare të njëjtësuar u shkërmoq, ishim në kërkim të një identiteti të ri letrar, që ishte edhe sfida më e madhe, për t’u përshtatur me kohën dhe ndryshimet e mëdha socio-kulturore, shoqërore dhe politike. Kjo vorbull e padukshme e rrokamës së shoqërisë së mbyllur shqiptare, solli sfidat e plejadës së re të shkrimtarëve të rinj për një manifest të ri letrar (Dado: 2010: 170), që tashmë ka filluar të quhet edhe brezi i shkrimtarëve që e “ndërtuan” profilin e tyre, nën frymën e kohë së ndryshimeve të këtyre dekadave, në bazë jo vetëm të karaktereve të rinj, por edhe të kontakteve me letërsinë moderne europiane. Kërkimi dhe gjetja e fabulave risi, si lëndë e parë në art dhe letërsi, si dhe njohja e marrëdhënies ndërmjet gjinisë dhe tekstualitetit është integrale për të kuptuarit e letërsisë dhe kulturës së periudhës post/moderniste. Tensioni midis mishërimeve letrare dhe realitetit të jetës, është në zemër të debateve të shpeshta, që rrethojnë praktikën narrative, ku sfondi socio-kulturor, historik dhe ideologjik hyn në lojë, po ashtu edhe përvoja e kaluar e lexuesit në letërsi sipas rregullave të njohura nga tekstet e mëparshme, të cilat më pas variojnë të korrigjohen të ndryshohen apo edhe riprodhohen, në kuadrin letraro-historik (Kennedy: 1994: 267). Në këtë kontekst, shumë shkrimtarë dhe romancierë shqiptar, përpos risisë, kanë risjellë tematika të shumëllojta, jo vetëm nga periudha e shoqërisë komuniste, por sidomos fabula me histori të një shoqërie imorale, pervese, frustruese, përjashtuese, në kërkim të identiteteve të lira, që kanë “ngecur” në rrjetën e deformimit kulturor, ku njeriu shqiptar kërkon identitetin e tij të “humbur”, përmes romanit “Në Tiranë bie shi” (Nesturi: 2020).

***

Personazhet kryesore të romanit, jemi të gjithë ne. Kryepersonazhi nuk ka emër. Ai është një intelektual shqiptar i kohëve modrene, që në pamundësi për të ndryshur realitetin, ndryshon vetveten (braktis karrierën për të ruajtur dinjitetin). Dëshmitar i devijimeve dhe keqpërdorimit të pushtetit, peronazhi mundohet ta orientojë veten drejt mbrojtjes së vlerave, parimeve, integritetit personal, shoqëror dhe familjar, ndaj të gjitha skrupujve për karrierë dhe pushtet, duke “zbuluar” plojën e një shoqërie, që moralin, kulturën, dashurinë madje edhe familjen e ka vetëm si fasadë. Diku-diku prevalojnë vlerat personale dhe intelektuale ndaj zhbërjes, por diku-diku, elementet e çmuara si: miqësia, shoqëria, besnikëria, ndershmëria, janë shkëmoqur nën petkun e “ngopjes” me negativitet. Por, dokudo çiltërsia dhe sinqeriteti shpirtëror nuk shuhet, kur ndërtohet mbi parime të sinqerta. Personazhet si: Ela, Xhorxhi, Indriti, Adriana, Mateo, Pifi, Ergysi etj., janë pjesë e fabulës që ndërthuret ashtu thjesht si vetë përditësia jonë (post)tranzistore. Kuptimi individual i lirisë, ku paraqitja artistike zëvendësohet me realitetin bashhkëkohor, veçanërisht në këndvështrimin dhe ekspozimin e këtij realiteti, është me të vërtetë mahnitëse (Auerbach: 2003: 467). Një realitet i shoqërisë moderne, ku njeriu nuk ka vlerë: mjafton të shohësh një hop brenda vetes dhe e ndien veten të përfshirë në një vorbull kaotike, ku jeta e spektaklit dhe heronjtë e rremë që fabrikohen vazhdimisht në media, janë mbizotërues në një realitet që në të vërtetë nuk prodhon asnjë vlerë reale, se mënyra e zakonshme e të kuptuarit të përvojës shoqërore në fakt keqinterpreton, vlerën njerëzore. Autori ka lënë të hapur, mënyrën e leximit dhe interpretimit tek tekstit, shkallën e “hapjes” dhe “mbylljes”. Në fakt kemi të bëjmë me një tekst të hapur, ku një nga lëvizjet themelore, është topika e ligjërimit (Eco: 1979:111), që përcakton edhe konceptet e izotopisë:

