back to top
16.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Asnji habi për rezultatet e zgjedhjeve në Shqipni… – nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci 2014
Ilir Seci 2014

Asnji habi për rezultatet e zgjedhjeve në Shqipni…

nga Ilir Seci

Me 20 prill të vitit 1980, regjimi komunist i Fidel Kastros në Kubë shpalli se të tanë ata kubanë që dëshironin me emigrue në SHBA ishin të lirë me hypë në varka në portin Mariel në perëndim të Havanës dhe me mësy për në brigjet e Floridas…
Kjo shpallje nga diktatori Kastro krijoi preçedentin që mbeti në histori si “Mariel Boatlift”, shqip “Lejimi i Varkave në Portin Mariel”… Me t’u provue se kjo shpallje ishte e vërtetë, mbi 125 mijë refugjatë kubanë mbërritën në brigjet e Floridas qysh të nesërmen…
Siç u mësue ma vonë lejimi i “arratisjes” se kubanëve ishte i mirëplanifikuem nga regjimi diktatorial i Kastros, ishte taktikë për me lirue valvolën e tensioneve sociale që po zienin në ishull, tensione që ishin krijue si rezultat i dështimit ekonomik, tue fillue nga mungesa e banesave që kishte çue në krizë strehimi deri te mungesa e vendeve të punës që kishte shkaktue falimentimi ekonomik i Kubës komuniste. Tensionet e mbrendshme në ishull kishin mbërri pikën e vlimit me 1 prill të atij viti, kur Hector Sanyustiz bashke me katër veta të tjerë, me nji autobus shpërthyen gardhin rrethues të ambasadës peruane ku kërkuen azil politik që iu dha menjiherë… Rojet kubane në rrugë hapën zjarr kunder autobusit ku si pasoje nji roje u vra nga shkëmbimi i zjarrit.
Qeveria kubane kërkoi nga ambasada peruane që ata pesë personat të dorëzoheshin e të nxirreshin në gjyq për vrasjen e rojes… Kur qeveria peruane refuzoi, Kastro atëherë vendosi me heqë rojet kubane të kësaj ambasade për tre ditë, nga e Premtja e Mirë, me 4 Prill, deri të Dielën e Pashkëve, më 6 prill 1980… Me t’u marrë vesh se ambasada peruane ishte pa roje, mbi 10 mijë kubanë hynë në ambasadë, në mjediset e brendshme dhe në kopshtet e ambasadës tue kërkue azil. Për shkak të mbingarkesës në mjediset e ambasadës peruane, ambasada të tjera, përfshi ato të Spanjës dhe Kosta Rikës, ranë dakord me marrë nga nji numër njerëzish…
Për habinë e tanëve, dy javë ma vonë, Fidel Kastro shpalli se porti i Marielit do të hapej për cilindo që dëshironte me u largue nga vendi, nëse kishin dikë që mund t’i merrte. Mërgata kubane në SHBA nxituen me gjetë varka në Miami dhe Key Ëest për me marrë të afërmit e tyne…
…Kësisoj diktatura kubane duke lejue të pakënaqurit me u largue nga vendi e hapi valvolën e shkarkimit të tensioneve sociale dhe ia zgjati jetën vetes deri më sot. Nga Kuba u larguen antikomunistët, të pakënaqurit, u larguen ata që ishin në gjendje me e ba nji sintezë mendimi dhe me gjykue mbi veprimet e diktaturës së Kastros. Kuba komuniste që ishte në zgrip ekonomik nuk ishte në gjendje me i mbajtë në burgje tanë ata kundërshtarë të regjimit prandaj ua dha udhët duke hapë ambasadat dhe portin…

Ambasada Gjermane Korrik 90
Ambasada Gjermane Korrik 90

* * *

…Edhe sikur me ba skeptikun ma ekstrem, kritizerin ma të pakompromis që mund bahet, prapë asht e pamujtun mos me e vu oroe ngjashmëninë mes veprimeve të qeverisë së Fidel Kastros në vitin 1980 dhe qeverisë së Ramiz Alisë 10 vjet mbas, më 1990… Dhe nuk asht ngjashmëni e rastit, por asht e bazueme në manualet komuniste, direktivave dhe qarkoreve të Moskes… “Copy and Paste” nga Manualet, (Textbook), të qendrës… A nuk ndodhi e njajta gja tek ne:
-Ambasadat me 2 korrik 1990?
-Anijet që mësynë brigjet e Italisë më 1991?
Eksode që bash si hemoragji, (rrjedhje gjaku), e shterruen Shqipninë nga elementët antikonformistë, antikomunistë, nga njerëzit me mendim të vetin, nga njerëzit që janë në gjendje me ba nji sintezë gjykimi… Ikën nga vendi të tanë këta tue fillue me ambasadat Korrik ‘90, Eksodin Mars ‘91, Gomonët në Vlonë mbas vitit 1993, ikje që kulmuen sidomos mbas kobziut “Viti 1997”… hemoragji që vazhdoi mbas vitit 2000 e vazhdon edhe sot e kësaj dite… Establishmenti politik në Shqipni këtë mision paska pasë, sipas model-manualit të Bllokut huazue në Kubë – zbraz vendin nga të pakënaqunit duke ua ba jetën të padurueshme, tue i shtrëngue me ikë derisa në vend të mbesin vetëm përkrahësit fanatikë që votojne verbnisht… Pa qenë fare nevoja për burgje dhe kampe internimi, thjesht degdisi në internim modern dhe në fund edhe me përfitue pare prej tyne në vend që me pague miliona për ruejtjen e burgjeve dhe kampeve të tyne… Se të internuemit modernë, (emigrantët), normalisht kanë me dhanë ndihma financiare për ata që kanë lanë në atdhe… S’ka tjetër shpjegim mbi këtë hemoragji… ba me qenë ndryshe ua kishin dhanë emigrantëve të drejtën me votue për zgjedhjet në Shqipni atje në vendet ku jetojnë jashtë…
Prandaj nuk ka asgja me u habitë për rezultatet e zgjedhjeve në Shqipni… Establishmenti e ka realizue planin e internim-dëbimeve në kushtet e reja… Tashma në Shqipni kanë mbetë vetëm votuesit që i duhen Bllokut… tash e tutje ka “Vetëm përpara!”…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.