Vepra e Plotë e At Gjergj Fishtës
në Dhjetë Vëllime
nga Frano Kulli
Vepra e plotë e Fishtës, në dhjetë vëllime, është në qarkullim prej vitit 2012. Është botim i Entin Botues “Gjergj Fishta”. Botimi është strukturuar sipas zhanrreve letrare (siç ka qenë edhe një ide-amanet i vetë autorit, lënë gjuhëtarit At Viktor Volaj, sekretar dhe mik personal i Fishtës): Lirika, epika, dramatika, satira dhe publicistika.
Tre vëllimet e para i zë Lirika.
I pari “Mrizi i Zanave”, botuar për herë të parë më 1913, dhe ribotuar edhe tre herë të tjera deri në vitin 1941.
I dyti është “Vallja e Parrizit”
Në të tretin janë përfshirë Poezi të Përkthyera nga Fishta, kryesisht nga poetë italianë, si Petrarka dhe të tjerë të njohur si Manxoni, Silvio Pelico, Giacomo Xanella, etj.
Vëllimi i katërt përfshin epikën, ku përveç “Lahuta e malcis’” ka edhe një poemë epike të pambaruar: “Mojs Golemi”.
Vëllimi i pestë dhe i gjashtë përfshijnë Dramatikën; gjitha melodramat e botuara më vehte, por dhe në shtypin letrar të kohës, si dhe pjesë të tjera të shkruara enkas për t’u vënë në skenat e teatrit amator të Shoqërive kulturore të kohës në Shkodër.
Në vëllimin e shtatë dhe të tetë është satira; “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”, poemë e madhe satirike në dy pjesë e në formë dramatike mbi jetën bashkëkohore shqiptare. Ky vëllim përfshin edhe pjesën e dytë ”Visku i Babatasit”. Botimi i kësaj vepre ka shkaktuar turbullira të mëdha në opinionin publik shqiptar të asaj kohe dhe të mbas asaj kohe, aq sa pjesa e dytë “Visku…” nuk u botua kurrë për të gjallë të autorit.
Në dy vëllimet e fundit, është Publicistika, të gjithë shkrimet e botuara në dy organet e themeluara dhe drejtuara prej tij: “Posta e Shqypnisë” dhe “Hylli i Dritës”, organi, padyshim, më i rëndësishëm kulturor i kohës, si dhe esetë e tij si bie fjala “Shqyptarët dhe të drejtat e tyne”, përgatitur nga Fishta dhe mbajtur si fjalim në emër të delegacionit shqiptar në Konferencen e Paqes në Paris, 1919-1920 nga kryetari i atij delegacioni: Imz. Luigj Bumçi, “Një udhëtim në Turki t’re” analiza “Trazimet e qershorit 1924”, etj.
Ky botim, më i ploti dhe i vetmi gjer më sot, është përgatitur nga një redaksi studiuesish, njohës të dalluar të autorit dhe të veprës së tij si; prof. Tonin Çobani, Prof. Stefan Çapaliku, Prof. Tefë Topalli,(gjuhëtar), Prof. Hamit Boriçi (historian i publicistikës) dhe Dr. Ndue Zef Toma.
Botimi është i paisuar me një aparat filologjik, me shpjegime falësh e shprehjesh frazeologjike. I realizuar kështu, ky botim i ofron lexuesit të sotëm një mundësi të mirë leximi të veprës së njërit prej njerëzve më të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës shqiptare, duke evituar kështu shkëputjen gjysmë shekullore që i’u bë veprës dhe autorit nga regjimi i shkuar politik në Shqipëri, por edhe një periudhë tjetër prej dyzet vjetësh, në të cilat shtrihet procesi krijues i kësaj vepre, duke filluar që nga botimi i poezive të para në revistën “Albania” të Konicës me 1899 dhe dy këngëve të para të “Lahutës…” botuar në vitin 1902.