1.izotopi e marrëdhënies erotike, (një trajtim krejt ndryshe, ku femra merr tiparet e realitetit, ku Ela është arrogante dhe përdor çdo mjet për karrierë): “tashmë për mua Ela ishte vetëm një “ajo”, që po fliste me një ton nervoz, fyes dhe arrogant. Edhe unë po qëndroja më serioz dhe realisht i revoltuar, si asnjëherë më pare që nga koha që kisha nisur punë aty”,
2.izotopi e marrëdhënies së sinqertë miqësore, (një miqësi që qëndron pavarësisht situatave dhe rrethanave kohore): “Jashtë nisi të binte një shi i rrëmbyeshëm. – Tani do të doja të ecja nëpër shi, duke u lagur! – foli “Pifi”, ndërsa vështronte nga dritarja”
3.izotopi e marrëdhënies me qytetin, (lidhja e kryepersonazhit + rrëfimtarin + titullin +fabula): “shpesh në dimër, e sidomos ku moti është i vranët ose me shi, Tirana më ngjall trishtim. Zhveshja nga gjelbërimi, veç halorëve, të gjithë drurët e pemëve të tjera rrinë si trupa lakuriqë pleqsh, të dobët, të fishkur dhe duken të lodhur e të rraskapitur”,
4.izotopi e marrëdhënies me vetevten, individin, identitetin, kohën dhe shoqërinë, (lidhja që ka autori dhe kryepersonazhin me vendlindjen me kohën dhe ndryshimet, me identitetin dhe mëvetësinë me “shumicën” dhe “turmën” ): “unë vërtet kam qenë rebel ose mendjehapur, siç thua ti, por gjithnjë ndryshimin e kam dashur këtu, në këtë vend, dhe nuk kam menduar asnjëherë që mund të jetoj përgjithnjë larg tij. Këtu është identiteti im dhe ndihem ngrohtë, pavarësisht sfidave që kam kaluar dhe po kaloj. Ndoshta ndoshta, jam romantiku ose idealisti i fundit këtu te ne! Por nuk më vjen keq për këtë!… Ky jam unë”,
5.izotopi e marrëdhënies me pushtetin dhe karrierën dhe dinjiteitn njerzor, (autori çmon më shumë dinjitetin sesa karrierën dhe fuqinë me të cilën merret dhe mbajet ajo. Dinjiteti ka të bëjë më karakterin, si gjëja më e vlertë për autorin është mospërdhosja e dinjitetit): “ mos e vrit shumë mendjen. Para jetës, shëndetit dhe dinjitetit, të tjerat janë pesë me hiç! Ato nuk na i merr dot askush, nëse nuk i lejojmë ne…”. Autori ka një qasje individuale, jo vetëm për kopetencën koherente të lexuesit, por edhe formën sociale dhe shoqërore të kuptimit, që letërsia pasqyron:

-strukturat shoqërore dhe ruajtja e etnitetit socio-kulturor,
-sociologjia dhe marrëdhënia e individit me veten dhe shoqërinë,
-marrëdhënia personale me karrierën dhe politikën,
-(ri)konceptimi i lidhjeve familjare si:
a.burrë/grua,
b.motër/vëlla,
c.baba/vajzë,
-konsistencta e brendshme e sistemeve të përfaqësimit të miqësisë dhe fqinjësisë,
-diskursi social i veseve përmes sociopoetikës si: (alkooli, diskursi ekonomik, seksi, sporti),
-dimensioni (tërësia e sjelljeve joverbale në paraqitjen e vetvetes),
-përsosja e marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet ligjërimit të autorit.

Kliton Nesturi - Në Tiranë bie shi
Kliton Nesturi – Në Tiranë bie shi

Për ta bazuar sociologjinë në niveli i individit, për të kuptuar “socialin në gjendjen e ngulitur” tek individi, “të shumësocializuar” dhe “me shumë qëllime” nga kultura, nga shteti social, por edhe nga familja, shkolla, miqtë, dashuritë dhe nga përkatësitë politike, fetare dhe të tjera, përqaset përmes lidhjes mes etnokriticizmit dhe sociokritizmit (Heyndels: 1988: 123).

Por, postmodernizmi “po vdes”, duke ia lënë kohës emërtimin e epokës së re, tash qarkullojnë shumë emra – performatizmi, metamodernizmi, dixhimodernizmi, post-postmodernizmi, po i përmend vetëm disa. Ndoshta duhen vite para se të arrihet një konsensus i vërtetë (Eshelman: 2014: 15), shkon drejt kërkesës për një poetikë të hapur, që largohet prej normave ku sistemet janë përcaktesa të rendit zhanror, ku postmodernizmi e thekson më së shumti si një “definim të caktuar”, drejt poetikave të hapura, ku strukturat teorike herë-herë janë të ndërrueshme bashkë me procedimet teorike, që përrok krijimi postmodern dhe intertekstual (Alen: 200: 84).

Sipas konceptit të rrëfimit pa ndërmjetësim, duke ilustruar përvojën e rrëfimeve personale, bëhemi zotërues të kodeve narrative me elemente postmoderne, që janë:

1.parabolë e narratorit (narrator-autor);
2.parabolë e pastish-it (shumësia e diskurseve)

pastish-i i diskursit kulturor-muzikal: “muzika e Fil Kollinsit vazhdon të përhapet nëpër shtëpi… Pas tij vijon Xho Kokeri… “Up Where we Belong”… Lavdi Amerikës që krijoi rokun, këngën e revoltës dhe të ndryshimit! “Who knows what tomorrow brings/ In a world, few hearts survive”,

-pastish-i i diskursit të medias dhe komunikimit masiv:“në kohët moderne, pavarësisht zhvillimit të industrisë së spektaklit dhe komunikimit masiv, njerëzit ndiejnë në hopet e sinqeritetit më shumë nevojë për veten tyre, sesa për heronj që prodhohen nga historia ditore dhe mas – media. Në fund të fundit, çdo njeri duhet ta kthejë vështrimin nga vetja dhe të bëhet heroi i jetës së vet”,

-pastish-i i makth-ëndrrës: “u ngrita vrik nga shtrati dhe qëndrova ndenjur. Isha në ëndërr. Një ëndërr e trishtë, që reflektonte një botë të mbushur me ëndrra dhe makthe, brenda jetës, e cila edhe vetë është një makth-ëndërr”.

Fragmentarizimi në romanin bashkëkohor me prirje postmoderniste, ushqehet edhe nga ndërfutjet në rrjedhën narrative shkrimi epistolar, (ditare/letra). Ky lloj shkrimi gjendet në ato tekste që karakterizohen nga një bashkëekzistencë pothuaj harmonike midis diskursit letrar, eseistik, filozofik dhe epistolar (letra e Mateas për vajzën), një praktikë e tillë ndeshet shpesh në letërsinë e shkruar në mbarë arealin gjithëshqiptar. Një roman i shkuar si një manifest social dhe një fakt shoqëror, që më ndihmën e saj të mund të dekodojmë edhe frikën e idhtarëve të individualistëve më absolutë, tekefundit impakti shoqëror, nuk është vetëm një manifestim i personalitetit individual, por edhe social dhe kulturor, të një shoqëria me një traumë të gjatë në tranzicionin e pafundëm shqiptar, jashtë krijimit të një vetëdije puritane, a mund të krijojmë një realitet “siu generis”, duke patur pavarësinë e ekzistimit personal të pavarur nga vetëdija edhe si fenomen sociologjik (Durkheim: 2004: 18).

Së fundmi: romani i Nesturit, është roman me tematikë të fortë sociale, ku psikologjia e njeriut shqiptar, në rrokupujën e përmbysjes së madhe klasore, shoqërore, politike dhe ekonomike pas tre dekadave, akoma mëton të gjejë veten, në “luftë” me individin dhe shoqërinë, në “luftë” mes besimit dhe frikës, në “luftë” me identitetin dhe njeriun, për të besuar tek vlera, morali, virtyti, familja, dashuria, dinjiteti, shpresa, kundër zhbërjes së modeleve negative si: egoizmi, baltosja, pabesia, vetmia, smira, cinizmi, arroganca, se saora njeriu duhet të shpëtojë nga tjetërsimi i individit, përmes katarsisit (pastrimit) të ndërgjegjes, për të mos humbur thjesht: dinjitetin njerëzor!

Kliton Nesturi - Në Tiranë bie shi
Kliton Nesturi – Në Tiranë bie shi
Bibliografia:

1.Allen, Graham: (200), Intertextuality, Routledge-Taylor and Francis Group, London and New York.
2.Auerbach, Erich. (2003): Mimesis: The Representation of Reality in Western Literature. Princeton: Princeton University Press.
3.Dado, Floresha. (2010): Letërsi e painterpretuar, “Bota Shqiptare”, Tiranë.
4.Durkheim, Emile. (2004): Leksione sociologjike, “Plejad”, Tiranë.
5.Eco, Umberto. (1979): Lector in fabula, Bonpiano, Milano
6.Eshelman, Raoul, (2014), Performatism, the epoch after postmodernism. Symbol, No. 2, Tirana – Prishtina – Skopje, 2014.
7.Heyndels, Ralph. (1988): Le centre de sociologie de la littérature de l’Université de Bruxelles, in: Études littéraires 21 (2).
8.Kennedy, George Alexander. (1994): A New History of Classical Rhetoric. Princeton: Princeton University Press.
9.Nesturi, Klinton. (2020): Në Tiranë bie shi, “OMSCA-1”, Tiranë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.